Tuesday, September 28, 2010

KONFLIKTET DHE KONTAKTET GJUHËSORE

Shkumbin MUNISHI (Prishtinë)


HYRJE

Në këtë punim trajtohen çështjet e konflikteve gjuhësore si pasojë e kontakteve gjuhësore. Rasti që trajtohet në këtë punim janë rrjedhat e konflikteve gjuhësore në ish-Jugosllavi midis gjuhëve sllavojugore dhe midis shqipes dhe serbishtes në Kosovë. Në fillim të punimit paraqitet sfondi teorik i problemeve të konflikteve dhe kontakteve gjuhësore. Konflikti gjuhësor trajtohet si pjesë e konfliktit dhe e përplasjes së tipareve dhe veçorive të tjera politike, ekonomike, kulturore e fetare që kanë bashkësitë shoqërore. Në këtë përplasje gjuha vendoset në epiqendër, pasi që është mjeti kryesor i komunikimit dhe mjeti kryesor i shprehjes së vlerave simbolike të grupeve shoqërore dhe i përkatësisë identitare. Më tutje në punim, në sfondin teorik, paraqiten tiparet dhe karakteristikat kryesore të konfliktit gjuhësor dhe mekanizmat për neutralizimin e tij.
Në vazhdim të punimit paraqitet rasti i konflikteve etnike në ish-Jugosllavi dhe manifestimi i këtyre konflikteve edhe në formën e konflikteve gjuhësore. Jepen shembujt e shpërbërjes së gjuhës së përbashkët të kroatëve, serbëve, boshnjakëve dhe malazezëve si pasojë e konflikteve etnike dhe krijimi i gjuhëve të reja përbrenda kufijve të shteteve të reja të pavarura. Gjithashtu, paraqitet edhe rasti i shqipes në kontekstin e ish-Jugosllavisë dhe natyra e konfliktit gjuhësor midis shqipes dhe serbishtes, si manifestim i konfliktit politik dhe rezistencës ndaj okupimit serb. Në fund, jepen përgjithësimet dhe përfundimet teorike për çështjet e trajtuara.


1. SFONDI TEORIK

Për shkak të ndikimit të faktorëve të shumtë shoqërorë, kontaktet gjuhëve, në natyrën e tyre, janë procese shumë komplekse dhe të ndërlikuara. Kontaktet e gjuhëve janë dukuri që shpërfaqin më së miri raportet shumë të ngushta dhe të pandashme midis gjuhëve dhe bashkësive shoqërore. Ndikimi i faktorëve jashtëgjuhësorë shoqërorë e përcakton natyrën dhe drejtimin e kontakteve gjuhësore.
Kontaktet e gjuhëve në zanafillën e tyre historike janë shumë të lashta. Është e pamundur të thuhet se kur kanë filluar kontaktet e para gjuhësore midis folësve që flitnin gjuhë të ndryshme. Hamendësimet lidhur me atë se kur kanë mundur të vendosen kontaktet e para midis gjuhëve janë të ndërlidhura me hipotezat për njëformësinë e gjuhëve në zanafillën e tyre, kundrejt hipotezave për shfaqjen e gjuhëve si sisteme të ndryshme në hapësirë dhe kohë të ndryshme. Faktet historike flasin se kontaktet gjuhësore, në format e tyre të para, janë vendosur si rezultat i zhvillimit të prodhimtarisë dhe nevojës për të shkëmbyer mallra midis fiseve të ndryshme njerëzore, të cilat flisnin gjuhë të ndryshme. Pra, kontaktet njerëzore dhe shkëmbimet e mallrave kanë çuar në kontaktet midis gjuhëve. Dëshmia e parë arkeologjike e kontaktit gjuhësor konsiderohet shkrimi i Shkëmbit të Rozetës i vitit 196 para epokës sonë, i cili përmban tri versione të të njëjtit tekst në hieroglifë egjiptiane, në simbole demotike (kursive) egjiptiane dhe në greqishte, e cila ishte çelësi i dekriptimit të hieroglifëve.
Kontaktet gjuhësore kanë lindur si nevojë e qenieve njerëzore për të komunikuar dhe për t’u kuptuar me njëri-tjetrin. Eduard Sapiri thekson se gjuhët, ashtu sikur edhe kulturat, i mjaftojnë rrallë vetvetes, prandaj nevoja për shkëmbime ekonomike, tregtare e politike detyrimisht i sjell njerëzit në situata që të komunikojnë me njëri-tjetrin (Sapir, në Nuhiu, 1990). Nga këto kontakte lind ndërndikimi gjuhësor, i cili shprehet përmes huazimeve gjuhësore nga njëra gjuhë në tjetrën. Pra, rezultati kryesor i kontakteve gjuhësore janë huazimet gjuhësore, të cilat shkaktojnë ndryshimin e pjesshëm të gjuhës që i pranon huazimet.
Dihet që kontakti gjuhësor dhe huazimet gjuhësore ndodhin kryesisht falë folësve bilingualë. Kontaktet gjuhësore mund të ndodhin në situata e domene të ndryshme. Ato mund të ndodhin në familje, si në rastet e ekzogamisë (martesa me dikë jashtë grupit etnik), në fqinjësi, në vendin e punës etj. dhe mund të kenë intensitet të ndryshëm. Në të shumtën e rasteve kontaktet gjuhësore ndodhin si pjesë e ballafaqimit dhe komunikimit sy më sy midis individëve dhe grupeve që flasin gjuhë të ndryshme. Por, siç vërejnë me të drejtë shumë autorë, jo gjithmonë kontaktet gjuhësore janë miqësore. Shpesh herë kontaktet gjuhësore mund të jenë edhe armiqësore me ç’rast shprehen tendencat e dominimit dhe imponimit gjuhësor. Pushtimet dhe epërsia politike, ekonomike dhe kulturore e kombeve të caktuara manifestohet edhe me epërsinë gjuhëve që e flasin ato kombe ndaj gjuhëve të kombeve që janë në gjendje më inferiore. Në këtë kuptim, Leonard Bloomfield, pasi bën dallimin midis të huazuarit kulturor dhe të huazuarit intim, në rastet e të huazuarit intim flet për gjuhë superiore dhe gjuhë inferiore (Bloomfield, në Nuhiu, 1990). Ky superioritet kundrejt inferioritetit nuk ka të bëjë me gjuhët, me sistemet e tyre, por me elemente të tjera të natyrës ekonomike, politike dhe kulturore, të cilat e bëjnë një komb të ketë epërsi ndaj kombit tjetër dhe, si rrjedhojë, këto raporte reflektohen edhe në raportet gjuhësore.
Lidhja e ngushtë e faktorëve jashtëgjuhësore shoqërorë me gjuhët manifestohet fuqishëm në marrëdhëniet që i krijojnë gjuhët me njëra-tjetrën. Për këtë arsye kontaktet gjuhësore nuk mund të shikohen thjesht si kontakte dhe ndërndikime asimetrike midis sistemeve gjuhësore, rezultat i të cilave janë huazimet gjuhësore apo edhe dukuritë e tjera që shfaqen si rezultat i ndërlikimeve gjuhësore, siç është p.sh. ndërrimi i kodeve. Prania e faktorëve ekonomikë, politikë dhe kulturorë në kontaktet e gjuhëve shpesh nxit edhe konfliktin midis gjuhëve që kanë kontakt. Në këtë punim termi konflikt do të përdoret me dy kuptime: me kuptimin e konfliktit si përplasje e dhunshme, shpeshherë e armatosur midis grupeve shoqërore, dhe me kuptimin e konfliktit gjuhësor midis gjuhëve të ndryshme.
Problemet e konflikteve gjuhësore si pasojë e kontakteve gjuhësore, padyshim, duhet të shikohen në kontekstin e strukturimeve të bashkësive të ndryshme shoqërore dhe në lidhje të ngushtë me karakteristikat dhe tiparet e këtyre bashkësive. Bashkësitë shoqërore duke mos qenë homogjene, i kanë të ndërtuara tiparet e tyre të brendshme të natyrës etnike, kulturore e politike, sistemin e vlerave me të cilat identifikohen ato dhe këndvështrimet për botën. Vetëdija e përkatësisë ndaj grupit të përbashkët shoqëror, përvojat dhe trashëgimia e përbashkët, religjioni, kultura dhe mitet, janë vetëm disa nga tiparet që ndihmojnë në ndërtimin e kohezionit brenda grupeve shoqërore. Në këtë kuadër, gjuha luan rolin përcaktues. Mbi këta komponentë janë të ndërtuar etnitë si kategori shoqërore të dallueshme. Zhvillimi dhe konsolidimi i vazhdueshëm i etnive, i cili bazohet mbi ruajtjen dhe kultivimin e tipareve që u përmendën pak më parë çon në krijimin e kombeve dhe shteteve kombëtare si produkte të etnisë (Ismajli, 1991 dhe 1994). Ky proces shënon kalimin në modernitet. Faza kalimtare drejt modernitetit karakterizohet nga industrializimi, shteti burokratik, edukimi i masave, teknologjia e shtypit dhe sekularizmi, të cilat janë mekanizma që i ndihmojnë një etnike të kalojë në stadin e kombit thekson Mac Giolla Chríost (Mac Giolla Chríost, 2003:31). Përkatësia e individit ndaj etnisë dhe kombit ndihmon në ndërtimin e identitetit. Sipas autorit Mac Giolla Chríost, konceptimi modern i identitetit të etnisë është identiteti kombëtar, identiteti etnik i shtetit kombëtar. Zhvillimi i identitetit kombëtar ka çuar në lidhjen e shteteve kombëtare (f. 32).
Një rol të rëndësishëm në krijimin e identitetit kombëtar dhe, rrjedhimisht, edhe të shtetit kombëtar si organizëm politik, krahas faktorëve të tjerë, ka luajtur gjuha. Kombi dhe shteti kombëtar kanë nevojë për një gjuhë të përbashkët. Kur kemi parasysh faktin që shteti kombëtar ndërtohet brenda një territori të përkufizuar, atëherë është e qartë që kufijtë e atij territori janë pika përcaktuese edhe për kufijtë e gjuhës, ndonëse të shumtën e rasteve kufijtë e gjuhës i kalojnë kufijtë e shteteve dhe ky fakt bëhet shpesh shkaktar i konfliktit. Brenda shtetit kombëtar duhet të ketë një gjuhë kombëtare dhe për këtë arsye janë krijuar gjuhët standarde si gjuhë kombëtare. Në një ambient të tillë, gjuha si tipar i dallueshëm është mekanizimi kyç për ta shënjuar identitetin dhe për të shprehur përkatësinë e individit ndaj grupit në të cilin bën pjesë. Ajo ndihmon në ndërtimin e këndvështrimit të pjesëtarëve të një kombi ndaj botës dhe dukurive që na rrethojnë, këndvështrim ky që ka nuanca dalluese nga këndvështrimet e pjesëtarëve të kombeve të tjera që flasin gjuhë të tjera. Gjuha bëhet mekanizmi kryesor i ndërtimit të kulturës kombëtare të vetëdallueshme të një kombi. Joshua Fishman sheh një vlerë të veçantë utilitare dhe simbolike në mënyrën se si perceptohet gjuha përbrenda kombit. Sipas tij, nacionalizmi modern i masave shkon përtej objektivit të identifikimit instrumental të bashkësisë me gjuhën, drejt identifikimit të autenticitetit me një gjuhë të posaçme, e cila është unike dhe funksionale në atë mënyrë që gjuhët e tjera nuk mund të maten me të, që do të thotë se kjo gjuhë ruan lidhjet sentimentale dhe të sjelljes midis bashkësisë folëse të sotme me bashkësitë e saja paraardhëse nga e kaluara... Shoqëritë moderne kanë nevojë të pafundme që ta përkufizojnë vetveten si unike përbrenda dhe gjuha është një nga simbolet e pakta të mbetura që i përgjigjet kësaj nevoje pa nënkuptuar në mënyrë automatike ndonjë bazë afatshkurte të padallueshme (Fishman, 1973: 157 dhe 163).
Mbi këto baza të konsoliduara shoqërore ku, siç u tha, gjuha luan rol të veçantë, kombet hyjnë në kontakte dhe raporte me kombe të tjera. Nevoja për shkëmbime tregtare, për bashkëpunim ekonomik dhe kulturor bën që pjesëtarët e bashkësive kombëtare të kenë kontakte me individë e grupe që u përkasin bashkësive të tjera. Me rastin e këtyre kontakteve nuk ndodh kontakti vetëm midis individëve, por në kontakt futen edhe tiparet e tyre identitare, siç janë gjuha, kultura, religjioni, tradita etj. Pra, ndodh kontakti midis elementeve që e ndërtojnë integritetin dhe identitetin e individit dhe të bashkësisë me elementet që e ndërtojnë integritetin dhe identitetin e individit dhe të bashkësisë tjetër kombëtare. Ky kontakt, apo kjo përplasje e tipareve identitare shpesh mund të rezultojë me shfaqjen e konfliktit të vlerave midis bashkësive të ndryshme shoqërore. Në këtë mes, gjuha si tipar i dallueshëm etnik, mund të jetë në epiqendër të konfliktit. Ndonëse konfliktet e tilla zakonisht janë të maskuara prapa arsyeve të tjera të natyrës ekonomike e politike dhe ato transformohen dhe dalin në sipërfaqe si konflikte të natyrës kulturore, fetare dhe, sidomos, gjuhësore.
Procesi i konsolidimit të bashkësive shoqërore, siç janë kombet, nuk përfundon me ndërtimin e shtetit kombëtar. Nevoja e kombeve për fuqi politike dhe për të ndërtuar tregje më të mëdha, ka rezultuar me ndërtimin e entiteteve më të mëdha, të shteteve shumëkombëshe. Në një kuadër të tillë shoqëror mundësia për kontakte gjuhësore më intensive është rritur në masë të madhe, por, rrjedhimisht, është rritur edhe mundësia për konflikt gjuhësor.
Aktualisht, gjendemi në një fazën postmodernizmit të kombeve, në të cilën vërehet se është duke ndodhur një transformim i identitetit në rrafshin global dhe në atë lokal, me ç’rast identiteti kombëtar, si identitet etnik i shtetit kombëtar është duke u gërryer. Pika qendrore në këtë këndvështrim është se shteti kombëtar është joadekuat për t’u ballafaquar me sfidat e globalizimit... Si pasojë e rënies së hegjemonisë së shtetit kombëtar dhe erozionit të identitetit kombëtar janë duke lindur identitete të reja globale dhe lokale si pozicione (vendndodhje) të reja të etnicitetit. (Mac Giolla Chríost, 2003:37). Të gjitha këto zhvillime dhe, sidomos, zhvillimi industrial dhe teknologjik ka krijuar një ambient të ri për kontakte gjuhësore. Rrjedhimisht, në këtë ambient janë krijuar kushtet edhe për konflikt gjuhësor.
Kohëve të fundit, në studimet e kontakteve gjuhësore, është vlerësuar si shumë e rëndësishme marrja në konsideratë dhe studimi i konflikteve gjuhësore si tipare të kontakteve gjuhësore. Në këtë qasje ka ndikuar edhe ndryshimi në këndvështrimin e gjuhëve. Autori Hans Peter Nelde thekson se qasja ndaj konceptimit të gjuhës ka ndryshuar dhe sot gjuha nuk shikohet më si një sistem njëformësh dhe homogjen, por si një sistem variacional i ndryshueshëm. Po ashtu, edhe bashkësitë gjuhësore gjithandej nëpër botë jo vetëm që janë shumëgjuhëshe, por janë edhe shumëdialektore. Sipas autorit, si rezultat i kësaj qasjeje, ka ndryshuar edhe qasja studimore e kontakteve gjuhësore, e cila dikur ishte interlinguale, duke u fokusuar në kontaktet ndëretnike, me analiza të interferencës dhe të transferencës gjuhësore, të elementeve sociale dhe situatore të konfigurimit gjuhësor, hapësirave të përdorimit gjuhësor (domeneve), të qëndrimeve dhe stereotipave. Ai thekson me të drejtë se shumica e kontakteve midis grupeve etnike nuk ndodh në mesin e komuniteteve që bashkëjetojnë në mënyrë paqësore dhe harmonike. Përkundrazi, këto kontakte ngërthejnë në vete shkallë të ndryshme të tensionit, fyerjeve dhe dallimit në mendime, që janë karakteristike për çdo strukturë shoqërore konkurruese, gjë që çon në konflikte gjuhësore, me ç’rast shkalla dhe zhvillimi i konfliktit varen nga një numër faktorësh që përcaktohen nga niveli i fërkimit midis dy a më shumë grupeve etnike, nga prania e elementeve barazuese dhe zbutëse dhe nga niveli i pasigurisë i të gjithë pjesëmarrësve. Sipas Neldes, problemet në fusha të ndryshme (në politikë, ekonomi, administratë, arsim) shfaqen nën kuadrin e konfliktit gjuhësor. Në raste të tilla, liderët politikë dhe ekonomikë kapen përreth nocionit të konfliktit gjuhësor, duke i shpërfillur shkaqet themelore dhe kështu vazhdojnë ta ndezin “nga lart” konfliktin që ka lindur “nga poshtë”, duke rezultuar kështu me faktin që gjuha merr mbi vete shumë më tepër rëndësi sesa që kishte në zanafillë të konfliktit. Kjo “strukturë sipërfaqësore” e orientuar drejt gjuhës përdoret për të fshehur një “strukturë të thellë” me rrënjë më të thella (problemet sociale dhe ekonomike). Më tutje, sipas tij, konflikti gjuhësor mund të ndodhë nga konfrontimi i standardeve, vlerave dhe qëndrimeve strukturore të ndryshme dhe të ndikojë fuqishëm në imazhin vetjak, vetëngritjen, edukimin dhe vetëdijen e grupit (Nelde, në Internet: http://www.univie.ac.at/europaeistik/LanguageConflict.DOC).
Ky autor cakton disa tipare dhe premisa themelore të konfliktit gjuhësore dhe bën një ndarje të natyrës së konflikteve gjuhësore. Sipas tij, janë katër karakteristika themelore të konfliktit gjuhësor, të cilat po i citojmë:

1) Situatat e kontaktit dhe konfliktit gjuhësor ekzistojnë midis folësve dhe bashkësive gjuhësore, e jo midis gjuhëve.
2) Deklarata se nuk mund të ketë kontakt gjuhësor pa konflikt gjuhësore duket e ekzagjeruar, por në hapësirën europiane nuk mund të imagjinohet asnjë situatë kontakti, e cila nuk mund të mos përshkruhet edhe si konflikt gjuhësor.
3) Gjuhësia e kontaktit zakonisht e sheh gjuhën si simbol dytësor i shkaqeve themelore të konfliktit të llojit socio-ekonomik, politik, fetar, psikologjik apo historik.
4) Gjuhësia e kontaktit, në të njëjtën kohë, bën të qartë që konfliktet nuk mund të gjykohen vetëm si negative, por dëshmon që strukturat e reja, të cilat janë më të përparuara sesa ato të huajat mund të dalin nga konfliktet. (f. 8-9)

Krahas kësaj, Nelde i ndan konfliktet gjuhësore në dy kategori: në konflikte natyrore gjuhësore, të cilat janë ato situata që kanë ekzistuar tradicionalisht midis popullsive vendore shumicë dhe pakicë, dhe konflikte gjuhësore artificiale, të cilat mund të ndodhin në ato situata të kompromisit, në të cilat një apo më shumë bashkësi gjuhësore janë në disfavor. Konflikti gjuhësor artificial ndodh posaçërisht kur motivohet nga nevoja për komunikim ndërkombëtar të shpejtë, kur fuqitë ekonomike me ndikim politik i eksportojnë gjuhët e tyre te partnerët tregtarë (f. 9-10).
Në fund të punimit të tij, Nelde identifikon pesë qasje apo parime të cilat mund të ndikojnë në neutralizimin e konfliktit gjuhësor. Sipas tij, konfliktet gjuhësore mund të neutralizohen:

kur promovimi i parimit territorial kufizohet në disa fusha kyçe, si administrata dhe arsimi
shumëgjuhësia institucionale që del, çon në krijimin e rrjetave të pavarura gjuhësore të barabarta që garantojnë mundësi të barabarta për folësit minoritarë dhe mazhoritarë dhe që përjashtojnë diskriminimin gjuhësor që është i lidhur me gjuhën që ka prestigj.
masat e planifikimit gjuhësor nuk janë të bazuara në regjistrimet e përgjithshme që i kryejnë qeveritë, por ato duhet të marrin parasysh karakteristikat situacionale dhe kontekstore të grupeve gjuhësore.
grupet gjuhësore në një vend shumëgjuhësh nuk gjykohen kryesisht në aspektin kuantitativ. Duke qenë se janë në pakicë, grupet e pakicave gjuhësore duhet të kenë më shumë të drejta dhe mundësi për zhvillim, sesa që do të mund të merrnin duke u bazuar në numrin e tyre apo në raportet proporcionale që i kanë me grupet gjuhësore shumicë. Diskriminimi pozitiv sjell përparësi socio-ekonomike për grupet gjuhësore që janë në pozitë të disfavorshme.
fakti i dhënies së drejtave të tilla për minoritetet mund të çojë në faktin që shumë më pak njerëz do të mbajnë qëndrim ideologjik, ose në zbritjen e emocionalizmit në momentin kur duhet të merret në trajtim problemi i konfliktit gjuhësor (f. 12-13).

Konceptet e Neldes na ndihmojnë që të ndërtojmë një kornizë teorike të problemeve të konflikteve dhe kontakteve gjuhësore, në bazë të së cilës mund të vështrohen problemet reale të konflikteve dhe kontakteve gjuhësore gjithandej nëpër botë.

2. KONFLIKTET GJUHËSORE NË ISH-JUGOSLLAVI

Në fushën e studimeve të kontakteve gjuhësore ka mjaft punime që e trajtojnë problemet e konflikteve gjuhësore në Europë. Shembujt e konflikteve gjuhësore në Britaninë e Madhe, në Spanjë, Francë, në ish-Bashkimin Sovjetik e gjetiu janë të shumtë. Në këtë punim do të ndalem te rasti i shqipes dhe i gjuhëve të tjera sllavojugore në ish-Jugoslavi.
Zhvillimet në hapësirën e ish-shtetit shumëkombësh Jugosllavisë gjatë shekullit të kaluar paraqesin një shembull ilustrues për rolin e gjuhës në konfliktet etnike. Ideologjia nacionaliste pansllaviste e fillimshekullit XX te Sllavët e Jugut rezultoi me krijimin e shtetit shumëkombësh të ashtuquajtur Mbretëria Serbo-Kroate-Sllovene, që më vonë u quajt Jugosllavi. Në kuadër të këtij shteti shumëkombësh u përfshin kroatët dhe sllovenët të krishterë katolikë, serbët, malazezët dhe maqedonasit të krishterë ortodoksë dhe boshnjakët myslimanë. Të gjitha këto bashkësi etnike janë pjesë e continuumit gjuhësor sllavojugor, të cilin e përbëjnë disa varietete të ndërkuptueshme. Pjesë e këtij shteti u bënë me dhunë edhe shqiptarët që jetoni në hapësirat e tyre autoktone në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi, si dhe hungarezët që ishin shumicë në Vojvodinë, të dy këto bashkësi etnike që flitnin gjuhë të ndryshme që nuk i takonin familjes së gjuhëve sllave.
Në periudhën e ekzistencës së shtetit jugosllav u krijua edhe gjuha standarde e përbashkët e serbëve, kroatëve, boshnjakëve dhe malazezëve, e cila u quajt serbo-kroatishte apo kroato-serbshte. Kjo gjuhë shërbeu për dekada të tëra si lingua franca për të gjitha kombet që jetonin në ish-Jugosllavi. Ajo ishte gjuhë dominuese në institucionet shtetërore federative dhe përdorej në të gjitha domenet dhe situatat formale kur pjesëmarrësit në komunikim ishin folës që flitnin gjuhë të ndryshme. Për dekada të tëra kjo gjuhë u konsolidua si gjuhë standarde me variantet e saja lokale (varianti kroat, serb, bosanas, malazez). Kontaktet midis folësve të këtyre varianteve dhe folësve të gjuhëve të tjera që fliteshin në ish-Jugosllavi ishin intensive. Përderisa shteti jugosllav kishte stabilitet politik dhe ekonomik, konflikti midis varianteve të serbo-kroatishtes mbetej vetëm në nivelin e konfliktit gjuhësor midis varianteve të të njëjtës gjuhës. Ky konflikt gjuhësor shprehej në atë mënyrë që serbët, kroatët, boshnjakët dhe malazezët u përmbaheshin përdorimit të varianteve të tyre respektove, duke i ruajtur veçoritë shqiptimore dhe disa ndryshore të tjera gjuhësore të nivelit morfo-sintaksor dhe leksikor, që ishin karakteristike për secilin variant. Në realitet ekzistonte një rivalitet dhe konflikt, herë i heshtur, herë i hapur gjuhësor, midis serbishtes dhe kroatishtes, i cili kishte lënë nën hije variantet e tjera. Përkundër këtyre problemeve gjuha e përbashkët arriti të mbijetojë deri në fillim të viteve ’90 të shekullit XX kur plasi konflikti etnik në ish-Jugosllavi.
Sa i përket gjuhës shqipe në Kosovë dhe në trojet e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, ajo ishte në një situatë më të favorshme në Kosovë dhe në situatë më të vështirë në Maqedoni dhe në Mal të Zi (shih Ismajli 1989 dhe 1991; Munishi, 2006). Shqipja në ish-Jugosllavi, në ato rrethana, ishte nën trysninë e huazimeve të shumta nga serbo-kroatishtja. Kontaktet midis shqiptarëve dhe sllavëve dhe ndërkomunikimi gjuhësor ndodhte pothuajse për çdo ditë dhe në të gjitha domenet, gjendje kjo që karakterizohej me praninë e bilinguizmit asimetrik. Në ato rrethana, duke qenë në situatë inferiore në raport me serbo-kroatishten, shqipja huazonte më shumë. Kjo ndodhte për faktin që serbo-kroatishtja kishte status dominant dhe përdorim më të dendur në administratën shtetërore dhe në institucione edhe në nivelin lokal (asokohe krahinor). Në anën tjetër, ç’është e vërteta, shqiptarët e Kosovës dhe të trojeve të tjera nuk e kishin pranuar asnjëherë okupimin dhe statusin e tyre politik në ish-Jugosllavi. Ky qëndrim politik reflektohej edhe në raportet midis gjuhëve, prandaj ekzistonte një konflikt i heshtur midis shqipes dhe varianteve sllave. Konflikti politik përkthehej në konflikt gjuhësor. Përderisa shqiptarët e Kosovës ishin në pozitë më të favorshme politike për t’i rezistuar presionit të serbishtes, shqiptarët në Maqedoni dhe, sidomos në Mal të Zi, ishin në pozitë shumë më të vështirë. Ata ishin nën trysninë e vazhdueshme të asimilimit, me ç’rast gjuha shqipe ishte e atakuar më së shumti. Shqipja ishte bërë simboli kryesor i shprehjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve, gjë që u dëshmua edhe me përkrahjen që shqiptarët e Kosovës i dhanë formimit të shqipes standarde të përbashkët, dhe, në anën tjetër, ishte pikërisht ky simbol që sulmohej më së shumti nga qarqet sllave. Ky konflikt gjuhësor, i cili ishte pjesë përbërëse e konfliktit politik midis shqiptarëve dhe sllavëve, vazhdoi deri në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.
Në fund të viteve të ’80 dhe në fillim të viteve ’90 të shek. XX konflikti politik dhe kulturor midis kombeve të ish-Jugosllavisë mori përmasa të gjera. Raportet midis serbëve, në njërën anë, dhe sllovenëve, kroatëve dhe shqiptarëve, në anën tjetër, u përkeqësuan tej mase. Këto raporte eskaluan deri në atë masë, sa që te sllovenët dhe kroatët u shfaqën tendencat e qarta për ndarje dhe pavarësi kombëtare. Te shqiptarët këto tendenca kishin ekzistuar qysh prej okupimit më 1912, por në rrethana të tilla u forcuan edhe më tepër. Më 1991, kjo gjendje çoi në konflikt të armatosur midis republikave të atëhershme të ish-Jugosllavisë, Sllovenisë, Kroacisë dhe më vonë Bosnje dhe Hercegovinës, në njërën anë, dhe Serbisë, në anën tjetër. Më 1998, konflikti i armatosur do të shpërthente edhe në Kosovë.
Në këtë konflikt të dhunshëm të armatosur nuk pati vetëm përplasje politike midis kombeve, por edhe konflikt midis vlerave dhe tipareve identitare të popujve që ishin përfshirë në konflikt. Krahas konfliktit politik, plasi edhe konflikti fetar, kulturor dhe, sidomos, ai gjuhësor. Në fakt, gjuhët ishin ato që u atakuan më së shumti dhe konflikti gjuhësor ishte ai që vërehej më së shumti. Ndonëse kishim të bënim me variante gjuhësore të ndërkuptueshme, si pasojë e konfliktit u forcuan prirjet për ndarje gjuhësore. Edhe pse serbët, kroatët dhe boshnjakët kishin pothuajse më së paku dallime në gjuhë, më shumë dallime në kulturë dhe religjion, megjithatë më së shumti u frynin dallimeve gjuhësore. Në këtë situatë, si pasojë e këtij konflikti, përveç shpërbërjes së shtetit të përbashkët ndodhi edhe shpërbërja e gjuhës së përbashkët dhe krijimi i gjuhëve të reja (gjuhët serbe, kroate, bosanase dhe malazeze).
Në Kosovë, konflikti gjuhësor përshkallëzoi më së shumti. Gjatë viteve ’90 të shek XX. urrejtja etnike e serbëve ndaj shqiptarëve shprehej më së shumti si urrejtje gjuhësore. Autoritete serbe shfaqnin tendenca të hapura për ta minimizuar hapësirën për përdorimin e shqipes e madje edhe për ta zhdukur fare atë. Kjo tendencë vetëm sa shkaktonte reagim mbrojtës te shqiptarët, të cilët pastaj mbanin qëndrim refuzues ndaj serbishtes. Prishja e raporteve fqinjësore midis shqiptarëve dhe serbëve, të cilët e përkrahnin regjimin, pothuajse i shoi krejtësisht kontaktet fqinjësore. Kontaktet midis folësve të shqipes dhe të serbishte u lokalizuan pothuajse në nivelin e kontakteve midis shqiptarëve dhe policisë dhe ushtrisë serbe. Shqiptarët filluan të bënin përpjekje për t’u rezistuar huazimeve serbe dhe për t’i larguar edhe ato huazime që tashmë ishin futur në gjuhë. Kjo gjendje zgjati deri më 1999 kur Kosova u çlirua përfundimisht nga okupatori serb dhe kur shqiptarët e Kosovës filluan procesin e ndërtimit të shtetit të tyre.
Si është gjendja e sotme në raportet midis gjuhëve që dikur fliteshin në ish-Jugosllavi?
Krijimi i shteteve të reja, Kroacisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Serbisë ka krijuar edhe gjuhë të reja. Denduria e kontakteve midis folësve të këtyre gjuhëve është reduktuar ndjeshëm. Këto gjuhë janë ende në krijim e sipër të fizionomisë së tyre dhe interferenca reciproke është reduktuar ndjeshëm për shkak të vendosjes së kufijve të rinj shtetëror dhe mungesës së kontaktit. Insistimi në faktin që këto gjuhë, ndonëse të ndërkuptueshme, janë gjuhë të veçanta shkon deri në atë masë sa që p.sh. diplomatët kroatë në biografitë e tyre nuk e deklarojnë serbishten si gjuhë që e njohin, edhe pse gjuha e tyre është e ndërkuptueshme me gjuhën serbe (shih artikullin në gazetën Slobodna Dalmacija: http://www.slobodnadalmacija.hr/Spektar/tabid/94/articleType/ArticleView/articleId/112546/Default.aspx). Rasti i këtyre gjuhëve tregon se kuptueshmëria reciproke nuk është e mjaftueshme për t’i përcaktuar varietetet e ngjashme si varietete të së njëjtës gjuhë, apo si gjuhë të veçanta (për gjendjen dhe raportet midis varieteteve sllavojugore shih edhe Friedman, 2007).
Situata me gjuhën shqipe dhe gjuhën serbe në Kosovë ka ndryshuar mjaft pas çlirimit të Kosovës dhe krijimit të shtetit të pavarur. Shpërbërja e gjuhës së dikurshme serbo-kroatishtes në gjuhë të veçanta kombëtare ka bërë që shqipja në Kosovë të ketë kontakt jo më me një gjuhë, por me dy a tri gjuhë kombëtare. Ndonëse mungojnë studimet e gjendjes aktuale të kontakteve gjuhësore midis shqipes dhe serbishtes në Kosovë, mund të thuhet që si pasojë e luftës marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve janë ftohur në masë të madhe dhe kjo ka çuar pothuaj në ndarjen fizike të tyre. Sot, serbët jetojnë kryesisht në disa qytete e fshatra të Kosovës në bashkësi kompakte, të cilat janë të ndara jo vetëm nga popullsia shqiptare, por edhe nga bashkësitë e tjera etnike. Kontaktet e përditshme, sidomos ato joformale, midis shqiptarëve dhe serbëve janë reduktuar në masë të madhe dhe kjo është reflektuar edhe në komunikimin gjuhësor reciprok. Nëse dikur shqiptarët dhe serbët në Kosovë përbënin bashkësi komunikuese, sot shqiptarët dhe serbët janë bashkësi pothuajse të ndara gjuhësore. Ndarja fizike ka bërë që brezat e rinj të mos jenë në gjendje ta mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit. Derisa shqiptarët më nuk janë të detyruar ta mësojnë serbishten, pasi që prestigji i saj që e kishte dikur është zhdukur, serbët ende kanë paragjykime negative ndaj gjuhës shqipe dhe ende nuk janë në gjendje ta pranojnë faktin se pas luftës në Kosovë rrethanat dhe raportet shoqërore kanë ndryshuar. Edhe pse për shkak të epërsisë që kishte dikur serbishtja shqiptarët e Kosovës, brezat e mesëm dhe të vjetër, në masë të madhe ishin bilingë, sot ata hezitojnë të flasin serbisht në rastet kur duhet të komunikojnë me serbët. Në anën tjetër, edhe brezat e mesëm dhe të vjetër të serbëve, duke jetuar në fqinjësi me shqiptarët e kuptojnë dhe e flasin shqipen, por hezitojnë ta flasin kur komunikojnë me shqiptarët, mbase për shkak të sedrës së tyre. Një tjetër zhvillim ka të bëjë me mësimin e gjuhëve dhe dy gjuhët zyrtare të Kosovës më nuk mësohen as në sistemin arsimor. Kohëve të fundit, falë përpjekjes së autoriteteve të Kosovës për t’i integruar pakicat, ka një zbutje të raporteve armiqësore midis shqiptarëve dhe serbëve dhe përfshirje graduale të serbëve në institucionet e Kosovës. Procesi i decentralizimit të pushtetit komunal, të cilin janë duke e bërë institucionet e Kosovë, pritet gjithashtu të krijojë mundësi për përfshirjen e serbeve në jetën institucionale dhe ta përmirësojë gjendjen e tyre në Kosovës.
Kjo gjendje ka ndikuar edhe në interferencën gjuhësore. Huazimet në shqipe nga gjuha serbe pothuajse janë ndërprerë fare, ndërsa huazimet e mëhershme në mjaft raste kanë filluar të zhduken fare. madje, ka ndryshuar edhe drejtimi i huazimeve. Huazimet e shumta serbe që mund të vëreheshin në gjuhën shqipe, sidomos në stilet joformale të të folurit, si p.sh.: opśtinë, pasoś, ulicë, strujë, porez, saobračaj, milic, bolnicë etj. pothuajse janë zhdukur fare. Tani është shqipja ajo që ushtron ndikim në serbishten që flitet në Kosovë, pasi që për shkak të numrit më të madh të folësve shqipja është në pozitë më të favorshme. Ka edhe një formë tjetër të ndikimit të anglishtes përmes shqipes në serbishte e ndërlidhur me veprimtarinë institucionale. Shqiptarët duke qenë bartës të institucioneve kanë kontakt të vazhdueshëm më anglishtfolës. Përmes këtij kontakti dhe dokumenteve të politikave qeveritare që shpesh shkruhen së pari në anglisht, pastaj përkthehen në shqip, ndodhë që gjatë përkthimit nga shqipja në serbishte të gjejnë rrugën e tyre huazimet e shumta të tërthorta në serbishten që flitet në Kosovë, sidomos terminologjia e fushave të ndryshme politike, ekonomike e juridike.
Në anën tjetër, shqiptarët e Kosovës kanë treguar tolerancë ndaj gjuhës serbe, duke i dhënë asaj status të plotë zyrtar. Shoqëria dhe institucionet e Kosovës kanë arritur që t’i përvetësojnë dhe t’i zbatojnë në kuadrin ligjor institucional të gjitha politikat progresive evropiane në fushën e planifikimit të statusit të gjuhëve. Ndonëse në këtë aspekt ka ende probleme për sa i përket zgjerimit të funksioneve dhe domeneve të përdorimit të gjuhëve minoritare, sidomos probleme financiare e praktike, megjithatë qëndrimi pozitiv dhe lejues që shoqëria shqiptare është duke e ndjekur ndaj gjuhëve të pakicave është për t’u vlerësuar. Politikat gjuhësore që i ka ndjekë shoqëria shqiptare e Kosovës kanë qenë në funksion të zbutjes së konfliktit gjuhësor. Këto politika janë pothuajse plotësisht me kuadrin e parimeve për neutralizimin e konfliktit gjuhësor të përcaktuara nga Nelde, të cilat u përmendën më lart. Të gjitha angazhimet e planifikuesve të gjuhës në Kosovë shkojnë në drejtim të zbutjes së konfliktit eventual gjuhësor midis shqipes dhe serbishtes.



PËRFUNDIME

Konfliktet etnike kanë një formë të veçantë të manifestimit tyre - si konflikte gjuhësore. Konflikti gjuhësor është pasojë e kontaktit gjuhësor. Gjuha është mjeti kryesor i komunikimit midis njerëzve dhe mjeti kryesor i shprehjes së mendimeve, pikëpamjeve e qëndrimeve ndaj gjërave që na rrethojnë dhe, njëkohësisht, mjeti kryesor për bartjen e përvojave të kaluara. Ajo i shpreh këndvështrimet për botën dhe vlerat kulturore të një bashkësie shoqërore. Prandaj, me rastin e kontakteve gjuhësore, nuk vijnë në kontakt vetëm dy sisteme gjuhësore, por edhe qëndrimet, pikëpamjet, këndvështrimet për botën dhe vlerat kulturore të folësve të atyre gjuhëve. Në këto situata të kontaktit ndodh konflikti, i cili ndonëse në epiqendër e ka gjuhën, në fakt është më tepër përplasje e tipareve shoqërore të bashkësive shoqërore të cilat u përmendën më parë. Konflikti gjuhësor asnjëherë nuk është vetëm konflikt gjuhësor, sepse nën ombrellën e konfliktit gjuhësore fshihen problemet e tjera të natyrës politike, ekonomike e kulturore.
Shumë autorë konsiderojnë se është e pamundur të ketë kontakt gjuhësor pa konflikt gjuhësor dhe Europa është një shembull që e mbështet këtë konstatim. Duke filluar nga Britania e Madhe dhe duke u shtrirë gjer në hapësirat e ish-Bashkmit Sovjetik, pothuajse çdo kontakt midis gjuhëve nënkupton edhe konfliktin gjuhësor. Në këtë kuadër, Ballkani Perëndimor, më saktësisht hapësira e ish-Jugosllavisë, paraqet një rast interesant studimor për natyrën dhe pasojat e konflikteve gjuhësore. Ekzistenca e shtetit të përbashkët shumëkombësh të Sllavëve të Jugut kishte ndikuar në integrimin gjuhësor të gjuhëve sllavojugore dhe në krijimin e gjuhës së përbashkët serbo-kroatishtes apo kroato-serbishtes. Kjo gjuhë kishte status superior dhe dominonte në raport me gjuhët e tjera që fliteshin në hapësirat e ish-Jugosllavisë.
Në periudhën e ish-Jugosllavisë, shqipja që flitej në hapësirat autoktone në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni, kishte kontakte të përhershme me varietete sllavojugore dhe ishte e ndikuar mjaft prej tyre. Gjatë asaj periudhe shqipja kishte huazuar mjaft nga serbishtja. Por, e tërë periudha e ekzistencës së ish-Jugosllavisë karakterizohet me konfliktin e vazhdueshëm gjuhësore të shqipes me serbishten. Ky konflikt gjuhësor ishte pasojë e konfliktit politik dhe kulturor që shqiptarët e kishin me serbët.
Pas shpërthimit të konfliktit etnik të armatosur në ish-Jugosllavi, eskaloi edhe konflikti gjuhësor midis gjuhëve sllavojugore në rrafshin jugosllav. Ky konflikt pati për pasojë jo vetëm me shpërbërjen e shtetit të përbashkët dhe krijimin e shteteve të reja me kufij të rinj, por edhe me shpërbërjen e dikur gjuhës së përbashkët. Nga serbo-kroatishtja u krijuan gjuhët e veçanta kombëtare: kroatishtja, serbishtja gjuha bosanase dhe gjuha malazeze, të gjitha këto gjuhë të ndërkuptueshme.
Sa i përket shqipes dhe raporteve të saja me serbishten, pas përfundimit të luftës në Kosovë, raportet u ndryshuan në mënyrë rrënjësore. Kosova fitoi status të pavarur politik, ndërkaq shqipja fitoi status superior në raport me serbishten. Serbishtja që dikur ishte gjuhë me më së shumti folës në ish-Jugosllavi, u bë gjuhë e pakicës. Superioriteti i shqipes në Kosovë nuk mund të quhet rezultat i planifikimit të statusit, sepse në dokumente juridike garantohet statusi i barabartë për shqipen dhe serbishten, por ky superioritet manifestohet për shkak të numrit shumë më të madh të folësve. Në anën tjetër, kontaktet midis shqiptarëve dhe serbëve janë reduktuar ndjeshëm si pasojë e konfliktit dhe kjo ka ndikuar në reduktimin e huazimeve gjuhësore. Ka indikacione se procesi i huazimeve ka ndryshuar kahe. Shqipja më nuk huazon nga serbishtja, por ndikon në të dhe në gjuhët e tjera sllavojugore që fliten në Kosovë.
Autoritete e Kosovës janë duke bërë përpjekje që përmes politikës gjuhësore dhe planifikimit gjuhësor që janë duke e ndjekur, ta ulin shkallën e konfliktit gjuhësor. Në përpjekjet për planifikimin e statusit numri i folësve të gjuhëve nuk është marrë si argument për favorizim, por është promovuar forma e diskriminimit pozitiv të pakicave. Kjo qasje ka për qëllim që të garantohet, për aq sa është e mundur, barazia gjuhësore. Këto qëndrime, së paku publikisht, kanë gjetur edhe mbështetjen e publikut në Kosovë.







REFERENCAT:


Bloomfield, Leonard. Të huazuarit intim, në Nuhiu, Vesel (1990). Ndikimet ndërgjuhëhësore, Rilindja, Prishtinë.

Fishman, Joshua (1973). Language and Nationalism, Nationalism in Europe, 1815 to Present, Edited by: Stuuart Woolf, Routledge, London and New York, First published in 1996, this edition published in the Taylor & Francis e-Library, 2003.

Friedman, Victor A. (2007). Language Politics and Language Policies in the Contemporary Western Balkans: Infinitives, Turkisms and EUrolinguistics, EES Noon Discussion on April 18, 2007. The following is a summary of his presentation. Meeting Report 337, në Internet: www.wilsoncenter.org/topics/pubs/MR337Friedman.doc, qasja për herë të fundit 20 mars 2009.

http://www.slobodnadalmacija.hr/Spektar/tabid/94/articleType/ArticleView/articleId/112546/Default.aspx

Ismajli, Rexhep (1989). Albanski jezik u Jugosllaviji, Zbornik - Kosovo - Srbija - Jugolavija, Ljubljana, Maj.

Ismajli, Rexhep (1991), Gjuhë dhe etni, Rilindja, Prishtinë.

Ismajli, Rexhep (1994), Etni e modernistet, Dukagjini, Pejë.

Mac Giolla Chríost, Diarmait (2003), Language, Identity and Conflict – A comparative study of language in ethnic conflict in Europe and Eurasia, Routledge, London and New York.

Munishi, Shkumbin (2006). Gjuha standarde shqipe në Kosovë dhe drejtimet e zhvillimit të saj, disertacion i doktoratës, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë.

Nelde, Peter Hans, Language Conflict, në Internet: http://www.univie.ac.at/europaeistik/LanguageConflict.DOC, qasja për herë të fundit 26.07.2010.

Thomason G., Sara (2001). Language Contact – an Introduction, Georgetown University Press.

Nuhiu, Vesel (1990). Ndikimet ndërgjuhëhësore, Rilindja, Prishtinë.

Sapir, Eduard. Si ndikojnë gjuhët mbi njëra tjetrën, në Nuhiu, Vesel (1990). Ndikimet ndërgjuhëhësore, Rilindja, Prishtinë.

No comments: