Tuesday, February 2, 2010

VËSHTRIM SOCIOLINGUISTIK I PIKËPAMJEVE TË SELMAN RIZËS PËR FORMIMIN E SHQIPES STANDARDE

Shkumbin MUNISHI (Prishtinë)

Sfondi

Shfaqja e ideologjisë nacionaliste dhe krijimi shteteve kombëtare në Europën e shekullit XIX ka pasur ndikim të fuqishëm jo vetëm në zhvillimet politike, ekonomike dhe kulturore, por edhe në ato gjuhësore. Homogjeniteti i njësisë kombëtare qëndronte në themel të ideologjisë nacionaliste të elitave politike e kulturore europiane, të cilat synonin krijimin e entiteteve unitare shoqërore dhe shtetërore. Në këtë kuadër, si përbërës thelbësorë i këtyre njësive unitare kanë shërbyer tiparet e kulturore, tradicionale, historike, fetare dhe, sidomos, afria gjuhësore. Këto zhvillime përcilleshin edhe me zhvillimet teknologjike dhe me transformimin e shoqërive evropiane, nga shoqëritë e predominuara rurale, në shoqëri të tipit urban, me koncentrim më masiv të popullsisë në këto qendra urbane. Në një situatë të tillë, komunikimi gjuhësor dhe nevoja për të pasur një kod të unifikuar gjuhësor, i cili do ta lehtësonte komunikimin përbrenda këtyre qendrave, bëhej domosdoshmëri e kohës. Ishte filozofi gjerman Johann Gotffried Herder (1744-1803), i cili e potencoi i pari rëndësinë e gjuhës për krijimin dhe forcimin e ndjenjës kombëtare. Studiuesi i mirënjohur Einar Haugen e sheh varësinë funksionale të protoelitave të reja te gjuha si nevojë për të komunikuar me popullatat e reja të urbanizuara, por që ende ishin të paarsimuara dhe gjuhësisht heterogjene. Në ato rrethana, gjuha bëhet simboli kryesor dhe më i rëndësishëm i identitetit kombëtar, madje edhe më i rëndësishëm se religjioni, territori dhe çdo tipar tjetër shoqëror. Më tutje, Haugeni thekson se nacionalizmi e glorifikon vernakularin (gjuhën) në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, duke nderuar dhe duke i përjetuar si simbol të madhështisë kolektive krijimet letrare nga e kaluara. Kjo lidhje e nacionalizmit dhe letërsisë së krijuar një vernakular të caktuar është një hapësirë e re e ndikimit të nacionalizmit në planifikimin gjuhësor. Format leksikore, morfologjike e sintaksore, të cilat ishin popullarizuar në krijime letrare të periudhave të ndritura është mjaft vështirë të anashkalohen nga planifikuesit e gjuhës (Haugen, 1973).
Promovimi i vlerave të krijimeve letrare dhe ndërtimi i gjuhëve standarde mbi këto vlera ka qenë rruga e përgjithshme që kanë ndjekur pjesa më e madhe e gjuhëve standarde evropiane. Por, problemi është shfaqur tek ata popuj te të cilët letërsia kombëtare ka qenë më e vonë dhe më pak e konsoliduar.
Përndryshe, standardizimi i gjuhëve si pjesë e planifikimit gjuhësor dhe politikës gjuhësore ka zënë një vend qendror në studimet sociolinguistike që nga krijimi i kësaj disipline. Studiues të ndryshëm kanë hedhur dritë mbi aspekte të ndryshme të këtij procesi mjaft kompleks, i cili ngërthen në vete faktorët gjuhësorë dhe jashtëgjuhësore. Janë trajtuar etapat e këtij procesi, rrugët e ndryshme që janë ndjekur, kriteret që janë përdorur, tiparet dhe aspektet e tjera të gjuhëve standarde si produkte të planifikimit gjuhësor. Këtu po përmendim vetëm disa prej tyre. Kështu, Punya Sloka Ray, për shembull, përmend si aspekte shumë të rëndësishme efiçencën, racionalitetin dhe përbashkësinë (Punya Sloka Ray, cit. sipas Byron, 1976), ndërsa Einar Haugen krahas përshkrimit të etapave të standardizimit, identifikon efiçencën, adekuacitetin dhe pranimin si aspekte shumë të rëndësishme të këtij procesi. Joshua Fishman, midis faktorëve tjerë ka parasysh, autonominë, historicitetin dhe vitalitetin (Fishman, 1978), ndërsa William Downes, përveç tipareve që u cekën, përmend edhe dimensionin ideologjik, rolin e elitës kombëtare, traditën letrare, autonominë, historicitetin, vlerën utilitare dhe vitalitetin (Downes, 1984). Më poshtë, në vazhdim të këtij punimi, do të përpiqemi që pikëpamjet e Selman Rizës për shqipen standarde t’i trajtojmë në dritë të këtyre aspekteve e tipareve për gjuhën standarde, të cilat u përmenden këtu.
Fryma e ideologjisë nacionaliste e përhapur në Europën e shekullit XIX, ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë edhe në fillimet e procesit të standardizimit të shqipes. Përfaqësuesit më eminentë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të ndikuar dhe të motivuar nga zhvillimet e atëhershme politike ideologjike në Europën Perëndimore, nuk reshtën për asnjë çast së propaguari rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës amtare, por edhe nevojën për unifikimin e gjuhës shqipe. Në këtë periudhë e kanë zanafillën idetë e para për formimin e shqipes standarde, ndonëse jo të elaboruara sa duhet.
Përndryshe, në rrjedhat e standardizimit të shqipes, të cilat, siç u tha, e kanë burimin që nga Rilindja Kombëtare, janë shfaqur mendime e pikëpamje të ndryshme lidhur me mënyrën e formimit të shqipes standarde dhe mbi varietetin dialektore që do të duhej të merrej për bazë të gjuhës standarde shqipe. Që në fillimet e hershme të standardizimit të shqipes u shfaqën tre lloj pikëpamjesh kryesore sa i përket përzgjedhjes së bazës dialektore të shqipes standarde (Byron, 1976: 56). Pikëpamja e parë ishte se gjuha standarde do të duhej të formohej me kombinimin e tipareve të gegërishtes dhe toskërishtes. Grupi i dytë përbëhej nga ata studiues që mendonin se në bazë të gjuhës standarde do të duhej të ishte toskërishtja, sepse paraqitej më e konsoliduar dhe me një traditë më të pasur letrare. Ndër të parët që shpërfaqte këtë pikëpamje ishte Aleksandër Xhuvani, i cili më 1905 doli me idenë se për bazë të gjuhës standarde shqipe do të duhej të merrej dialekti i Jugut (toskërishtja) (Xhuvani, 1905: 3). Por, një vit më pas, duke e parë ndjeshmërinë e përzgjedhjes së bazës dialektore, ai hoqi dorë nga mendimi i tij, duke theksuar se do të ishte e udhës që secili të shkruante në dialektin e vet (Xhuvani, 1906: 8-9). Grupi i dytë, i cili u shfaq kryesisht në periudhën e veprimtarisë së Komisisë Letrare të Shkodrës (1916-1917), përfaqësonte idenë se për bazë të gjuhës standarde shqipe do të duhej të merrej gegërishtja e mesme, ose më saktë elbasanishtja, pasi që ky dialekt qëndronte midis toskërishtes dhe gegërishtes (Laimet e Komisis Letrare të Shodrës, 1918: 2-10). Varieteti i elbsanishtes i promovuar nga Komisia, i mbështetur nga Kongresi Arsimor i Lushnjes (1920) dhe i dekretuar si gjuhë zyrtare nga Qeveria e Shqipërisë, më 1923, i fitoi pothuajse të gjitha tiparet e gjuhës standarde dhe u përdor si e tillë deri më 1945.
Kishte edhe autorë të tjerë që shprehën pikëpamjet e tyre lidhur me mënyrën e formimit të shqipes standarde, por këtu nuk do të ndalemi më tepër në shtjellimin e atyre pikëpamjeve.

Idetë e Selman Rizës për formimin e shqipes standarde

Nga fundi i vitit 1944, në opinionin shqiptar del në dritë vepra e Selman Rizës me titull “Tri monografina albanologjike”, në të cilën shfaqet njëra nga idetë më origjinale për formimin e gjuhës letrare shqipe. Ishte kjo ideja e “pangegënishtes”.
Për arsyet që e kanë shtyrë Rizën të mendojë për formimin e gjuhës letrare shqipe ai shprehet qartë: “Konstatimi se ndên gegënishtet kanë evolue me nji mënyrë fort asynkronike dhe divergjente ndërmjet veti, më ka frymëzue me idenë që të përfitonjë prej kësaj gjendjeje ndên dialektale të kryedialektit verijuer për të sëndergjue një gegënishte letrare e cila të jetë përfundim i bashkëpunimit të ndêngegnishtevet të ndryshme simbas kriterit, ku të jetë e mundshme, të njâjtësimit dhe, ku të mos jetë, të gjegjësimit të drejtëpërdrejtëshëm me tosknishten letrare” (Riza, 1944: 2-4). Pra, Riza konstatonte zhvillimin divergjent të dy dialekteve të shqipes, sidomos variacionin më të theksuar gjuhësor përbrenda dialektit të veriut dhe prandaj kërkonte që formimit të shqipes standarde t’i paraprijë njëjtësimi i gegërishtes.
Në anën tjetër, Riza gjithashtu konstatonte se toskërishtja paraqitej më e unifikuar dhe me një traditë tashmë të konsoliduar letrare të krijuar sidomos nga Rilindja e këndej. Në këtë kuptim, Riza theksonte: “Toskët tue pasë të gatshëme prej shum kohe e të sajuene për faqe të bardhë letrarishten e vet, shkojnë me shpirt të qetë e, sa për këtê punë, me mênde të fjetun drejtë udhës së prodhimit letrar dhe popullorzimit dijtunuer, pa ndî nevojën me u lodhë sadopak për çeshtjen gjuhësore të rêndit t’ânë e pa u turbullue aspak prej mospërfilljevet e përbuzjeve, prej kallximevet e kërcnimevet, përgjegjësinë e të cilëvet ky apo aj gjuhëtar Gegë e ka quejt punë të mendshëme e madjè atdhetare me marrë përsipër kundrë kryedialektit juguer të shqipes...Gegët, në vênd që të përpiqeshin për me zgjidhë endè të pazgjidhunin problem gjuhësor të Gegënisë, pa prâ, pa u kursye, vrasin mênden, trazojnë shpirtin, përpushen e valaviten për me zgjidhë problemin gjuhësor të mbarë Shqipnisë“ (po aty, 108). Riza e shihte qartë se gegërishtja ende nuk ishte njësuar sa duhet për të kryer funksionin e gjuhës letrare për mbarë kombin. Sipas tij, këtë nuk ishte në gjendje ta bënte as dialekti i mesëm, për të cilin Riza thoshte: “po due me thânë, me çfrŷ në të kështuquejtunën gjuhë të mesëme, që, vertè, deri sod, nuk ka pasë, si me thânë, kërthokllat e duhuna për të zânë vêndin, jo toskënishtes, por as shkodranishtes; mirë po që ka përmbledhë në vedi gjithë requistet e duhun për t’u bâ gjuha zyrëtare e krejt vêndit t’ânë e madjè, n’e lânshim me ndjekë udhën që ka marrë, do të jetë edhe fort e zonja me bâ shqipen shkollore, do me thânë, një mishmash për të mos ngrânë as qêjt e rrugës, një kullë Babeli për të mos mundë jo mediokriteti i gramatikanëvet vêndësa por as gjenialiteti i albanologëvet të huejë me gjetë gjânavet fillin, me rá punëvet dum” (f. 111).
Për këto arsye që posa u përmendën, Riza ishte i mendimit se së pari duhej të bëhej njësimi i gegërishtes, në mënyrë që më pas kjo gegërishte e njësuar, të cilën ai e quajti ‘pangegnishte’, të afrohej me toskërishten. “Gramatikisht, letrarishtja e veriut do të sendërgjohet, simbas mundësinavet për nji pjesë tue u njâjtësue e për pjesën tjetër tue u gjegjësue me letrarishten e jugut me anë të bashkëpunimit vetëm ndërmjet të të gjithave ndêngegënishtevet me kusht që kësi s’u afrueni prej toskënishtes gegënishtja të mos dali as e vorfënuene as e bastardhuene...Do të njajtësojmë gegënishten letrare me toskënishten letrare tue mënjanue evolutat partikulariste” (f. 112-113), shkruante Riza dhe konkludonte: “Pangegënishtja do të përbâhet prej tejtrajtimesh njëkohësisht ndêngegë e letraro-toskë dhe prej shqiptarismash së lashta endè të gjalla më ndonjânën prej ndêngegënishtevet” (f. 196).
Qëndrimi i Selman Rizës ishte që dallimet midis dialekteve të shqipes në rrafshin fonologjik-fonetik, në rrafshin morfo-sintaksor dhe në atë leksikor nuk ishin aq të mëdha dhe të papërballueshme. Ai konsideronte se do të mund të gjendeshin format e përbashkëta gjuhësore nëse kërkoheshin në të folme të ndryshme të shqipe. Riza shprehej se në pangegërishten e tij do të futeshin të gjitha ato forma e njësi gjuhësore të gegërishtes, të cilat ose gjendeshin në toskërishte, ose ishin të përafërta me të. Ai i kërkonte këto forma në të gjitha varietetet veriore: në elbsanishte, në kosovarishte dhe në shkodranishte (shih për më tepër Riza, 1944).
Duhet thënë që përpjekja e Rizës për të sendërtuar pangegërishen e tij, e shprehur në “Tri monografina albanologjike”, mbështetej në pjesën më të madhe në faktorë linguistikë, në mundësitë e kombinimit të elementeve sistemore të varieteteve të gegërishtes, për ta reduktuar variacionin e saj dhe në përpjekjet për ta afruar një varietet të tillë të përbashkët të gegërishtes me toskërishten letrare, të cilën ai e konsideronte më njëformëshe dhe më të konsoliduar.
Në artikullin tjetër të e tij “Shqipja dhe shqiponja” (1936), Selman Riza ka parasysh faktorët e ndryshëm jashtëgjuhësorë krahas atyre gjuhësorë, të cilët e bëjnë të nxjerrë përfundime të tjera. Ai konsideron se në perceptimet për gjuhën shqipe, nuk ka gjuhë toskërishte dhe gjuhë gegërishte, por ka vetëm gjuhë shqipe me dy kryedilakete dhe nuk shihte ndonjë rrezik kombëtar nga kjo gjendje (f. 218).
Ky autor konsideronte që problemi i dualizmit dialektor të shqipes mund të zgjidhej në tri mënyra:
“1.- Të ngrehim njërin dialekt në lartësinë e një gjuhe shkrimi të përbashkëtë dhe të lëmë tjatrin jashtë përdorimit zyrtar, shkollor dhe letrar, kështu që të prapset dita ditës, të zhduket dalngadalë, në saje të përhapjes s’arsimit botor dhe të letërsisë kombëtare.
2.- Të gatuajmë bashkë një idiomë eklektike nga brumi i dy kryedialektavet.
3.- Të privilegjojmë një nëndialekt, për hir të një situate gjeografikisht të mesëme, së cilës besojmë që ay t’i detyrojë një analogji bipolare me dy kryedialektet fëqinj” (f. 219)
Riza konsideronte se që të tri këto rrugë vështirë se do të na çonin te krijimi i gjuhës standarde shqipe të përbashkët. Problemi i elbasanishtes ishte se ky varietet ishte “një nëndialekt me një domethënie kulturore të cektë, me një pasuri idiomatike të paktë, dhe sidomos me një shvillim letrar pothuajse të paqenë” (f. 219). Problemi i krijimit të gjuhës standarde si një idiomë eklektike qëndronte në artificialitetin e saj dhe vështirë që do të pranohej (f. 220). Dhe, së fundi, problemi i ngritjes së njërit dialekt qëndron në faktin se as faktorët politikë, as letrarë, nuk i kishin dhënë ndonjë përparësi toskërishtes apo gegërishtes, në mënyrë që njëri nga dy kryedialektet të ngrihej në gjuhë standarde (f. 220). Prandaj, duke qenë i vetëdijshëm për ndjesinë e problemit të gjuhës letrare dhe duke vlerësuar drejt gjendjen e toskërishtes, Riza shprehej: “Për hatër të një begatie idiomatike të barabartë me folklorin e gegërishtes, për hatër të një orthografie më të plotë dhe të një fonetike më muzikale, për hatër të një syntakse më t’evolvuar drejt shprehjes analytike, dhe sado anëtar të jem – për arsyet e çfaqura më sipër të një fizionomie të njëllojshëme dhe të një homogjeniteti në cipët – nuk munt veçse të përgëzohem botërisht që në saje të prestigjit të kryeshkrimtarëvet dhe të mbrothësisë së publikut toskë, toskërishtja të mos jetë destinuar të bjerë në rradhën e një të foluri vetëm thjesht popullor. Shkabën e flamurit e kemi me dy krerë. Gjuhën e kombit do ta kemi me dy kryedialekte” (f. 222).
Si mund të trajtohen pikëpamjet e Selman Rizës dhe mbi cilat teza mbështeten idetë e tij për shqipen standarde? Në radhë të parë, Riza kishte dije dhe njohuri shkencore të kohës për proceset e standardizimit të gjuhëve. Ai njihte rrjedhat e formimit të koinesë greke dhe zhvillimin e latinishtes, si dy gjuhë antike të standardizuara ndër të parat. Së dyti, Riza konstatonte me të drejtë ekzistencën dualizmit dialektor në gjuhën shqipe, por përmes fakteve gjuhësore argumentonte se dy dialektet e shqipes nuk ishin edhe aq të largët nga njëri-tjetri. Së treti, Riza kishte parasysh rolin e traditës së kaluar letrare në krijimin e gjuhës standarde. Ndonëse përmendte prodhimtarinë letrare të autorëve të Jugut dhe të atyre shkodranë, me të drejtë konstatonte se asnjëra traditë letrare, as ajo e Jugut, as ajo e Shkodrës, nuk kishte nxjerrë ndonjë autor a vepër, e cila do të influenconte fuqishëm gjuhën e ardhshme standarde. Në këtë pikë ai kishte plotë të drejtë, pasi që krijimtaria letrare e autorëve të Jugut dhe atyre shkodranë e periudhës së Rilindjes Kombëtare ishte e kohërave më të vonshme dhe ishte krijuar pothuajse paralelisht me nismën e përpjekjeve për standardizimin e shqipes. Ndërkaq, letërsia e autorëve të vjetër shqiptarë (Buzuku, Budi, Bogdani, Matranga, Bardhi) kishte mbetur anakronike, pa ndonjë jehonë të fuqishme brenda popullit shqiptar dhe format gjuhësore të këtyre autorëve tashmë ishin bërë mjaft të largëta me gjuhën e gjallë të folur.
Pasi kishte konstatuar këto fakte, Riza i kthehet sistemit gjuhësor të shqipes dhe zgjidhjen e problemit e kërkon kryesisht në rrafshin gjuhësor. Për këtë arsye ai përpiqet të japë kontributin dhe shembullin personal, duke sendërtuar pangegënishten e tij – varietetin e përbashkët të gegërishtes, i cili pasi të afrohej dhe përqasej me toskërishten letrare, përmes njësive e formave të përbashkëta gjuhësore, do të ngrihej në gjuhë standarde për tërë kombin. Riza këtu ka parasysh tiparet sociolinguistike, adekuacitetin e këtij kodi dhe tiparet e përbashkësisë dhe të vitalitetit, sepse pangegënishtja e tij do të ishte shumë e afërt me toskërishten letrare. Mendoj që kjo qasje linguistike e Rizës për krijimin e shqipes standarde ishte plotësisht e drejtë. Kur merret parasysh fakti që mungonte një traditë letrare e shkruar në njërin dialekt të shqipes, e cila të kishte epërsi ndaj veprave letrare të shkruara në dialektin tjetër, si dhe kur mungonte epërsia politike dhe kulturore e folësve të njërit dialekt ndaj folësve të dialektit tjetër dhe kur nuk kishte një elitë të konsoliduar, e vetmja zgjidhje mbetej që problemi të shtrohej në rrafshin linguistik dhe zgjidhja të kërkohej brenda sistemit gjuhësor të shqipes.
Megjithë përpjekjet e tij të sinqerta për t’i dhënë një zgjidhje gjuhësore problemit të shqipes standarde, Riza përsëri bëhet i vetëdijshëm për ndikimin e faktorëve shoqërorë jashtëgjuhësore dhe për ndjesinë e këtij problemi. Për këtë arsye, te “Shqipja dhe shqiponja” Riza shprehet në favor të një politike gjuhësore liberale, duke shprehur respektin për të dy dialektet e shqipes dhe duke parapëlqyer zhvillimin evolutiv të shqipes standarde. Më lart u cek se edhe Aleksandër Xhuvani, pasi ishte shprehur njëherë në favor të ngritjes së toskërishtes në gjuhë standarde, kishte hequr dorë nga kjo ide dhe e kishte arsyetuar vazhdimin e bidialektizmit në gjuhën shqipe.
Nga e tëra që u tha më lart, shihet qartë se cilat ishin konceptet e S. Rizës për formimin e gjuhës standarde shqipe. Nga citatet e mësipërme dhe nga këto që u thanë, askund nuk mund gjendet shkas për të dyshuar se S. Riza ishte kundër formimit të një gjuhe standarde gjithëkombëtare. Megjithatë, idetë e tij jo vetëm që nuk ishin perceptuar drejtë gjatë gjithë periudhës së diktaturës, por edhe ishin stigmatizuar në masë të madhe. Fjalët e tij në citatin: “Shkabën e flamurit e kemi me dy krerë. Gjuhën e kombit do ta kemi me dy kryedialekte”, u bënë shkas që ai të sulmohej egër nga personalitete të ndryshme të shkencës në Shqipërinë e periudhës komuniste, si një kundërshtar i formimit të gjuhës letrare shqipe. Ky stigmatizim nuk ka munguar as në Kosovë. Për konceptin e Rizës, Idriz Ajeti, duke u mbështetur në qëndrimet që kishte shprehur më parë A. Kostallari, shkruante se kjo “ishte shfaqje e një koncepti anakronik, që në efekt të tij të fundit kërkonte të hiqej dorë nga çdo përpjekje për njësimin e gjuhës letrare shqipe” (Ajeti, 1975: 10). Konsideroj që kritikat që i janë bërë Rizës në të kaluarën nuk kanë qenë kritika të bazuara në fakte e argumente shkencore, por kanë qenë kritika të motivuara ideologjikisht. Duke shfletuar shkrimet për idetë e Rizës, kemi fituar përshtypjen se ai shpesh ose është kritikuar ose është harruar me qëllim nga autorë shqiptarë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, vetëm e vetëm që t’i ikej konfrontimit me qëndrimet e atëhershme zyrtare për gjuhën letrare, të cilat ishin bërë par exellence në gjuhësinë shqiptare të asaj kohe.
Megjithë sulmet që në të kaluarën i janë bërë Rizës, ne mendojmë se idetë e tij autentike kishin një qëllim të vetëm – që të arrihej formimi i gjuhës letrare shqipe. Në këtë kuptim, Rexhep Ismajli shprehet: “Të mendoje më 1944 për krijimin e një gegërishteje të përbashkët letrare, e cila nuk do të ishte identike me asnjërën prej gegërishteve lokale, dhe ta mendoje këtë pak a shumë duke pasur parasysh tashmë të krijuar toskërishten letrare dhe duke kërkuar shprehimisht që këto dy variante letrare të afroheshin sa më shumë, me synim të njësimit më vonë, me “elementet që e bëjnë atë shumë t’afërt me koinenë jugore, në plan të drejtshkrimit, në fushën e fonetikës, të gramatikës e të fjalëformimit”, kjo nuk do të thoshte të ishe kundër krijimit të një gjuhe letrare të vetme. Puna ishte te vetë konceptimi i njasaj gjuhe letrare të vetme” (Ismajlim 1998: 53). Pikëpamjet dhe idetë e tij për formimin e shqipes standarde mund të vlerësohen si përpjekje e bazuar në kombinimin e tre faktorëve: në vetëdijen e tij kombëtare, në idealizmin personal dhe në njohuritë e tij të pamohueshme prej gjuhëtari.

PËRFUNDIME

Trajtimi i pikëpamjeve të Selman Rizës për formimin e shqipes standarde duhet shikuar në dy aspekte, të cilat janë të ndërlidhura edhe me dy punimet kryesore të tij, të cilat e trajtojnë çështjen e formimit të shqipes standarde, me “Tri monografina albanologjike” dhe me “Shqiponja dhe shqipja”. Në “Tri monografi albanologjike”, kur flet për formimin e gjuhës standarde, Riza thellohet dhe mbështetet kryesisht në çështjet gjuhësore dhe bën përpjekje për t’u dhënë zgjidhje çështjeve të normës, duke u munduar që për këto zgjidhje të japë argumentime gjuhësore, por duke u përqendruar më pak te faktorët jashtëgjuhësorë. Ndërkaq, te përfundimet e tij te “Shqiponja dhe shqipja”, Riza ka parasysh më shumë faktorët jashtëgjuhësorë shoqërorë dhe ndjeshmërinë reale që bart në vete çështja e formimit të gjuhës standarde.
Përpjekja e tij për të sendërtuar pangegënishten ishte një përpjekje për t’i dhënë zgjidhje variacionit gjuhësore, i cili ishte më i shprehur në gegërishte dhe për ta afruar këtë të fundit me toskërishten letrare. Në një fazë të dytë, ai shihte mundësinë që pas afrimit të pangegënishtes me toskërishten, kjo e para të bëhej gjuhë standarde për gjithë kombin. Argumentet e tij Riza i mbështet në tiparet sociolinguistike të adekuacitetit, përbashkësisë dhe vitalitetit të një norme të ndërtuar përbrenda pangegënishtes.
Përpjekja e Rizës nuk mund të shihet ndryshe përveç si një përpjekje personale idealiste, e bazuar në motive kombëtare, për ta zgjidhur problemin e shqipes standarde. Angazhimi i tij për afrimin e dialekteve të shqipes, duke u bazuar në zgjidhje gjuhësore të përbashkëta, paraqet një shembull pozitiv personal të një dijetari dhe intelektuali të çmuar të kombit tonë. Qasja e tij linguistike mund të shërbejë edhe në kontekstin e sotëm kohor, në përpjekjet që shoqëria shqiptare duhet t’i bëjë për rishikimin dhe mirëmbajtjen e normës së gjuhës standarde.

LITERATURA

Ajeti, Idriz (1975). Rruga e zhvillimit të gjuhës letrare shqipe në Kosovë, Gjurmime albanologjike III-1973, Prishtinë.

Byron, Janet L. (1976). Selection Among Alternates in Language Standardization: The case of Albanian, Mouton The Hague, Paris.

Downes, William (1984). Language and society, Fontata Paperbacs, London.
Fishman, Joshua (1973). Language and Nationalism, Nationalism in Europe, 1815 to Present, Edited by: Stuuart Woolf, Routledge, London and New York, First published in 1996, this edition published in the Taylor & Francis e-Library, 2003.
Fishman, Joshua A. (1978). Sociologija jezika, Svijetlost, Sarajevo.
Haugen, Einar (1966) Dialekt, Language, Nation, Sociolinguistics – selected readings, Editors: J.B. Pride and Janet Holmes, Penguin books, Ringwood, Victoria, Australia, 1972.
Ismajli, Rexhep (1988). “Në gjuhë” dhe “për gjuhë”, Dukagjini, Pejë.

Laimet e Komisis Letrare Shqipe në Shkodër, Numër I, Kallënduer 1918.

Riza, Selman (1944). Tri monografina albanologjike, Vepra 1, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 1996.
Xhuvani, Aleksandër (1905). Për themelimin e një gjuhe letrare, Vepra I, Tiranë, 1980.

Xhuvani, Aleksandër (1906). Përmi themelim të nji gjuhe letrare shqipe”, Vepra I, Tiranë, 1980.



No comments: