Tuesday, July 19, 2011

GJUHA DHE IDEOLOGJIA


Shkumbin MUNISHI (PRISHTINË)



HYRJE


Përkufizimi i ideologjisë si tërësi e ideve, pikëpamjeve e bindjeve shoqërore, në bazë të të cilave njerëzit i përcaktojnë besimet dhe veprimet e tyre, përshkruan gjerësinë e ndikimit të ideologjisë në jetën e individëve dhe të bashkësive shoqërore. Ideologjia u jep formë botëkuptimeve mbi botën, realitetin dhe çështjeve të tjera me interes të përbashkët për bashkësitë shoqërore, si dhe ndikon në afrimin brenda pjesëtarëve të bashkësisë dhe në kohezionin shoqëror. Këtij ndikimi të ideologjisë nuk i shpëton as gjuha, e cila shpesh shndërrohet në mjetin kryesor për realizimin e qëllimeve ideologjike. Duke e ndikuar komunikimin, ideologjia gjuhësore bëhet mjet i fuqishëm për përhapjen e pikëpamjeve dhe ideve të bazuara në një kuadër ideologjik të caktuar. Ndikimi ideologjik gjuhësor është një prej shembujve më ilustrues të determinizmit gjuhësore. Kjo dukuri, në studimet linguistike, antropologjike e sociolinguistike është parë nga kënde të ndryshme. Ideologjia është parë në ndërlidhje të ngushtë me gjuhën dhe dukuritë gjuhësore dhe këto raporte janë manifestuar në formën e ndikimit reciprok. Shfaqja më evidente e ideologjisë në gjuhë është shprehur në procesin e ndërtimit të politikave gjuhësore dhe në aktivitetet në fushën e planifikimit të gjuhëve, që kanë për qëllim krijimin e gjuhëve standarde. Po ashtu, ndikimi më konkret i ideologjisë shfaqet në rrafshin e diskursit.
Në këtë punim, do ta shqyrtojmë nga këndvështrimi teorik ndikimin e ideologjisë në gjuhë. Kryesisht, do të trajtohen tri çështje që kanë të bëjnë me ndikimin e ideologjisë në gjuhë, por edhe ndërlidhjen reciproke midis këtyre dy dukurive. Në këtë kuadër, do të trajtohet ndikimi ideologjik në procesin e planifikimit të gjuhës, këndvështrimet e ndërlidhura me konceptin marksist për superstrukturën dhe diskutimet për përfshirjen ose jo të gjuhës në rrafshin e superstrukturës, si dhe manifestimi i ideologjisë në diskurs.

1. NDIKIMI I IDEOLOGJISË NË POLITIKËN GJUHËSORE DHE NË RRJEDHAT E PLANIFIKIMIT TË GJUHËS

Ndikimi i ideologjisë në gjuhë, në radhë të parë, manifestohet në formë të krijimit të bindjeve dhe besimeve lidhur me vlerësimin e formave gjuhësore dhe përdorimit funksional të tyre nga folësit e gjuhës. Nga ky burim metapragmatik burojnë edhe përpjekjet për promovimin e formave gjuhësore të cilat perceptohen si “të mira, adekuate”, por edhe përpjekjet për ndryshimin e formave gjuhësore, të cilat konsiderohen si të “këqija, jo adekuate”. Kjo pikënisje, në fakt, përbën pikënisjen e ndërtimit të politikës gjuhësore dhe fillimin e proceseve të planifikimit të gjuhës.
Ideologjia ka ushtruar ndikim të fuqishëm në proceset e politikës gjuhësore dhe të planifikimit të gjuhëve. Në rrjedhën historike, përpjekjet e vetëdijshme të bashkësive shoqërore evropiane në fushën e planifikimit të gjuhëve dhe të politikës gjuhësore për krijimin e gjuhëve standarde, janë pjesë përbërëse e përpjekjeve për krijimin e entiteteve kombëtare shtetërore. Ndonëse formimi i një gjuhe standarde, e cila del si një koine nga një mori dialektesh, ishte model që u zbatua së pari në Greqinë antike, formimi i gjuhëve standarde te popujt e Evropës mori përmasa të gjera në shekujt XVIII dhe XIX. Ky proces i formimit të gjuhëve standarde ishte i pjesë përbërëse e ideologjisë nacionaliste që kishte kapluar Europën e asaj kohe dhe e cila kishte për qëllim krijimin e entiteteve më të mëdha etnike (shtetet kombëtare), që si rrjedhojë do të kishte edhe krijimin e tregjeve më të mëdha.
Shfaqja e nacionalizmit romantik dhe procesi i zhvillimit të shteteve kombëtare u shoqërua pothuajse paralelisht me zhvillimin e mjeteve të prodhimit dhe përparimin teknologjik. Ky përparim u shoqërua edhe me zhvillimin e infrastrukturës, sidomos në periudhën e revolucionit industrial, që mundësoi vendosjen e kontakteve më të shpeshta midis pjesëtarëve të bashkësive shoqërore që i përkitnin të njëjtës etni dhe flitnin gjuhë të njëjtë. Këto zhvillime çuan në krijimin e qendrave të mëdha urbane dhe tregjeve, në të cilat gravitonin pjesëtarët e bashkësive etnike që flitnin dialekte të së njëjtës gjuhë. Nëse migrimi dhe largimi i bashkësive njerëzore (klaneve dhe fiseve) në të kaluarën kishte rezultuar me ndarjen dialektore, zhvillimi i qendrave urbane detyrimisht krijonte mundësi për intensifikimin e kontakteve midis folësve të dialekteve të ndryshme dhe afrimin e këtyre dialekteve. Këto zhvillime prodhuan njëkohësisht elita kombëtare, politike e kulturore, të cilat kishin në duar pasuritë dhe mjetet e pushtetit. Elitat kombëtare i kushtuan një rëndësi të veçantë imponimit të kodit të tyre gjuhësor, i cili konsiderohej si mjet shumë i rëndësishëm për krijimin e homogjenitetit kombëtar brenda shoqërisë dhe afrimin e njerëzve që kishin populluar qendrat urbane. Duke folur për lidhjen e elitave kombëtare me gjuhën, Joshua Fishman thekson se “varësia funksionale e protoelitave të reja në vernakularët e tyre ishte një refleksion i nevojës së këtyre elitave për të komunikuar, organizuar dhe aktivizuar popullatat e reja urbane që ende ishin analfabete. Më pak evident është fakti që këto popullata ose nuk kishin një vernakular të përbashkët (por kishin continuum vernakularësh të dallueshëm nga aspekti shoqëror, regjional apo përvoja), ose nuk kishin vernakular që do të ishte i gatshëm për t’u përdorur për qëllime moderne të ideologjizuara dhe organizime të tjera të cilat i kishin në mendje protoelitat e reja (Fishman, 2003:155).
Është e qartë që në rrethana të tilla të krijuara politike, ekonomike e kulturore lindte nevoja për të pasur një kod të përbashkët gjuhësor, i cili përveç nevojave të komunikimit, do t’u shërbente edhe nevojave të tjera të homogjenizimit të popullatës dhe ngjizjes së tipareve mbi të cilat konsolidohej kombi dhe ndërtohej shteti kombëtar. Për këtë arsye, te këto elita, në kuadër të ideologjisë nacionaliste të tyre, kishte zënë rrënjë edhe ideologjia gjuhësore, e cila kishte për qëllim krijimin e gjuhës standarde. Gjuha standarde e përbashkët konsiderohej si njëri prej tipareve kryesore në bazë të të cilave identifikohej kombi. Por, normimi i gjuhës nuk ka të bëjë vetëm me ndërhyrje në strukturën e gjuhës dhe, thjeshtë, vetëm me krijimin e një kodi të përbashkët gjuhësore. Duke pasur parasysh sfondin ideologjik të proceset e normimit të gjuhëve, Rexhep Ismajli vëren me të drejtë se, “me normimin e gjuhës nuk bëhet vetëm një ndërhyrje konkrete në strukturën, në kanalizimin e një përdorimi të caktuar të gjuhës, po në radhë të parë ndërhyrje në organizimin shoqëror të folësve të asaj gjuhe. Pra, normimi nuk do të duhej të shihet si veprim konfrontativ i forcave të caktuara në shoqëritë konkrete, të cilat nganjëherë arrijnë të prodhojnë edhe argumentim të caktuar lingvistik, si prodhim ideologjik” (Ismajli, 1991:305).
Në mesin e autorëve që ndër të parët e kane potencuar rëndësinë e gjuhës së përbashkët për ndërtimin e kombit, është filozofi gjerman Johann Gotffried Herder (1744-1803), i cili e potencoi rëndësinë e gjuhës për krijimin dhe forcimin e ndjenjës kombëtare, krahas tipareve të tjera kulturore dhe letërsisë gojore. Ndërkaq Ludwig von Mises (1919, 2000), e sheh unifikimin e gjuhës si rezultat i ndikimit të disa faktorëve, siç janë: nevoja për shkëmbime tregtare, ndikimet politike e ushtarake, religjioni etj. Sipas Von Mises, pas formimit të gjuhës standarde, pjesëtarët e bashkësive të ndryshme që flasin dialekte të ndryshme, motivohen për ta mësuar dhe për ta përdorur gjuhën standarde, pasi që kjo e fundit bëhet mjet i rëndësishëm për integrimin e tyre brenda kombit. Këtë proces të kalimit gradual nga dialekti në gjuhë standarde e sheh si pjesë të asimilimit kombëtarë.
Autorja Susan Gal thekson se, ndonëse duket e pazakontë, megjithatë mund të thuhet ‘gjuha’ është zbuluar në Evropë (Gal, 2006: 14). Kjo autore në këtë rast i referohet gjuhës standarde, e cila është bartëse e prestigjit. Gjuhët standarde, të cilat u formuan te kombet evropiane, u bënë kode gjuhësore me prestigj, që markoheshin me tipare pozitive dhe vlerësoheshin si forma korrekte të përdorimit gjuhësor, ndërsa në anën tjetër zuri fill shfaqja e qëndrimeve stigmatizuese ndaj dialekteve dhe gjuhëve të tjera, të cilat, në raport me gjuhën standarde, markoheshin me tipare negative dhe vlerësoheshin si forma jokorrekte të përdorimit gjuhësor. Pra, lindja e gjuhëve standarde bëri që njëkohësisht të lindin vlerësimet dhe paragjykimet për format e tjera gjuhësore. Mbi këto baza lindën edhe ideologjitë gjuhësore të vendeve të Evropës. Sipas Susan Galit, rrënjët e ideologjisë gjuhësore i gjejmë te iluminizmi evropian dhe te periudha pasuese e Romantizmit. Në kuadër të kornizave ideologjike, brenda së cilave u krijuan gjuhët standarde, u krijuan edhe pikëpamjet që format gjuhësore janë të pranueshme si gjuhë vetëm nëse kanë shkrime dhe nëse kanë letërsi dhe norma të përdorimit korrekt. Kështu, format e folura të territoreve koloniale dhe të periferive rurale të vendeve të Evropës, që moti janë trajtuar si gjuhë jo të plota. Për më tepër, grupet shoqërore, duke u mbështetur në homogjenitetin e tyre gjuhësor dhe të ndryshueshmërisë, mendojnë se e meritojnë shtetin, një territor, një lloj të autonomisë politike (Gal, po aty, f. 14-15). Pra, gjuhët jo vetëm që u bënë mjete dhe kritere për vlerësime shoqërore, por u bënë edhe tipare të domosdoshme dhe përbërëse të entiteteve të organizuara shoqërore të një shkalle më të lartë, siç ishin shtetet kombëtare, që po krijoheshin në Evropë aty nga gjysma e dytë e shekullit XIX. Megjithatë, duke qenë se edhe ideologjia është një sistem që përvetësohet nga grupet shoqërore, ajo mund të ndryshojë si pjesë e procesit dinamik të ndryshimeve të tjera që ndodhin në shoqëri. Së këndejmi, që nga koha e krijimit të shteteve kombëtare në Evropë e deri në ditët e sotme, ideologjitë politike, por edhe gjuhësore në Evropë kanë ndryshuar mjaft. Gjithashtu, kanë ndryshuar edhe botëkuptimet për vlerësimin kodeve gjuhësore dhe të gjitha këto zhvillime natyrisht janë vetëm përshtatje e ndikimit ideologjik.

2. NDËRLIDHJA E IDEOLOGJISË ME DUKURITË GJUHËSORE DHE NDIKIMI I IDEOLOGISË NË DISKURS

T’i kthehemi tani diskutimit të lidhjes së ideologjisë me gjuhën. Një ndër autorët e parë që pati ndikim të fuqishëm në trajtimin e ideologjisë gjuhësore si një fushë që duhet studiuar më vete, ishte autori Michael Silverstein. Ai konsideron ideologjinë gjuhësore si një gamë tiparesh e udhëzimesh se si duhet përdorur gjuha nga përdoruesit e saj. Ideologjia gjuhësore luan një rol të rëndësishëm në përcaktimin e pikëpamjeve, bindjeve dhe besimeve lidhur me kodet gjuhësore brenda shoqërisë. Mbi këtë bazë shfaqen edhe pikëpamjet lidhur domosdoshmërinë e ekzistencës së një kodi të përbashkët gjuhësor, i cili përveç se do të shërbente si mjet komunikimi, do të luante, gjithashtu, një rol të rëndësishëm në ndërtimin e pikëpamjeve dhe këndvështrimeve shoqërore, si dhe në ngjizjen e homogjenitetit shoqëror. Këtë aspekt e kanë parasysh shumë autorë, sa herë që flasin për lidhjen e ideologjisë dhe gjuhës. Në këtë kuadër, Woolard dhe Schifflein (1994) theksojnë me të drejtë se jo vetëm format gjuhësore, por edhe institucionet siç janë shteti kombëtar dhe shkollat, gjinitë, zgjidhja e kontesteve dhe ligjet përcaktohen drejtpërdrejtë nga përdorimi i ideologjizuar i gjuhës. Ndërkaq, ka autorë, si Susan U. Philips, që theksojnë se gjuha zë vend qendror në krijimin, përhapjen dhe mbajtjen e ideologjive (Philips 1992). Nga konstatimet e këtyre dy autorëve shihet qartë se sa të ndërlidhura dalin ideologjia dhe gjuha dhe i fuqishëm është ndikimi reciprok i këtyre këto dy dukurive.
Dukuria e ideologjisë gjuhësore dhe e ideologjizimit të gjuhës është parë nga autorë të ndryshëm edhe nga këndvështrimi i koncepteve të Marksit për superstrukturën shoqërore, si dhe nga lidhja e gjuhës dhe ideologjisë me klasat. Linguisti rus N.J.Marr (1864–1934) ishte i pari që në teorinë e tij marriste për gjuhën e futi gjuhën në kuadër të superstrukturës shoqërore. Linguisti tjetër rus, Valentin Voloshinov (1895-1936), e konsideron gjuhën si medium të ideologjisë, si mjet që nuk mund të ndahet nga ideologjia. Sa i përket koncepteve të tij, ka dyshime që prapa tyre qëndron autori tjetër rus, bashkëkohësi dhe bashkëpunëtori ti,j Mikhail Bakhtin (1895-1975)[1]. Sipas këtyre koncepteve në çdo shenjë, që është mjet i komunikimit gjuhësor, janë të aplikueshëm kriteret e vlerësimeve ideologjike… fusha e ideologjisë përputhet me fushën e shenjave. Midis tyre mund të vendoset shenja e barazisë (Bahtin, 1980:11). Për më tepër, tema e shenjës ideologjike dhe forma e shenjës ideologjike janë të lidhura pandashëm ndërmjet veti dhe, natyrisht, mund të dallohen vetëm në abstraksion (po aty, 24). Kjo lidhje e pandashme midis shenjës (gjuhës) dhe ideologjisë konstatohet edhe nga autorë të tjerë. Në këtë kuptim, Augusto Ponzio thekson se, për shkak të lidhjes së tyre me kodekset gjuhësore ose jogjuhësore të ideologjizuara, çdo mesazh gjuhësor është pak a shumë i ideologjizuar, qoftë nga mënyra dhe kuptimi se si është formuluar, ashtu edhe nga mënyra dhe kuptimi se si është kuptuar (Ponzio, 1978: 58). Sipas tij, mesazhet janë shpesh të ndërtuara sipas ideologjive për të cilat folësi nuk është krejt i vetëdijshëm, por të cilat i ka pranuar (internalizuar) në mënyrë pasive, pra në bazë të ideologjive ‘spontane’ (po aty, 74). Por, nëse për ndikimin e fuqishëm të ideologjisë në gjuhë ka një pajtueshmëri më të madhe, çështja e superstrukturës gjuhësore është vënë në dyshim. Madje, ndër të parët që ka hedhur poshtë idenë për superstrukturën e gjuhës ka qenë ish diktatori sovjetik Joseph Vissarionovich Stalin (1878–1953). Sipas tij, “gjuha si mjet komunikimi midis njerëzve u shërben njësoj të gjitha klasave dhe në këtë drejtim tregon njëfarë indiference ndaj klasave (Stalin, 1979:22). Ndërkaq, duke hedhur poshtë konceptet e Marrit për superstrukturën gjuhësore, Stalin konstaton:
“N.J. Marri futi në gjuhësi një tezë të gabuar, jomarksiste, tezën e gjuhës si superstrukturë, dhe me këtë ngatërroi edhe vetë gjuhësinë. Gjuhësia sovjetike nuk mund të zhvillohet në bazë të një teze të gabuar.”
“N.J. Marri futi në gjuhësi një tezë tjetër, edhe kjo e gabuar dhe jomarksiste, tezën mbi karakterin klasor të gjuhës. Gjuhësia sovjetike nuk mund të zhvillohet në bazë të një teze të gabuar, që është në kundërshtim me tërë rrjedhën e historisë së popujve dhe të gjuhëve”. (po aty, 35)
Ai vjen në përfundim se gjuha nuk mund të futet as në kategorinë e bazave, as në atë të superstrukturave (po aty, 38). Duke iu referuar koncepteve të shprehura nga Stalini, Ponzio thekson se deklarimet e Stalinit janë të drejtuara në atë që të dëshmojnë se si interpretimet mbi gjuhën si superstrukturë janë pavlefshme, dhe vetëm pjesërisht të pranueshme”. Ai shton se gjuha mund të jetë në shërbim të ideologjive të ndryshme, ndërkohë që dukuritë superstrukturore kanë drejtim të qartë ideologjik, pa marrë parasysh synimet e tyre që të jenë rezultat i një qëndrimi përshkrues, të pavlershëm dhe neutral” (Ponzio, vep. cit. 178 dhe 179). Por, dukuria e superstrukturës gjuhësore mund të shfaqet në kuadër të raporteve midis gjuhëve të ndryshme në kontekst të pushtimeve territoriale, sidomos në kontest të kolonializmit. Louis-Jean Calvet mendon se deklarimi i Stalinit që mohon futjen e gjuhës në kuadër të superstrukturës është pjesërisht i saktë dhe ka të bëjë vetëm me situatat e vendeve njëgjuhëshe, ndërkaq në situata të kolonializmit superstruktura gjuhësore shfaqet në fizionominë e gjuhës sunduese (Kalve, 1981).
Në bazë të asaj që u tha, mund të konstatohet se gjuha nuk mund të shikohet si fenomen i ndarë nga ndikimi i ideologjisë, madje ajo bëhet instrument i fuqishëm i shtrirjes dhe përhapjes së ideologjisë. Ideologjia ndikon në formimin e mesazhit gjuhësore, duke reflektuar botëkuptimet e caktuara që përfaqësojnë grupet shoqërore. Në këtë kuadër, manifestimi më evident i ndikimit të ideologjisë në gjuhë shfaqet në rrafshin e diskursit. Diskurset e grupeve shoqërore të shumtën e rasteve shpalosin sfondin ideologjik dhe ngërthejnë në vete tipare e koncepte që perceptohet si vlera të një ideologjie të caktuar. Një ndër autorët më të njohur në fushën e analizës së diskursit, Teun van Dijk, thekson se ideologjitë janë përkufizuar si besime themelore që gjenden nën përfaqësimin shoqërore të manifestuar të llojeve specifike të grupeve shoqërore. Këto përfaqësime, sipas Van Dijkut, janë bazat e diskursit dhe të praktikave të tjera shoqërore. Gjithashtu, shpesh është nënkuptuar se ideologjitë shprehen dhe përvetësohen në masë të madhe nga diskursi, që do të thotë, nga ndërveprimi i folur apo i shkruar komunikues. Kur anëtarët e grupeve shprehin, motivojnë apo i pretendojnë si legjitime veprimet e tyre, kjo bëhet në mënyrë tipike me terma të diskursit ideologjik (Van Dijk, 2004:11). Më tej, ai thekson se nëse ideologjitë përvetësohen, shprehen, vihen në funksion dhe riprodhohen nga diskursi, kjo mund të ndodhë përmes një sërë strukturash dhe strategjisë diskurseve (f.18). Van Dijk konstaton se diskursi ideologjik është përgjithësisht i organizuar nga një strategji e përgjithshëm e vetëpërfaqësimit (lavdërimit) dhe përfaqësimit negativ të tjerëve (përuljes). Kjo strategji mund të veprojë në të gjitha nivelet: përgjithësisht, në atë mënyrë që gjërat tona të mira janë të theksuara, ndërkaq gjërat e këqija janë të heshtura; dhe e kundërta në raport me të tjerët: gjërat e këqija të tyre do të theksohen, ndërkaq gjërat e mira do të zvogëlohen apo harrohen (f. 19). Ai përfundon se, kur ideologjitë janë skicuar në diskurs, ato shprehen në mënyrë tipike në kuptim të strukturave të nënvendosura të tyre, siç janë përshkrimi pozitiv brenda grupit dhe përshkrimi negativ jashtë grupit. Kjo mund të ndodhë jo vetëm në mënyrë eksplicite me mjete të paravendosura (tema, kuptimet etj.), por edhe me shumë hapa të tjerë të diskursit që theksojnë ose heshtin gjërat e mira dhe të këqija, siç janë titujt dhe pozitat, strukturat zanore dhe vizuale, leksikalizimi, struktura sintaksore, veprimet semantike, siç janë mohimet, dhe nga një sërë figurash retorike dhe veprimesh argumentuese. Kështu, në të gjitha nivelet e tekstit dhe të folurit ne mund të jemi dëshmitar të ndikimit të njëanshmërisë së ideologjisë të modeleve të nënvendosura mentale dhe të përfaqësimeve shoqërore të bazuara në ideologji (f. 42).

PËRFUNDIME


Ndikimi i ideologjisë është i pranishëm pothuajse në çdo fushëveprim të njeriut. Ky ndikim shprehet përmes ndërtimit të një formati të caktuar të një kornize mendore, në bazë të së cilës njerëzit i bazojnë bindjet dhe veprimet e veta shoqërore. Kësaj force ndikuese të ideologjisë nuk i shpëton as gjuha si dukuri shoqërore. Është e njohur thënia se gjuha nuk është vetëm mjet komunikimi, por ka edhe funksione të tjera. Për aq sa shërben për të komunikuar, gjuha është edhe një mjet pragmatik shumë i rëndësishëm i ndërveprimit shoqëror, që mundëson lidhjen e individit me shoqërinë, por dhe ndërtimin dhe ruajtjen e strukturës shoqërore.
Duke pasur patash këto funksione të gjuhës, kjo e fundit shndërrohet në një prej terreneve më të përshtatshme për ndikimin e ideologjisë. Ideologjia ndikon drejtpërdrejt në formatin e mesazhit dhe në formën edhe mënyrën se si shprehet ai. Aq më tepër, duke qenë se ideologjia ndërton tipare e vlera të caktuara të brendshme, ajo synon që mesazhet gjuhësore t’i reflektojnë pikërisht tiparet e vlerat ideologjike. Ideologjia ndikon në paracaktimin e formave të përshtatshme gjuhësore dhe në kriteret për pranimin e këtyre formave. Ajo bëhet bazë e manifestimeve metapragmatike. Në kuadër të kësaj premise, mund të shihet edhe manifestimi i ideologjisë në proceset e ndërtimit të sistemeve gjuhësore njëformeshe e unike, siç janë gjuhët standarde, pasi që këto të fundit konsiderohen si mjet i domosdoshëm për realizmin e qëllimeve ideologjike. Rrjedhimisht, mund të konstatohet me të drejtë se gjuhët standarde janë gjithmonë prodhim i ideologjive të caktuara dhe janë në shërbim të ideologjive të caktuara.
Në anën tjetër, fusha në të cilën më së shumti gjen shprehje ideologjia e caktuar dhe në të cilën ushtrohet ndikimi më i fuqishëm ideologjik është fusha e diskursit. Duke qenë se diskursi është mjeti kryesor i komunikimit dhe ndërveprimit shoqërore, ai nuk mund të mbetet jashtë ndikimit të ideologjisë. Në fakt, diskursi bëhet instrumenti kryesor i përparjes dhe ruajtjes së ideologjisë.
Në bazë të konstatimeve të mësipërme, mund të përfundojmë se, duke pasur parasysh ludhjen e ngushtë midis ideologjisë dhe gjuhës, studimi i dukurive gjuhësore nuk mund të bëhet pa pasur parasysh edhe ndikimi e ideologjisë së caktuar. Kjo vlen posaçërisht për studimet në fushën e politikës dhe planifikimit gjuhësor dhe, sidomos, për studimet në fushën e analizës së diskursit.


REFERENCAT:


Bahtin, Mihail (1980). Marksizam i filozofija jezika, Nolit, Beograd.
Fishman, Joshua (1973). Language and Nationalism, Nationalism in Europe, 1815 to Present, Edited by: Stuuart Woolf, Routledge, London and New York, First published in 1996, this edition published in the Taylor & Francis e-Library, 2003.
Gal, Susan (2006) Migration, Minorities and Multilingualism: Language Ideologies in Europe, Language Ideologies, Policies and Practices, Edited, by Clair Mar-Molinero and Patrick Stevenson,First Published by Palgrave Macmillian, Houndmills, Basingstoke.
Ismajli, Rexhep (1991). Gjuhë dhe etni, Rilindja, Prishtinë.
Kalve, Lui Žan (1981). Lingvistika i kolonijalizam, Bigz, Beograd.
Philips, Susan U. (1992). A Marx-Influenced Approach to Ideology and Language Comments, Pragmatics :3.377- 385, Internationa Pragmatics Association, Vol 2, No 3 (1992), në Internet: http://www.elanguage.net/journals/index.php/pragmatics/article/view/230/164 , qasja për herë të fundit më 23 maj 2011.
Ponzio, Augusto (1978). Jezična proizvodnja i društvena ideologija, Školska knjiga, Zagreb.
Stalin, J. (1979). Marksizmi dhe çështjet e gjuhësisë, Tiranë.
Van Dijk, Teun A. (2004). Ideology and Discourse Analysis, Ideology Symposium Oxford, September 2004, Universitat Pompeu Fabra, Barcelona, Second version. November 2004. Edhe në Internet: http://www.discourses.org/OldArticles/Ideology%20and%20discourse%20analysis.pdf, qasja për herë të fundit më 24 maj 2011.
Von Mises, Ludwig (1919). Nation State and Economy, originally published in German, 1919; English edition, New York University Press, 1983; on-line edition, Mises Institute, 2000, with the permission of Bettina B. Greaves, në Internet: http://mises.org/nsande/pt1ich2.asp, qasja për herë të fundit më 16 maj 2011.
Woolard, Kathryn A. dhe Schifflein, Bambi B. (1994). Language Ideology, Annual Reviews Anthropology 1994. 23:55-82, www.annualreviews.org/aronline, në Internet http://homepages.nyu.edu/~bs4/Bambi--Website_Assets/BBS%20PDFs/annurev.an.23LangID.pdf, qasja për herë të fundit më 19 maj 2011.


FUSNOTË

[1] Në këtë punim pikëpamjet e Voloshinovit janë nxjerrë nga libri që mban autorësinë e Mikhail Bakhtin me titull “Marksizam i filozofija jezika”, Nolit, Beograd, 1980. Në shumicën e burimeve bibliografike ky punim mban autorësinë e Valentin Voloshinovit, por ne po japim burimin e referencës, të cilin e kemi pasur në dispozicion.

No comments: