Tuesday, February 2, 2010

PLANIFIKIMI I STATUSIT TË GJUHËVE NË KOSOVË

Shkumbin MUNISHI (Prishtinë)

PËRMBLEDHJE

Në këtë punim trajtohen rrjedhat e planifikimit të shqipes në Kosovë në tri dekadat e fundit, me theks te veçantë në vitet e pasluftës (1999-2009). Procesi i planifikimit të statusit të gjuhëve në Kosovë është një shembull ilustrues që hedh në dritë ndikimin e fuqishëm të rrethanave politike-ekonomike dhe kulturore në proceset e planifikimit të gjuhës dhe të politikës gjuhësore. Në këto vitet e fundit, shqipja e ka rikthyer statusin e saj zyrtar, të cilin e kishte pasur gjatë periudhës kur Kosova ishte krahinë autonome në kuadër të ish-Jugosllavisë. Statusin e gjuhës zyrtare e ka edhe serbishtja, por në raportet midis shqipes dhe serbishtes vërehet epërsia demografike e shqiptarëve, e cila ndikon edhe në raportet gjuhësore. Shoqëria kosovare ka ndjekur nj[ politikë gjuhësore të avancuar dhe progresive në raport me gjuhët e minoriteteve, në përputhje me prirjet e politikës gjuhësore të BE-së.

FJALËT KYÇE: planifikim i gjuhës, status i gjuhës, gjuha shqipe, gjuha serbe, gjuha angleze, gjuha turke, politike gjuhësore, ideologji, funksione dhe domene të gjuhës.

SFONDI

Planifikimi i statusit të gjuhëve si veprimtari sociolinguistike është një aktivitet i kompleks, që ka për qëllim përcaktimin e përdorimit gjuhësor dhe rregullimin e raporteve midis gjuhëve, në një bashkësi shoqërore në të cilën fliten dy a më shumë gjuhë. Në bashkësitë shoqërore, në të cilat fliten dy a më shumë gjuhë, zakonisht një bashkësie etnike dhe gjuhësore, ka epërsi ndaj grupit a grupeve të tjera etnike dhe gjuhësore që jetojnë në atë bashkësi shoqërore të përbashkët. Kjo epërsi shfaqet si rezultat i avantazheve politike, ekonomike dhe kulturore i një bashkësie ndaj bashkësive të tjera. Në procesin e planifikimin e statusit të gjuhëve reflektohen dendur këto raporte dhe qëndrime, por, gjithashtu, rregullohen, deri në një masë, edhe drejtimet e kontakteve gjuhësore. Autorja Sara G. Thomason thekson se kontaktet gjuhësore, të cilat kanë kompleksitet shoqëror dhe degëzime politike të jashtëzakonshme, mund të depërtojnë në të gjitha fushat e shoqërisë dhe të jetës njerëzore. Ato janë pjesë e zakonshme e jetës në pjesën më të madhe të botës, sepse shumica e vendeve të botës janë dygjuhëshe ose shumëgjuhëshe. Dygjuhësia dhe shumëgjuhësia ndeshen në të gjitha kontinentet e botës (Thomason, 2001).
Në proceset dhe aktivitete e planifikimit të gjuhëve reflektohen drejtpërdrejt politika gjuhësore dhe ideologjia e një shoqërie të caktuar. Në fakt, politikat gjuhësore, të cilat, sipas një klasifikimi mund të jenë të hapura apo të mbuluara (të fshehta), i përcaktojnë rrjedhat e planifikimit të statusit të gjuhëve. Në kuadër të aktiviteteve të planifikimit gjuhësore Heinz Klossi ka dalluar dy aspekte: planifikimin i korpusit, që ka të bëjë me përcaktimin e normave gjuhësore të përdorimit të gjuhës dhe planifikimin i statusit, që ka të bëjë me përcaktimin e statusit të gjuhëve në kuadër të një entiteti. Vlen të përmendet se tipologjia më e pranueshme për klasifikimin e statusit të gjuhës mund të konsiderohet ajo e Heinz Klossit dhe sipas këtij klasifikimi kemi gjashtë shkallë të statusit të gjuhës: 1) VZ (SO) - gjuhë e vetme zyrtare; 2) BZ (JO) - gjuhë zyrtare bashkë me një tjetër; 3) KZ (RO) - gjuhë zyrtare krahinore; 4) GjP (PL) - gjuhë e përkrahur d.m.th. gjuhë që nuk e ka statusin zyrtar, por që përdoret nga institucionet shtetërore e nga mjetet masive të informacionit; 5) GjL (TL) - gjuhë që lejohet d.m.th. pranohet se ekziston, as përkrahet as ndalohet por zyrtarisht nuk përfillet dhe 6) GjN (DL) - gjuhë që në njëfarë mënyre pengohet a ndalohet edhe përndiqet në shkallë e mënyra të ndryshme (cit. sipas Kostallari, 1984: 47).
Në bashkësitë shumëgjuhëshe, për shkak të ndikimit të faktorëve jashtëgjuhësore dhe për shkak të epërsive politike, ekonomike e kulturore të bashkësive folëse të caktuara ndaj bashkësive të tjera folëse të atij entiteti, krijohen qëndrime e raporte sociologjikisht dhe ideologjikisht të motivueshme midis folësve të gjuhëve të ndryshme. Përcaktimi i statusit të gjuhëve ka për qëllim që t’i rregullojë këto raporte e qëndrime dhe të përcaktojë juridikisht përdorimin e gjuhëve të ndryshme në funksione e domene të ndryshme. William Mackey thekson se prestigji i një gjuhe varet nga të dhënat dhe dokumentet e saj, ose nga ajo se si mendojnë njerëzit se çfarë kanë qenë të dhënat dhe dokumentet për atë gjuhë. Funksioni i gjuhës është ai se çfarë realisht njerëzit bëjnë me të, ndërsa statusi i një gjuhe varet ajo se çfarë njerëzit mund të bëjnë me të, me potencialin e saj. Statusi, pra, është shuma e përgjithshme e asaj që mund të bëhet me një gjuhë – nga aspekti ligjor, kulturor, ekonomik, politik dhe, natyrisht, demografik. Sipas tij, statusi dhe funksioni janë të lidhur me konceptin më periferik siç është prestigji, i cili në masë të madhe mund të jetë simbolik, duke përfaqësuar formën klasike (ose të lartë) të një gjuhe, të cilën e respektojnë të gjithë, por e përdorin pak (Mackey, 1989: 4). Më tutje, Mackey përcakton disa aspekte të statusit të gjuhëve, siç janë dimensioni demografik, gjeografik, kulturor, ekonomik dhe juridik. Përcaktimi i statusit varet shumë edhe nga funksionet e përdorimit që i jepen një gjuhe të caktuar, prandaj statusi i një gjuhe mund të modifikohet duke i ndryshuar funksionet e saj. Çdo strategji e statusit të gjuhës duhet të varet nga vëzhgimi, i cili mund të shpalosë dallimin midis statusit (de jure) dhe funksioneve korresponduese (de facto) (f. 4). Më tej, Mackey thekson se gjuhët e njohura zyrtarisht mund të gëzojnë shkallë të ndryshme të statusit. Së pari, një gjuhë mund të ketë status zyrtar bashkë me një gjuhë tjetër. Së dyti, disa shtete shumëkombëshe u japin disa gjuhëve përbërëse vetëm status bashkëzyrtar regjional. Së treti, disa shtete mund të tolerojnë vetëm një numër të kufizuar të gjuhëve përbërëse. Së fundi, gjuha mund të ndalohet zyrtarisht (f. 6). Sa i përket tipareve të statusit të gjuhës, ky autor dallon statusin linguistik, statusin demografik, i cili është mjaft me rëndësi, pasi që ka të bëjë me numrin e përdoruesve, statusin kulturor dhe statusi ligjor, me ç’rast brenda secilit shtet, statusi gjuhësor është relevant vetëm brenda fushave të juridiksionit. Format e juridiksionit mund të jenë të ndryshme. Mund të ketë juridiksion territorial, siç është rasti i Zvicrës, ku juridiksioni gjuhësore përcaktohet sipas kantoneve. Mund të ketë fusha të juridiksionit që i përfshijnë edhe gjuhët joshtetërore. Tipat e kësaj nënndarje janë: 1) gjuha tjetër mund të trajtohet si kuazi zyrtare brenda hapësirës së saj të përdorimit, siç është rasti me gjermanishten në zonat gjermanishtfolësve të Belgjikës; 2) gjuha mund të jetë de facto bashkëzyrtare, siç ka qenë gjermanishtja në Alto Adixhe; 3) gjuha mund të ketë status të kufizuar brenda hapësirës së përdorimit të saj, siç e ka gjermanishtja në zonat gjermane në Danimarkë; 4) gjuha mund të jetë bashkëzyrtare në parim, siç është rasti me sllovenishten në zonën e Friuliane të Venecisë në Itali; 5) gjuha mund të ketë status të referuar, siç e ka franko-provansishtja në Aoste, ku të drejtat gjuhësore të akorduara i janë referuar frëngjishtes; 6) përdorimi i gjuhës mund të tolerohet në zonat ku përdoret si gjuhë e komunitetit, siç është rasti me greqishten dhe shqipen në Itali. Ka edhe gjuhë që fitojnë status ekstra territorial, siç është rasti me anglishten për shkak të funksioneve të saja kulturore, posaçërisht si gjuhë e shkencës dhe teknologjisë, por edhe politikës.(Mackey, ibid. f. 9-13).
Më tutje, sipas Mackey, statusi i gjuhës është i lidhur ngushtë me funksionet që i merr gjuha. Vetëm përcaktimi i statusit nuk është i mjaftueshëm, nëse nuk lidhet me shtrirjen e funksioneve dhe domeneve të saj. Sa më e madhe të jetë rëndësia e funksioneve të gjuhës, aq më i madh do të jetë zhvillimi i statusit të asaj gjuhe. Rritja e statusit të një gjuhe bëhet duke i rritur tipat dhe funksionet e gjuhës. Në këtë kuadër, shteti mund të përpiqet ta ndryshojë statusin e një gjuhe përmes promovimit apo kohezionit, apo përmes të dyjave. Duke e definuar numrin dhe distribuimin e funksioneve gjuhësore brenda juridiksionit të shtetit dhe niveleve të përdorimit në institucionet e tij, shteti mund të ndikojë në përdorimin e një gjuhe zyrtare, me kusht që të ketë kompetencë të mjaftueshme dhe të mos ketë dikotomi diglosike të përhershme. Shteti mund ta bëjë këtë me disa mjete administrative, të cilat i ka në dispozicion, siç janë: promovimi i personelit sipas gjuhës, publikimet dhe ndihma për publikime, përdorimi i medieve, përkthimi dhe interpretimi, njoftimet publike dhe dokumentet publike, promovimi shoqëror dhe organizimet shoqërore (konferencat, festivale publike, organizatat sipas gjuhëve etj.). Sa më i lartë të jetë statusi i gjuhës, aq më tepër funksione do të marrë ajo gjuhë, ndërsa rritja e statusit përmes shumëfishimit të funksioneve, pra vetë përdorimi i gjuhës, mund ta rrisë statusin e gjuhës. Sa më tepër të ketë status gjuha, aq më tepër funksione do të marrë, dhe nëse një gjuhë ka status gjuhësor dhe kulturor, është më lehtë t’i jepet status ligjor dhe administrativ (f. 16-17).
Nga e tëra që u tha më lart, Mackey vëren me të drejtë lidhshmërinë e ngushtë midis statusit të gjuhës dhe funksioneve e domeneve të saja të përdorimit. Vetëm përcaktimi i statusit nuk është i mjaftueshëm, nëse gjuha nuk kryen funksionet e caktuara dhe nëse nuk gjen përdorim në domene e situata formale, krahas atyre joformale.
Duke përmbyllur këtë paraqitje teorike, të shtojmë se planifikimi i statusit dhe funksioneve të gjuhëve është hapësira e vetme manovruese dhe balancuese për t’i rregulluar raportet midis gjuhëve. Për shkak të ndikimit të fuqishëm të faktorëve jashtëgjuhësore, ky proces paraqitet mjaft sensitiv dhe në rast se nuk është në përputhje me aspiratat gjuhësore të bashkësive të ndryshme, mund të jetë burim i kundërthënieve dhe konflikteve.

1. RRJEDHAT E PLANIFIKIMIT TË STATUSIT TË SHQIPES NË KOSOVË 1974-1999

Në vazhdim të këtij punimi do të përqendrohemi në përpjekjet që janë bërë në Kosovë, në fushën e planifikimit të statusit të gjuhëve, por, njëkohësisht, do të kemi parasysh, për krahasim, edhe raportet e shqipes me gjuhët zyrtare që fliten në shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor, në të cilat jetojnë shqiptarët.
Procesi i planifikimit të gjuhës shqipe, edhe i planifikimit të korpusit, edhe i planifikimit të statusit, është një shembull ilustrues që hedh në dritë ndikimin e fuqishëm të rrethanave politike-ekonomike dhe kulturore në proceset e planifikimit të gjuhës dhe të politikës gjuhësore. Njëkohësisht, ky proces është tregues më i mirë se si ndryshimi i rrethanave politike-juridike dhe i bazës ideologjike reflektohet në ndryshimet e ideologjisë gjuhësore, në ndryshimin e qasjeve ndaj planifikimit gjuhësor dhe politikës gjuhësore dhe në ndryshimin e vetë statusit të gjuhës (Munishi, 2009).
Përpjekjet për përcaktimin e statusit të gjuhëve në Kosovë janë përputhur me përpjekjet për planifikimin e korpusit, i cili, ndonëse e kishte zanafillën në fillim të viteve ’50 të shekullit XX, hovin më të madh e mori në vitet 1968-1972 me Konsultën Gjuhësore të Prishtinës (1968) dhe Kongresin e Drejtshkrimit (1972), ngjarje këto që çuan në formimin e shqipes standarde. Planifikimi i statusit të gjuhëve në Kosovë në vitet ’70 të shek. XX ishte përcaktuar me Kushtetutën e atëhershme të KSA të Kosovës. Në atë kushtetutë statusi i barabartë zyrtar ishte përcaktuar për shqipen, serbokroatishten dhe turqishten (Ismajli, 1991 dhe Munishi, 2006). Përkundër garantimit të barazisë gjuhësore me kushtetutën e atëhershme, në atë periudhë në Kosovë, shqipja ishte në pozitë më inferiore në raport me serbokroatishten e atëhershme, pasi që kjo e fundit ishte praktikisht lingua franca e ish-Jugosllavisë (Ismajli, 1989 dhe 1991). Ndërkaq, përcaktimi i statusit zyrtar për turqishten kishte më shumë karakter simbolik, sepse për shkak të numrit jo të madh të popullatës, përcaktimi i funksioneve të saj ishte më i limituar.
Ky përcaktim i statusit të gjuhëve në Kosovë ka zgjatur deri më 1989, kur Serbia suprimoi me dhunë autonominë e Kosovës. Veprimet e autoriteteve serbe u reflektuan drejtpërdrejtë edhe në qëndrimet ndaj gjuhës shqipe. Pas ndërhyrjeve të dhunshme të pushtetit serb, në Kosovë u vendos një gjendje tipike e aparteidit midis qytetarëve shqiptarë dhe serbë e, rrjedhimisht, edhe midis gjuhëve, kulturave e besimeve të tyre. Natyrisht, shqiptarët ishin ata që ishin në anën tjetër të ligjit dhe ndiqeshin për çdo gjë. Gjuha shqipe, praktikisht, u bë gjuhë e ndaluar dhe përdorimi i saj u kufizua vetëm në domenet e familjes, në rrethet shoqëror që përbëheshin prej shqiptarëve, në ato punë me të cilat merreshin shqiptarët nën okupimin serb dhe në ato pak media që kishin mbetur në gjuhën shqipe. Shqipja përdorej edhe në institucionet paralele të krijuara si mekanizma për t’i rezistuar pushtetit serb, si dhe në arsimin paralel në Kosovë. Shqipja, praktikisht, ishte bërë gjuhë e ndaluar, ndërkaq folësit e saj ndiqeshin dhe shpesh persekutoheshin për përdorimin e saj në situata e në ndërkomunikim me folësit e serbishtes. Mund të ndodhte shumë lehtë që nëse një shqiptar, i cili ndalohej nga policia serbe, të rrihej e të keqtrajtohej nëse fliste shqip gjatë komunikimit me ta. Të mos flasim që shqipja më as që mund të përdorej në gjykata e në institucione të tjera shtetërore prej nga ishin përndjekur shqiptarët. Në një situatë të tillë, statusi i shqipes u degradua deri në pikën më të ulët.
Në këtë kuadër, kur po flasim për degradimin e statusit të shqipes në fillim të viteve të nëntëdhjeta, duam të përmendim që në përpjekjet e shqiptarëve për ta avancuar statusin politik të Kosovës, është menduar edhe për avancimin e statusit të shqipes, për t’iu përshtatur më tepër realitetit gjuhësor në Kosovë. Kështu, në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të quajtur Kushtetuta e Kaçanikut, shqipja shpallej si gjuhë kryesore zyrtare, ndërsa serbishtja dhe turqishtja parashihej të përdoreshin në ato pjesë të Kosovës në të cilat jetojnë pjesëtarët e këtyre pakicave (Munishi, 2006; Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Akte të Kuvendit të Republikës së Kosovës, 2005).
Për fat të keq, nuk kemi ndonjë raport apo studim më të thellë për situatën gjuhësore në Kosovë gjatë viteve ’90, i cili do ta pasqyronte në mënyrë më reale situatën dhe statusin e shqipes në ato rrethana tepër të tmerrshme. Një situatë e tillë për shqipen dhe për shqiptarët zgjati deri më 12 qershor të vitit 1999, kur përfundimisht okupatori serb u detyrua të largohej nga Kosova dhe kur në Kosovës u vendosën trupat e NATO-s dhe të Misionit të Administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

2. PLANIFIKIMI I STATUSIT TË GJUHËVE NË KOSOVË 1999-2009

Fundi i Luftës së Ftohët dhe rënia e sistemeve totalitare në Evropën Lindore pati ndikim të fuqishëm në proceset politike dhe ekonomike. Sistemet totalitare të ndërtuara mbi ideologjinë marksiste-leniniste u zëvendësuan me sisteme pluraliste demokratike të bazuara në ideologjinë liberale perëndimore. Nëpër të njëjtin proces kaluan edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, hapësira këto në të cilat jetojnë shqiptarët. Në Shqipëri, sistemi totalitar u rrënua më 1991, ndërsa shqiptarët që jetonin në ish-Jugosllavinë (në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi) ishin dëshmitarë jo vetëm të ndryshimit të sistemit politik-juridik, por edhe të shpërbërjes së dhunshme të shtetit federativ jugosllav (RSFJ), që ishte pasojë e përpjekjeve hegjemoniste serbe për të vendosur dominimin ndaj entiteteve të tjera të ish-Jugosllavisë. Të gjitha këto procese ndikuan edhe në rrjedhat gjuhësore në këto hapësira. Dikur gjuha e përbashkët serbo-kroate u shpërbë në gjuhët përkatëse me lidhje etnike dhe shtetërore (serbishte, kroatishte, boshnjakishte dhe së fundi malazezishte). Vlen të theksohet se si rezultat i konflikteve të dhunshme politike në ish-Jugosllavi, edhe në Kosovë u manifestua shpërbërja e gjuhësore e dikur gjuhës së përbashkët të popujve sllavojugorë (serbëve, kroatëve, boshnjakëve, malazezëve) e serbokroatishtes, apo kroatoserbishtes. Krijimi i shteteve të reja në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe, rrjedhimisht, edhe i gjuhëve të reja, bëri që shqipja të ndërtojë raporte të reja jo më me një gjuhë të përbashkët të popujve sllavojugorë, por me gjuhë të veçanta.
Kur kemi parasysh statusin e gjuhës shqipe pas rënies së sistemeve totalitare, duhet theksuar se në Shqipëri ndryshimi i sistemit politik-juridik dhe ekonomik të fillimviteve ’90, nuk kishte ndikuar në statusin, funksionet dhe domenet e shqipes dhe ajo vazhdon ta ketë po atë status që Androkli Kostallari e kishte përcaktuar duke u bazuar në tipologjinë e Kloss-it, të cilën e përmendëm më lart. Ndërkaq, në Kosovë, si pasojë e dhunës së Serbisë ndaj shqiptarëve, shqipja kishin pësuar zhvillime regresive në krahasim me përshkrimin e statusit që e kishte bërë Rexhep Ismajli. Në Maqedoni dhe në Mal të Zi, statusi, funksionet dhe domenet e shqipes gjatë viteve ’90 kishin mbetur po ato që i kishte përshkruar Ismajli (Ismajli, 1991). Pas viti 2001, në Maqedoni, me ndryshimet e Kushtetutës së Maqedonisë u përcaktua se “çdo gjuhë që flitet nga më shumë se 20% e popullsisë është gjithashtu gjuhë zyrtare”[1]. Me këtë zgjidhje, ndonëse nuk përmendet me emër, gjuha shqipe fitoi statusin e gjuhës pothuajse zyrtare në Maqedoni, por funksionet dhe domenet e përdorimit të plotë të saj si gjuhë zyrtare mbeten ende të kufizuara. Edhe në Kushtetutën e Malit të Zi të pavarur u përcaktua që në komunat në të cilat jeton një numër substancial i bashkësive etnike, gjuha e tyre do të jetë në përdorim zyrtar (neni 9)[2].
Pas përfundimit të luftës, në Kosovë u vendos misioni i OKB-së (UNMIK). Ky mision, bashkë me Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës (IPV), ishin përgjegjës për administrimin e Kosovës deri më 17 shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës. Pas këtyre zhvillimeve edhe statusi i shqipes u avancua sërish dhe në të njëjtën kohë u zhduk edhe rreziku i dukurive glotofagjike që kanë mundur të nxjerrin krye nën okupimin serb. Por, ky realitet i ri e vuri shqipen përballë një ballafaqimi dhe bashkekzistence jo më vetëm me gjuhët regjionale, siç ishte serbishtja, por me një gjuhë që sot u prin proceseve globalizuese botërore, siç është anglishtja. Fakti që misionet ndërkombëtare në Kosovë si ‘gjuhë misioni’ e kanë anglishten, ka bërë që shqipja detyrimisht të vijë në kontakt me këtë gjuhë, jo vetëm në instancat e ndërveprimeve dhe ndërkomunikimeve zyrtare, por edhe në rrethe joformale e familjare.
Çështja e statusit të gjuhëve që përdoren në Kosovë u përcaktua edhe me dokumente ligjore (rregulloret e UNMIK-ut dhe ligjet e Kosovës) dhe në nivelin qendror, si gjuhë zyrtare u përcaktuan shqipja, serbishtja dhe anglishtja, me caveat-in që, në rast të konfliktit dhe mosërputhjes, versioni dominues është ai në gjuhën angleze. Me fjalë të tjera, statusi ekstra territorial i anglishtes u përcaktua ligjërisht si status zyrtar brenda kornizës ligjore të Kosovës. Ky ishte përcaktimi që u bë në Kornizën Kushtetuese (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/9, 15.5.2001)[3]. Sa i përket përdorimit të gjuhëve në nivelin komunal, në Rregulloren e UNMIK-ut Mbi Vetëqeverisjen e Komunave nr. 2000/45, 11.8.2000 në komuna u garantua përdorimi i gjuhëve të bashkësive etnike[4]. Është me rëndësi të theksohet se, sa i përket rregullimit të statusit të gjuhëve, edhe në nivelin qendror, edhe në nivelin komunal, është marrë parasysh edhe Karta Evropiane për Gjuhët Regjionale ose të Minoriteteve[5] Pra, për përcaktimin e statusit të gjuhëve në Kosovë janë marrë për bazë standardet, të cilat promovohen dhe propagohen edhe në Bashkimin Evropian.
Mbi këto qëndrime dhe përcaktime Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve 2006/02 – L37[6]. Edhe ky ligj bazohet jo vetëm në Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale ose Minoritare, por merr parasysh edhe Rekomandimet e Hagës lidhur me të drejtat e shkollimit të pakicave kombëtare dhe Rekomandimet e Oslos lidhur me të drejtat gjuhësore të pakicave kombëtare. Ky ligj përcakton statusin e barabartë të gjuhës shqipe dhe të gjuhës serbe, si gjuhë zyrtare të Kosovës (neni 1, pika ii), të drejtën e të gjitha komuniteteve të Kosovës për të ruajtur, mbrojtur dhe promovuar identitetin e tyre gjuhësor (neni 1, pika iii) dhe karakterin shumë gjuhësor të shoqërisë kosovare, që paraqet vlerat e saj unike shpirtërore, intelektuale, historike dhe kulturore (neni 1, pika iv). Në komunat në të cilat banojnë bashkësitë e ndryshme etnike, që përbëjnë së paku 5% të popullsisë së asaj komune, gjuha e asaj bashkësie ka statusin e gjuhës zyrtare në atë komunë dhe në veçanti në komunën e Prizrenit, gjuha turke e ka statusin zyrtar (neni 2, pika 2.3). Po ashtu, në komunat ku jeton një bashkësi, gjuha amtare e së cilës përfaqëson më shumë se 3% të popullatës së përgjithshme të komunës, gjuha e asaj bashkësie do të ketë statusin e gjuhës në përdorim zyrtar në atë komunë (neni 2, pika 2.4).
Duke i përmbledhur këto përkufizime, mund të thuhet se ky ligj jo vetëm që përcakton statusin e gjuhëve në Kosovë sipas standardeve më të avancuara të BE-së, por gjithashtu përcakton orientimisht edhe funksionet dhe domenet e përdorimit të tyre. Është çështje tjetër sesa arrijnë bashkësitë gjuhësore, sidomos ato minoritare, t’i realizojnë të drejtat e tyre gjuhësore në praktikë. Për ta zbatuar këtë ligj, Qeveria e Kosovës ka themeluar komisionin e gjuhëve, i cili ka për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.
Së fundi, të përmendim që edhe në Kushtetutën e Kosovës[7], e cila bazohet në rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, si gjuhë zyrtare përcaktohen shqipja dhe serbishtja (neni 5, pika 1), ndërsa gjuha turke, boshnjake dhe ajo rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligj (neni 5, pika 2). Është me rëndësi të përmendet se në Kosovë përdoret edhe arabishtja e Kuranit, e cila përdoret në domene kryesisht të kufizuara, siç janë shërbesat fetare myslimane, por ndikimi i saj historik ka lënë gjurmë në gjuhën shqipe përmes huazimeve.
Po ta caktojmë statusin e shqipes dhe serbishtes qoftë sipas tipologjisë së Klossit, qoftë sipas asaj të Mackeyit, që u përmendën më lart, dhe po ta krahasojmë më statusin që kishin pasur shqipja dhe serbishtja gjatë periudhës së viteve të autonomisë së Kosovës në ish-RSFJ, mund të përfundojmë se shqipja dhe serbishtja vazhdojnë të ketë status bashkëzyrtar në Kosovë, ndërsa gjuhët e tjera e kanë statusin e gjuhëve zyrtare regjionale (komunale).
Përdorimi dhe barazia e gjuhëve të bashkësive etnike në Kosovë i ka problemet e veta, kryesisht të natyrës praktike, sidomos financiare. Disa prej këtyre problemeve janë paraqitur në “Raportin për përdorimin e gjuhëve minoritare në komunat e Kosovës”, raport ky që është hartuar nga departamenti për demokratizim dhe sundim të ligjit i misionit të OSBE-së në Kosovë (Munishi, 2009).
Raportet dhe qëndrimet reciproke, si dhe çështja e planifikimit të gjuhëve në Kosovë, janë të lidhura ngushtë me rrethanat historike-politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova në këto 20 vitet e fundit. Këto rrethana kanë ndikuar sidomos në raportet midis dy gjuhëve zyrtare, shqipes dhe serbishtes, por edhe me gjuhët e bashkësive të tjera që fliten në Kosovë. Gjatë periudhës kur Kosova ishte pjesë e ish-Jugosllavisë dhe nën okupimin e Serbisë, serbishtja si lingua franca e atëhershme kishte më shumë prestigj dhe epërsi ndaj shqipes në shumicën e funksioneve dhe domeneve formale. Si rrjedhojë, folësit e serbishtes ishin më të privilegjuar. Por, përfundimi i luftës në Kosovë, përveç që rezultoi me pavarësinë e Kosovës, pati ndikim edhe në fushën e gjuhëve. Duke qenë se shqiptarët përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë së Kosovës, ata e kanë fjalën kryesore në institucionet e Kosovës dhe duke qenë shumicë kanë mundësi ta favorizojnë gjuhën e tyre (Munishi, 2009). Në anën tjetër, si pasojë e luftës, marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve janë ftohur në masë të madhe dhe kjo ka çuar pothuaj në ndarjen fizike të tyre. Sot, serbët jetojnë kryesisht në disa qytete e fshatra të Kosovës në bashkësi kompakte, të cilat janë të ndara jo vetëm nga popullsia shqiptare, por edhe nga bashkësitë e tjera etnike. Kontaktet e përditshme, sidomos ato joformale, midis shqiptarëve dhe serbëve janë reduktuar në masë të madhe dhe kjo është reflektuar edhe në komunikimin gjuhësor reciprok. Nëse dikur shqiptarët dhe serbët në Kosovë përbënin bashkësi komunikuese, sot shqiptarët dhe serbët janë bashkësi pothuajse të ndara gjuhësore. Institucionet e Kosovës janë duke bërë përpjekje që t’i integrojnë pakicat në Kosovë dhe mund të ndodhë që kjo situatë të ndryshohet në një të ardhme të afërt. Megjithatë, ndarja fizike ka bërë që brezat e rinj të mos jenë në gjendje ta mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit. Derisa shqiptarët më nuk janë të detyruar ta mësojnë serbishten, pasi që prestigji i saj që e kishte dikur është zhdukur, serbët ende kanë paragjykime negative ndaj gjuhës shqipe dhe ende nuk janë në gjendje ta pranojnë faktin se pas luftës në Kosovë rrethanat dhe raportet shoqërore kanë ndryshuar. Edhe pse për shkak të epërsisë që kishte dikur serbishtja shqiptarët e Kosovës, brezat e mesëm dhe të vjetër, në masë të madhe ishin bilingë, sot ata hezitojnë të flasin serbisht në rastet kur duhet të komunikojnë me serbët. Në anën tjetër, edhe brezat e mesëm dhe të vjetër të serbëve, duke jetuar në fqinjësi me shqiptarët e kuptojnë dhe e flasin shqipen, por hezitojnë ta flasin kur komunikojnë me shqiptarët, mbase për shkak të sedrës së tyre. Një tjetër zhvillim ka të bëjë me mësimin e gjuhëve dhe dy gjuhët zyrtare të Kosovës më nuk mësohen as në sistemin arsimor. Nxënësit shqiptarë në shkollat e tyre e mësojnë anglishten dhe jo më serbishten, ndërsa as nxënësit serbë nuk e mësojnë shqipen.
Të gjitha këto rrethana kanë ndikuar që ndonëse në Kosovë kemi bilinguizëm zyrtar të deklaruar dhe të vendosur në kushtetutë, megjithatë, në realitet, bilinguizimi është reduktuar vetëm në funksione e domene formale, por edhe në këto funksione epërsia e shqipes për shkak të kriterit demografik është domethënëse. Këto janë vetëm disa nga problemet më evidente të bilinguizmit zyrtar shqip/serbisht. Gjithashtu është me rëndësi të përmendet që fragmetarizimi i continuumit gjuhësor sllavojugor, si rezultat i konflikteve të dhunshme midis sllavëve të jugut në ish-RSFJ ka çuar në lindjen e gjuhëve të reja. Siç thekson Victor Friedman, një prej rezultateve të etnizimit të ish- dialekteve serbo-kroate është ai që dialektet ballkanike të ish-serbo-kroatishtes, që dikur quheshin serbishte në bazë të gjeografisë (të gjitha të folura në jug të Serbisë dhe në Kosovë) tani ka pretendime të quhen edhe kroatishte dhe boshnjakishte, por së fundi edhe malazezishte (crnogorski) (Friedman, 2007). Sot, përkundër faktit që këto të folme janë të kuptueshme reciprokisht, klasifikimi i tyre mbështete në lidhjen me përkatësinë etnike të folësve që i flasin ato të folme. Kjo ka bërë që institucionet e Kosovës ta respektojnë këtë realitet dhe t’i dallojnë këto të folme si gjuhë respektive (serbishte, boshnjakishte etj)
Sa i përket turqishtes, mund të thuhet se statusi i saj juridik është degraduar në krahasim me statusin që e kishte në kohën kur Kosova ishte krahinë autonome në kuadër të ish-RSFJ-së. Në kushtetutën e atëhershme turqishtja përcaktohej si gjuhë zyrtare, bashkë me shqipen dhe serbishten (Kushtetuta e KSA të Kosovës, 1974). Por, në dokumentet kushtetuese të pas vitit 1999, turqishtja nuk e ka më statusin e plotë zyrtar, sikurse që e kanë shqipja dhe serbishtja.
Siç u tha më lart, avancimi i statusit politik të Kosovës ka rezultuar edhe me avancimin i statusit të shqipes, por sa i përket politikës gjuhësore që duhet të ndiqet nga Institucionet e Kosovës, kjo nënkupton më tepër obligime për t’i respektuar dokumentet ndërkombëtare për lirinë e përdorimit dhe barazinë e gjuhëve të komuniteteve të ndryshme etnike, kërkesa këto që dalin nga Karta Evropiane për Gjuhët Regjionale ose të Minoriteteve të cilën e përmendëm më lart, ose nga dokumente të tjera ndërkombëtare siç është Deklarata Universale Mbi të Drejtat Gjuhësore e Barcelonës, e miratuar në qershor 1996, nga institucionet dhe organizatat joqeveritare nën mbështetjen e UNESCO-s. Këtu i kemi parasysh përgjegjësitë që bashkësia shqiptare në Kosovë, si bashkësi etnike e gjuhësore shumicë, duhet t’i marrë në raport me mbrojtjen e gjuhëve të minoriteteve dhe respektimin e këtyre të fundit.
Në përmbyllje të këtyre çështjeve që u diskutuan këtu, është me rëndësi të theksohet se në planifikimin e statusit të gjuhëve në Kosovë, politika gjuhësore që po ndiqet ndaj gjuhëve të bashkësive minoritare, është politikë progresive dhe në përputhje me trendët e politikës dhe ideologjisë gjuhësore të BE-së. Institucionet e Kosovës kanë gjetur kurajën që përkundër përvojës së keqe historike me Serbinë, gjuhës serbe t’i japin status zyrtar, si përpjekje për pajtim etnik. Kjo qasje nuk është refuzuar publikisht as nga shoqëria shqiptare në Kosovë. Ndonëse folësit e serbishtes në raport me folësit e shqipes janë pakicë absolute, megjithatë gjuha e tyre është gjuhë me status zyrtar. Sot, ndonëse flitet nga 5-7% e popullsisë së përgjithshme të Kosovës, serbishtja ka status më të favorshëm juridik, sesa shqipja në Maqedoni, e cila flitet nga më shumë se 25% e popullsisë së Maqedonisë. Edhe në raport me gjuhët e bashkësive të tjera etnike, qasja e institucioneve është në përputhje me dokumentet kryesore ndërkombëtare që përcaktojnë mbrojtjen e gjuhëve. Sot, në kuadër të popullit shumicë në Kosovë nuk hetohen prirje të hapura refuzuese dhe qëndrime negative ndaj gjuhëve të bashkësive minoritare. Ndikimi i standardeve dhe politikave të Bashkimit Evropian, përveç në fushat e tjera ekonomike e politike, ka ndikuar edhe në fushën e kulturës dhe gjuhëve. Shoqëria dhe institucionet e Kosovës kanë arritur që t’i përvetësojnë dhe t’i zbatojnë në kuadrin ligjor institucional të gjitha politikat progresive evropiane në fushën e planifikimit të statusit të gjuhëve. Ndonëse në këtë aspekt ka ende probleme për sa i përket zgjerimit të funksioneve dhe domeneve të përdorimit të gjuhëve minoritare, sidomos probleme financiare e praktike, megjithatë qëndrimi pozitiv dhe lejues që shoqëria shqiptare është duke e ndjekur ndaj gjuhëve të pakicave është për t’u vlerësuar.

PËRFUNDIME

Planifikimi i statusit të gjuhëve është aktivitet kompleks, i cili është trajtuar mjaft në studimet e shumta sociolinguistike, pasi që ka hedhur dritë në zgjidhjet problemore, që janë bërë në shoqëritë e ndryshme shumëgjuhëshe, në raportet dhe qëndrimet që janë krijuar midis gjuhëve, por edhe në kundërthëniet dhe konfliktet që janë shfaqur anekënd botës, si rezultat i planifikimit jo të drejtë të statusit të gjuhëve. Në rrafshin e planifikimit gjuhësor, në njërën anë, dhe respektimit të të drejtave gjuhësore të bashkësive etnike, në anën tjetër, përcaktimi i statusit të gjuhës, por edhe i funksioneve dhe domeneve të tyre, janë konsideruar si mjete kryesore për t’i realizuar objektivat e barazisë gjuhësore dhe respektimit të të drejtave individuale e të përbashkëta të grupeve etnike. Aktivitetet në fushën e planifikimit të statusit të gjuhëve kanë për qëllim përcaktimin e statusit për gjuhët e bashkësive shumicë, por edhe ruajtjen dhe garantimin, deri diku, e të drejtave gjuhësore të komuniteteve pakicë, kryesisht me qëllim të ruajtjes së diversitetit kulturor dhe gjuhësor.
Ruajtja dhe promovimi i diversitetit gjuhësor dhe kulturor në shtetet e Ballkanit Perëndimor është perceptuar si një prej standardeve që duhet të plotësohen në procesin e integrimit evropian. Në procesin e planifikimit të statusit të gjuhëve, shteti i Kosovës ka arritur që në dekadën e fundit (1999-2009) të ndërtojë një politikë gjuhësore të bazuar në premisat e ideologjisë dhe politikës gjuhësore të BE-së (Munishi, 2009). Zgjidhjet juridike që janë bërë në fushën e planifikimit të statusit të gjuhëve mund të cilësohen si zgjidhjet më të avancuara në rajon. Ndonëse ende ka probleme në lidhje me përhapjen e funksioneve dhe domeneve të përdorimit të gjuhëve që fliten në Kosovë, për arsye kryesisht financiare e praktike, qasja e institucioneve ndaj problemit statusit dhe të barazisë së gjuhëve mund të konsiderohet mjaft e avancuar në raport me politikat gjuhësore që ndiqen në shtetet e rajonit, duke përfshirë këtu edhe Greqinë, e cila është anëtare e BE-së. Nëse në shumë fusha të tjera Kosova ka ngecje në plotësimin e standardeve demokratike të Bashkimit Evropian, së paku në fushën e planifikimit të statusit të gjuhëve, por edhe të politikës gjuhësore, si dhe në qasjen ndaj barazisë gjuhësore ka arritur përparim në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.


LITERATURA

Freudenstein, Reinhold (1999). Bilingualism, language policy, and the Europena Union, Content made available by Georgetown University Press, Digital Georgetown, and the Department of Languages and Linguistics, në Internet: http://digital.georgetown.edu/gurt/1999/gurt_1999_26.pdf, qasja për hetë të fundit më 19 mars 2009.
Friedman, Victor A. (2007). Language Politics and Language Policies in the Contemporary Western Balkans: Infinitives, Turkisms and EUrolinguistics, EES Noon Discussion on April 18, 2007. The following is a summary of his presentation. Meeting Report 337, në Internet: www.wilsoncenter.org/topics/pubs/MR337Friedman.doc, qasja për herë të fundit 20 mars 2009.
Gal, Susan (2006) Migration, Minorities and Multilingualism: Language Ideologies in Europe, Language Ideologies, Policies and Practices, Edited, by Clair Mar-Molinero and Patrick Stevenson,First Published by Palgrave Macmillian, Houndmills, Basingstoke,
Ismajli, Rexhep (1989). Albanski jezik u Jugosllaviji, Zbornik - Kosovo - Srbija - Jugolavija, Ljubljana, Maj.
Ismajli, Rexhep (1991), Gjuhë dhe etni, Rilindja, Prishtinë.
Ismajli, Rexhep (1998). "Në gjuhë" dhe "për gjuhë", Dukagjini, Pejë.
Ismajli, Rexhep (2003). Standarde dhe identitete, Dukagjini, Pejë.
Kostallari Androkli (1984). Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë, Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë (Materiale të Konferencës shkencore të mbajtur në Tiranë më 7-8 dhjetor 1984), Tiranë 1988
Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Rilindja, Prishtinë, 1974.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës (2005), Akte të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ASHAK, Prishtinë.
Mackey, William F. (1989). Determining the Status and Function of Languages in Multinational Societies, Status and Function of Languages and Language Varieties, Walter de Gruyter, Berlin – New York.
Munishi, Shkumbin (2006). Gjuha standarde shqipe në Kosovë dhe drejtimet e zhvillimit të saj, disertacion i doktoratës, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë.
Munishi, Shkumbin (2009). Barazia e gjuhëve në Kosovë dhe perspektiva evropiane, kumtesë e lexuar në Kongresin e Parë Ballkanik (në botim), maj, Prishtinë, shih: www.linguasocio.blogspot.com
Thomason, Sara G. (2001). Language Contact – an introduction, Georgetown University Press.

[1] Shih në Internet: http://www.minelres.lv/NationalLegislation/Macedonia/Macedonia_Const2001_excerpts_English.htm, qasja për herë të fundit më 15 dhjetor 2009.
[2] Shih në Internet: http://www.mediaclub.cg.yu/Ustav/, qasja për herë të fundit më 24 mars 2009.
[3] Shih në Internet: http://www.unmikonline.org/regulations/2001/reg09-01.htm, qasja për herë të fundit më 15 dhjetor 2009.
[4] Shih në Internet: http://www.unmikonline.org/regulations/2000/re2000_45.htm, qasja për herë të fundit më 15 dhjetor 2009.
[5] Shih në Internet: http://conventions.coe.int/treaty/en/Treaties/Html/148.htm, qasja për herë të fundit më 15 dhjetor 2009.
[6] Shin në Internet: http://www.kuvendikosoves.org/, qasja për herë të fundit më 15 dhjetor 2009.
[7] Shih në Internet: http://www.assembly-kosova.org/common/docs/Kushtetuta_sh.pdf, qasja për here të fundit më 15 dhjetor 2009.

No comments: