Tuesday, January 18, 2011

MBI MUNDËSINË E INTEGRIMIT TË PASKAJORES NË GJUHËN STANDARDE SHQIPE

Shkumbin MUNISHI (Prishtinë)

1. SFONDI

Në procesin e planifikimit të korpusit të shqipes çështja e paskajorja ka paraqitur njërin prej problemeve më të mëdha. Kjo ka ndodhur jo vetëm për faktin se paskajorja paraqet njëri prej dallimeve absolute midis dy kryedialekteve të shqipes, por edhe për shkak se zëvendësimi i saj me lidhoren apo me formën e pashtjelluar të tipit për të larë në shqipen standarde ka rezultuar me pamundësinë e këtyre të fundit për t’i plotësuar të gjitha funksionet që i shpreh paskajorja. Përfshirja apo lënia e paskajores jashtë gjuhës standarde shqipe, me rastin e standardizimit të saj, ka qenë objekt diskutimesh dhe polemikash të pareshtura që nga rifillimi i procesit të standardizimit të shqipes pas Luftës së Dytë Botërore. Në fillim të viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur përzgjedhja e bazës dialektore po merrte kah tjetër nga ai që kishte marrë që nga Komisia Letrare Shqipe e Shkodrës, pra kur toskërishtja po vendosej në bazë të shqipes standarde, kishte kërkesa edhe nga përfaqësuesit zyrtarë që po i udhëhiqnin proceset e planifikimit të shqipes që paskajorja të përfshihej në gjuhën standarde. Kështu, për shembull, në sesionin e shtatorit të vitit 1952, Dhimitër Shuteriqi, i cili e mbajti referatin kryesor me titull “Mbi gjuhën letrare kombëtare shqipe”, duke u angazhuar për bashkëveprimin dialektor, ai kërkonte futjen e paskajores së gegërishtes të tipit me ba në gjuhën letrare (Shuteriqi, 1952). Rexhep Ismajli vëren me të drejtë se ai (Shuteriqi – sh.m.) e kërkonte futjen e paskajores, pasi që këtë formë tashmë e kishte përdorur në shkrimet e tij udhëheqësi i atëhershëm komunist, Enver Hoxha (Ismajli, 1998). Më vonë, në vitet ’60-’70 të shekullit XX, kur standardizimi i shqipes kishte marrë hov mbi bazën e toskërishtes, paskajorja u la krejtësisht jashtë standardit dhe u zëvendësua me lidhoren dhe me formën e pashtjelluar të tipit për të punuar. Politika zyrtare e kohës përpiqej që shqipen standarde ta nxirrte si rezultat i bashkëveprimit dialektor dhe, në këtë kuadër, ta relativizonte problemin e paskajores, gjoja si një problem që kishte ndjekur një rrugë të natyrshme të zgjidhjes. Përfaqësuesi kryesor i politikës gjuhësore të kohës, Androkli Kostallari, lidhur me paskajoren e gegërishtes konstaton: “Jeta provoi tashmë qartë se i ashtuquajturi “problem i infinitivit ose i paskajores” në polemikat gjuhësore të mëparshme ka qenë mbivlerësuar. Norma letrare nuk mund ta zgjidhte këtë problem në planin sintaksor shkëputurazi nga plani morfologjik. Ajo zgjodhi kështu drejtimin e rrudhjes së ndërtimeve që lidhen me “paskajoren” e tipit me + pjesore dhe kjo ka pakësuar shumë në shkrim dallimin themelor sintaksor midis varianteve letrare të veriut dhe jugut, duke lehtësuar kristalizimin e një norme të njësishme sintaksore” (Kostallari, 1970: 34). Lidhur me këtë vlerësim të Kostallarit, Bahri Beci ka të drejtë kur shkruan: “Dhe ajo që çudit është pikërisht vlerësimi që i bëhet dukurisë së paskajores që përbën edhe një nga tiparet themelore dalluese në strukturën gramatikore të dialekteve të shqipes. Në vend që të pohohej shprehimisht që gjuha letrare standarde ose shqipja standarde në përputhje me bazën e saj dialektore jugore e ka mënjanuar me të drejtë paskajoren e tipit me-pjesore si të huaj për makrosistemin dialektor të toskërishtes, pohohet se jeta provoi tashmë qartë se i ashtuquajturi problem i infinitivit ose i paskajores në polemikat gjuhësore të mëparshme ka qenë mbivlerësuar. Norma letrare nuk mund ta zgjidhë këtë problem në planin sintaksor, shkëputurazi nga plani morfologjik dhe kjo është plotësisht e drejtë, nuk kishte se si që, pasi problemet e strukturës morfologjike (përfshirë këtu edhe tipat e pjesores) ishin zgjidhur mbi bazën e toskërishtes, problemi i paskajores të zgjidhej mbi bazën e gegërishtes; kjo teorikisht do të ishte e gabuar, kurse praktikisht e pamundur’ (Beci, 2000: 122). Standardizimi i shqipes mbi bazën e toskërishtes, i cili përfundoi me hartimin e Projektit të Rregullave të Drejtshkrimit (1967) dhe me Kongresin e Drejtshkrimit (1972), e la përfundimisht paskajoren e dialektit të Veriut jashtë gjuhën standarde shqipe. Ky vendim për ta lënë jashtë standardi paskajoren dhe për ta zëvendësuar atë me lidhore, apo për të krijuar formën e pashtjelluar të tipit për të punuar, mbeti një prej vendimeve më të diskutueshme dhe më të kontestueshme në fushën e planifikimit të shqipes dhe në gjuhësinë shqiptare në përgjithësi.
Çështja e paskajores dhe mundësia e përfshirjes së saj në gjuhën standarde shqipe paraqet në prej problemeve qendrore në fushën e planifikimit të gjuhës shqipe dhe në përpjekjet për rishikimin e normës së shqipes standarde. Në diskutimet që kanë pasuar pas vitit 1991, për mundësinë e rishikimit të normës së shqipes standarde, çështja kryesore që është diskutuar ka qenë mundësia e përfshirjes ose jo të paskajores në shqipen standarde. Mendimet që janë shprehur për këtë çështje përputhen me qëndrimet që janë shprehur për dhe kundër rishikimit të normës së shqipes standarde. Ithtarët që janë kundër çfarëdo ndryshimesh në shqipen standarde janë shprehur kundër futjes së paskajores në shqipen standarde, ndërkaq ithtarët e rishikimit të normës kanë sugjeruar se duhet gjetur mundësi që brenda shqipes standarde të gjendet hapësira për futjen e paskajores. Nga grupi i parë, ka të tillë, si Shaban Demiraj, që kur diskutohej për probleme konkrete të gjuhës letrare, siç është problemi i paskajores, deklaronte që “zgjerimi i funksioneve të lidhores në të dy kryedialektet dhe krijimi i formës së pashtjelluar të tipit për të punuar plotësojnë mungesën e paskajores në gjuhën letrare shqipe”45, duke relativizuar dallimet midis këtyre dy formave foljore që në esencë shprehin nivele të ndryshme konceptore dhe pastaj vinte në përfundim që “futja e paskajores së tipit me punue në shqipen letrare të njësuar do të ishte gjuhësisht e panevojshme” (Demiraj, 1992: 37). Në anën tjetër, autorë të tjerë, si p.sh. Nuhi Veselaj, çështjen e futjes së paskajores në shqipen standarde e shohin si një veprim të domosdoshëm (Veselaj, 2000).
Për Rexhep Ismajlin çështja më e diskutueshme në shqipen standarde mbetet çështja e paskajores gege e tipi me punue. Për problemin e paskajores Ismajli shkruan:
“Nuk më duket e pamundshme të zgjerohet standardi në atë mënyrë që në tipa të caktuar ndërtimesh sintaksore të lejohet kombinimi infinitival i tipit gegë me me, natyrisht ‘në konkurrencë të lirë’:
a. duke ruajtur të plotë formën e pjesores gege vetëm në ato funksione, ndërsa te mbiemrat formën aktuale standarde;
b. duke kërkuar rrugë të tjera përmes formave të ndërmjetme të pjesores së shkurtë (si thënë, ardhë), por prapë me forma aktuale të mbiemrave, apo
c. duke ruajtur trajtën me prejardhje toske të pjesores, për të krijuar kështu paralelizëm të plotë me privativin (?);

ç. është e mundshme edhe zgjidhja përmes lejimit të variacionit vetëm në ndonjë tip sintaksor infinitival, për ata që e ndjejnë nevojën për të” (Ismajli, 2003: 63, 111).
Pak vite më parë (Munishi, 2006), jam shprehur që futja në gjuhë standarde e ndërtimeve të paskajores së formës me+pjesore e shkurtër, p.sh. me thënë, me dalë, me vjelë, me mjelë, me nxjerrë etj., është plotësisht e mundur dhe në këtë mënyrë do të programohej një prirje evolutive e zhvillimit të gjuhës standarde, duke krijuar mundësi që pas disa kohësh edhe përdorimi i formave të tjera të paskajores gege në standardin gjuhësor të kuptohet si diçka e natyrshme. Në fakt, një prej qëllimeve kryesore në planifikimin e gjuhëve është veprimi për të përcaktuar prirjet për zhvillimin evolutiv të dukurive gjuhësore, në përputhej me përdorimin nga bashkësia folëse. Ndërtimet e tipit me thënë të drejtën mund të dëgjohen dendur gjithandej në të folur në gjuhë standarde edhe në Shqipëri dhe mund të themi që ndërtimet e tilla, përmes përdorimit në të folur po zënë hapësira gjithnjë e më të mëdha. Përligjja e ndërtimeve të tilla të paskajores do ta neutralizonte deri në një masë debatin lidhur me paskajoren në gjuhën standarde. Në anën tjetër, duhet të jemi të vetëdijshëm që as gati 40 vjet të përdorimit të gjuhës standarde nuk kanë pasur ndonjë ndikim në kuptim të reduktimit të paskajores në variantet e folura me bazë dialektore. Kjo sidomos vlen për variantet e folura lokale në Kosovë, jo për varietet e kultivuara, e mund të themi që paskajorja shfaqet në raste të caktuara edhe në të folurit në gjuhë standarde. Përdorimi paralel në disa raste i lidhores dhe i paskajores në të folur në situata mjaft formale është një shembull i mundësisë së bashkekzistencës së këtyre formave në gjuhën standarde.
Duke i thënë të gjitha këto, do të thoshim që çështja e paskajores vazhdon të mbetet në qendër të diskutimeve në të gjitha debatet që kanë të bëjnë me mundësitë e rishikimit të normës aktuale të gjuhës standarde.

2. DISKUTIM MBI MUNDËSITË E PËRFSHIRJES SË PASKAJORES NË SHQIPEN STANDARDE

Si t’i qasemi problemit të paskajores? Së pari, duhet të nisemi nga çështja se a ka problem real të paskajores në shqipe? Së dyti, nëse konstatojmë se ka një problem të tillë, dhe sigurisht që ka, a duhet ta marrim këtë problem në trajtim dhe të përpiqemi ta gjejmë një zgjidhje për këtë çështje në kuadër të shqipes standarde? Dhe, së treti, cila do të ishte zgjidhja më e përshtatshme dhe më natyrore përbëtë problem? Duke u nisur nga këto premisa mund të përpiqemi ta gjejmë një zgjidhje për problemin e paskajores në shqipe. Tani të shohim se cilat janë mundësitë për ta trajtuar problemin e paskajores në kuadrin e shqipes standarde.
Konstatimi se problemi i paskajores nuk mund të shihet ndaras nga çështja e standardizimit të pjesores është plotësisht i drejtë. Në fakt, zëvendësimi i paskajores me lidhoren në shqipen standarde dhe krijimi i formës së pashtjelluar të tipit për të punuar, kanë ndodhur, pasi që në shqipen standarde janë ngritur në normë format e pjesores së zgjeruar të dialektit të Jugut. Kjo ka pamundësuar që në shqipen standarde të ketë mundësi për ndërtimin e formave me me + pjesore e shkurtër, sepse pjesorja e shkurtër është lënë jashtë standardit. Ngritja në normë e pjesoreve të zgjeruara ka ndërtuar fizionominë e shqipes standarde dhe e ka bërë atë që të përgjasojë plotësisht me varietetet e Jugut, sepse dihet që pjesorja merr pjesë në ndërtimin e formave të përbëra të kallëzuesit dhe në ndërtimin e formave të pashtjelluara.
Cilat janë mundësitë për përfshirjen eventuale të paskajore në shqipen standarde?
Së pari, as pas katër dekadave të ekzistencës së shqipes standarde, paskajorja nuk është zhdukur nga përdorimi, jo vetëm në varietetet e shqipes që fliten në zonat veriore në Kosovë, në Shkodër e gjetiu, por edhe në qendra të tilla si Tirana e Durrësi. Ajo është përdorur dhe vazhdon të përdoret në stilet joformale të të folurit dhe në domene kryesisht jozyrtare e private. Kohëve të fundit, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, vërehet një prirje e përgjithshme që në stilin joformal të të folurit të përdoren pjesoret e shkurtra dhe si rrjedhojë edhe përdorimi i paskajores tipike të gegërishtes. Kjo dukuri ndeshet sidomos në vernakularët urbanë të Tiranës, Durrësit, Prishtinës etj.
Në anën tjetër, mendoj që një prej mundësive për ta futur paskajoren në shqipen standarde do të ishte ngritja në normë e një pjese të madhe të pjesoreve të shkurtra, krahas atyre të zgjeruara, pra të lihen të dy format të funksionojnë në mënyrë paralele. Kjo do të mund të bëhej për shumicën e pjesoreve që në gegërishte do të mund të dilnin me –ë (në të shkruar). Sidomos, kjo do të mund të zbatohej tek ato forma foljore që pjesoren e formojnë me prapashtesën –ur. Kjo vlen për pjesën më të madhe të foljeve, p.sh.:
a) Te foljet e nënklasës 1 të klasës II të zgjedhimit I: gjet-ur, mbajt-ur, mbrojt-ur, do të mund të ngriheshin në normë format paralele gjetë, mbajtë, mbrojtë dhe si rrjedhojë ndërtimet: me gjetë, me mbajtë, me mbrojtë.
b) Pastaj, sidomos te pjesa më e madhe e foljeve të zgjedhimit të dytë, si dhe te foljet me temë më -l, -ll, -r, -rr, që e pësojnë ndërrimin - e-/ -je: o ose -a- -o- në të kryerën e thjeshtë: hap-ur, vendos-ur, mat-ur, rrah-ur, do të mund të ngriheshin në normë format paralele hapë, vendosë, matë, rrahë, dhe pastaj do të mund të futeshin format: me hapë, me vendosë, me matë, me rrahë etj.
c) Foljet e zgjedhimit III (klasa II/1) dit-ur, fjet-ur, ngrit-ur dhe pastaj: me ditë, me fjetë, me ngritë.
d) Pjesoret e foljeve të parregullta pas-ur, dash-ur, ndenj-ur, ardh-ur dhe pastaj me pasë, me dashtë, me ndejtë, me ardhë etj.
e) Nuk ka asnjë problem, siç u përmend më lart, që të ndërtohet paskajorja me pjesoret e foljeve të nënklasës 1 të klasës II të zgjedhimit II, si p.sh. vjelë, dalë, mbjellë, sjellë, nxjerrë, tjerrë, marrë dhe pastaj me vjelë, me dalë, me mbjellë, me sjellë, me nxjerrë, me tjerrë, me marrë etj.
f) Edhe te foljet si vë-në, zë-në dhe te pjesoret e disa foljeve të parregullta si: qe-në, ngrë-në, dhë-në, lë-në, thë-në dhe pastaj me qenë, me ngrënë, me dhënë, me lënë, me thënë etj.
Tani le ti shohim disa shembuj.
Përkthimi i thënies së njohur të Hamletit te Shekspiri, “to be or not to be...”, me formën “me qenë a mos me qenë”, është shembull i mirë se këto forma të paskajores mund të futen pa problem brenda shqipes standarde.
Ja edhe shembuj të tjerë:
Më mirë me zbritë shkallëve, sesa të presim para ashensorit.
Është me rëndësi së pari me vendosë për këtë çështje dhe me marrë patjetër një vendim.
Dua të shkoj në shtëpi me ngrënë diçka e më vonë kam me dalë në qytet (apo edhe do të dal në qytet).
Nuk është e lehtë me qenë në lëkurën time në këtë situatë.
Policia ka dalë me këqyrë vendin e ngjarjes dhe është duke i kryer hetimet.
Më mirë është me ditë, sesa me pasë.
Politikanët e përgjegjshëm kanë përgjegjësi, sepse nganjëherë duhet me sjellë vendime që janë jopopullore.
Shembujt e tillë janë të pafund dhe dëshmojnë se ndërtimet e tilla mund të funksionojnë pa problem përbrenda shqipes standarde aktuale dhe krahas formave të tjera respektive. Këto ndërtime do ta gjenin vendin e tyre në fraza dhe ndërtime të tjera të caktuara dhe në këtë mënyrë do të nguliteshin në përdorimin e zakonshëm.
Dikush mund të thotë se në këtë mënyrë po bëhet variantizim i shqipes standarde, por unë do të thosha se në këtë mënyrë bëhet, në fakt, pasurimi i shqipes standarde dhe zgjerimi i mjeteve dhe kapaciteteve të saja shprehëse, sepse format e tilla, jo vetëm që nuk paraqesin asnjë problem në komunikim midis folësve të shqipes që flasin varietete të ndryshme, por edhe u japin mundësi folësve që flasin varietete gjuhësore të Veriut që të shprehen sa më natyrshëm brenda gjuhës standarde.

PËRFUNDIME
Çështja e integrimit të paskajores në gjuhën standarde shqipe mbetet një çështje mjaft e diskutueshme në gjuhësinë shqiptare. Për fat të keq, diskutimet për mundësinë e futjes së paskajores në shqipen standarde, edhe në të kaluarën, edhe tash, i kanë kaluar kufijtë e debatit linguistik dhe kanë kaluar edhe në rrafshin politik e ideologjik. Kjo ka bërë që çështja e paskajores të jetë çështja më kundërthënëse në fushën e planifikimit të korpusit të shqipes. Në të kaluarën ka pasur përpjekje për ta përligjur dhe për ta argumentuar gjuhësisht lënien jashtë standardit të paskajores së gegërishtes. Natyrisht, përpjekjet e tilla mund të cilësohen më tepër si përpjekje për ta relativizuar problemin, sesa që mund të cilësohen përpjekje për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi.
Në këtë punim u përpoqa që të argumentoj se integrimi i paskajores në shqipen standarde nuk është mision i pamundur. Ngjashëm me idenë e Rexhep Ismajlit për ta futur paskajoren, siç thotë ai, “në konkurrencë të lirë”, u përpoqa të propozoj një zhvillim evolutiv për paskajoren brenda shqipes standarde, të ndërtuar me ato forma të pjesores së shkurtër që paraqesin më pak problem të funksionojnë si forma paralele krahas atyre aktuale. Duke qenë se çështja e paskajore është e lidhur drejtpërdrejt me format e pjesores së foljeve në gjuhën shqipe, jam i mendimit që ngritja në normë paralele e shumë formave të pjesoreve, të cilat u përmendën më lart, pra shumica e pjesoreve që në gegërishten e shkruar do të mund të dilnin me -ë¸ do të mundësonte ndërtime dhe përdorime natyrore të formave të paskajores në funksione të ndryshme, të cilat do të përdoreshin krahas atyre të lidhores dhe formës së pashtjelluar të tipit për të punuar.
Mund të pretendohet se përdorimi paralel i pjesoreve të tilla dhe, rrjedhimisht, ndërtimet e paskajores, do të çonin në variantizim të shqipes standarde apo që përbrenda shqipes standarde do të ishin artificiale, por shqipja standarde ka dëshmuar se mund të pranojë pa asnjë problem forma të caktuara të gegërishtes, pa shkaktuar pasoja për kuptueshmërinë reciproke midis folësve të shqipes që flasin varietete të ndryshme. Këto veprime standardizuese do të ishin në frymën e bashkëveprimit dialektor, të propaguar për dekada të tëra nga përfaqësuesit e pushtetit të atëhershëm në Shqipëri dhe do t’i shtonin mjetet gjuhësor shprehës të shqipes standarde. Sigurisht, propozimet që u bënë këtu duhet të shqyrtohen, të përimtohen dhe të elaborohen më tutje nga grupe gjuhëtarësh, në kuadër të punës ekipore, si dhe të shihet distribuimi i tyre brenda shqipes standarde, në mënyrë që të ngritën në normë standarde. Ndërkaq, qëllimi i këtij punimi ishte që të hidhet në diskutim një mundësi eventuale për përfshirjen e paskajores në shqipen standarde, e cila, siç u tha më lart, ka paradispozita të funksionojë pa ndonjë problem brenda standardit dhe e cila do të diktonte një prirje evolutive në zhvillimin e shqipes standarde.

REFERENCAT:

Beci, Bahri (2000) Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri, Dukagjini, Pejë.
Demiraj, Shaban (1992). Gjuha letrare shqipe e njësuar dhe çështja e paskajores, Gjuha jonë 3-4, Tiranë.
Gramatika e gjuhës shqipe 1 (2002), Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë.
Ismajli, Rexhep (1998). “Në gjuhë” dhe “për gjuhë”, Dukagjini, Pejë.
Ismajli, Rexhep (2003). Standarde dhe identitete, Dukagjini, Pejë.
Kostallari, Androkli (1970). Mbi disa veçori strukturore e funksionale të gjuhës letrare shqipe të kohës sonë, Studime filologjike 2, Tiranë.
Munishi, Shkumbin (2006). Gjuha standarde shqipe në Kosovë dhe drejtimet e zhvillimit të saj, disertacion i doktoratës, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë.
Shuteriqi, Dhimitër (1952). “Mbi gjuhën letrare kombëtare”, Buletin për Shkencat Shoqërore IV, Tiranë.
Veselaj, Nuhi (2000). Paskajorja çështje e shqipes standarde, Dardania Sacra, Shtufi, Prishtinë.

No comments: