Thursday, March 22, 2012

PROBLEME TË ZBATIMIT TË DYGJUHËSISË SHQIP-SERBISHT NË KOSOVË


Shkumbin MUNISHI (Prishtinë)

1. HYRJE

Dygjuhësia si dukuri është e pranishme gjithandej nëpër botë dhe pothuajse nuk ka entitet shoqëror apo shtetëror që është krejtësisht njëgjuhësh. Pothuajse në çdo vend, dukuria e bilinguizmit i ka tiparet dhe karakteristikat e veta specifike. Kjo dukuri, e cila shfaqet si rezultat i kontakteve gjuhësore, është shumë komplekse dhe variabile, e ndërlidhur ngushtë me zhvillimet e përgjithshme shoqërore, politike e kulturore. Ndryshimet e këtyre faktorëve ndikojnë drejtpërdrejt edhe në aspekte të bilinguizmit në kuadër të entiteteve shoqërore dygjuhëshe. Duke qenë dukuri aq komplekse, dygjuhësia paraqet një sfidë komplekse për planifikimin e gjuhës, sidomos për planifikimin e statusit dhe të funksioneve të gjuhës, sepse ky planifikim reflekton edhe qasjen dhe nivelin e tolerancës së shoqërisë në raport me gjuhët. Planifikimi gjuhësor shpërfaq synimin e bashkësisë shoqërore për të stimuluar dominimin gjuhësor, ose e kundërta, synimin për të promovuar barazinë gjuhësore.

Në kuadër të shembujve të ndryshëm të planifikimit gjuhësor të dygjuhësisë, të cilët mund të gjenden gjithandej nëpër botë, rasti i dygjuhësisë shqip-serbisht në Kosovë paraqet një shembull mjaft me interes për t’u studiuar. Dygjuhësia shqip-serbisht në Kosovë shfaqet si dukuri e bilinguizmit asimetrik dhe si rrjedhojë e kontaktit dhe konfliktit gjuhësor (Munishi, 2010). Në të kaluarën, sidomos nga viti 1945 e tëhu, ky bilinguizëm ka qenë subjekt i ndërhyrjes planifikuese, e cila ka pasur për qëllim, në radhë të parë, përcaktimin e statusit të shqipes dhe të serbishtes, por edhe planifikimin e funksioneve të tyre, sidomos në rrafshin zyrtar dhe administrativ. Problemet dhe tiparet e këtij planifikimi gjatë periudhës 1945-1990 janë trajtuar në mënyrë më të thelluar nga Gazmend Zajmi dhe, sidomos, Rexhep Ismajli. Sa i përket planifikimit të statusit të shqipes dhe serbishtes në Kosovë gjatë viteve 1945-1990, mund të thuhet se përkundër avancimit gradual të pozitës së shqipes pas vitit 1945, sidomos pas vitit 1974, kur u përcaktua statusi i barabartë për shqipen dhe serbishten në Kosovë, megjithatë serbishtja ishte në pozitë më të favorshme për faktin se në kontekstin e përgjithshëm të ish-Jugosllavisë, si gjuhë e shumicës (bashkë me kroatishten dhe bosanishten përbënin të ashtuquajturën serbo-kroatishte apo kroato-serbishte), shërbente edhe si lingua franca e federatës së atëhershme jugosllave. Për të përcaktuar statusin e shqipes në raport me serbishten Ismajli kishte përdorur tipologjinë e Heinz Kloss-it, me ç’rast kishte konstatuar me të drejtë se shqipja kishte statusin e gjuhës zyrtare bashkë me një gjuhë tjetër (Ismajli, 1991). Vlen të përmendet fakti se shqiptarët dhe serbët në Kosovë në atë kohë, ndonëse ishin bashkësi folëse të ndryshme, përbënin një bashkësi komunikuese, sepse kishin ndërveprim dhe ndërkomunikim të përditshëm me njëri tjetrin, me ç’rast komunikimi zhvillohej kryesisht në kodin dominant që ishte serbishtja. Pas vitit 1990 gjuha shqipe, praktikisht, u bë gjuhë e ndaluar dhe përdorimi i saj u kufizua vetëm në domenet e familjes, në rrethin shoqëror që përbëhej kryesisht prej shqiptarëve, në ato punë me të cilat merreshin shqiptarët nën okupimin serb dhe në ato pak media që kishin mbetur në gjuhën shqipe. Në një situatë të tillë, statusi i shqipes u degradua deri në pikën më të ulët (Munishi, 2006).

Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe largimit të pushtetit serb (1999) u krijuan rrethana të reja politike, ekonomike e kulturore, të cilat patën ndikim të drejtpërdrejtë në procesin e zhvillimit të bilinguizmit shqip-serbisht. Evoluimi i statusit të shqipes dhe të serbishtes në Kosovë pas vendosjes së Misionit të OKB-së është trajtuar nga Ismajli (Ismajli, 2002, 2003) dhe Munishi (2006, 2009, 2010). Kohë më parë, në dy raste jemi përpjekur të trajtojmë statusin e shqipes në kontekstin rajonal dhe europian (Munishi, 2009) dhe, konkretisht, statusin e shqipes në Kosovë (2010). Sa i përket planifikimit të statusit të gjuhëve në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë kemi theksuar se ky planifikim është bërë në përputhje me politikat gjuhësore të BE-së, të cilat e promovojnë diversitetit gjuhësor si vlerë, dhe në përputhje me normat aktuale ndërkombëtare të përshkruara në Kartën Evropiane për Gjuhët Regjionale ose të Minoriteteve[1], si dhe në dokumente të tjera ndërkombëtare, siç është Deklarata Universale Mbi të Drejtat Gjuhësore e Barcelonës, e miratuar në qershor 1996, nga institucionet dhe organizatat joqeveritare nën mbështetjen e UNESCO-s (Munishi, 2009 dhe 2010). Në Kushtetutën e Kosovës[2], e cila bazohet në rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, si gjuhë zyrtare përcaktohen shqipja dhe serbishtja (neni 5, pika 1), ndërsa gjuha turke, boshnjake dhe ajo rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligj (neni 5, pika 2). Megjithatë, përkundër përcaktimit të statusit zyrtar për shqipen dhe serbishten, ka probleme të shumta dhe vështirë të kalueshme për zbatimin e dygjuhësisë shqip-serbisht në Kosovë. Në një raport të hartuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë[3] janë identifikuar disa probleme ligjore, buxhetore e teknike sa i përket zbatimit të dygjuhësisë në komunat e Kosovës (Munishi, 2009). Problemet e tjera janë të natyrës, politike, demografike e kulturore.

Përfundimi i luftës në Kosovë pati ndikim edhe në fushën e gjuhëve. Duke qenë se shqiptarët përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë së Kosovës, ata e kanë fjalën kryesore në institucionet e Kosovës dhe duke qenë shumicë kanë mundësi ta favorizojnë gjuhën e tyre (Munishi, 2009). Pra, kriteri demografik, luan rol kryesor në raportet midis shqipes dhe serbishtes në Kosovë. Në anën tjetër, si pasojë e luftës, marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve janë ftohur në masë të madhe dhe kjo ka çuar pothuaj në ndarjen fizike të tyre. Sot, serbët jetojnë kryesisht në disa qytete e fshatra të Kosovës në bashkësi kompakte, të cilat kryesisht janë të ndara jo vetëm nga popullsia shqiptare, por edhe nga bashkësitë e tjera etnike që jetojnë në Kosovë. Me fjalë të tjera, domenet e kontakteve midis shqipes dhe serbishtes janë kufizuar ndjeshëm. Kontaktet e përditshme, sidomos ato joformale, midis shqiptarëve dhe serbëve janë reduktuar në masë të madhe dhe kjo është reflektuar edhe në komunikimin gjuhësor reciprok. Nëse dikur shqiptarët dhe serbët në Kosovë përbënin bashkësi komunikuese, sot shqiptarët dhe serbët janë bashkësi pothuajse të ndara gjuhësore. Ndërkomunikimi i reduktuar gjithashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë zbatimin e bilinguizmit shqip-serbisht në Kosovë. Institucionet e Kosovës janë duke bërë përpjekje që t’i integrojnë pakicat në Kosovë dhe mund të ndodhë që kjo situatë të ndryshohet në një të ardhme të afërt. Megjithatë, ndarja fizike ka bërë që brezat e rinj të mos jenë në gjendje ta mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit. Njohja e gjuhës paraqet problem fundamental për zbatimin e bilinguizmit shqip-serbisht. Derisa shqiptarët më nuk janë të detyruar ta mësojnë serbishten, pasi që prestigji i saj që e kishte dikur është zhdukur, serbët ende kanë paragjykime negative ndaj gjuhës shqipe dhe ende nuk janë në gjendje ta pranojnë faktin se pas luftës në Kosovë rrethanat dhe raportet politike e shoqërore kanë ndryshuar. Edhe pse për shkak të epërsisë që kishte dikur serbishtja shqiptarët e Kosovës, brezat e mesëm dhe të vjetër, në masë të madhe ishin bilingë, sot ata hezitojnë të flasin serbisht në rastet kur duhet të komunikojnë me serbët. Në anën tjetër, edhe brezat e mesëm dhe të vjetër të serbëve, duke jetuar në fqinjësi me shqiptarët e kuptojnë dhe e flasin shqipen, por hezitojnë ta flasin kur komunikojnë me shqiptarët, mbase për shkak të sedrës së tyre. Qëndrimet reciproke ndaj gjuhës serbe, respektivisht shqipe, janë gjithashtu një element i rëndësishëm që ndikon në bilinguizmin shqip- serbisht. Një tjetër zhvillim ka të bëjë me mësimin e gjuhëve dhe dy gjuhët zyrtare të Kosovës më nuk mësohen as në sistemin arsimor. Nxënësit shqiptarë në shkollat e tyre e mësojnë anglishten dhe jo më serbishten, ndërsa as nxënësit serbë nuk e mësojnë shqipen.

Të gjitha këto rrethana kanë ndikuar që ndonëse në Kosovë kemi dygjuhësi zyrtare të deklaruar dhe të vendosur në kushtetutë, megjithatë, në realitet, dygjuhësia është e reduktuar vetëm në funksione e domene formale, por edhe në këto funksione epërsia e shqipes për shkak të kriterit demografik është domethënëse. Këto janë vetëm disa nga problemet më evidente të bilinguizmit zyrtar shqip-serbisht.

Në vazhdim do të përpiqemi t’i trajtojmë disa nga problemet e cekura më lart dhe ndikimin e tyre në zbatimin e dygjuhësisë në Kosovë.

2. FAKTORËT KRYESORË QË NDIKOJNË NË VËSHTIRËSITË NË ZBATIMIN E BILINGUIZMIT SHQIP-SERBISHT NË KOSOVË

Siç u tha pak më parë, në dy punime të kaluara (2009, 2010) kemi folur për problemet e zbatimit të dygjuhësisë në Kosovë dhe kemi theksuar se përveç problemeve të natyrës ligjore, buxhetore e teknike, problemet kryesore kanë të bëjnë me aspektin demografik, nxënien e gjuhës, dendurinë e komunikimit, domenet e dygjuhësisë dhe qëndrimet ndaj gjuhëve respektove. Duke dashur të shtjellojmë më tej dhe të argumentojmë ndikimin e këtyre faktorëve në vështirësitë e zbatimit të bilinguizmit shqip-serbisht, kemi kryer një hulumtim të kufizuar të opinionit publik në Kosovë gjetjet dhe rezultatet e të cilit po i japim këtu.

2.1 Qëllimi dhe metodologjia e hulumtimit

Qëllimi i hulumtimit ka qenë të verifikojmë se sa e flasin aktualisht folësit e shqipes gjuhen serbe, sidomos duke pasur parasysh faktin që serbishtja më nuk është gjuhë që mësohet në sistemin arsimor në Kosovë. Pra, qëllimi ka qenë të merret një vlerësim i përafërt lidhur me nivelin e nxënies së gjuhës serbe nga qytetarët shqiptarë. Gjithashtu, kemi dashur të shohim se sa e shpeshte është denduria e komunikimit të folësve të shqipes me folës të serbishtes. Më tej, përmes kësaj ankete jemi përpjekur të kuptojmë se a kanë kontakte folësit e shqipes me folës të serbishtes në domene të tilla siç është lagja në të cilën banojnë dhe vendi ku studiojnë apo punojnë. Qëllimi tjetër ka qenë që të kuptojmë se në rastet kur ndodh, apo nëse do të kishte komunikim midis folësve të shqipes dhe serbishtes, cilin kod preferojnë ta përdorin folësit e shqipes. Në fund, jemi përpjekur të kuptojmë se cili është qëndrimi i folësve të shqipes ndaj serbishtes si gjuhë dhe sa kanë dëshirë ta flasin, apo ta mësojnë serbishten folësit burimorë të shqipes.

Hulumtimi është kryer nga data 15 tetor deri më 3 nëntor 2011, ndërkaq sa i përket metodologjisë së anketimit, kemi përdorur kryesisht mostra të rastit, por deri diku grupi i të anketuarve ka qenë grup i synuar. Kjo për faktin se të anketuarit kanë qenë kryesisht popullsi aktive, në kuptim të angazhimit të tyre në studime dhe në vende pune. Pra, të anketuarit kanë qenë kryesisht studentë, të punësuar në institucione të Kosovës dhe të punësuar në organizata ndërkombëtare. Kështu, janë anketuar gjithsej 154 persona, prej të cilëve 79 të anketuar kanë qenë meshkuj dhe 75 femra. Mosha e të anketuarve ka qenë prej 18 deri në 55 vjeç. Grupet e synuara kanë qenë studentët e Fakultetit të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, studentë të Kolegjit Universitar AAB-Riinvest, nëpunës dhe menaxherë të Ministrisë së Financave dhe punonjës në organizata ndërkombëtare, siç janë EULEX-i dhe OSBE-ja. Grupi i të anketuarve në Kolegjin Universitar AAB-Riinvest ka paraqitur grup mjaft interesant, për faktin që në mesin e tyre kanë qenë kryesisht studentë pa shkëputje nga puna, të cilët studiojnë në Departamentin e Gjuhës Angleze, por që njëkohësisht janë të punësuar në organizata vendore e ndërkombëtare.

Hulumtimet janë bërë me qytetarë nga shumë vise të Kosovës. Ka pasur të anketuar nga qytetet si: Prishtina, Gjilani, Kamenica, Prizreni, Peja, Mitrovica, Vushtrria, Ferizaj, Kaçaniku, Shtimja, Gjakova, Rahoveci etj. Gjithashtu, në këtë hulumtim të opinionit publik, nga kampionët kemi marrë informata për gjininë, moshën, shkollimin, profesionin, prejardhjen regjionale dhe vendbanimin. Respondetëve ua kemi bërë të qartë që anketimi bëhet për qëllime studimore të karakterit sociolinguistik dhe që informatat e marra prej tyre do të përdoren vetëm në kuadër të këtij studimi dhe do të mbeten e drejtë e autorit të studimit. Natyrisht, respondetëve u është lënë mundësia që të mbeten anonimë, pa e dhënë emrin e tyre, por duke u mjaftuar me të dhënat për gjininë, moshën, arsimimin dhe prejardhjen regjionale. Me fjalë të tjera, jemi përpjekur që gjatë anketimit t’i respektojmë kriteret etike të punës në terren.

Gjatë punës sonë në hartimin e pyetjeve kemi përdorur kryesisht pyetjet me përgjigje të mbyllura, ndërkaq pyetësorët kanë qenë të përgatitur me shkrim dhe u janë dhënë respondetëve për t’u përgjigjur me shkrim. Por, gjatë kohës që respondentët e kanë plotësuar pyetësorin, në disa raste të caktuara, në kuadër të ndërkomunikimit me ta lidhur me pyetjet, u kemi dhënë edhe shpjegime të caktuara lidhur me ndonjë paqartësi. Gjithashtu, të anketuarve u është lënë mundësia që në fund të anketës të bëjnë komente me shkrim. Hulumtimi nuk ka pasur për qëllim të bëjë matje të caktuara, por qëllimi ka qenë orientues. Qëllimi ka qenë që të pasqyrohen pikëpamjet e një grupi të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë dhënë mendimet e tyre për disa aspekte të dygjuhësisë shqip-serbisht.

Krejt në fund, të shtojmë se ky hulumtim sigurisht që do të kishte qenë më komplet sikur të ishin anketuar edhe qytetarë serbë të Kosovës, folës burimorë të serbishtes. Në pamundësi për t’i anketuar ata, hulumtimi mund të ketë mangësi të caktuara, sidomos sa i përket krahasimit të pikëpamjeve. Megjithatë, duke u nisur nga faktori demografik në Kosovë, ku shqiptarët përbëjnë 90% të popullsisë, dhe nga fakti se shqiptarët e dominojnë jetën shoqërore e institucionale, mendojmë se pikëpamjet e tyre janë të mjaftueshme për t’i hedhur në dritë problemet e zbatimit të dygjuhësisë në Kosovë.

2.2 Rezultatet dhe gjetjet

Me qëllim që të merren informatat e kërkuara të anketuarve u janë bërë 6 pyetje. Pyetja e parë kishte të bënte me nivelin e nxënies së gjuhës serbe. Në pyetjen A e flitni gjuhën serbe?, nga 154 të anketuar 18 nga ta ose 11.68% janë përgjigjur se e flasin shumë mirë, 30 apo 19.48% janë përgjigjur se e flasin mirë, 37 apo 24.02% janë deklaruar se nuk e flasin mirë dhe 69 të anketuar apo 44.80% janë përgjigjur se nuk e flasin fare. Nga këto të dhëna vërehet qartë se numri më i madh i të anketuarve, gati 70 %, janë deklaruar se ose e flasin pak ose aspak gjuhën serbe. Sidomos, mosnjohja e gjuhës serbe ishte e pranishme te studentët e rinj, pra te brezat që kanë lindur pas vitit 1990, që kur serbishtja më nuk është mësuar në shkollat shqipe në Kosovë. Të anketuarit të cilët janë deklaruar se e njohin serbishte kanë qenë kryesisht qytetarë të moshave më të vjetra, pra mbi 30 vjet e tutje.


Këto të dhëna dëshmojnë se problemin themelor për zbatimin e dygjuhësisë në Kosovë e paraqet mosnjohja e gjuhës serbe nga folësit e shqipes në Kosovë, sidomos te moshat e reja, të cilat janë aktive dhe të cilat janë duke hyrë në tregun e punës.

Pyetja e dytë që u ishte bërë të anketuarve kishte të bënte me dendurinë aktuale të komunikimit dhe të përdorimit eventual të gjuhës serbe. Në pyetjen Sa shpesh ju bie të komunikoni në gjuhën serbe?, nga numri i përgjithshëm i të anketuarve 9 të anketuar apo 5.84% janë përgjigjur se komunikojnë pothuajse çdo ditë, 7 apo 4.54% janë përgjigjur se komunikojnë shpesh, 37 apo 24.02% janë përgjigjur se komunikojnë nganjëherë, po ashtu 37 apo 24.02% janë përgjigjur se komunikojnë rrallë dhe 64 apo 41.55% janë përgjigjur se nuk komunikojnë kurrë. Nga këto të dhëna vërehet qartë se numri i atyre që kanë komunikim të përditshëm apo të shpeshtë në gjuhën serbe është shumë i vogël. Në mesin e tyre janë kryesisht personat që punojnë në organizata ndërkombëtare, si OSBE-ja dhe EULEX-i, ku kanë bashkëpunëtorë e kolegë pune të nacionalitetit serb, punonjës në Ministrinë e Financave në Departamentin e Buxhetit Komunal, që kanë kontakt me përfaqësues të komunave të Kosovës me shumicë serbe, si dhe qytetarë të Rahovecit, të cilët deklarojnë se serbishtja është gjuhë që përdoret ende në komunën e tyre. Ndërkaq, përsëri, shumica e të anketuarve janë deklaruar që ose u bie të komunikojnë rrallë në gjuhën serbe, ose kurrë. Kjo dëshmon që denduria e komunikimit të folësve të shqipes me folës të serbishtes është e rrallë dhe jodomethënëse, që paraqet edhe një vështirësi për dygjuhësinë shqip-serbisht në Kosovë.


Një element i rëndësishëm për bilinguizmin është edhe stabiliteti i kontaktit në domene të ndryshme. Domenet e kontaktit, siç i përshkruan Joshua Fishman (1971), mund të jenë familja, rrethi ose fqinjësia, shkolla, vendi i punës, administrata, institucionet e kultit etj. Në të kaluarën, bilinguizmi shqip-serbisht ka qenë i pranishëm pothuajse në të gjitha domenet që i përshkruan Fishmani. Kontaktet midis folësve të shqipes dhe serbishtes kanë mundur të ndodhin në lagje, në shkollë a në fakultet, në vendin e punës e kudo tjetër. Kjo për faktin që, siç u tha më lart, folësit e shqipes dhe të serbishtes para vitit 1990 kanë përbërë një bashkësi komunikuese. Megjithatë, ndryshimet demografike dhe lëvizjet e popullsisë që kanë ndodhur, si dhe pasojat e luftës, kanë ndikuar që shumica e domeneve të kontaktit midis folësve të shqipes dhe të serbishtes të shuhen.

Për këtë arsye, pyetja tjetër që u kemi parashtruar të anketuarve ka pasur të bëjë me kontaktet eventuale midis folësve të shqipes dhe të serbishtes në lagje dhe në vendin e punës apo të studimeve. Kështu në pyetjen Në lagjen në të cilën jetoni a keni kontakt me folës të serbishtes?, vetëm 3 persona apo 1.94% janë përgjigjur që kanë kontakt të përditshëm, 18 apo 11.68% janë deklaruar se kanë kontakt nganjëherë, 34 apo 22.07% janë shprehur se shumë rrallë kanë kontakt me folës të serbishtes, 62 apo 40.25% kanë deklaruar se pothuajse asnjëherë nuk kanë kontakt, ndërkaq 37 apo 24.02% janë shprehur se në të kaluarën kanë pasur kontakte me folës të serbishtes, por që nuk kanë më kontakt në lagjet e tyre.


Këto të dhëna dëshmojnë se kontakti midis folësve të shqipes dhe të serbishtes në një domen të tillë, siç është lagja apo fqinjësia, është shumë i rrallë. Sigurisht, migrimet e popullsisë, fillimisht i popullsisë shqiptare gjatë viteve 1990-2000, dhe pastaj i popullsisë serbe pas vitit 2000, ka ndikuar drejtpërdrejt që struktura etnike e popullsisë në zonat urbane, por edhe ato rurale, të ndryshojë. Për këtë arsye, është e qartë që lagja apo fqinjësia mund të konsiderohet si domen i rrallë i kontaktit midis folësve të shqipes dhe të serbishtes.

Të njëjtat rezultate pak a shumë dalin edhe sa i përket kontaktit në domene të tilla siç është institucioni arsimor ose vendi i punës. Në pyetjen Në vendin e punës në të cilin punoni, apo në vendin ku studioni, a keni kontakt me folës të serbishtes?, 13 të anketuar apo 8.84% janë deklaruar se kanë kontakt të përditshëm. Këtu hyjnë kryesisht personat të cilët janë deklaruar se punojnë në EULEX dhe OSBE dhe në institucione qeveritare që kanë kontakt të përditshëm me përfaqësues të komunave me shumicë serbe të Kosovës. 20 të anketuar apo 12.98% janë deklaruar se kanë kontakt nganjëherë, 25 ose 16.23% janë deklaruar se shumë rrallë kanë kontakt, 82 ose 53.24% kanë theksuar se nuk kanë kontakt pothuajse asnjëherë dhe 14 persona ose 9.09 janë deklaruar se kanë pasur kontakte më përpara, por jo më. Edhe nga këto të dhëna del qartë se edhe domenet e tilla si institucionet arsimore e vendi i punës më nuk mund të konsiderohen si domene të zakonshme dhe të qëndrueshme të kontaktit midis folësve të shqipes dhe të serbishtes.

Duke pasur parasysh faktin që pikërisht domenet kryesore si lagja dhe fqinjësia dhe institucionet arsimore dhe vendi i punës nuk mund të konsiderohen më si vatra të dygjuhësisë, është e qartë se dygjuhësia shqip-serbisht në Kosovë është reduktuar ndjeshëm, për të mos thënë është shuar fare. Mungesa e kontakti në domenet më të zakonshme ndikon drejtpërdrejt në rrjedhat dhe në reduktimin e dygjuhësisë.


Dy pyetjet e fundit të anketës sonë kishin të bënin me qëndrimet e folësve të shqipes lidhur me komunikimin me folës të serbishtes dhe qëndrimet ndaj gjuhës serbe në përgjithësi. Në pyetjen hipotetike Nëse do të takoheshit me ndonjë person që e ka gjuhë amtare serbishten, me çfarë gjuhe do të komunikonit me të?, kemi marrë këto përgjigje: 22 të anketuar ose 14.28% janë përgjigjur se do të komunikonin në gjuhën serbe, 67 ose 43.50% janë shprehur qartazi se do të komunikonin në gjuhën shqipe dhe se presin që edhe bashkëbiseduesi të flasë shqip, 53 ose 34.41% kanë thënë se do të komunikonin në gjuhë angleze ose ndonjë gjuhë tjetër, pra me një lingua franca, ndërkaq 12 ose 7.79% janë shprehur kundër komunikimit duke u deklaruar se nuk do të komunikonin fare. Nga përgjigjet e mësipërme vërehet qartë se shumica dërmuese janë shprehur se nuk do të komunikonin në gjuhën serbe, gjë që tregon se serbishtja e ka humbur dominimin e dikurshëm, të cilin e ka pasur në rastet e komunikimit midis folësve shqiptarë dhe serbe. Kjo humbje e dominimin është sigurisht rezultat i pasojave të luftës, i ndryshimit të rrethanave politike e kulturore dhe i rritjes së prestigjit të shqipes.

Së fundi, në pyetjen konkrete Çfarë mendimi keni për gjuhën serbe?, vetëm 7 të anketuar ose 4.54% kanë deklaruar se u pëlqen shumë dhe se kanë dëshirë ta flasin, 16 ose 10.38% janë shprehur se u pëlqen serbishtja, por që nuk dinë ta flasin dhe që do të donin ta mësonin, ndërkaq shumica më e madhe, 95 të anketuar ose 61.68%, janë deklaruar indiferent duke theksuar se nuk kanë ndonjë mendim për serbishten. Një pjesë e të anketuarve, 21 të anketuar ose 13.63%, janë shprehur se nuk u pëlqen gjuha serbe, ndërkaq 15 të anketuar ose 9.74% kanë pasur qëndrim krejt negativ ndaj serbishtes duke u shprehur se nuk u pëlqen aspak dhe se nuk do të donin ta mësonin kurrë. Edhe këto qëndrime të shprehura për gjuhën serbe, qoftë qëndrimet indiferente, qoftë negative, ndaj serbishtes, dëshmojnë se mendimet e shqipfolësve ndaj serbishtes kanë ndryshuar si pasojë e luftës, por edhe e ndryshimit të rrethanave politike.


Duke përmbledhur rezultatet që u diskutuan këtu, mund të konstatohet se niveli i atyre që e flasin gjuhën serbe ka rënë ndjeshëm, sidomos te brezat e rinj. Brezat që po vijnë, sidomos ata të lindur pas vitit 1999, do ta njohin edhe më pak këtë gjuhë. Edhe denduria e kontaktit dhe komunikimit ka rënë ndjeshëm, pothuajse në të gjitha vatrat e kontaktit. Më tej, shqiptarët më nuk janë të detyruar që nën trysninë e pushtetit të huaj ta përdorin gjuhën serbe në komunikim me serbët. Të dhënat e anketimit tregojnë që ata nuk do t’i iknin komunikimit me serbë, por në rastet e tilla janë të prirë ta përdorin ose gjuhën e tyre, ose anglishten si lingua franca. Edhe motivi për ta mësuar gjuhën serbe ka rënë plotësisht. Ndonëse paragjykimet krejtësisht negative për gjuhën serbe nuk janë aq të theksuara, nxitja për ta mësuar atë nuk ekziston më.

Një problem tjetër që është identifikuar gjatë anketimit është edhe mungesa e përkthyesve. Disa të anketuar që punojnë në institucionet qeveritare të Kosovës (Ministria e Financave) kanë deklaruar se mungesa e përkthyesve është shumë e theksuar. Kjo, sigurisht, shkakton probleme në zbatimin e dygjuhësisë edhe në rrafshin institucional zyrtar, që mbase mbetet domeni i vetëm i kontaktit më të shpeshtë midis folësve të shqipes dhe të serbishtes.

Në fund, të përmendim edhe një element tjetër që ka ndikim në rrjedhat e dygjuhësisë shqip-serbisht. Ky element ka të bëjë me ndryshimin e kahut të kontaktit dhe të komunikimit të folësve të shqipes në Kosovë. Nëse në të kaluarën shqiptarët e Kosovës duke qenë pjesë e ish-Jugosllavisë, jo me dëshirën e tyre, kishim më tepër komunikim me folës të gjuhëve sllavo-jugore, sot situata ka ndryshuar krejtësisht. Kahu i kontaktit dhe i komunikimit është kthyer drejt Shqipërisë. Integrimi shqiptar po ecën me hapa të përshpejtuar. Raportet politike, infrastruktura e përmirësuar, teknologjia informative dhe mediat janë duke pasur ndikim të fuqishëm në afrimin dhe në komunikimin ndërshqiptar. Kjo po ndikon që shqiptarët e Kosovës të mos kenë shumë nevojë për kontakt me Serbinë, gjë që ndikon në uljen e komunikimit.

PËRFUNDIME

Politika gjuhësore që ka ndjekur shoqëria dhe institucionet e Kosovës është sigurisht politikë progresive, që shkon përtej standardeve më të larta të Bashkimit Europian dhe standardeve të tjera të përshkruara në dokumentet e ndryshme ndërkombëtare, të cilat rregullojnë çështjet e politikave dhe të planifikim gjuhësor. Një politikë e tillë është sanksionuar edhe në planifikimin e statusit të gjuhëve në Kosovë, ku gjuhës serbe, e cila ka më pak se 10% folës burimorë në Kosovë, i është dhënë statusi i gjuhës zyrtare.

Megjithatë, zbatimi i kësaj politike gjuhësore është në shpërputhje me realitetin në terren dhe i ka vështirësitë e veta reale. Këto vështirësi kanë të bëjnë me rënin e nxënies së gjuhës serbe dhe me reduktimin e dendurisë së komunikimit dhe të domeneve të kontaktit. Po ashtu, problem tjetër paraqet edhe mungesa e stimulimit te shqiptarët, që përbëjnë shumicën e banorëve të Kosovës, për ta nxënë dhe për ta përdorur gjuhën serbe.

Në anën tjetër, mund të supozojmë se probleme pak a shumë të ngjashme ka edhe te serbët. Humbja e privilegjeve të kaluara, sedra e prekur dhe paragjykimet negative ndikojnë që edhe ata të mos e mësojnë dhe të mos e përdorin shqipen. Megjithatë, duket që rrethanat e reja politike dhe ekzistenciale në Kosovë do të kenë ndikim të fuqishëm që tek ata që të fillojnë ta mësojnë dhe ta përdorin gjuhën shqipe. Si rrjedhojë e kësaj, zhvillimi më i pritshëm është që bilinguizmi asimetrik që ka ekzistuar dikur në Kosovë, do të ndërrojë kahun. Serbët do të jenë të detyruar ta mësojnë shumë më tepër shqipen, ndërkaq shqiptarët do të jenë në situatë që sa më pak ta njohin dhe ta përdorin serbishten. Kriteri demografik do të jetë vendimtar në përcaktimin e drejtimit të zhvillimit të dygjuhësisë. Prandaj, mendojmë që do të ishte me interes që shoqëria dhe institucionet e Kosovës të gjejnë mënyra për ta nxitur dhe për ta stimuluar mësimin e gjuhës shqipes te serbët.

Në fund, të shtojmë se fqinjësia dhe komunikimi i paevitueshëm ekonomik me botën sllave do të jenë gjithnjë një motiv për shqiptarët për ta mësuar serbishten, por një gjë e tillë do të bëhet në bazë të vullnetit të mirë e jo në bazë të detyrimit. Edhe përparimi dhe risitë në fushën e teknologjisë së informacionit do të mund të kenë ndikim pozitiv në komunikim. Softuerët e përkthimit si Google Translation, dita-ditës po përmirësohen dhe po bëjnë të mundur përkthim sa më të saktë në të gjitha gjuhët e botës, rrjedhimisht edhe në shqipe dhe serbishte. Përkundër faktit që faktori njeri mbetet vendimtar, avancimi i teknologjisë megjithatë do ta lehtësojë në një masë komunikimin.

Në përmbyllje, të theksojmë se përmirësimi eventual i raporteve politike midis shqiptarëve dhe serbëve do të ketë ndikim në relaksimin e kontakteve dhe të ndërkomunikimit, dhe mbase do të jetë nxitje për njohjen reciproke të gjuhëve. Heqja e paragjykimeve ndaj gjuhës është sigurisht pikënisja e parë në këtë drejtim.

LITERATURA:

Fishman, Joshua (1971). Raporti në mes mikrosociolinguistikës dhe makrosociolinguistikës në studimin kush flet cilën gjuhë me kënd dhe kur, në: Sociolunguistics, Edited by J.B. Pride and J. Holmes, Penguin Books, First Published 1972; shih edhe te Vesel Nuhiu, Ndikimet ndërgjuhësore, Rilindja, Prishtinë, 1990, f. 181-209.

Freudenstein, Reinhold (1999). Bilingualism, language policy, and the Europena Union, Content made available by Georgetown University Press, Digital Georgetown, and the Department of Languages and Linguistics, në Internet: http://digital.georgetown.edu/gurt/1999/gurt_1999_26.pdf, qasja për hetë të fundit më 19 mars 2009.

Friedman, Victor A. (2007). Language Politics and Language Policies in the Contemporary Western Balkans: Infinitives, Turkisms and EUrolinguistics, EES Noon Discussion on April 18, 2007. The following is a summary of his presentation. Meeting Report 337, në Internet: www.wilsoncenter.org/topics/pubs/MR337Friedman.doc, qasja për herë të fundit 20 mars 2009.

Gal, Susan (2006) Migration, Minorities and Multilingualism: Language Ideologies in Europe, Language Ideologies, Policies and Practices, Edited, by Clair Mar-Molinero and Patrick Stevenson,First Published by Palgrave Macmillian, Houndmills, Basingstoke,

Ismajli, Rexhep (1989). Albanski jezik u Jugosllaviji, Zbornik - Kosovo - Srbija - Jugolavija, Ljubljana, Maj.

Ismajli, Rexhep (1991), Gjuhë dhe etni, Rilindja, Prishtinë.

Ismajli, Rexhep (1998). "Në gjuhë" dhe "për gjuhë", Dukagjini, Pejë.

Ismajli, Rexhep (2003). Standarde dhe identitete, Dukagjini, Pejë.

Kostallari Androkli (1984). Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë, Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë (Materiale të Konferencës shkencore të mbajtur në Tiranë më 7-8 dhjetor 1984), Tiranë 1988

Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Rilindja, Prishtinë, 1974.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës (2005), Akte të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ASHAK, Prishtinë.

Mackey, William F. (1989). Determining the Status and Function of Languages in Multinational Societies, Status and Function of Languages and Language Varieties, Walter de Gruyter, Berlin – New York.

Munishi, Shkumbin (2006). Gjuha standarde shqipe në Kosovë dhe drejtimet e zhvillimit të saj, disertacion i doktoratës, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë.

Munishi, Shkumbin (2009). Barazia e gjuhëve në Kosovë dhe perspektiva evropiane, 1 Uluslararasi Balkanlarda Tarih ve Kültür Kongresi, Bildirler Kitabi, (Kongresi I Ndërkombëtar Ballkanik), 10-16 Mayis, 2009, Kosova, Priştine. (shih edhe në Internet: http://www.linguasocio.blogspot.com/)

Munishi, Shkumbin (2010). Planifikimi i statusit të gjuhëve në Kosovë, Pozita e sotme e gjuhës shqipe në Mal të Zi në krahasim me atë në përgjithësi (sesion shkencor i organizuar më 19.12.2010 në Ulqin – Mali i Zi), Art Club, Ulqin, Mali i Zi, 2010. (shih edhe në Internet: http://www.linguasocio.blogspot.com/)

Munishi, Shkumbin (2010). Konfliktet dhe kontaktet gjuhësore, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare 29, Prishtinë, 2010: shih edhe në Internet: http://www.linguasocio.blogspot.com/)

Thomason, Sara G. (2001). Language Contact – an introduction, Georgetown University Press.



[1] Shih në Internet: http://conventions.coe.int/treaty/en/Treaties/Html/148.htm, qasja për herë të fundit më 8 nëntor 2011.

[2] Shih në Internet: http://www.assembly-kosova.org/common/docs/Kushtetuta_sh.pdf, qasja për here të fundit më 8 nëntor 2011.

[3] “Raportin për përdorimin e gjuhëve minoritare në komunat e Kosovës”, shih në Internet: http://www.osce.org/documents/mik/2006/12/22607_en.pdf, qasja për herë të fundit më 23 mars 2009.

(Tabelat jan[ hequr nga ky version që është vendosur në blogspot.)

No comments: