Wednesday, January 16, 2013

GJUHA, KOMBI DHE IDENTITETI TE SHQIPTARËT


GJUHA, KOMBI DHE IDENTITETI TE SHQIPTARËT

Shkumbin MUNISHI (Prishtinë)
HYRJE
Gjuha dhe shoqëria janë, padyshim, kategori që kanë një lidhje të pashkëputshme reciproke. Kjo lidhje më së miri vërehet për faktin se të nxënit e gjuhës nuk mund të ndodhë jashtë kontekstit shoqëror, ndërkaq ndërveprimi shoqëror nuk mund të ndodhë pa gjuhën dhe të folurit. Karakterin shoqëror të gjuhës e konstatonte me të drejtë edhe Ferdinand de Saussurei, duke e quajtur atë si prodhim shoqëror. Natyrisht, edhe gjuha, edhe shoqëria, i kanë të ndërtuara strukturat përbërëse, të cilat janë të ndërtuara në bazë të parametrave e tipareve të caktuara dhe të cilat funksionojnë si kategori të veçanta, por të ndërlidhura në formë komplementare. Pa u ndalur më gjatë në shpjegimin e kategorive të gjuhës, po ndalem së pari në trajtimin e disa kategorive shoqërore, siç janë etnia dhe kombi, për t’u kthyer pastaj te roli i gjuhës në ndërtimin e këtyre kategorive dhe në formësimin e identitetit. Konsideroj se sqarimi i çdo ndërlidhjeje të gjuhës me kategoritë e tilla si, kombi, etnia e identiteti, duhet të fillojë, së pari, me shpjegimin e kategorive të tilla.

1.       ETNIA
Faktet arkeologjike dëshmojnë gjithnjë e më shumë se origjina e njeriun nuk mund të ndiqet në një vend të vetëm, por që shoqëritë njerëzore kanë qenë të përhapura gjithandej nëpër Europë, Afrikë e Azi. Kjo ka bërë që grupimet njerëzore të diferencohen qysh në kohëra shumë të lashta. Me kalimin e kohës, grupet shoqërore përmes ndërveprimit shoqëror janë afruar midis tyre, duke krijuar bashkësi shoqërore më të mëdha, në formë të fiseve e klaneve. Ky grupim është bërë në bazë të karakteristikave e tipareve të përbashkëta shoqërore, siç janë gjuha, përvoja kulturore, elementet e traditës e besimit, si dhe elementet psikologjike të vetëdijes së përkatësisë ndaj grupit, të cilat njerëzit i kanë fituar që nga lindja. Të gjitha këto kanë ndikuar vendosmërisht në ngjizjen e identitetit shoqëror dhe në krijimin e ndjenjës së përbashkësisë brenda bashkësisë shoqërore. Aq më shumë, duke u konsoliduar e forcuar më tej brenda bashkësive, këto tipare kanë ndikuar në ndërtimin e grupimeve më të mëdha shoqërore, të cilat në terminologjinë shkencore janë përkufizuar si etni. Emërtimi “etni” mund të konsiderohet si shfaqje e vonshëm, term i shfaqur në fund të shekullit XIX në frëngjishte (fr. Ethnie), që rrjedh nga forma e vjeter greke “θνος” / “éthnos”, njerëz a popull me origjinë të njëjtë; anglisht “ethnicity” apo “ethnic grup” me kuptimin popullatë që është e lidhur në bazë të lidhjeve të përbashkëta të racës, gjuhës, kombësisë, kulturës a religjionit; gjer. “ethnie” dhe “ethnische grupe”; ital. “etnia” dhe “gruppo etnico”, gjithashtu me kuptim të ngjashëm. Shumë autorë pajtohen që ndonëse termi etni është i vonë, mbiemri “etnik” ndeshet shumë më herët. Po ashtu, koncepti që shpreh termi etni është i njohur shumë më herët. Sot, në literaturën shkencore dhe në fjalorë të ndryshëm terminologjik ndeshim disa përkufizime për termin etni, duke u bazuar në disa kritere shoqërore e qasje të ndryshme. Termi grup etnik apo etni mori një kuptim të ri, sidomos pas zhvillimeve post-kolonialiste në Afrikë, domethënë idenë e fisit, e përdorur më parë për t'iu referuar një njësie sociopolitike anëtarët e të cilit ishin të lidhur me lidhje farefisnore. Ky ndryshim në kuptim ndodhi pasi që shumë sociologë u përpoqën të kritikojnë diskursin eurocentrik, me të cilin popujt e botës në zhvillim quheshin me terma "fise", ndërsa ata në botën e zhvilluar quheshin "popuj" ose "kombe" (Green, 2006).
Duke folur për etninë, Anthony Smith thekson se te koncepti i etnisë mund të dallohen dy qasje. Për disa, etnia ka vlera primordiale, pasi që ekziston në natyrë jashtë kohës. Është një prej “të dhënave” të ekzistencës njerëzore. Ndërkaq, për disa të tjerë, etnia shihet si “situacionale” (konstruktiviste, Green 2006), pasi që përkatësia ndaj grupit etnik është çështje e qëndrimeve, perceptimeve dhe ndjenjave që domosdoshmërish janë të luhatshme dhe të paqëndrueshme. Midis këtyre dy ekstremeve qëndrojnë qasjet që i theksojnë atributet historike dhe simbolike, ose atributet kulturore të etnisë (Smith, 1991:20). Sipas këtij autori:
“Grupi etnik është tip i kolektivitetit kulturor, që vë theksin në rolin e miteve të prejardhjes dhe të memories historike dhe që njihet në bazë të një a më shumë dallimeve si religjioni, zakonet, gjuha apo institucionet” (f. 20)
Më tej, Smith-i bën dallimin midis kategorive etnike dhe bashkësive etnike. Të parat i përkufizon si popullsi njerëzore, të cilët njerëzit nga jashtë i konsiderojnë se përbëjnë një kulturë të ndarë dhe grup historik. Ndërkaq, bashkësitë etnike dallohen në bazë të atributeve të tilla si, mitet për origjinën e përbashkët, kujtesa historike, ndjenja e solidaritetit apo ndërlidhja me atdheun. Etnia i ka gjashtë atribute kryesore: 1. Emrin e përbashkët të përveçëm, 2. mitin për origjinën e përbashkët, 3. kujtimet e përbashkëta historike, 4. një apo më shumë elemente dalluese kulturore, 5. asociimin me një truall specifik dhe 6. ndjenjën e solidaritetit për sektorët e rëndësishëm të popullatës (f. 21). Ky autor thekson se në procesin e formimit të etnive mund të ndiqen dy rrugë kryesore: bashkërritja (përafrimi) dhe ndarja, në kuptimin që etnitë formohen ose përmes bashkimit të grupeve shoqërore, ose me ndarjen e tyre (f. 24). Sipas tij, religjioni dhe gjuha janë dy faktorë shumë të rëndësishëm mbi bazën e të cilëve bëhen bashkë, por edhe diferencohen, grupet etnike nga njëri-tjetri. Pasi të jetë konsoliduar mbi atributet e shënuara më lartë, etnia shërben si bërthamë për formësimin e kombit dhe, vijimisht, formimin e shtetit kombëtar (f. 39-42). Pikëpamjeve të Anthony Smith-it do t’u kthehemi përsëri, pak më poshtë, kur të diskutojmë edhe konceptin e kombit dhe shtetit.
Sociologu Anthony Giddens thekson se, “etnia ka të bëjë me praktikat dhe botëkuptimet që dallojnë një komunitet të caktuar njerëzish. Anëtarët e grupeve etnike e konsiderojnë veten e tyre si të veçantë nga ana kulturore nga grupimet e tjera në shoqëri dhe po kështu konsiderohen edhe nga të tjerët. Për t’i dalluar grupet etnike nga njëri-tjetri, mund të shërbejnë karakteristika të ndryshme, por më kryesoret janë gjuha, historia dhe prejardhja (e vërtetë apo e imagjinuar), feja dhe mënyrat e veshjes ose zbukurimit (Giddens, 2004:248).
Sociolinguistja Carmen Fought thekson se etnia është kategori e ndërtuar shoqërisht, e pabazuar në ndonjë kriter objektivisht të matshëm. Ajo konstaton me të drejtë se termi “etni” shpesh njëjtësohet me termin “racë”, sidomos në literaturën anglo-amerikane. Kjo ndodh për faktin se edhe pigmentimi është njëri prej elementeve kulturore dalluese midis etnive. Duke përmbledhur përkufizimet e ndryshme që janë dhënë për etninë nga autorë të ndryshëm, ajo vëren edhe disa atribute të rëndësishme që nuk i gjejmë te Smith-i, siç janë: interaksioni (ndërveprimi shoqëror), kontakti intim, ideologjia dhe, sidomos, gjuha (Fought, 2006). Në fakt, ajo vë theksin në rolin e gjuhës në ndërtimin e identitetit. Autorja konstaton me të drejtë se në ndërtimin e identitetit kompleks të individit, përkatësia etnike është njëri nga komponentët. Është krejtësisht e mundshme që një person do të tregojë identitetin e tij etnik përmes gjuhës. Në fakt, njerëzit kanë disa burime gjuhësore, të cilat ndihmojnë në ndërtimin e identitetit etnik dhe këtu Fought përmend gjuhën e trashëguar, ndërrimin e kodit, tiparet e caktuara gjuhësore përbrenda një varieteti të caktuara, tiparet mbisegmentore, tiparet e diskursit dhe përdorimin e varietetit të huazuar (f. 20-21).
Këtu të përmendim se dallohet edhe një qasje, ta quajmë psiko-sociale, e cila e përkufizon etninë si kategori kongitive, e cila e trajton etninë si mënyrë e të kuptuarit, të interpretuarit dhe të formësimit të përvojave. Këtu kemi të bëjmë me një ndarje shoqërore të njohurive mbi objektet shoqërore, ku ky ndërtim kognitiv është ndërtim shoqëror (Brubaker,  Loveman dhe Stamatov, 2004).
Njohja e përkatësisë etnike ndërton boshtin themelor të identitetit, Siç thekson Harald Haarman, etnia mund të konsiderohet si dimensioni themelor i identitetit në ndërtimin e shoqërisë njerëzore, pa marrë parasysh deri në ç’masë lidhjet etnike luajnë rol në sjelljet e individit apo janë të manipuluara nga faktorë të jashtëm, (Haarman, 1999:61).  Më tej, Haarman, duke folur për rolin e gjuhës në ndërtimin e etnisë thekson se, “gjuha është shënjues madhor i etnisë për shumë grupe lokale gjithandej nëpër botë dhe ka pasur periudha historike kur gjuhës i ishte caktuar një rol ideologjik si shënjues par exellence i identitetit etnik” (f.64). Nga këto pikëpamje të Haarman-it mund të ndërtojmë një trini raportesh të ndërlidhura të etnisë, gjuhës dhe identitetit, ku gjuha, duke qenë se është mjet komunikimi, është lidhja midis identitetit individual dhe etnisë. 
Në literaturën linguistike shqipe trajtimi më konciz i çështjeve të tilla si etnia, gjuha e kombi është bërë nga Rexhep Ismajli. Pasi konstaton se Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe nuk e ka termin etni, por e ka mbiemrin etnik, Ismajli thekson se vetë ekzistenca e mbiemrit tregon se fjala ekziston (Fjalori i Shqipes së Sotme i botuar më 2002 e ka termin etni me kuptimin “bashkësi e qëndrueshme njerëzisht, e formuar historikisht në një truall të caktuar, e cila ka një gjuhë dhe kulturë materiale e shpirtërore të njëjtë”). Ismajli pastaj paraqet dy përkufizime të cilat Roland Breton-i ia bën etnisë: përkufizimin e ngushtë, sipas të cilit etnia përkufizohet si grup i individëve që i përkasin të njëjtës gjuhë amtare, dhe përkufizimin më të gjerë sipas të cilit etnia përkufizohet si grup i bashkuar me një kompleks veçorish antropologjike, politiko-historike etj., shoqërimi i të cilave përbën një sistem, një strukturë kulturore – një kulturë (Ismajli, 1991:25-26). Sa u përket tipareve të etnisë mund të ceken dhjetë elemente: gjuha, raca, demografia, territori, ekonomia, klasat, kultura, rrejti urban, metropola dhe institucionet politike. Edhe Ismajli konsideron se gjuha është tipari themelor që bën të mundur karakterizimin dhe identifikimin e etnisë. Ndërkaq, zhvillimin e mëtejmë të etnive e sheh si proces të formimit të kombit dhe të shtetit kombëtar, me ç’rast ky i fundit është një lloj garanti për ruajtjen e identitetit të etnisë (f. 9). Për procesin vijues të krijimit të kombit do të bëjmë fjalë pas pak.
Duke i përmbledhur pikëpamjet e autorëve që u paraqitën më lart, lidhur me përkufizimin e etnive dhe përcaktimin e tipareve të saja kryesore, vërehet qartë se sa komplekse bëhet dhënia e një përkufizimi ekzakt. Kompleksiteti i përkufizimit të etnive del nga fakti se në realitet nuk mund të ndiqet një rrugë e vetme, e cila ka çuar në krijimin e etnive në bazë të tipareve të njëjta. Në fakt, në secilin rast që mund ta marrim në shqyrtim të krijimit të ndonjë etnie, do të vërejmë që njëri tipar do të jetë më dominues. Të shumtën e rasteve dy tipare dalin më dominuese, gjuha ose feja, por i mjaft i pranishëm është edhe tipari i territorit. Edhe tiparet e tjera si, prejardhja e përbashkët, kujtesa historike, mitet, ndërveprimi shoqëror, elementet kulturore etj. janë të rëndësishme, sidomos në formësimin e një kornize mendore kognitive të identitetit etnik, por megjithatë gjuha dhe religjioni mbeten tipare themelore. Në këtë kuadër që po diskutojmë, etnia mund të përkufizohet edhe si vazhdimësi zhvillimore progresive e bashkësive shoqërore, të cilat kanë tipare të përbashkëta si, gjuha, feja, territori, kujtesa historike, ndjenja dhe njohja e përkatësisë së përbashkët ndaj grupit, si dhe elementet të tjera shoqërore-kulturore. E ndërtuar në bazë të tipareve të përmendura, etnia bëhet referencë e përkatësisë ndaj grupit shoqëror për individët dhe bazë e identitetit etnik, sepse përkatësia ndaj grupit shoqëror nuk është e lindur, por individi e përvetëson pas lindjes, duke i fituar tiparet të cilat e ndërtojnë sistemin e përkatësisë grupore dhe identitare.

2.       KOMBI DHE SHTETI
Ngjizja e vazhdueshme e tipareve të etnisë, të cilat i përmendëm, dhe ndryshimet ekonomiko-shoqërore çuan në lindjen e kombit. Përparimi industrial, përmirësimi i infrastrukturës dhe zhvillimi i tregjeve në Europën Perëndimore gjatë shekujve XVIII dhe XIX i hapi rrugën shfaqjes së ideologjisë nacionaliste, lindjes së kombeve dhe formimit të shteteve kombëtare, procesit të njohur si “ndërtim i kombeve” (nation-building). Ndonëse shtetet ekzistonin shumë kohë më parë, shteti kombëtar dilte si një cilësi e re, si bashkim i etnisë dhe i ndërtimit të kombit. Kombet në Europën Perëndimore formoheshin mbi bazën e etnisë, por edhe të tipareve të tjera kulturore e qytetare. Siç u tha, Anthnony Smith thekson se etnia dhe tiparet e saja, tashmë të qëndrueshme, shërbenin si bërthamë për lindjen e kombeve.  Revolucioni Francez i dha shtytje krijimit të kombeve dhe nacionalizmit, por ky zhvillim mbështetej në një “protonacionalizëm” filozofik e ideologjik, në lëvizjet filozofike e ideologjike të Iluminizmit, Romantizmit dhe Idealizmit, të mbështetura në mendimet e John Locke-ut, Jean-Jacques Rousseau-s, Gotthold Teodor Lessing-ut,  Johann Gottfried Herder-it dhe Johann Gotlieb Fichte-s, ide këto që pastaj u shtrinë edhe në Amerikën Veriore te Thomas Jefferson-i, Alexander Hamilton-i dhe James Madison-i. Ndonëse ngritja e kombeve dhe formimi i shteteve kombëtare ecte paralelisht me zhvillimin industrial dhe, në të vërtetë, motivimi ishte politiko-ekonomik e kulturor, motivimi ideologjik prapa këtij procesi mbështetej në idetë folklorike, romantike e historike për të kaluarën e lavdishme të popullit, realisht  të etnisë. Ishin pikërisht tiparet e etnisë, të cilat shërbenin si burim për formimin e kombit/shtetit, në këtë mes gjuha dilte si një prej tipareve kryesore përafruese, gjë të cilën e kishte theksuar fuqishëm Johann Gottfried Herder-i, duke shtuar këtu edhe komponentin politik-administrativ e institucional që del i pranishëm te kombi që synon ndërtimin e shtetit. Këto elemente ndikuan që në Europën Perëndimore kombet konsideroheshin si bashkësi kulturore, anëtarët e të cilave ishin bashkuar në bazë të kujtesës historike të përbashkët, miteve, simboleve dhe traditës. Siç thekson Smith, “historia, territori, bashkësia ligjore-politike, barazia e anëtarëve dhe kultura e përbashkët qytetare e ideologjike; këta janë komponentët standard të modelit perëndimor të kombit” (Smith, f. 11). Duke ndjekur këtë model kulturor qytetar u formuan kombet dhe vijimisht shtetet kombëtare euro-perëndimore si, Franca, Gjermania e Italia. Por, krahas këtij modeli kulturor qytetar, Smith dallon edhe një model tjetër krejtësisht etnik, i cili u manifestua në Europën Lindore dhe në Azi dhe i cili vë theksin në përkatësinë ndaj bashkësisë që nga lindja dhe në kulturën native. Modeli etnik thekson prejardhjen e jo territorin, si dhe lidhjet gjenealogjike (Smith, f. 11-12). Ndonëse bën dallimin midis këtyre dy modeleve, Smith konstaton se ka disa pikëpamje të përbashkëta që i gjejmë te të dy modelet lidhur me atë se çfarë përbën një komb. Këtu hyjnë idetë se kombet janë njësi të lidhura territoriale të popullsisë, që kanë një atdhe të përbashkët, që anëtarët ndajnë një kulturë të përbashkët dhe mite e kujtesa historike të përbashkëta, që anëtarët e kombit kanë të drejta e detyrime ligjore reciproke sipas një sistemi ligjor të përbashkët dhe që kombet posedojnë një ndarje të përbashkët të punës dhe të sistemit të prodhimit me lëvizshmëri përgjatë tërë territorit. Në bazë të këtyre tipareve të përbashkëta, Smith dallon këto tipare të identitetit kombëtar: 1. territorin historik apo atdheun, 2. mitet e përbashkëta dhe kujtesën historike, kulturën e përbashkët të masave, 3. të drejtat dhe detyrimet e përbashkëta ligjore për të gjithë anëtarët, 5. ekonominë e përbashkët me mobilitetin territorial për të gjithë anëtarët.
“Prandaj, kombi mund të përkufizohet si popullsi njerëzore e emërtuar, që ndanë një territor historik, mite të përbashkëta dhe kujtesë historike, kulturë publike të masave, ekonomi të përbashkët dhe të drejta e detyrime ligjore të përbashkëta për të gjithë anëtarët” (f. 14).
Në kuadrin e diskutimeve të modeleve të zhvillimit të kombeve, duhet përmendur edhe modelin e Breton-it, që sjell Rexhep Ismajli, etni→komb→shtet, i cili është karakteristikë për Europën, dhe modelin tjetër territor→shtet→komb që del nga situatat e periudhës së formimit të shteteve paskolonialiste në Afrikë (Ismajli, f. 10). Breton sjell edhe një model të tretë, por që nuk do të ndalemi në të. Modelet e Breton-it, bashkë me atë të Smithi-t e plotësojnë tablonë e formatit të krijimit të kombeve dhe shteteve.  
Duhet theksuar se zhvillimi i natyrshëm i kombit përfundon me krijimin e shtetit kombëtar. Formimi i shteteve kombëtare është bërë në bazë të ndarjes së vijave territoriale për kombet e ndryshme. Përcaktimi i këtyre vijave territoriale nuk është bërë në mënyrë paqësore. Përkundrazi, përcaktimi i vijave territoriale të shtetit kombëtar shpesh është bërë me luftëra, të cilat kanë rezultuar me mohimin e të drejtës për kombet e caktuara që ta keni shtetin kombëtar. Prandaj, procesi i formimit të shteteve kombëtare  nuk ka pasur përfundim të suksesshëm për të gjitha kombet. Sot, ka kombe të cilat nuk e kanë shteti kombëtar, siç janë: skocezët, katalunasit, baskët e kurdët. Por, synimi i tyre për ta formuar shtetin është i pranishëm edhe sot e gjithë ditën.
Modelet që u përmendën, shpalosin ecurinë e krijimit të kombeve. Mendoj se modeli i parë i Smith-it duhet plotësuar edhe me komponentin etnike. Pa marrë parasysh theksimin e elementit kulturor qytetar te modeli i parë perëndimor i kombit sipas Smith-it, konsideroj se edhe në atë model etnia dhe tiparet e saja janë bazë për modelin, pasi që tiparet kulturore të kombit janë tipare të etnisë, të plotësuara pastaj edhe me elemente politike. Ndërkaq modelet e Breton-it dalin mbase më të sakta, sidomos modeli territorial paskolonialist afrikan i formimit të kombeve. Natyrisht, sikurse edhe në rastin e përkufizimit të etnive, edhe te modelet e formimit të kombeve dhe te përkufizimet e tyre, vështirë se mund të ndiqet një rrugë e vetme, e cila do të na çonte në një përkufizim të vetëm konciz të kombit. Edhe këtu, realitetet historike e bëjnë situatën më të komplikuar.  
Kur folëm për procesin e ndërtimit të kombeve është me rëndësi të përmendim faktin se, sikurse te etnia, edhe në procesin e ndërtimit të kombit, gjuha shihet si njëri prej faktorëve të rëndësishëm të këtij procesi, sidomos gjuha standarde. Kjo për faktin se, siç kemi cekur edhe në një vend tjetër, elitat kombëtare i kushtuan një rol të rëndësishëm imponimit të kodit të tyre gjuhësor, i cili konsiderohej si mjet shumë i rëndësishëm për krijimin e homogjenitetit kombëtar brenda shoqërisë dhe afrimin e njerëzve që kishin populluar qendrat urbane euroipiane përreth së cilave po krijoheshin kombet (Fishman 1973, 2003; Munishi, 2011). William Safran konstaton se gjuha ka luajtur rol të madh në ndërtimin e kombit dhe në ideologjinë nacionaliste, pasi që gjuha shërben si një instrument me rëndësi për mbrojtjen e identitetit kolektiv dhe kohezionit grupor, porse nganjëherë gjuha është e pamjaftueshme, pasi që dallimet gjuhësore nuk shërbejnë gjithmonë si linja demarkacioni midis grupeve etnike. Këtu pastaj duhet parë edhe rolin e faktorëve të tjerë fetarë e socio-ekonomikë (Safran, 1999). Megjithatë, edhe në procesin e ndërtimit të etnive, edhe në procesin e formimit të kombeve gjuha është njëri prej tipareve më të rëndësishme të identitetit. Vijimësia e gjuhës është lidhja e pandashme midis etnisë dhe kombit, por nëse te etnia gjuha del e variantizuar në dialekte të ndryshme, kombi tani ka nevojë për një gjuhë të përbashkët, që i shpreh edhe vlerat simbolike të unitetit të kombit dhe prej kësaj lind nevoja që kombi ta ketë gjuhën standarde. Standardizimi i gjuhës në fakt bëhet synim i kombit.
Në fund, nëse bëjmë një krahasim në tërësi midis tipareve të etnisë dhe tipareve të kombit, të cilat i diskutuam më parë, vijmë në përfundim që ndonëse kanë mjaftë elemente të përbashkëta, tiparet e etnisë janë më shumë socio-kulturore, ndërsa tiparet e kombit janë më shumë socio-politike e ekonomike. Të gjitha këto tipare të përmbledhura luajnë rol vendimtar në ndërtimin e identitetit etnik dhe kombëtar të individit.

3.       Etnia dhe kombi te shqiptarët
Më lart bëmë një trajtim teorik të problemit të etnisë dhe kombit dhe të rolit që luan gjuha, por edhe faktorët e tjerë shoqërorë, në procesin e kalimit nga etnia në komb dhe shtet kombëtar, si dhe për ndikimin që kanë etnia, kombi dhe gjuha në ndërtimin e identitetit të individit. Në vazhdim do të përpiqemi ta përshkruajmë procesin e ndërtimit të etnisë dhe kombit te shqiptarët, ku do të shohim që gjuha ka luajtur rolin vendimtar në ndërtimin e etnisë dhe kombit shqiptar, dhe rrjedhimisht edhe në ndërtimin e identitetit individual të secilit që e quan veten shqiptar.
Në trajtimin e çështjeve të etnisë, kombit dhe gjuhës te shqiptarët është e pamundur të anashkalohen pikëpamjet e Rexhep Ismajlit, i cili ka përshkruar me shumë saktësi ndërtimin e etnisë dhe kombit shqiptar dhe rolin të cilin e ka luajtur gjuha shqipe në këtë proces në rrjedhën historike. Ismajli konstaton se që pas pushtimit të romakëve në  Ballkan veçohen dy etni; ajo greke edhe ajo e arbërve. Arbërit, siç thekson Ismajli, mëvetësinë e tyre etnike e krijuan pas pushtimit romak të Ilirisë, ndonëse ishin futur, së pari në dy, më vonë në tri religjione të ndryshme. Ismajli thekson se, “proceset etnolitike kishin marrë drejtimin e tyre dhe tani mund të vinin vetëm mbishtresa, ndërsa etnia natyrshëm po shfaqte synimin e saj drejt formimit të shtetit, që domethënë se disa drejtime të vetëdijes kombëtare po manifestoheshin sipas gjedheve të atëhershme perëndimore” (Ismajli,  1991: 12). Ai pastaj thekson me të drejtë rolin që pati shteti i Skënderbeut dhe rezistenca kundër osmanëve për ngritjen e vetëdijes në një shkallë të re, e cila ndonëse u dëmtua nga pushtimi i pastajmë osman, arriti një zhvillim të ri në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Krijimi i shtetit kombëtar te shqiptarët në fillim të shekullit XX i pati vështirësitë e veta për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike dhe mungesës së lidhjeve me fuqitë e mëdha. Në këto rrethana ndodhi copëtimi i shtetit kombëtar nga fqinjët grekë, serbë e malazezë.  Më tej, duke bërë një jukstaponim të dy tipareve të rëndësishme për ndërtimin e etnisë dhe kombit, të fesë dhe të gjuhës, për të parë rolin e tyre në ndërtimin e etnisë dhe kombit shqiptar, Ismali konstaton me të drejtë rolin vendimtar që ka pasur gjuha për t’i tejkaluar dallimet fetare e kulturore, të cilat mund të nxirrni krye. Në procesin e ndërtimit të etnisë, për dallim nga feja, gjuha bëhej tipari kryesor përbashkues dhe identifikues i shqiptarëve, gjë që u manifestua fuqishëm në periudhën e Rilindjes Kombëtare, kur rilindësit i jepnin përparësi të theksuar vetëdijes kombëtare në raport me atë fetare. Ky proces u karakterizua edhe me një tolerancë të theksuar ndërfetare, e cila u bë gjithashtu element i identifikimit etnik, identifikim ky i cili mbështetej në gjuhë dhe në veçanti të tjera etno-psikologjike (f. 37-41).
Mendoj se te këto pikëpamje të Ismajlit duhen parë së paku tri konstatime të qëndrueshme. Së pari, rolin e gjuhës kundrejt fesë në formimin e përkatësisë etnike, më vonë kombëtare, te shqiptarët. Pastaj, rolin e rezistencës së Skënderbeut për ngritjen e vetëdijes etnike. Edhe në këtë ngjarje mendoj që gjuha ka luajtur rol vendimtar. Të mos harrojmë se me përjashtim të Stefan Cernojevićit, të gjithë pjesëmarrësit e tjerë të Lidhjes së Lezhës (1444) duket të kenë qenë arbërishtfolës. Së fundi, rolin e Rilindjes Kombëtare, e cila i kushtoi rëndësi të veçantë gjuhës, jo fesë, për ndërtimin e identitetit kombëtare dhe formimit të shtetit kombëtar shqiptar. Nëse bëjmë një krahasim midis zhvillimit të etnive e kombeve në fqinjësi të shqiptarëve, të grekëve e sllavëve të jugut, do të shohim që, për dallim nga shqiptarët, në këtë proces elementi fetar ka qenë shumë më i theksuar te grekët, serbët, kroatët e boshnjakët.
Një zhvillim tjetër që është mjaft interesant, sa i përket rolit të gjuhës në ndërtimin e etnisë dhe kombit shqiptar, qëndron në faktin se gjuha shqipe si tipar përbashkues dhe identifikues te shqiptarët i mbijetoi edhe periudhës tepër të vështirë të pushtimit otoman. Këtu kam parasysh faktin që në Perandorinë Osmane shqipja, as nuk ishte gjuhe e liturgjisë fetare, as e administratës, për dallim p.sh. prej greqishtes apo sllavishtes jugore, të cilat ishin gjuhë liturgjike dhe, nën ombrellën e gjuhëve liturgjike, edhe gjuhë të arsimit. Pikërisht duke parë këtë gjendje të shqipes (së cilës në atë periudhë i mungonte madje edhe mjeti themelor i shkrimit - alfabeti i përbashkët)  dhe duke e ditur rëndësinë e saj për ndërtimin e kombit, rilindësit e vunë gjuhën dhe letërsinë shqipe në themel të politikës së tyre gjuhësore. Kështu, duke u nisur nga gjuha, rilindësit punuan në ndërtimin e identitetit, kulturës dhe mendimit politik kombëtar shqiptar. Vlen të përmendet fakti se mendimi politik e kulturor i rilindësve, qoftë i atyre që vepronin në kolonitë shqiptare në Stamboll, Selanik, Bukuresht e gjetiu, qoftë te arbëreshët e Italisë, ishte i ndikuar fuqishëm nga zhvillimet dhe modelet politike e kulturore europiane.
Ngjizja e ideologjisë kombëtare te shqiptarët në periudhën e Rilindjes në rrafshin e aksionit politik rezultoi me lëvizjet e fuqishme politike e ushtarake, të cilat fillimisht angazhoheshin për autonomi politike të shqiptarëve në kuadër të Perandorisë Osmane, në periudhën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) dhe, pastaj, për çlirim dhe shtet kombëtare të pavarur, në periudhën e kryengritjeve në Kosovë (1909-1911) dhe shpalljes së pavarësisë në Vlorë më 1912).
Vlen të përmendet që në procesin e ndërtimit të kombit shqiptar një rol të rëndësishëm simbolik ka pasur edhe flamuri kombëtar me shqiponjën dykrenore, por që trajtimi i këtij aspekti kërkon një punim të veçantë.
Shpallja e pavarësisë më 1912 gjeti gati gjysmën e territorit shqiptar të okupuar, me ç’rast jashtë shtetit administrativ mbeti gjysma e kombit. E tërë periudha pas shpalljes së pavarësisë më 1912 deri në ditët e sotme karakterizohet si periudhë e vazhdueshme e luftës për çlirim dhe bashkim kombëtar. Nuk ka asnjë lëvizje politike e kulturore te shqiptarët që mbeten jashtë shtetit shqiptar, që nga 1912 e deri sot, e cila në platformën e saj politike nuk e ka pasur si synim përfundimtar bashkimin e trojeve etnike shqiptare me shtetin shqiptar. Kombi shqiptar nuk arriti ta krijojë shtetin kombëtar në tërë territorin, në të cilin përbënte shumicë absolute, por vetëdija e përkatësisë kombëtare ishte ngjizur. Tiparet kryesore të etnisë shqiptare si, gjuha, territori, mitet dhe kujtesa e përbashkët historike ishin ngjizur krejtësisht. Në dekadat që pasuan shqiptarët nuk i ndalën përpjekjet për bashkim. Sa për ilustrim po përmendim tri momente të rëndësishme historike që u takojnë periudhave të ndryshme kohore, të cilat dëshmojnë vetëdijen kognitive të përkatësisë ndaj një kombi të vetëm. Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, në Konferencën e Bujanit, shqiptarët e Kosovës dolën me kërkesë për bashkim me shtetit shqiptar pas përfundimit të luftës. Më vonë, ndonëse në rrethana të vështira nën pushtimin jugosllav, shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare në ish Jugosllavi, pranuan gjuhën standarde me thënien “një komb, një gjuhë”. Lufta në Kosovë më 1998-1999 dhe tentimi për spastrim etnik në Kosovë, i gjeti shqiptarët e Kosovës të strehuar te vëllezërit e tyre në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, ndërkaq reagimi politik kombëtar u manifestuan me thënien “një komb, një qëndrim”. Nuk ka dyshim që kombi shqiptar është një dhe i vetëm, ku gjuha është dhe mbetet lidhja më e fortë, prandaj konsideroj që thënia “bashkim kombëtar”, mbase duhet të zëvendësohet me thënien tjetër më të përshtatshme “bashkim shtetëror”. Arritja e këtij synimi, ose drejtpërdrejt, ose në kuadër të procesit integrimeve europiane, do të ishte përfundim i natyrshëm i zhvillimit të etnisë dhe kombit shqiptar.

PËRFUNDIME
                Formimi i etnive është vazhdimësi e evoluimit të bashkësive njerëzore mbi bazën e tipareve të përbashkëta, siç janë: gjuha, feja, mitet dhe memoria historike e përbashkët, territori dhe tiparet e ndryshme kulturore. Ngjizja e këtyre tipareve, të cilat i quajtëm socio-kulturore, ndikon drejtpërdrejtë në krijimin e identitetit dhe të përkatësisë etnik të individit. E formuar në këtë mënyrë, etnia dhe tiparet e saja bëhen bërthama kryesore për ndërtimin e kombit dhe vijimisht të shtetit kombëtar. Kombi pastaj fiton tipare të reja, të cilat i quajtëm socio-politike, siç janë: identifikimi me territorin historik apo atdheun, mitet e përbashkëta dhe kujtesa historike, kultura e përbashkët e masave, të drejtat dhe detyrimet e përbashkëta ligjore për të gjithë anëtarët, dhe ekonomia e përbashkët me mobilitetin territorial.
Në tërë procesin e formimit të etnive, kombeve dhe shteteve, shpeshherë gjuha dhe feja janë dy faktorët kryesorë që ndikojnë në konsolidimin e këtyre entiteteve socio-politike. Rasti i formimit të etnisë dhe të kombit shqiptar është shembulli më adekuat i ndikimit të drejtpërdrejtë të gjuhës në këtë proces. Rrethanat historike nëpër të cilat kaluan shqiptarët dhe në të cilat lindi etnia dhe, më vonë kombi shqiptar, ishin jashtëzakonisht të vështira. Pushtimet e vazhdueshme, ndarja fetare dhe mungesa e entiteteve shtetërore përgjatë periudhave shumë të gjata historike, bënë që tipari i vetëm përafrues dhe përbashkues për shqiptarët të jetë gjuha shqipe. Gjuha ndikoi drejtpërdrejt në formësimin e vetëdijes dhe të përkatësisë identitare gjuhësore, etnike e kombëtare. Ky konstatim vlen edhe sot e gjithë ditën, kur shqiptarët dhe gjuha shqipe janë dy entitete të pandashme dhe komplementare që po çajnë rrugën drejt ardhmërisë.
LITERATURA
Brubaker, Rogers,  Loveman, Mara dhe Stamatov, Peter (2004),  Ethnicity as cognition, Theory and Society 33: 31-64, 2004. Kluwer Academic Publishers. Printed in the Netherlands, në Internet: http://www.yale.edu/sociology/faculty/pages/stamatov/brubaker_loveman_stamatov.pdf, qasja për herë të  të fundit 07.11.2012.
Fishman, Joshua (1973). Language and Nationalism, Nationalism in Europe, 1815 to Present, Edited by: Stuuart Woolf, Routledge, London and New York, First published in 1996, this edition published in the Taylor & Francis e-Library, 2003.
Fought, Carmen (2006), Language and Etnicity, Cambridge University Press, Published in United States of America by Cambridge University Press, New York.
Giddens, Anthony (2004), Sociologjia, Fondacioni Soros, Çabej, Tiranë.
Green D., Elliott (2006), Redefining ethnicity, Paper prepared for presentation at the 47th Annual International Studies Association Convention, San Diego, CA, March 2006, në internet: http://personal.lse.ac.uk/greened/ISA.pdf , qasja për herë të fundit 07.11.2012.
Handbook of Language and Ethnicity, Oxford University Press, New York, Oxford.
Haarman, Harald (1999), History, Handbook of Language and Ethnicity, Oxford University Press, New York, Oxford.
Ismajli, Rexhep (1991), Gjuhë dhe Etni, Rilindja, Prishtinë.
Munishi, Shkumbin (2011), Gjuha dhe ideologjia, Filologji 18, Universiteti i Prishtinës.
Safran, William (1999), Nationalism, Handbook of Language and Ethnicity, Oxford University Press, New York, Oxford.
Smith D., Anthony (1991), National Identity, Penguin Books, Printed in England by Clays Ltd. 

No comments: