Wednesday, January 16, 2013

MBI DREJTIMET E MUNDSHME TË ZHVILLIMIT TË STUDIMEVE SOCIOLINGUISTIKE TË SHQIPES




Shkumbin MUNISHI (Prishtinë)

ABSTRACT

Në këtë punim paraqiten të gjitha zhvillimet e deritashme të studimeve sociolinguistike në fushën e shqipes dhe gjendja e tanishme e studimeve sociolinguistike, si dhe trajtohen mundësitë për zhvillimin e mëtejmë të këtyre studimeve. Në fillim jepen të dhënat kronologjike lidhur me problemet e ndryshme sociolinguistike të shqipes, të cilat janë trajtuar nga autorë të ndryshëm të huaj e shqiptarë, që nga shfaqja e kësaj qasjeje studimore në fushën e shqipes dhe, pastaj, paraqitet gjendja e studimeve aktuale sociolinguistike të shqipes. Në fund, trajtohen hapësirat potenciale për lëvrimin e mëtejmë të problemeve e çështjeve të ndryshme sociolinguistike të shqipes dhe parakushtet që duhet krijuar për avancimin e mëtejmë të studimeve sociolinguistike.

Fjalët kyçe: sociolinguistika, shqipja, planifikimi gjuhësor, politikë gjuhësore, ideologjia, hulumtim sasior, variacion gjuhësor, analizë diskursi.

HYRJE

Para katër-pesë vitesh pata një komunikim përmes emailit me sociolinguistin e mirënjohur Nikolas Coupland, në atë kohë kryeredaktor, bashkë me sociolinguistin Allan Bell, i revistës shkencore “Journal of Sociolinguistics”, të cilit i shpreha interesimin tim për ta dërguar për botim një punim lidhur me situatën gjuhësore të shqipes në Kosovë. Mbeta i befasuar nga interesimi dhe gatishmëria e tij për ta marrë në konsideratë për botim punimin tim. Couplandi mi dërgoi kriteret teknike që duhet t’i ketë teksti, të cilat “Journal of Sociolinguistics” i zbaton për punimet që botohen në të dhe kërkoi nga unë që t’i propozoj dy recensentë, të cilët do ta shqyrtonin punimin tim. “Kërkoj falje, por unë nuk njoh ndokënd që merret me probleme sociolinguistike të shqipes, prandaj ju sugjeroj që vetë t’i propozoni dy recensentë”, ishin fjalët e Couplandit. U ndala dhe mendova se kë mund ta propozoja përveç Rexhep Ismajlit, pasi emrat e tjerë që m’u kujtuan ishin në vetë fillimet, e marrjes madje fragmentare me sociolinguistikë.
Po e filloj këtë ligjëratë duke treguar këtë përvojë timen, e cila shpërfaq më së miri gjendjen e studimeve sociolinguistike të shqipes dhe nevojën për ta ndryshuar këtë gjendje, temë kjo për të cilën do të flasim në vazhdim.
Gjuhësia shqipe zhvillimin e saj më të madh e ka arritur gjatë shekullit të kaluar, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Forcimi i entiteteve shtetërore shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni ndikoi drejtpërdrejt në krijimin e kushteve më të përshtatshme institucionale, arsimore e shkencore për avancimin e studimeve linguistike shqipe. Kjo ndikoi që të zgjerohej gama e interesimeve shkencore dhe të shtohej numri i studiuesve të cilët merreshin me probleme të shqipes. Kur flasim për profilin dhe fushat e studimeve linguistike shqipe gjatë shekullit XX, duhet theksuar se këto studime shtriheshin në disa fusha. Fillimisht, falë interesimeve të autorëve të huaj, si: Gustav Meyer, Holger Pedersen, Norbert Jokl, Agna Desnickaya, Eric Hamp dhe të tjerë, vëmendja u përqendrua në trajtimin e probleme nga fusha e historisë së gjuhës shqipe dhe të lidhjeve të saja me gjuhët e rajonit e me gjerë. Studimet historike-krahasimtare të autorëve të huaj, u pasuan nga studimet e autorëve shqiptarë, si: Eqrem Çabej, Aleksandër Xhuvani, Shaban Demiraj, Idriz Ajeti, Besim Bokshi dhe të tjerë, të cilët plotësuan mozaikun e të arriturave në fushën e historisë së shqipes. Në kuadër të këtyre studimeve u trajtuan çështje që kanë të bëjnë me etimologjinë e shqipes, me probleme të fonologjisë dhe gramatikës historike, si dhe me çështje të tjera që kanë të bëjnë me afërsinë dhe me përkimet e shqipes qoftë me gjuhët e Ballkanit, qoftë me gjuhët e tjera evropiane.
Përveç studimeve në fushën e historisë së shqipes, pas Luftës së Dytë Botërore morën hov edhe studimet në fushat e tjera të gjuhësisë shqiptare. Në atë periudhë pati një përqendrim paralel në dy fusha kryesore studimore. Së pari, iu kushtua vëmendja procesit të normimit të shqipes, proces ky që u vu në qendër të vëmendjes së elitave politike e kulturore në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Aktivitetet kryesore u përqendruan në hartimin e dokumenteve normative të shqipes standarde, siç ishin drejtshkrimet e fjalorët e ndryshëm të shqipes të botuar në Shqipëri dhe në Kosovë që nga viti 1947 e deri më 1972. Së dyti, puna kryesore qe përqendruar në studimin e problemeve në fushën e fonetikës, morfologjisë, sintaksës, leksikut, si dhe në  hartimin e gramatikave dhe të fjalorëve të shqipes. Si rezultat i këtyre studimeve u botuan shumë gramatika e botime të tjera shkencore, të cilat nuk do t’i përmendim një nga një, por të cilat kontribuuan në përparimin e studimeve linguistike shqiptare. Gjithashtu, vlen të përmendet së në atë periudhë në fushën e dialektologjisë pati një sërë aktivitetesh të vazhdueshme për studimin e dialekteve e të folmeve të shqipes, studime këto që kishin për qëllim hartimin e Atlasit Dialektor të Shqipes. Këto studime dialektore ndihmuan në krijimin e një pasqyre sadopak të qartë për të folmet e arealit të shqipes, për tiparet dhe për gjendjen e tyre.
Megjithatë, kur po flasim për këto studime, përkundër përpjekjeve dhe të arriturave studimore, gjuhësia shqiptare e asaj periudhe vazhdonte të mbetej e pa ndikuar nga drejtimet moderne linguistike të shekullit XX, siç ishin strukturalizmi, funksionalizmi e gramatika gjenerativiste transformacionale. Drejtimet intersidiplinare, siç ishin sociolinguistika e psikolinguistika, të cilat filluan të zhvilloheshin gjatë viteve ’50 të shekullit të kaluar, pothuajse ishin të panjohura për gjuhësinë shqiptare të para 3-4 dekadave.  Arsyet për mosdepërtimin e këtyre drejtimeve linguistike në Shqipëri mbase duhet kërkuar në rrethanat politike, ekonomike e kulturore, të cilat mbretëronin në Shqipërinë e asaj periudhe. Mbyllja hermetike dhe izolimi i vendit pengonin kontaktet me botën tjetër dhe ndikonin në përcjelljen e rrjedhave studimore moderne të kohës.
Mungesa e informatave dhe mosnjohja e drejtimeve linguistike të kohës, manifestohej përmes kompleksit të refuzimit ideologjik të drejtimeve moderne linguistike. Ideologjia bëhej mburojë për mosdije dhe refuzim. Pikëpamjet e pakta teorike të strukturalizmit, gjenerativizmit e funksionalizmit, për të cilat ndonjë gjuhëtar kishte informacione të kufizuara, hidheshin poshtë nga të tjerët, duke u stigmatizuar e cilësuar me përplot atribute negative ideologjikisht të motivuara. Në anën tjetër, kishte edhe gjuhëtarë, që edhe pse mund të kishin sadopak njohuri për zhvillimet moderne në fushën e gjuhësisë, pikërisht për shkak të stigmatizimit ideologjik, nuk zbatonin dot në studimet e tyre metoda e skema teorike të drejtimeve të përmendura linguistike. Në atë periudhë gjuhësia shqiptare mbeti e izoluar dhe e pandikuar nga shkollat e drejtimet e atëhershme moderne linguistike. Kjo situatë ndikoi drejtpërdrejt në nivelin e zhvillimit të gjuhësisë shqiptare dhe pati për pasojë shfaqjen e mangësive të shumta teorike e praktike në studimet në fushën e gjuhësisë. Në fakt, gjuhësia shqiptare edhe sot e gjithë ditën nuk ka arritur të dalë krejtësisht nga skemat e gjuhësisë tradicionale, në të cilat ka qenë e ngujuar për gati 5 dekada.
 Ndryshimi i rrethanave politike, ekonomike e kulturore, si dhe zhvillimi i teknologjisë informative, në këto dy dekadat e fundit, i ka hapur rrugë depërtimit të drejtimeve moderne linguistike, të cilat kanë filluar të përqafohen nga studiuesit e brezit të ri. Këto zhvillime sigurisht që do të ndikojnë në zhvillimin pozitiv të gjuhësisë shqiptare në shekullin në të cilin po jetojmë.

1.       Zhvillimi i sociolinguistikës si shkencë interdisiplinare

Pak më parë u tha që drejtimet interdisiplinare siç është sociolinguistika kanë depërtuar fare pak në gjuhësinë shqiptare. Studimet sociolinguistike, në fakt, janë vazhdimësi e studimeve dialektore të ndërmarra në Europë, SHBA e gjetiu gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe gjysmës së parë të shekullit XX. Kalimi nga studimet dialektore në studimet sociolinguistike është i ndërlidhur me përfshirjen në anketim të respodentëve nga qendrat urbane, krahas modelit tradicional dialektologjik të gjetjes së informatorëve në zonat më të thella të izoluara rurale, te të cilët kërkoheshin izoglosat e caktuara. Ky element ka ndikuar që në studimet dialektore të dalë në shesh edhe ndikimi i faktorëve shoqëror në ligjërim, pikërisht për faktin se shtresëzimi shoqëror i qendrave urbane është shumëdimensional. Elementet e para të studimeve gjuhësore që marrin parasysh ndikimin e faktorëve shoqërorë i gjejmë në studimet e autorëve indianë dhe japonezë, por sociolinguistika e mirëfilltë mund të thuhet se fillon me studimet e gjashtë studiuesve, të cilët mund të konsiderohen si pionierë të sociolinguistikës. Në këtë mes, në radhë të parë duhet përmendur William Labovin, i cili me punimet e tij të para në fushën e sociolinguistikës sasiore në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar konsiderohet si themelues i kësaj disipline. Përveç tij, themelues të sociolinguistikës mund të konsiderohen edhe sociologu britanik Basil Bernstein, i cili me punën e tij mbi kodet e ndërlidhura me klasat hapi shtigje të rëndësishme për studimet sociolinguistike. Autorët e tjerë që ndihmuan në konsolidimin e kësaj disipline janë: Dell Hymes, i cili formësoi të ashtuquajturën “etnografi të komunikimit”, John Gumperz, i cili mund të konsiderohet si themelues i sociolinguistikës interaksionale, si dhe Charles Ferguson dhe Joshua Fishman të cilët zgjeruan edhe më tej hapësirat e studimeve sociolinguistike, duke përfshirë trajtimin e varieteteve gjuhësore dhe dukurive që ndërlidhen me raportet midisi varieteteve gjuhësore.  Të gjithë këta autorë, përveç Bernsteinit, ndonëse edhe ai ishte ftuar, qenë të pranishëm në Institutin Gjuhësor në Bloomington, në verën e vitit 1964, ngjarje kjo që i dha shtytje studimeve sociolinguistike. Këta autorë, të cilët ndonëse tashmë mund të quhen klasikë, mbeten të patejkaluar në studimet sociolinguistike. Autorë të tjerë, si Peter Trudgill, Lesley e James Milroy, Walter Wolfram, Nikolas Coupland, Deborah Tannen, Norman Fairclough e të tjerë, me punimet e tyre ndihmuan në avancimin e sociolinguistikës si disiplinë shkencore. Përndryshe, duket që për herë të parë termin sociolinguistikë ta ketë sajuar, më 1939,  Thomas Callan Hudson.
Sot, sociolinguistika është disiplinë që ka arritur përparime e rezultate të shumta studimore dhe ka konsoliduar metodologjinë kërkimore, sidomos në SHBA dhe në Europën Perëndimore. Përveç gjuhësisë, ajo ndërthuret edhe me disiplina të tjera shoqërore, si: sociologjia, psikologjia, antropologjia e etnologjia, gjë që ka ndikuar që kjo disiplinë të marrë karakter me të vërtetë interdisiplinar. Krahas problemeve dhe çështjeve tashmë tradicionale nga fusha e politikës dhe planifikimit gjuhësore, nga fusha e kontakteve të gjuhëve, në kuadrin e sociolinguistikës sot trajtohen edhe çështje të variacionit gjuhësore, të varieteteve e të stileve funksionale, probleme të gjuhës, kulturës e mendimit, si dhe çështjet e problemet nga fusha e sociolinguistikës interaksionale e të analizës së diskursit. Me fjalë të tjera, gama e interesimeve sociolinguistike përfshin pothuajse çdo modalitet të ndikimit të faktorëve shoqërorë, kulturorë e psikologjikë në ligjërimin e individit dhe të grupeve të ndryshme shoqërore. Në SHBA dhe në Europë, sociolinguistika zë vend qendror në planet dhe programet e institucioneve të ndryshme universitare dhe instituteve të ndryshme, të cilat në kuadrin e tyre kanë edhe departamentet e gjuhësisë.

2.       Gjendja e sotme e studimeve sociolinguistike shqipe

Sa i përket studimeve sociolinguistike në fushën e shqipes, ato janë krejt të pakta dhe nuk mund të flitet për një disiplinë të konsoliduar studimore në gjirin e shqipes. Në bibliografinë e studimeve albanologjike mund edhe të hasësh shpesh tituj punimesh që përmbajnë atributin “sociolinguistik”, por në shumicën e atyre punimeve ka pak ose aspak sociolinguistikë. Mjafton të bëhet një kërkim në Google duke përdorur fjalët kyçe “studime” (studies), “sociolinguistike” (sociolingustics) dhe “shqipe” (Albanian) dhe literatura kryesor e vetme që shfaqet është një publikim i veçantë, nr. 178, i revistës “International Journal of the Sociology of Language”, revistë që ka si kryeredaktor sociolinguistin e mirënjohur Joshua A. Fishman, me titull:  "Sociolinguistic Studies on the Albanian language" (2006). Në këtë botim, i cili është redaktuar nga Eda Derhemi dhe Pandeli Pani, janë të përfshirë disa punime të autorëve të ndryshëm shqiptarë e të huaj, si: Gjovalin Shkurtaj, Bahri Beci, Eric P. Hamp, Eda Derhemi, Pandeli Pani, Basil Schader, Xheval Lloshi, Jani Thomaj, Rami Memushaj dhe Wilfried Fidler, shumica e të cilëve nuk shquhen për ndonjë fokusim të veçantë në fushën e sociolinguistikës. Çdo kërkim tjetër për referenca lidhur me studimet sociolinguistike në fushën e shqipes rezulton mjaft i varfër.
Studimet e para sporadike që trajtojnë probleme sociolinguistike të shqipes janë kryer në fillim të viteve ’70 të shekullit të kaluara. Ndër studimet e para të karakterit sociolinguistik që trajton probleme të shqipes, mund të konsiderohet studimi i Peter Trudgillit (1975) në fushën e kontakteve të gjuhëve, lidhur me gjendjen e arvanishtes në Greqi (Trudgill, 1990). I po të njëjtës periudhë është edhe studimi i parë i mirëfilltë sociolinguistik në fushën e politikës dhe planifikimit gjuhësor të shqipes i autores amerikane Jannet Byron (1976), i cili trajton rrjedhat e planifikimit të shqipes në Shqipëri dhe ndikimin e faktorëve shoqërorë e ideologjikë të kohës në këtë proces. Në një punim tjetër ajo merr në trajtim edhe procesin e planifikimit të shqipes në hapësirat e ish-Jugosllavisë (1979). Një autor tjetër i huaj që është marrë me probleme të shqipes, më konkretisht të arvanishtes, është Lukas D. Tsipis, i cili në librin e tij “A Linguistic Anthropology of Praxis and Language Shift: Arvanitika (Albanian) and Greek in Contact” gjithashtu trajton gjendjen e arvanishtes në Greqi.
Sa u përket autorëve shqiptarë, është Rexhep Ismajli (1978, 1990, 1994, 1998, 2003, 2005) ai i cili e hapi i pari dritaren e sociolinguistikës për botën shqiptare, siç bëri edhe me drejtimet e tjera moderne linguistike (Munishi, 2012). Nga gjysma e dytë e viteve ’70 të shekullit XX, në disa punime të tij, Rexhep Ismajli në mënyrë të vazhdueshme u mor me trajtimin çështjeve të planifikimit gjuhësor dhe të shqipes standarde, duke mos u kufizuar vetëm në përshkrimin e normës së saj e në çështje të kulturës së gjuhës, që ishte bërë zakon në atë periudhë, por duke trajtuar problemet e planifikimit të shqipes nga një këndvështrim deri atëherë i ri në gjuhësinë shqiptare – nga këndvështrimi sociolinguistik. Po ashtu, ai trajtoi edhe tema të tjera të natyrës sociolinguistike, siç janë çështjet që kanë të bëjnë me gjuhën, kulturën, etninë dhe kombin. Veprimtaria e tij pioniere në fushën e sociolinguistikës jo vetëm që u bë model për disa linguistë të rinj që ta ndjekin rrugën e tij, por pati ndikim të drejtpërdrejtë në rrjedhat e kahet e zhvillimit të gjuhësisë shqiptare.
Ndër autorët e tjerë që kanë trajtuar problemet e shqipes në rrafshin sociolinguistik është edhe Mariana Ymeri, e cila në një punim të saj që i takon rrafshit të sociolinguistikës është marrë me qëndrimet e studentëve lidhur me raportet gjuhë standarde/dialekt. Ky punim paraqet njërin ndër hulumtimet e para të nivelit edhe kualitativ, edhe kuantitativ sociolinguistik në rrafshin e shqipes (Ymeri, 1993). Më pas, në punimet e tjera kjo autore trajtoi edhe çështjet e ekonomizimit gjuhësore në kuadrin e planifikimit të gjuhës (1994), si dhe tiparet e ligjërimit të folur në chat (2005). Një kontribut të veçantë Ymeri dha me rastin e përkthimit të librit të Richard A. Hudson, Sociolingustika (2002). Ky libër edhe sot shërben si një tekst i dobishëm universitar për studentët e degëve të gjuhësisë, ndonëse ka ankesa nga studentët (së paku këta të Prishtinës) lidhur me stilin dhe  kuptueshmërinë e tekstit në gjuhën shqipe. Një tjetër tekst në shqipe të sociolinguistikës e kemi të botuar më herët, më 1996, të autorit Gjovalin Shkurtaj. Aspektit teorik të planifikimit gjuhësor i është qasur edhe Rahmi Memushaj (1996, 1997). Çështjet e politikës gjuhësore dhe të planifikimit të shqipes në Shqipëri janë trajtuar edhe nga Bahri Beci, në një sërë punimesh të botuara gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar, punime këto të cilat janë përmbledhur në një libër të titulluar “Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri”’ (Beci, 2003).
Ndërkaq, ndikimi ideologjik në standardizimin e shqipes është përshkruar nga Ardian Vehbiu (1997). Në vitet e fundit Vehbiu ka botuar dy libra të tjerë: “Fraktalet e shqipes, rrëgjimi i gjeometrive të standardit” (2007) dhe “Shqipja totalitare, tipare të ligjërimit publik në Shqipërinë e viteve 1945-1990” (2009), në të cilat trajton më thellë problemet e shqipes standarde dhe ndikimin ideologjik në procesin e standardizimit të shqipes.
Pas vitit 2002 kemi një varg punimesh nga fusha e sociolinguistikës, të botuara kryesisht në Kosovë, të cilat trajtojnë çështje të politikës dhe të planifikimit gjuhësor të shqipes, probleme të kontakteve gjuhësore, të rrezikshmërisë së gjuhëve e çështje të analizës së diskursit. Ndër autorët që janë marrë me probleme të ndryshme sociolinguistike të shqipes po përmendim Eda Derhemin, e cila ka trajtuar çështjen e rrezikshmërisë së një varieteti të shqipes, të arbërishtes, dhe dukuri të caktuara të lidhura me të. (Derhemi, 2002, 2003, 2006). Duhet theksuar se, në këto 10 vitet e fundit, pikërisht Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare u bë tribunë e shqyrtimeve sociolinguistike. Nën drejtimin e Rexhep Ismajlit është krijuar thuaj një qerthull i studimeve sociolinguistike në Prishtinë. Kështu, Bardh Rugova (2006, 2007, 2008, 2009, 2010, 2011) ka trajtuar çështje të analizës së diskursit, me theks të veçantë në diskursin e mediave, dukurinë e dizajnit të audiencës dhe çështje të statusit të gjuhëve. Rrahman Paçarizi (2005, 2006, 2007, 2008, 2009, 2010) i është qasur problemit të planifikimit gjuhësor të shqipes nga aspekti psiko-sociolinguistik, ka trajtuar dukurinë e komunikimit përmes mesenxherit, si dhe problemin e rrezikshmërisë së gjuhës shqipe. Shkumbin Munishi (2005, 2006, 2007, 2008, 2009, 2010, 2011, 2012) është marrë me çështje të politikës dhe planifikimit gjuhësor, me çështje të variacionit gjuhësor, çështje të barazisë së gjuhëve e ideologjisë gjuhësore, ndikimin e Internetit në shqipe e kështu me radhë. Ndër autorë të tjerë që kanë trajtuar probleme të ndryshme të natyrës sociolinguistike janë edhe Lindita Tahiri (2009), e cila ka trajtuar çështje të stileve të gjuhës, Ferit Rustemi (2011), Ledi Shamku – Shkreli (2005, 2010), Ardian Doka (2008), Merita Hysa dhe Orjeta Baja (2009), Julie May Kolgjini (2010), Bregasi (2008, 2010, 2011) e që mund të ketë edhe autorë të tjerë, të cilët mbase kam harruar t’i përmendi në këtë rast, ose mund të mos kem pasur informacionin e duhur. Këtu të shtojmë se ka edhe një numër studimesh nga fusha e kontakteve të gjuhës, siç janë disa studime të Vesel Nuhiut, Blerta Mustafës, Haxhi Shabanit dhe të disa autorëve të tjerë, te të cilat ka një qasje sociolinguistike dhe të cilat dallojnë prej studimeve tradicionale të huazimeve gjuhësore që janë kryer edhe më parë në gjuhësinë shqiptare, por në studimet në fushën e kontakteve të gjuhës nuk do të ndalem më gjatë.
Me pak fjalë, u përpoqa t’i përmbledh kontributet e deritanishme në fushën e studimeve sociolinguistike të shqipes, për të dhënë një pasqyrë të gjendjes së sociolinguistikës ndër ne. Po ritheksoj, sigurisht, mund të ketë edhe punime të tjera, të cilat ose mund t’i kem harruar, ose mund të mos jem në dijeni për to, por kontributet që i përmenda konsideroj se janë më kryesoret për zhvillimin e sociolinguistikës shqiptare.

3.       Hapësirat e mundshme të hulumtimeve sociolinguistike

Pasqyra e studimeve sociolinguistike, të cilën u përpoqa ta paraqes pak më parë, dëshmon qartë se sociolinguistika shqiptare vazhdon të mbetet në fillimet e saja, pa shenja të dallueshme të një përparimi modest. Ajo vazhdon të mbetet fushë e interesimeve të kufizuara individuale, në të cilën mungojnë studimet sistematike, por edhe ekipore.
Sot, bota shqiptare, areali shqipfolës në Ballkan dhe diaspora, paraqet një parajsë më vete për studime sociolinguistike, pikërisht për shkak të gjendjes politike, ekonomike e kulturore të trojeve shqiptare. Ambienti kulturor e politik në të cilin jetojnë shqiptarët, në Shqipëri e Kosovë, por edhe në Maqedoni, Mal të Zi e në diasporë, aktualisht paraqet një burim të pashtershëm për shfaqjen e dukurive të ndryshme sociolinguistike. Prandaj, studimi i tyre do të ishte me interes dhe dobi të veçantë.
Zhvillimi i sociolinguistikës nënkupton braktisjen e studimeve tradicionale dialektore, që edhe ashtu kanë ngecur, dhe përqendrimin në studime të varieteteve të ndryshme të shqipes, me theks të veçantë në studimin e vernakularëve urbanë, të regjistrave e stileve të tjera funksionale të shqipes. Kjo nënkupton braktisjen e formave dhe metodologjisë tradicionale të studimeve dialektore, përvetësimin e metodave sociolinguistike dhe zbatimin e metodave kualitative e kuantitative sociolinguistike në studimet gjuhësore. Në këtë kuptim mund të kryhen edhe hulumtime e anketime sociolinguistike edhe në nivel kombëtar. Në fushën e politikës gjuhësore dhe të planifikimit të shqipes ndonëse ka disa përparime, mbetet ende punë për t’u bërë. Në fushën e politikës gjuhësore mungon një politikë gjuhësore brenda shoqërisë shqiptare, mbi të cilën do të bazoheshin qëndrimet ndaj gjuhës.
Planifikimi i statusit është trajtuar deri diku, por mbetet mjaft hapësirë të hulumtohet adekuaciteti i statusit të shqipes në arealin shqipfolës, planifikimi i funksioneve dhe realizimi i statusit në praktikë, punë këto që mund të kryhen përmes hulumtimeve empirike e sasiore.  Planifikimi nxënies mbetet fushë që ka ngecur prapa. Me interes paraqesin studimet sociolinguistike në ndërlidhje me praktikat arsimore. Kështu, mund të ketë studime të nxënies së gjuhës, të analizës së bisedave në klasë, ndikimi i faktorëve sociolinguistikë te nxënësit në procesin mësimor, çështjet e pabarazisë gjuhësore dhe lidhja e gjuhës me prejardhjen regjionale e sociale të nxënësve, si burim i pabarazisë gjuhësore, përfaqësimi i kontekstit me rastin e procedimit të informatave, si dhe shtrëngimet psiko-sociolinguistike te nxënësit e shumë e shumë aspekte të tjera. Edhe planifikimi i korpusit është fushë ku mund të bëhen studime të shumta sociolinguistike, të cilat do të ndihmonin në praktikat standardologjike të shqipes, sidomos në këtë kohë kur flitet aq shume për rishqyrtimin eventual të normës. Në fushën e planifikimit të korpusit të shqipes standarde, ose më mirë të themi të rishqyrtimit të tij, mund të thuhet se studimet kanë ngecur aty ku kanë qenë më 1972. Lëvizje të vetme pozitive në këtë drejtim paraqesin veprimtaritë e Këshillit Ndërakademik dhe Konferenca e Durrësit e vitit 2010.
Fusha krejtësisht të paprekura mbeten sociolinguistika variacionale dhe sociolinguistika interaksionale, si dhe analiza e diskursit. Studimi i varieteteve gjuhësore, analiza e bisedave dhe ndërlidhja e tyre me faktorët shoqërorë dhe studimet e diskursit, sidomos të teksteve të folura, do të ishin një kontribut i çmuar për shqipen, por për t’u kryer studime të tilla duhet përgatitje paraprake metodologjike në fushën e sociolinguistikës.
                Për ta tejkaluar këtë gjendje mendoj se duhet angazhim më i madh i institucioneve arsimore e shkencore në hapësirat shqiptare për të dhënë orientimin e duhur studimor dhe për t’i orientuar kërkuesit shkencorë drejt hapësirave sociolinguistike. Studimet sociolinguistike do të ndihmonin më së tepërmi në paraqitjen e gjendjes aktuale të shqipes dhe të varieteteve të saja, si dhe ndikimin e faktorëve të shumtë kulturorë, ekonomikë dhe politikë në fenomenet që i hasim në shqipe.
Një element tjetër i rëndësishëm është edhe orientimi i studentëve për t’u kapur me probleme sociolinguistike qysh në kohën e studimeve të tyre. Kjo do të ndikonte që edhe brezat e studiuesve të rinj të përgatiten në aspektin teorik, metodologjik e praktik për të trajtuar çështje nga fusha e studimeve sociolinguistike dhe kjo do të ndihmonte që ata të lidhen me trendët studimor botërorë.
Një avantazh, i cili është në dobi të përparimit të studimeve sociolinguistike, është edhe përparimi që është’ arritur në fushën e teknologjisë informative. Sot, ka mjaft softuerë të zhvilluar të cilët përdoren për studimet sasiore në shkencat shoqërore. Si shembull po japim softuerët, si “IMB SPSS software”, i cili përdoret për hulumtimin dhe analizimin e të dhënave statistikore në studimet kuantitative dhe softueri “Praat”, i cili mund të ndihmojë në analiza të ndryshme fonetike të të folurit. Natyrisht, ka edhe softuerë të tjerë që mund të përdoren për analiza të tekstit e të konkordancave, si dhe shumë e shumë aspekte të tjera që janë me interes për studime linguistike, por që nuk do të ndalem më gjatë te ta.
Lëvrimi i fushave studimore sociolinguistike që u përmendën pak më parë, jo vetëm që do të ndihmonte në zhvillimin e sociolinguistikës shqipe, por përfitimi kryesor që do të vinte nga studimet e problemeve aktuale sociolinguistike të shqipes do të ishte ndërtimi i një pasqyre të qartë të gjendjes së sotme të shqipes dhe të kodeve të saja. Njohja e kësaj baze do të ndihmonte në kanalizimin dhe zgjidhjen e problemeve të cilat i ka shqipja e sotme, si dhe në afrimin më të madh të kodeve të shqipes me folësit e saj.

PËRFUNDIME
               
Në këtë punim i përpoqa të paraqes një tablo sa më të qartë të gjendjes aktuale të studimeve sociolinguistike të shqipes. Studimet sociolinguistike të shqipes janë vazhdimësi e studimeve të tjera të karakterit linguistik që janë kryer në fushën e gjuhësisë shqiptare gjatë shekullit të kaluar. Ndonëse kanë kaluara më shume se 5 dekada që kur sociolinguistika është shfaqur si shkencë inderdisiplinare në SHBA dhe në Europën Perëdnimore, ajo ka shënuar të arritura të pakta në fushën e gjuhësisë shqiptare. Kjo ka ndodhur kryesisht për shkak të rrethanave politike e ekonomike që kanë mbretëruar në Shqipëri e Kosovë gjatë gjysmës së dytë së shekullit XX dhe refuzimit ideologjik që u është bërë drejtimeve moderne linguistike kryesisht në Shqipëri, e më pak edhe në Kosovë.
Në dy dekadat e fundit janë shtuar interesimet për trajtimin e problemeve të shqipes nga këndi sociolinguistik. Studimet kryesore sociolinguistike janë kryer në fushën e planifikimit të shqipes dhe të politikës gjuhësore e, deri diku, janë trajtuar edhe çështjet e ndikimit ideologjik, të variacionit gjuhësor të shqipes, të kontakteve të gjuhës e kështu me radhë. Por, mbeten ende fusha fare pak të prekura, siç janë: analiza e bisedave e të diskursit, trajtimi më i thellë i variacionit gjuhësor përmes studimeve sasiore dhe i dukurive që dalin nga variacioni gjuhësor, siç është rasti i ndërrimit të kodit, e kështu me radhë.
Për t’i çuar përpara studimet sociolinguistike mendoj se në radhë të parë duhet të ndryshohet qasja dhe perceptimi që njerëzit e kanë për këtë fushë. Marrja me probleme të sociolinguistikës nënkupton në radhë të parë përgatitjen interdisiplinare teorike të studiuesve potencialë në fushat e tilla, si: gjuhësia, sociologjia, filozofia e antropologjia. Po ashtu, është e nevojshme që studiuesit potencialë të jenë të përgatitur në aspektin metodologjik dhe t’i njohin metodat tashmë të etabluara të hulumtimit empirik e sasior të ligjërimit. Këto janë parakushtet e domosdoshme që duhen plotësuar, në mënyrë që të kemi studiues, të cilët do t’u rrekeshin problemeve të shumta nga fusha e sociolinguistikës seriozisht dhe me përkushtim. Hulumtimet sociolinguistike të shqipes janë më se domosdoshme për shqipen, sepse jo vetëm që do të paraqitnin më së miri gjendjen aktuale të shqipes në kontekstin e tanishëm shoqëror në të cilin funksionon ajo, por edhe do ta përvijonin rrugën për zgjidhjen e problemeve të cilat i ka shqipja.

REFERENCAT:

Beci, Bahri (2003), Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri, Dukagjini, Pejë.
Bregasi, Majlinda (2008), Minoritetet gjuhësore në Kosovë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 28/1, Prishtinë.
Bregasi, Majlinda (2010), Biseda në debatet televizive politike në Shqipërdi dhe Kosovë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 29/1, Prishtinë.
Bregasi, Majlinda (2010), Gjuha e keqe, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 30, Prishtinë, 2011.
Byron, Jannet (1976), Selection among alternates in language standardization – The case of Albanian, Mouton The Hague, Paris.
Byron, Jannet (1979), Language Planning in Albania and in Albanian-Speaking Yugoslavia, Word vol. 30, nr. 1-2, April-August.
Çepani, Anila (2006), Probleme të kulturës së gjuhës në përdorimin e shqipes në internet, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 25/1, Prishtinë, 2006.
Derhemi, Eda (2002), The Endangered Arbresh Language and the Importance of Standardised Writing for its Survival: The Case of Piana degli Albanesi, Sicily, International Journal on Multicultural Societies (IJMS) Vol. 4, No. 2, 2002, “Protecting Endangered Minority Languages: Sociolinguistic Perspectives.
Derhemi, Eda (2003), New Albanian immigrants in the old Albanian diaspora: Piana degli Albanesi, Journal of Ethnic and Migration Studies (JEMS). Vol. 29, no. 6, University of Sussex, England, 2003, p. 1015-1033.
Derhem, Eda (2006), Features of dysfunctional attrition in the Arbresh of Piana degli Albanesi. The International Journal of the Sociology of Language. # 178, 2006. p. 31-55.
Doka, Ardian (2008), Ligjërimet rinore, entitete pa kufij, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 27/1, Prishtinë.
Hysa, Merita – Baja, Orjeta (2009), Standardi dhe perspektivat pragmatike të variacionit gjuhësor, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 28/1, Prishtinë.
Ibrahimi, Mustafa, (2009), Ndikimi i faktorëve sociolinguistikë në zhvillimin dhe përhapjen e gjuhës së përbashkët shqipe, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 28/1, Prishtinë.
Ismajli, Rexhep (2005), Gjuhë standarde dhe histori identitetesh, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë.
Ismajli, Rexhep (2003), Standarde dhe identitete, Dukagjini, Pejë.
Ismajli, Rexhep (1998), “Në gjuhë” dhe “për gjuhë”, Dukagjini, Pejë.
Ismajli, Rexhep (1994), Etni e modernitet, Dukagjini, Pejë.
Ismajli, Rexhep (1991), Gjuhë dhe etni, Rilindja, Prishtinë.
Jorgaqi, Kristina (2009), Aspekte të politikës gjuhësore në Shqipërinë paskomuniste, Studime Filologjike, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë.
May-Kolgjini, Julie (2010), Mundësia e përdorimit të paskajores në standardin e gjuhës shqipe, Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit (Aktet e konferencës shkencore – Durrës 15-17 dhjetor 2010), Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2011.
Kostallari, Androkli (1984), Gjuha letrare kombëtare dhe epoka jonë (referat), në: Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë, Tiranë, 1988. 
Memushaj, Rahmi (1996), Planifikimi gjuhësor si objekt i sociolinguistikës, Studime albanologjike 1, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Tiranë.
Memushaj, Rami (1997), Planifikimi gjuhësor si element i strategjisë kombëtare, Studime 4, ASHAK, Prishtinë, 1998.
Munishi, Shkumbin (2002), Pikëpamjet e Androkli Kostallarit për gjuhën standarde shqipe, punim i magjistraturës, Prishtinë.
Munishi, Shkumbin (2005) Rishikimi i normës një aspekt i standardizimit të gjuhëve, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën shqiptare 24/1, Prishtinë, 2005.
Munishi, Shkumbin (2006), Gjuha standarde dhe variacioni sociolinguistik, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 25/1, Prishtinë, 2006.
Munishi, Shkumbin (2006), Gjuha standarde shqipe në Kosovë dhe drejtimet e zhvillimit të saj, disertacion i doktoratës, Prishtinë.
Munishi, Shkumbin (2007), Pikëpamjet e Idriz Ajetit për bazën dialektore të gjuhës standarde shqipe, ASHAK, Prishtinë.
Munishi, Shkumbin (2008), Globalizimi, komunikimi gjuhësor dhe gjuha shqipe, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 27/1, Prishtinë, 2008, f. 321-341; shih edhe në Internet: http://www.linguasocio.blogspot.com/.
Munishi, Shkumbin (2009), Barazia e gjuhëve në Kosovë dhe perspektiva evropiane, 1 Uluslararasi Balkanlarda Tarih ve Kültür Kongresi, Bildirler Kitabi, (Kongresi I Ndërkombëtar Ballkanik), 10-16 Mayis, 2009, Kosova, Priştine. (shih edhe në Internet: http://www.linguasocio.blogspot.com/).
Munishi, Shkumbin (2009), Gjuha shqipe dhe Interneti, Filologji, 16, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2009, f. 75-95. (shih edhe në Internet: http://www.linguasocio.blogspot.com/).
Munishi, Shkumbin (2009), Variacioni gjuhësor në mediet audio-vizuele, Media, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2009, f. 93-101. (shih edhe në Internet: http://www.linguasocio.blogspot.com/).
Munishi, Shkumbin (2009), Gjuha standarde shqipe dhe konvergjenca e gjuhës së folur, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 28/1, Prishtinë, 2009. (shih edhe në Internet: http://www.linguasocio.blogspot.com/).
Munishi, Shkumbin (2009), Vështrim sociolinguistik i pikëpamjeve të Selman Rizës për formimin e shqipes standarde, Konferencë Shkencore: Selman Riza – gjuhëtar dhe atdhetar i shquar, me rastin e 100 vjetorit të lindjes, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Tiranë, 2009, Studime 18, ASHAK, Prishtinë 2012. (shih edhe në Internet: http://www.linguasocio.blogspot.com/).
Munishi, Shkumbin (2010),  Planifikimi i statusit të gjuhëve në Kosovë, Pozita e sotme e gjuhës shqipe në Mal të Zi në krahasim me atë në përgjithësi (sesion shkencor i organizuar më 19.12.2010 në Ulqin – Mali i Zi), Art Club, Ulqin, Mali i Zi, 2010. (shih edhe në Internet: http://www.linguasocio.blogspot.com/).
Munishi, Shkumbin (2010), Konfliktet dhe kontaktet gjuhësore, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 29, Prishtinë, 2010. shih edhe në Internet: http://www.linguasocio.blogspot.com/).
Munishi, Shkumbin (2010), Mbi mundësinë e integrimit të paskajores në gjuhën standarde shqipe, Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit (Aktet e konferencës shkencore – Durrës 15-17 dhjetor 2010), Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2011. (shih edhe në Internet: http://www.linguasocio.blogspot.com/).
Munishi, Shkumbin (2011) Gjuha dhe ideologjia, Filologji 18, UP, Prishtinë, 2011. (shih edhe në Internet: http://www.linguasocio.blogspot.com/).
Munishi, Shkumbin (2011) Politika dhe planifikimi gjuhësor i shqipes në kontekstin e sotëm, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 30, Prishtinë, 2012.
Munishi, Shkumbin (2011) Probleme të zbatimit të dygjuhësisë shqip-serbisht në Kosovë, Sesioni Shkencor “Shqipja dhe gjuhët e Ballkanit”, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2012.
Munishi, Shkumbin (2012), Rexhep Ismajli - nismëtar i drejtimeve moderne linguistike shqiptare, Festschrift për nder të 65 vjetorit të lindjes së Akademik Rexhep Ismajlit, Prishtinë (në botim).
Mustafa, Blerta (2005), Factors influencing Code-Switching in Kosova, Filologji 13, Univrsiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.
Mustafa, Blerta (2006) Between-speaker variacion in the success rate of language aquisition in spite of the same teaching input, Filologji 14, Univrsiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.
Nuhiu, Vesel (1995), Interferenca morfologjike e anglishtes në shqipen e Amerikës, Studime 2, ASHAK, Prishtinë, 1996.
Paçarizi, Rrahman (2005), Raportet standard/dialekt dhe rrezikshmëria e shqipes në raportet globale, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 24/1, Prishtinë.
Paçarizi, Rrahman (2006), Vendi i analizës psikolinguistike në rishikimin e gjuhës standarde, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 25/1, Prishtinë.
Paçarizi, Rrahman (2006), Gjuha e mesenxherit, Filologji 14, Univrsiteti i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.
Paçarizi, Rrahman (2008), Shqipja – globalizimi dhe glokalizimi, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 27/1, Prishtinë.
Paçarizi, Rrahman (2009), Interferenca ndërmjet gjuhës së folur dhe gjuhës së shkruar gjatë prodhimit gjuhësor, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 28/1, Prishtinë.
Paçarizi, Rrahman (2010), Natyra psikologjike e gjuhës si veti unike njerëzore, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 29/1, Prishtinë.
Paçarizi, Rrahman (2010), Rruga e zhvillimit të shqipes standarde në raport me nevojat e komunikimit, Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit (Aktet e konferencës shkencore – Durrës 15-17 dhjetor 2010), Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2011.
Paçarizi, Rrahman (2011), Shqipja standarde në parametrat psikolinguistikë, PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë.
Rugova, Bardh (2007), Parimet e rregullave të tekstit te titujt e gazetave, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 26/1, Prishtinë.
Rugova, Bardh (2008), Globalizimi dhe gjuha e gazetave në Kosovë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 27/1, Prishtinë.
Rugova, Bardh (2009), Gjuha e gazetave, Koha, Prishtinë.
Rugova, Bardh (2010), Gjuha e gazetave të Kosovës, Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit (Aktet e konferencës shkencore – Durrës 15-17 dhjetor 2010), Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2011.
Rugova, Bardh (2011), Pozita dhe statusi i shqipes kundruall gjuhëve të tjera të Ballkanit, Shqipja dhe gjuhët e Ballkanit, ASHAK, Prishtinë, 2012).
Rustemi, Ferit (2011), Qëllimet e planifikimit gjuhësor në shqipen kombëtare standarde sot, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 30, Prishtinë.
Spolsky, Bernard, Sociolinguistics and the Sociology of Language, Part 1 History of Sociolinguistics, në Internet: http://www.sagepub.com/upm-data/35389_5434_Wodak_Chap_01.pdf, qasja për herë të fundit më 2 gusht 2012.
Shabani, Haxhi (2007), Rrezikimi i gjuhës shqipe, Toena, Tiranë.
Shamku-Shkreli, Ledi (2005), Për një sociolinguistikë funksionale, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 24/1, Prishtinë.
Shamku-Shkreli, Ledi (2007), Standard dhe neostandart, Çabej, Tiranë.
Shamku-Shkreli, Ledi (2010), Neostandardi i shqipes – traditë dhe përtrimje, Shqipja në etapën e sotme: politikat e përmirësimit dhe të pasurimit të standardit (Aktet e konferencës shkencore – Durrës 15-17 dhjetor 2010), Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, 2011.
Schader, Basil (2004), Hulumtim rreth kod-suiçingut shqip-gjermanisht në Zvicrën gjermanishtfolëse, Studime 11, ASHAK, Prishtinë, 2005.
Shkurtaj, Gjovalin (1996), Sociolingustika, SHBLU, Tiranë.
Shkurtaj, Gjovalin  (1996), Nga gjeografia gjuhësore tek dialektologjia urbane, Studime albanologjike 1, Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Tiranë.
Tahiri, Lindita (2009), Përdorimi i ligjërimeve bisedore në gjuhën e mediave në Kosovë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 28/1, Prishtinë.
Trudgill, Peter (1975), Kontakti gjuhësor në Greqi, Ndikimet Ndërgjuhësore, Vesel Nuhiu, Rilindja, Prishtinë, 1990.
Vehbiu, Ardian (1997), Standard Albanian and the Gheg Renaissance: A Sociolinguistic Perspective, International Journal of Albanian Studies, Vol. 1 Issue 1. Fall 1997.
Vehbiu, Ardian (2007), Fraktalet e shqipes, rrëgjimi i gjeometrive të standardit, Çabej, Tiranë.
Vehbiu, Ardian (2009), Shqipja totalitare, tipare të ligjërimit publik në Shqipërinë e viteve 1945-1990, Çabej, Tiranë.
Ymeri, Mariana (1993), Raportet gjuhë standarde-dialekt në opinionet e studentëve, Gjuha jonë 1-4, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Tiranë.
Ymeri, Mariana (1994), Ekonomia e gjuhës në planifikimin gjuhësor, Gjuha jonë 1-4/ 1994, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Tiranë.
Ymeri, Mariana (2005), Tiparet e ligjërimit të folur në chat, Gjuha jonë 1-4/ 2005, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, Tiranë.

No comments: