Tuesday, July 19, 2011

ANALIZA BINARIKE NË FONOLOGJI



Shkumbin Munishi


1. HYRJE


Fonologjia, pa emërtimin e saj që ka sot, është disiplinë që ka funksionuar që nga koha antike. Në Indinë e lashtë, hartuesi i gramatikës së parë, Panini, në studimin fonetik të sanskritishtes e kishte shfaqur idenë për fonemën, por pa këtë emërtim. Idetë e indasve për shumë shekuj mbetën pa jehonë në gjuhësinë botërore. Shumë studiues të gjuhësisë së sotme botërore nuk e kanë lënë pa theksuar se fonologët e parë, në të vërtetë, kanë qenë krijuesit e alfabeteve të para fonografike. Intuitivisht ata arritën që nga shumësia e prodhimeve tingullore t’i veçojnë invariantet, të cilat i shënuan me shenja grafike të cilat ne sot i quajmë alfabet. Ndryshe, alfabetin e parë fonematik e krijuan fenikasit, i cili u zhvillua dhe u përparua më tutje nga grekët antikë, të cilët ia shtuan zanoret dhe zhvilluan në praktikë alfabetin e parë të vërtetë.
Nga mesi i shek. XIX, dy linguistë evropianë: anglezi Henry Sweet dhe francezi Paul Passy, tërhiqnin vërejtjen se gjatë analizës tingullore, “hetohen ato karakteristika nyjëtimore të tingujve, të cilat drejtpërdrejtë ndikojnë në dallimin e kuptimit të fjalëve”[1]. As idetë e këtyre dy linguistëve nuk patën jehonë në gjuhësinë evropiane e botërore. Nuk bëri jehonë e nuk ushtroi farë ndikimi as studimi i dialektologut zviceran, Jost Wintler, 1846-1929), i cili më 1876 në përshkrimin e tingujve të një dialekti kishte përdorur kritere të mirëfillta fonologjike[2].
Në Rusinë cariste të viteve 70 të shekullit të kaluar shquhen dy linguistë të njohur: Mikołaj Habdank Kruszewski dhe Jan Niecislaw Baudouin de Courtenay, të cilët në shkollën linguistike të Kazanjës (Rusi) arritën të hetojnë se disa vlera të caktuara të prodhimeve tingullore të të folurit luajnë rol në diferencimin e kuptimit të fjalëve. Këta autorë sajuan fjalën fonemë dhe puna e tyre, edhe pse e panjohur gjerësisht, ka shërbyer si bazë për fonologjinë moderne.
Linguisti francez, Georges Mounin, thotë se ideja për diferencimin e aspektit fonologjik nga aspekti fonetik i prodhimit tingullor të të folurit merr hov dhe zhvillohet atëherë kur studimet në fushën e fonetikës eksperimentale zbulojnë se dallimet në vlerat akustike të tingujve janë të mëdha dhe diferencohen sipas moshës, gjinisë shkallës së zhvillimit kulturor të individit e të tjera, megjithatë përmbajtja e mesazhit mbetet e pandryshuar[3].
Themeluesi i gjuhësisë strukturaliste, linguisti zviceran, Ferdinand de Saussure, në vitin 1908, e shfaq idenë për fonemën, si element i sistemit fonologjik. Përcaktimi i karakterit sistemor të gjuhës dhe diferencimi i ligjërimit në gjuhë dhe të folur, hapën horizonte të reja në studimet linguistike evropiane.
Përkundër këtyre arritjeve të para në studimet fonologjike që i përmendëm më lart, duhet thënë që studimet e mirëfillta fonologjike u zhvilluan në Qerthullin Linguistik të Pragës të themeluar më 1926. Përfaqësuesit më eminentë të kësaj shkolle ishin Nikolai Trubetzkoy dhe Roman Jakobson. Këta dy studiues, për disa dekada, ia dhanë vulën linguistikës strukturaliste të shek. XX. Në tetë vëllimet e “Travaux du Cercle Linguistique de Prague”, që dolën në fazën e parë të veprimtarisë së lëtij Qerthulli deri më 1939, e në të cilin kontributin e tyre e dhanë një grup i tërë studiuesish të gjuhësisë, tashmë mund të thuhet jo vetëm evropiane, por edhe botërore, siç ishin: çekët V. Mathesius, R. Wellek, B. Truka, J. Vachek, J. Mukařovský, B. Havranek etj.; sllovakët J. M. Korinek dhe J. Horetzky; rusët A. V. Isachenko dhe E. Polivanov; francezët G. Gougenheim, A. Martinet, E. Benveniste etj.; holandezët N. Van Wijk dhe A. W. de Groot; filozofi austriak K. Bühler dhe italiania Giulia Porru[4], studimi i ligjërimit mori rrugë krejtësisht të reja, si në pikëpamje të koncepcioneve dhe strukturave të elementeve që e përbëjnë atë, ashtu edhe në pikëpamje të metodave të studimit. Shkolla e Pragës praktikoi një stil special të gjuhësisë sinkronike, dhe, edhe pse shumica e dijetarëve, të cilët i konsiderojmë si anëtarë të kësaj shkolle, punuan në Pragë dhe Çekosllovaki, ky term përdoret gjithashtu për t’i përfshirë edhe dijetarët e caktuar të cilët e përkrahnin stilin studimor të Shkollës së Pragës. Shenja dalluese e gjuhësisë së zhvilluar në kuadër të këtij qerthulli ishte fakti që ata e shihnin gjuhën në kuptim të funksionit të saj[5].
Linguisti ruso-amerikan, Roman Osipovich Jakobson , i lindur më 1896, dhe i shkolluar në Rusinë Cariste, emigrant në disa vende të Evropës, e më në fund i vendosur në SHBA, së pari në New York e më vonë profesor në Universitetin e Harvard-it, duke kaluar më 1957 në MIT, konsiderohet si themelues i një metode të studimeve linguistike, të cilën, jo ai, po studiuesit e mëvonshëm, e quajtën metoda e analizës binarike.
Duke u mbështetur në dysinë (dikotominë) gjuhë-të folur, ide të cilën e hodhi linguisti zviceran, Ferdinand de Saussure, pikëpamja për studimin e tingujve të ligjërimit në dy aspekte të ndryshme, në aspektin e vlerës fizike, material e nyjëtimore, në një anë, dhe në aspektin e rolit dhe të funksionit që ata luajnë në komunikimin ligjërimor, në anën tjetër, në vitet njëzet-dyzet të shekullit XX nxiti interesim të madh shkencor ndër studiuesit që u bashkuan në Qerthullin Linguistik të Pragës.
Nikolai Trubetzkoy, fonologu më i shquar i këtij Qerthulli, i cili nuk ishte vendosur në Çekosllovaki, që në punimet e tij të para i përcaktoi raportet midis aspekteve të ndryshme të studimit të prodhimeve tingullore të ligjërimit. Më 1929, duke studiuar fonetikën historike të polakishtes, Trubetzkoy përcaktoi karakterin sistemor të njësive fonetike. Ai vuri re se raportet në sistemet e tingujve të çdo gjuhe kanë formën e skemave simetrike[6]. Në rrafshin tingullor të ligjërimit Trubetzkoy vuri re se prodhimet tingullore që i kundërvihen njëri-tjetrit dhe që e formojnë sistemin e njësive dalluese për diferencimin e kuptimit të shenjave gjuhësore (të fjalëve), përmbajnë në vete një varg tiparesh nyjëtimore e akustike, të cilat jo të gjitha luajnë rol për dallimin e kuptimit të fjalëve. Vetëm disa tipare akustike-nyjëtimore janë të rëndësishme për kuptimin. Sipas tij, folësi zgjedh midis tipareve në kundërvënie ato tipare nyjëtimore e akustike që e formojnë shenjën gjuhësore përkatëse e që janë në kundërvënie me tiparin tjetër, p.sh. log dhe lug të shqipes janë në kundërvënie prodhimet tingullore o:u, kurse në rrafshin e tipareve akustike midis këtyre dy tingujve është shkalla e ndryshme e ngritjes ajo që formon kundërvënie. Me këtë tipar këto dy prodhime tingullore luajnë rol për dallimin e kuptimit të dy fjalëve të ndryshme.
Këto njohuri e shtynë Trubetzkoy-in t’i dallojë rrafshet e studimit: rrafshin fonetik dhe atë fonologjik, e si rrjedhim edhe dallimet midis tingullit dhe fonemës. Duke u mbështetur në raportet midis këtyre dy rrafsheve (aspekteve) Trubetzkoy i shtroi Parimet e fonologjisë, tashmë të njohura në gjuhësinë e përgjithshme. Duke e dalluar fonemën si invariantë të varianteve të shumta të realizimeve fonetike, u bë dallimi i qartë midis fonemës dhe tingullit. Ky dallim pati si rrjedhim interesimin e studiuesve për studimin e karakteristikave të fonemës, të komponentëve të saj dhe të mënyrës së funksionimit të tyre dhe të aspekteve të realizimeve tingullore të fonemave. Trubetzkoy dalloi funksionet e ndryshme të cilat mund të ndryshojnë sipas kundërvënieve fonologjike. Funksionin kryesor, që t’i mbajë të ndara fjalët apo sekuencat gjuhësore më të gjata, ai e quajti funksion dinstiktiv (dallues), por ky nuk është funksioni i vetëm që mund ta kryejë një kundërvënie fonologjike[7]. Përveç funksionit dinstiktiv, sipas Trubetzkoy-it, kundërvëniet fonologjike mund të kryejnë edhe funksione delimitative (përkufizuese) dhe funksione kulminative (kulmore)[8].
Puna dhe konceptet e Trubetzkoy-it i hapën rrugë zhvillimit dhe përparimit të mëtejmë të fonologjisë, si disiplinë e gjuhësisë.


2. BAZA TEORIKE E BINARIZMIT NË FONOLOGJI

Krahas punës së Trubetzkoy-it, një rol të rëndësishëm për zhvillimin e teorisë fonologjike luajti edhe Roman Jakobson-i. Sikurse Trubetzkoy, edhe Jakobsoni ishte më shumë i interesuar në analizën e fonemave në tiparet përbërëse të tyre, sesa në distribuimin e tyre. Por, esenca e qasjes studimore në fonologji të Jakobson-it është nocioni që ka një ‘sistem psikologjik’ të thjeshtë, universal dhe të rregullt të tingujve që i shtresohet pasurisë kaotike të tingujve të ndryshëm që i vërejnë foneticientët[9].
Kur u pa se në kundërvëniet fonologjike nuk funksionon fonema si tërësi po disa nga tiparet e saj, u vu re, gjithashtu, se ato tipare funksionojnë dhe vihen në kundërvënie në qifte sipas pranisë ose mungesës së një tipari. Në veprën “Preliminaries of Speech Analysis” (1952) dhe pak më vonë në “Fundametals of language” (1956), Roman Jakobson dhe Morris Halle (edhe C.G.M. Fant) përmes kundërvënieve të fonemave në 15 mbiemra anglezë të cilët ndër vete dallohen vetëm në një segment tingullor, elementi që i vë në kundërvënie dalluese është prania ose mungesa e një tipari në realizimin fonetik të segmenteve tingullore, p.sh. midis ditter dhe bitter dallimi (kundërvënia) qëndron në segmentin e parë, i cili karakterizohet nga prania ose mungesa e një tipari të realizimit fonetik, tiparit dallues, e ky është tipari i pranisë / i mungesës së zëshmërisë (sikurse në shqipe besë / pesë). Jakonson dhe Halle vërtetuan se folësi në këto raste zgjedh midis dy mundësive (opsioneve): prania e një tipari, të quajtur tipar i markuar, e përjashton mundësinë e zgjedhjes së tiparit të kundërt, të quajtur tipar i pamarkuar. Tiparet e këtilla i quajmë tipare binare ose çifte tiparesh në kundërvënie (Jakobson – Halle, 1956)[10].
Duke e njohur mirë karakterin dhe mënyrën e funksionimit të tipareve të brendshme (inherente) të fonemave, Roman Jakobsoni në studimin e tij përqendrohet në zbulimin e “ligjeve të përgjithshme (universale – sh.m.) sipas të cilave strukturohen sistemet tingullore. Në mënyrë empirike ai arriti të konstatojë se dallimet më të mëdha - midis zanoreve e bashkëtingëlloreve obstruente (nyjëtimi i hapur dhe i mbyllur), midis zanoreve maksimalisht të hapura dhe maksimalisht të mbyllura (a-i), si dhe midis zanoreve të radhës së përparme dhe të radhës së prapme (i-u) – përbëjnë ligjshmëritë më të përgjithshme, prandaj edhe mund të konsiderohen si ligjshmëri themelore”[11]. Këto ligjshmëri Jakobsoni i kishte hetuar përmes përcjelljes së radhës së shfaqjes së kundërvënies së kundërvënieve fonologjike në të folurit e fëmijëve (në ontogjenezen e të folurit) dhe radhës së zhdukjes së kundërvënieve të tilla në të metat në të folur të të prekurve nga afazia. Konstatimi i tij se në të folurit e fëmijëve së pari shfaqen fonemat me kundërvënie themelore, kurse te afazitë këto humbin të fundit, ndonëse Malmberg-u[12] shfaq një sasi dyshimi për saktësinë e këtij konstatimi për ndonjë arsye, mendojmë se deri tash ende askush nuk ka arritur ta mohojë. Duke u thelluar në hartimin e këtyre ligjshmërive të përgjithshme të funksionimit të tipareve fonologjike në sistem, Jakobson dhe Halle vërejnë se në shenjën gjuhësore ditter të anglishtes në të cilën mund të dallohen katër segmente lineare (sukcesive), në të cilat mund të bëhet konotacioni me njësi (segmente) të tjera, dëgjuesi (njohësi i kodit) lehtë i dallon njësitë /d/+//i/+/t/+/ə/[13]. Për këtë autorët konstatojnë “Secila nga këto njësi i ofron dëgjuesit një numër alternativash çifte të cilat kanë vlerë dalluese në anglishte”[14]. Alternativat çift të zgjedhjes si për folësin (koduesin), sipas Jakobsonit dhe Halle-s përbëjnë bazën e funksionit të tipareve të rëndësishme dalluese, të fonemave të cilat e formojnë sistemin fonematik të një gjuhe. Idea për funksionimin çift të njësive gjuhësore në kundërvënie, më vonë u emërtua dhe u bë e njohur në gjuhësinë botërore me emrin binarizëm.


3. TIPARET ÇIFT BINARIKE TË FONEMAVE

Teorinë e tij fonologjike R. Jakobsoni e paraqiti për heerë të parë në vitin 1938 në gjuhën çeke, kurse në mënyrë më të shtjelluar e të zgjeruar e dha në frëngjishte një muaj më vonë në Kongresin e Tretë të Shkencave Fonetike në Gent (Belgjikë).
Tiparet e brendshme (inherente) dalluese, që janë të pranishme në çdo gjuhë të botës, sipas Jakobsonit dhe Halle-s, mund të klasifikohen në dy grupe: tipare të zëshmërisë (sonoritetit) dhe tipare të tonalitetit. Grupi i parë u përgjigjet tipareve prozodike të intensitetit dhe të sasisë (kuantitetit), kurse grupi i dytë i përgjigjet tiparit prozodik të lartësisë tonale.
Tiparet dalluese të zëshmërisë e shfrytëzojnë sasinë dhe koncentrimin e energjisë nyjëtimore në spektrin e hapësirës nyjëtimore dhe të kohëzgjatjes, kurse tiparet e tonalitetit kanë të bëjnë me ato paraqitje që lidhen me pjesët skajore të larta dhe të ulëta të spektrit frekuencor[15].
Në fazën e parë të binarizmit, prej këtyre dy grupeve tiparesh Jakobsoni përcaktoi dymbëdhjetë (12) çifte kundërvëniesh, prej të cilave nëntë (9) janë tipare të zëshmërisë (sonoritetit), kurse tri (3) janë tipare të tonalitetit.

Tiparet e zëshmërisë sipas tij janë:

zanore (vokale) / jo zanore (jo vokale)
bashkëtingëllore (konsonante) / jo bashkëtingëllore (jo konsonante)
kompakte / difuze
e tendosur / e patendosur (e labërguar)
e zëshme / e pazëshme
hundore (nazale) / gojore (ose johundore)
e ndërprerë / e pandërprerë
stridente / e zbutur
me pengesë / pa pengesë

Tiparet e tonalitetit janë

gravide / akute
e labializuar / e palabializuar
e ngritur (me diezis) / e pangritur

Deri në vitin 1956 Jakobsoni dhe përkrahësit e tjerë të binarizmit mendonin se me këto dymbëdhjetë çifte kundërvëniesh mund të përfshihet përcaktimi i fonemave të secilës gjuhë botërore. Mirëpo këto çifte kundërvëniesh në shumë gjuhë të botës nuk siguronin përgjigje eliminuese plus (+) ose minus (-), po shfaqeshin shumë përgjigje ternare (±) për kundërvëniet graduale, të cilat sistemin e kundërvënies binare e bënin të papërsosur. Tiparet redundante futeshin në kllapa, ndërsa kur mungonin, shënoheshin me “ø”. Prandaj, edhe pati shumë vërejtje prej linguistëve. Kjo i shtyri Jakobsonin dhe Halle-n që të punojnë më tej për të gjetur zgjidhje më të pranueshme, në mënyrë që sistemi binar i analizës së sistemeve të fonemave të fitojë karakter universal.
Së pari. M. Halle propozoi që kundërvënia 3, kur është e nevojshme, mund të ndahet në dy çifte kundërvëniesh autonome dhe në këtë mënyrë u krijuan dy çiftet e reja 3a (sot 4a) kompakte / jo kompakte dhe kundërvënia 3b (sot 4b) difuze / jo difuze. Jakobsoni më vonë propozon një zgjidhje paralele për ato gjuhë të cilave nuk u mjafton çifti i dhjetë i tipareve të brendshme (inherente) dalluese për t’i eliminuar vështirësitë te bashkëtingëlloret hundore[16].
Nga kjo sot kemi dy kundërvënie të pavarura: 10a gravide / jo gravide dhe 10b akute / jo akute. Me këto ndryshime radha e këtyre kundërvënieve u zgjerua pak dhe më 1968 R. Jakobsoni dhe M. Halle, sipas kësaj renditjeje i përcaktuan çiftet e kundërvënieve dygjymtyrëshe që përgjithësisht pranohen edhe sot.


4. KUNDËRVËNIET DYGJYMTYRËSHE SIPAS JAKOBSONIT DHE HALLE-s

Në grupin e çifteve të kundërvënieve sipas tipareve të zëshmërisë (sonoritetit) janë përfshirë nëntë çifte. Dy çiftet e para të tipareve të brendshme dalluese janë: zanore / jo zanore dhe bashkëtingëllore / jo bashkëtingëllore. Me kundërvënien e parë veçohen dy grupe fonemash, realizimi fonetik i të cilave dallohet si nga struktura e formanteve (në regjistrin spektral), ashtu edhe për nga mënyra e nyjëtimit. Në pikëpamjen nyjëtimore këto dy grupe tingujsh i karakterizon mënyra e prodhimit të zërit në tejzat zanore. Me fjalë të tjera, ky çift kundërvëniesh shërben për t’i dalluar zanoret nga bashkëtingëlloret sonante.
Çifti i dytë (II) bashkëtingëllore / jo bashkëtingëllore, gjithashtu i ndan në dy grupe fonemat jo zanore dhe në aspektin nyjëtimor kemi të bëjmë me kundërvënie të pranisë ose të mungesës së pengesës në rrugën e kalimit të ajrit nëpër rezonator, kurse në pikëpamje akustike kemi kundërvënien: përqindja e ulët e koncentrimit të energjisë nyjëtimore, ndaj përqindjes së lartë, e kjo shprehet edhe në spektrograf me praninë ose mungesën e bardhësisë gjatë spektrit.
Çiftet I dhe II të kundërvënies funksionojnë në çdo gjuhë dhe janë të mjaftueshme për të diferencuar tri ose katër grupe fonemash sonante (sipas klasifikimit tradicional: zanore, sonante lëngëzore (likide), glotale dhe bashkëtingëllore të tjera). Ž. Muljačić vë në dukje se çdo analizë dygjymtyrëshe (binare) fillon me këto dy çifte kundërvëniesh dhe se këtu nuk ka përgjigje redundante (“ø”)[17]. Me këto dy çifte kemi këto përgjigje:
Zanoret: + zanore, - bashkëtingëllore, bashkëtingëlloret: - zanore, + bashkëtingëllore; lëngëzoret (likidet): + zanore, + bashkëtingëllore dhe glotalet: - zanore, - bashkëtingëllore.
Natyrisht, ka sisteme fonemash në gjuhë të ndryshme për të cilat nuk janë të nevojshme të dy çiftet e kundërvënieve, sidomos në gjuhët që nuk kanë glotale.
Çifti i tretë (III) i kundërvënieve është kundërvënia hundore / gojore. Në renditjen e hershme ky çift zinte vendin e gjashtë. Edhe këto dy grupe fonemash paraqesin dallime akustike që manifestohen si në strukturën e formanteve, ashtu edhe në planin nyjëtimor; për nyjëtimin e hundoreve një pjesë e rrymës së ajrit kalon nëpër rezonatorin e hundës, kurse për gojoret tërë rryma e ajrit kalon vetëm nëpër hapësirën (rezonatorin) e gojës. Ky çift kundërvëniesh funksionon kryesisht te bashkëtingëlloret, por në disa gjuhë edhe te zanoret.
Çifti i katërt (IV) është kompakte / difuze, dikur kundërvënia e tretë. Ky çift tiparesh, në pikëpamje akustike ka të bëjë me koncentrimin e energjisë nyjëtimore në pjesën e prapme dhe në pjesën e përparme të aparatit të të folurit. Në planin spektral dallohen sidomos formantet zanore. Muljačić-i na jep dukjen e formanteve F₁ dhe F₂ për zanoret /a/ dhe /i/. Për zanoren /a/ F₁ dhe F₂ oshilojnë në zonën qendrore midis 800 dhe 2000 cps, kurse për zanoren /i/ këto formante qëndrojnë larg njëri-tjetrit[18]. Për formimin e tipareve kundërvënëse të këtyre dy grupeve të fonemave, në pikëpamje nyjëtimore, luan rol forma e rezonatorit gojor: për fonemat kompakte rezonatori ka formë borie (ose në formë briri), kurse për fonemat difuze rezonatori ka formë të shtirë me hapje relativisht të vogël.
Çifti IV i kundërvënieve më vonë u nda më dysh: IVa dhe IVb me ndarjen: kompakte / jo kompakte dhe difuze / jo difuze. Në gjuhët me sistem fonemash zanore me tri shkallë të hapjes, fonemat zanore të ngritjes së mesme nuk mund të përfshiheshin as si kompakte, as si difuze. Ndarja e re i mënjanoi përgjigjet redundante (“ø”). Më 1957 M. Halle propozoi ndarjen e këtij çifti në dy çifte që do të përdoreshin në përcaktimin e zanoreve. Prej kësaj kohe praktikohet që zanoret së pari të zbërthehen në kompakte / jo kompakte, e pastaj kundërvënia IVb i diferencon zanoret jo kompakte (përveç a-së) në difuze / jo difuze. Me kundërvënien gravide / akute, përkatësisht Xa: gravide / jo gravide dhe Xb akute / jo akute, të gjitha zanoret përfshihen në analizën dygjymtyrëshe (binare).
Çifti V ka të bëjë me mënyrën e formimit të pengesës. Pra kemi çiftin mbylltore / shtegore (me ndërprerje / pa ndërprerje). Në pikëpamje akustike dhe në strukturën spektrale këtu dallohen dy grupe bashkëtingëlloresh, për të cilat nuk ka nevojë të zgjerohemi në shpjegimin e tyre. Në gjuhën shqipe këto bashkëtingëllore diferencohen qartë si mbylltore / shtegore.
Në çiftin VI bën pjesë kundërvënia të tendosura / të labërguara. Në përcaktimin e mëhershëm kjo ishte kundërvënia XIII. Në këtë kundërvënie bashkëtingëlloret i kundërvihen njëra-tjetrës sipas intensitetit (sasisë) së shushuritjes (fishkëllimës). Edhe këto dy grupe bashkëtingëlloresh mund të dallohen në spektrograf: shushuritëset e kanë të parregullt shtrirjen e hijes së zezë, kurse bashkëtingëlloret e labërguara në spektrograf na dalim më të rregullta.
Çifti VII ka të bëjë me kohën e zbrazjes së energjisë në hapësirën glotale. Ky është çifti i bashkëtingëlloreve të glotalizuara / të pa glotalizuara (ose glotale / jo glotale). Me rastin e kalimit të rrymës së ajrit nëpër laring, në tejzat zanore mund të ndodhë shtrëngim, gjë që formon një lloj ndërprerjeje të rrymës së ajrit, ose rryma e ajrit kalon lirshëm. Kjo kundërvënie është e rrallë dhe për gjuhët evropiane thuajse e panjohur.
Çifti i fundit i tipareve dalluese të sonoritetit është çifti i kundërvënieve të zëshme / të pazëshme. Dikur kjo ishte kundërvënia e radhës së pestë. Kjo kundërvënie mbështetet në shkallën e frekuencave të dridhjeve të tejzave zanore. Funksionon në shumë gjuhë të ndryshme, po edhe në gjuhën shqipe ndër bashkëtingëlloret e zhurmëta ku formon ndërlidhurinë më prodhuese. Por ka disa gjuhë evropiane, si gjermanishtja, frëngjishtja, anglishtja etj. në të cilat në vend të zëshmërisë, si tipar dallues shërben shkalla e ndryshme e tendosjes. Meqë me rastin e nyjëtimit të fonemave të zëshme ka dy vatra të formimit të zërit, këto dallohen qartë nga të pazëshmet edhe në spektrograf.


5. TIPARET E SHKALLËS SË TENDOSJES

Çifti IX është e tendosur / e labërguar (ose e patendosur). Më parë kjo kundërvënie ishte e katërta. Funksionon te zanoret për t’i kundërvënë zanoret e mbyllura si të tendosura dhe zanoret e hapura si të labërguara. Ndër bashkëtingëllore funksionon në gjuhë të cilat nuk kanë kundërvënie sipas zëshmërisë .
“Në pikëpamje akustike fonemat e tendosura e kanë më të qartë zanoren e rezonancës në spektër”[19]


6. TIPARE TË TONALITETIT

Çifti X i TID (tipareve inherente dalluese) është gravide / akute. Ky çift më vonë, më 1975, u nda në dy çifte kundërvëniesh të pavarura: Xa gravide / jo gravide dhe Xb akute / jo akute. Siç vëren Ž. Muljačić-i[20], me këtë ndarje në dy çifte të pavarura, hapësira e koncentrimit të energjisë në rezonatorin nyjëtimor së pari ndahet në dy pjesë të barabarta: e larta – e poshtmja, e pastaj secila prej tyre prapë ndahet në dy pjesë.
Në pikëpamje akustike, fonemat gravide nyjëtohen me koncentrim të energjisë në frekuencat e ulëta të spektrit, kurse fonemat jo gravide e bëjnë këtë në frekuencat e mesme dhe të larta të spektrit. Me këtë çifti i kundërvënies Xa i përfshin fonemat me koncentrim energjie në pjesën e ulët dhe të mesme të spektrit. Sipas kundërvënies Xb ndodh e njëjta gjë në gjysmën tjetër të lartë të spektrit.
Në planin nyjëtimor çifti i kundërvënieve X akute / gravide, bën ndarjen midis fonemave me nyjëtim periferik (velare, labiale) dhe fonemave me nyjëtim qendror (qiellzore e dhëmbore) .
Me ndarjen e dy çifteve në nga dy çifte të veçanta (IV – IVa dhe IVb dhe X – Xa dhe Xb) sistemi i krijoi mundësitë për përcaktimin e të gjitha fonemave zanore e bashkëtingëllore.
Çifti XI i kundërvënieve buzore / jo buzore gjen shprehje sidomos ndër zanore. Roli aktiv ose pasiv i buzëve me rastin e nyjëtimit të zanoreve ndikon në hapësirën e rezonatorit e, si rrjedhim, edhe në koncentrimin e energjisë në spektër. Me rastin e nyjëtimit buzor, disa komponentë të frekuencave të larta ulen poshtë ose dobësohen. Në gjuhë në të cilat kjo kundërvënie funksionon edhe te bashkëtingëlloret, në planin nyjëtimor dallohen fonemat me hapje të gjerë dhe fonemat me hapje të ngushtuar. Por kjo dukuri funksionon në disa gjuhë jo evropiane, pra në gjuhë aziatike, si çerkezishtja etj.
Çifti XII e qiellëzorëzuar / e paqiellëzorëzuar (sipas Ž. Muljačić-ii, e diezisuar / e padiezisuar) formon kundërvënie në mbështetje të vëllimit të hapësirës së rezonatorit në pjesën glotale. Në pikëpamje akustike shfaqet dallimi në ngritjen ose forcimin e formanteve të larta dhe e kundërta, mungesa e këtyre ndryshimeve. Ky çift kundërvëniesh bashkë me çiftin XI përdoren për përcaktimin e disa fonemave në ato gjuhë në të cilat çifti X nuk mjafton për t’i përfshirë në kundërvënie të gjitha fonemat.

PËRFUNDIME

Metoda e përcaktimit të inventarit të fonemave të një gjuhe përmes çifteve të kundërvënieve të TID, tashmë e njohur në gjuhësinë botërore me emërtimin binarizëm, nuk është e vetmja, as më e përsosura, e as e pranuar prej të gjithë linguistëve. Në literaturën linguistike ndeshen vërejtje që shkojnë nga nevoja e plotësimit dhe e zgjerimit të çifteve të kundërvënieve të dhëna nga Jakobsoni dhe Halle, e deri te mohimi i plotë i saj (gjenrativistët dhe tradiconalistët). Në trajtimin e tij të koncepteve teorike të Jakobsonit, Geoffrey Sampson-i i quan argumentet e Jakonson-it të bazuara në cilësi anekdotale (anecdotal quality)[21]. Por, përkundër vërejtjeve e mospajtimeve, binarizmi është shfrytëzuar në shumë raste për përshkrimin e sistemeve fonologjike të gjuhëve të ndryshme. Një shtytje të fortë kjo metodë e analizës fonologjike e mori nga teoria e informimit. Sistemet digjitale e përforcojnë bazën e saj teorike. Parimi i zgjedhjes së njërës prej dy njësive të mundshme në një shenjë ose mikroshenjë i japin kësaj metode një bazë relativisht të fortë për shkak të së cilës, nëse apriori nuk e pranon plotësisht , linguistika e sotme nuk është në gjendje as ta mohojë plotësisht.



LITERATURA


Ivić, Milka. Pravci u lingvistici, Državna založba Slovenije, Lubljana, 1969.

Jakobson, Roman. Linvistika i poetika, Nolit, Beograd, 1966.

Lepschy,Giulio C. A. Survey of Structural Linguistics, Faber and Faber, London, First Published 1970, © 1972.

Malmberg, Bertil. Moderna lingvistika, Beograd, 1979.

Muljačić, Dr. Žarko. Opća fonologija i fonologija suvremenog talijanskog jezika, Školska knjiga, Zagreb, 1972.

Sampson, Geoffrey. Schools of Linguistics, Hutchinson University Library, 1980.

Škiljan, Dr. Dubravko. Pogled u lingvistiku, Zagreb, 1980.

Trubeckoi, N.S. Parime të fonologjisë, Rilindja, Prishtinë, 1985.

FUSNOTAT


[1] Milka Ivić, Pravci u lingvistici, Ljubljana, 1970, f 117.
[2] Po aty, f. 117.
[3] Sipas Žarko Muljačić, Opća fonologija i fonologija suvremenog talijanskog jezika, Školska kjniga, Zagreb, 1972, f. 12.
[4] Sipas Ž. Muljačić, vep e cit. f. 30.
[5] Geoffrey Sampson, Schools of Linguistics, Hutchinson University Library, 1980, f. 103
[6] Milka Ivić, vep. e cit., f. 120.
[7] Geoffrey Sampson, vep. e cit. f. 109
[8] Po aty, f. 109.
[9] Geoffrey Sampson, vep. e cit. 118.
[10] Shih në Internet: http://www.questia.com/PM.qst?a=o&d=22871947# , qasja për herë të fundit (24 janar 2008).
[11] Shih Bertil Malmberg, Moderna lingvistika, Beograd, 1979, f. 104.
[12] Po aty, f. 105-106.
[13] Roman Jakobson, Lingvistika i poetika, Nolit, Beograd, 1966.
[14] Po aty; shih edhe në internet: http://www.questia.com/read/22871947# , qasja për herë të fundit 24 janar 2008.
[15] Shih. Ž. Muljačić, vep. e cit., f. 55; edhe Giulio C. Lepschy, A Survey of Structural Linguistics, Faber and Faber, London, First Published 1970, © 1972, f. 99-100.
[16] Po aty, f. 55
[17] Po aty, f. 56
[18] Po aty, f. 63.
[19] Po aty, f. 73.
[20] Po aty, f. 76.
[21] Geoffrey Sampson, vep e cit. f. 124- 125.

No comments: