Sunday, January 10, 2010

GJUHA STANDARDE SHQIPE DHE KONVERGJENCA E GJUHËS SË FOLUR

Shkumbin MUNISHI (Prishtinë)

PËRMBLEDHJE

Në këtë punim trajtohet çështja e konvergjencës gjuhësore të dialekteve të shqipes dhe ndikimi i gjuhës standarde në konvergjencën e varieteteve të folura të shqipes. Dialektet e shqipes në të kaluarën kanë pasur zhvillim divergjent, i cili ka rezultuar me krijimin e ndryshoreve gjuhësore brenda varieteteve të shqipes në të gjitha nivelet e gjuhës. Pas krijimit të shqipes standarde, gjuha standarde ka filluar të ndikojë deri diku në një konvergjencë gjuhësore brenda shqipes. Ndikimi i saj ka qenë më i fuqishëm në Shqipëri, pasi që atje imponimi i normës ka qenë më i fuqishëm. Ndërkaq, në Kosovë, shqipja e folur standarde ka depërtuar vetëm në domene e situata formale dhe në strukturën e saj shfaqen elemente të shqiptimit dhe disa elemente të nivelit morfo-sintaksor, të cilat mbase na bëjnë të flasim për dialektizim të standardit apo variant shqiptimor të shqipes së folur standarde në Kosovë. Përmirësimi i infrastrukturës dhe zhvillmi i medieve dhe teknologjisë informative janë duke ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e intensitetit të kontakteve midis folësve të shqipes në gjithë hapësirën shqiptare. Këto zhvillime, në të ardhmen, mund t’i ndihmojnë konvergjencës gjuhësore midis varieteteve të shqipes.

SFONDI

Ndryshimi gjuhësor është pjesë e pandashme e zhvillimit të një gjuhe dhe e dialekteve[1] të saja. Ky ndryshim ndodh qoftë për shkak të ndikimit të faktorëve jashtëgjuhësorë, qoftë për shkak të zhvillimeve të brendshme të varieteteve të asaj gjuhe. Këto zhvillime brenda varieteteve të gjuhës mund të ndjekin, ose rrugën e konvergjencës dialektore, ose të divergjencës. Konvergjenca dialektore nënkupton zhvillimin e ngjashëm të tipareve të caktuara gjuhësore të dialekteve të gjuhës, ndërsa divergjenca nënkupton largimin e tipareve të caktuara gjuhësore të dialekteve të një gjuhe. Ndërkaq, “procesi gjuhësor që nuk është përfunduar, në njëfarë kuptimi lë prapa variacionin gjuhësor, ose në kuptimin intrasistemor (si p.sh. ndryshimet tingullore leksikalisht difuze), ose variacionin midis varieteteve gjuhësore të afërta (p.sh. dialektet ose nivelet e stileve)” (Hinskens, Auer dhe Kerswill, 2005: 4).
Proceset e konvergjencës/divergjencës së dialekteve mund t’i prekin të gjitha sistemet e gjuhës. Konvergjenca mund të ndodhë në rrafshin fonologjik/fonetik përmes përafrimit dhe të shqiptimit rrafshimit të tingujve, ndërsa zhvillimet divergjente rezultojnë me diferencimin shqiptimor të tingujve dhe me krijimin e ndryshoreve fonetike. Poashtu, konvergjenca apo divergjenca e tipareve gjuhësore mund të ndodhë edhe në rrafshin morfosintaksor e, madje, edhe në diskurs. Prirjet konvergjente të tipareve gjuhësore mund ta përfshijnë kuadrin e tërë të një bashkësie. Sipas Cheshireit, Kerswillit dhe Williamsit, nëse tiparet fonologjike të markuara në aspektin shoqëror apo regjional janë duke u rrafshuar në një bashkësi, mund të presim që tiparet e tjera të markuara shoqërore apo regjionale të rrafshohen gjithashtu, ku ndoshta të njëjtit folës apo të njëjtat grupe shoqërore i nxitin të gjithë tipat e ndryshimit Autorët e lartpërmendur përfundojnë se dallimet fundamentale midis, në njërën anë, fonologjisë dhe, ndoshta, morfosintaksës, si dhe, në anën tjetër, sintaksës dhe diskursit, rezultojnë në disa paralele, përveç atyre sipërfaqësore, midis proceseve të variacionit dhe ndryshimit në këta komponentë të gjuhës (Cheshire, Kerswillit dhe Williamsit, 2005: 135).
Studimi i ndryshimeve gjuhësore dhe i procesit të konvergjencës/divergjencës është më i lehtë në rrafshin fonologjik/fonetik, më i vështirë në rrafshin morfo-sintaksor dhe më kompleks në rrafshin e diskursit. Një prej arsyeve për një gjë të tillë është e lidhur me faktin se frekuenca e okurrencës së tipareve fonologjike është më e dendur se e atyre morfo-sintaksore dhe si rrjedhojë tiparet fonologjike janë më lehtë të kapshme në intervistat sociolinguistike. Ndërkaq, variacioni morfologjik dhe, sidomos ai sintaksor, ka një frekuencë të okurrencës më të vogël, dhe për pasojë është më vështirë të matet. Edhe niveli i diskursit kërkon analizë më komplekse dhe më të thellë, pasi që elementet e diskursit do të duhej të shqyrtoheshin në kontekstin interaksional në të cilin gjenden ato (Cheshire, Kerswillit dhe Williamsit, 2005: 138-142).
Faktorët që ndikojnë në ndryshimet dialektore dhe, rrjedhimisht, në proceset e konvergjencës a divergjencës dialektore janë të shumtë. Proceset e konvergjencës ose divergjencës dialektore ndodhin edhe në rrafshin afatshkurtër kohor, edhe në rrafshin afatgjatë. Këto procese janë rezultat i kontakteve dialektore. Denduria e shkëmbimeve dialektore çon në konvergjencë të dialekteve, e cila shfaqet ose përmes rrafshimit dialektor, ose përmes koineizimit të varieteteve, pra të përzierjes së tipareve të caktuara gjuhësore dhe krijimit të formave të përbashkëta. Koineizimi është rezultat i konvergjencës dialektore dhe është proces që ndodh gradualisht, përgjatë një periudhe të caktuar kohore (Hinskens, Auer dhe Kerswill, vep. e cit. 11-12).
Një element shumë i rëndësishëm që ndikon në procesin e konvergjencës ose divergjencës dialektore është izolimi dhe kontakti i bashkësive gjuhësore. Izolimi mund të çojë në dukuri të divergjencës dialektore, e cila mund të bëjë që dialektet e izoluara t’i ruajnë tiparet arkaike. Nëse një bashkësi gjuhësore mbetet e izoluar për një periudhë më të gjatë kohore, kjo mund të bëjë që dialektet të largohen aq shumë nga njëri-tjetri dhe të bëhen të pakuptueshme reciprokisht. Në anën tjetër, rritja e kontakteve midis bashkësive gjuhësore mund ta nxitë konvergjencën dialektore. Intensifikimi i kontakteve midis bashkësive gjuhësore ka ecur paralelisht me zhvillimet industriale dhe teknologjike. Tranzicioni nga shoqëria agrare te shoqëria industriale gjatë shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX ka nxitur ndryshime kulturore, të cilat në mënyrë indirekte dhe graduale kanë ndikuar në pozicionimin e dialekteve. Midis këtyre ndryshimeve kulturore, që kanë ndikuar edhe në zhvillimet gjuhësore, janë arsimimi në rritje i popullatës dhe përmirësimi i mjeteve të transportit që kanë ndikuar në afrimin e njerëzve dhe në rritjen lëvizshmërisë. Kjo ka sjellë rritjen graduale të horizontit shoqëror nga ‘gemeinschaft’ (bashkësia) në gesellschaft (shoqëria), siç e ka pagëzuar këtë zhvillim sociologu gjerman i shekullit XIX Tönnies (1887) (Hinskens, Auer dhe Kerswill, po aty, f.23-24). Në këtë kontekst, kur po flasim për rolin e faktorëve shoqërorë dhe ndikimin e tyre në gjuhë, duhet pasur parasysh edhe rolin që luajnë qendrat urbane në difuzionin e dukurive dialektore (Taeldeman, 2005)
Në anën tjetër, zhvillimet politike gjithashtu kanë luajtur rol edhe në proceset gjuhësore. Sipas Curt Woolhiser, “me ngritjen e shtetit kombëtar në shekullin XIX, e shoqëruar në shekullin XX me lindjen e komunikimit modern, rrjeteve të përmirësuara të transportit, lëvizjen më të madhe gjeografike dhe shoqërore të popullatës dhe arsimimin universal, kufijtë politikë janë bërë faktor shumë më i fuqishëm në divergjencën dhe konvergjencën dialektore. Në shumë pjesë të botës së zhvilluar dhe, posaçërisht, në kontinentin evropian, zonat dialektore apo continuumet dialektore që janë të ndara me kufij ndërkombëtarë, në shumicën e rasteve kanë filluar të shfaqin shenja të divergjencës, qoftë si pasojë e dallimeve ndërkufitare në shkallën e rrafshimit ndërdialektor apo të mbajtjes dialektore, qoftë si rezultat i konvergjencës drejt gjuhëve të ndryshme standarde të mbivendosura” (Woolhiser, 2005: 236). Më tutje, sipas po këtij autori, ajo që ka rëndësi sociolinguistike për kufijtë politikë është gjerësia e shtrirjes deri ku ata paraqesin diskontinuitet në tiparet intra apo ndërdialektore, mënyrat se si kufijtë ndihmojnë në krijimin dhe ruajtjen e hierarkisë gjuhësore dhe tipareve diglosike përbrenda një zone gjeografike të definuar qartazi, dhe si reflektohen ata në qëndrimet gjuhësore dhe ideologjitë gjuhësore, të cilat i ndajnë apo i bashkojnë folësit e dialekteve në të dyja anët e kufirit (Woolhiser, po aty, f. 237).
Një rol të rëndësishëm në procesin e konvergjencës/divergjencës dialektore luan edhe gjuha standarde dhe raportet që i krijon ajo me varietetet e tjera dialektore që fliten në kuadër të bashkësisë gjuhësore. Konvergjenca midis dialekteve të ndryshme mund të motivohet dhe nga përpjekja e vazhdueshme e folësve për t’ju afruar gjuhës standarde me prestigj. Rrafshimi i formave të ndryshme dialektore mund të zhvillohet nën trysninë e formave gjuhësore të gjuhës standarde. Sipas autorit italian Gaetano Berruto (2005), konvergjenca gjuhësore është një proces specifik dhe që ndodh relativisht rrallë midis manifestimeve të ndryshme të ndikimit të një varieteti gjuhësor ndaj varietetit tjetër. Në kuptimi më të gjerë, termi (konvergjencë gjuhësore – sh.m.) u referohet të gjitha instancave të reduktimit të distancës strukturore midis sistemeve gjuhësore përmes kontaktit. Dallimi kualitativ midis dy koncepteve nuk është në asnjë mënyrë i papërfillshëm dhe ndërlidhet edhe me fenomenin strukturor, edhe me sfondin shoqëror dhe gjuhësor në kuptim të repertorit të bashkësisë. Konvergjenca bilaterale presupozon një barazi substanciale të statusit sociolinguistik dhe vlerën e prestigjit të varieteteve, ndërsa konvergjenca unilaterale presupozon një status social josimetrik dhe dallim të prestigjit. Parimisht, e para i prek të gjitha nivelet e sistemit gjuhësor, posaçërisht morfologjinë dhe sintaksën, ndërsa e dyta, në radhë të parë, shfaqet në ndryshimet leksikore dhe fonetike. Prandaj, ka arsye të mjaftueshme për ta bërë dallimin midis tyre. Për konvergjencën unitalerale Mattheier (1996: 34, cit. sipas Berruto) ka propozura termin advergjencë (Berruto, 2005: 82). Në zhvillimet brenda italishtes. Berruto ka identifikuar këto dukuri: 1) dialektizmin e italishtes; 2) italianizmin e dialekteve; 3) koineizimin dhe 4) hibridizimin. Dukuria e dialektizmit të gjuhës kombëtare nënkupton ndikimin e dialekteve ndaj gjuhës kombëtare, e cila çon në krijimin e varieteteve e varianteve të markuara me tipare dialektore. Fenomeni tjetër përqasës është italianizmi i dialekteve që nënkupton formimin e varieteteve të markuara me tipare të italishtes standarde. Më tutje, koineizimi i dialekteve ka të bëjë me krijimin e varieteteve regjionale dhe nën-regjionale. Këto varietete krijohen në qytetet kryesore të regjionit, si rezultat i rrafshimeve dialektore, duke mënjanuar tiparet dialektore më të markuara në aspektin sociolinguistik dhe më të stigmatizuara dhe këto varietete janë pjesërisht të italianizuara, që do të thotë se nuk mund të bëhet dallim i qartë midis koineizimit dhe italianizmit. Së fundi, dukuria e hibridizimit nënkupton krijimin e formave hibride leksikore, të cilat ndërtohen nga materialet sipërfaqësore të gjuhës dhe rregullave morfologjike të dy sistemeve që d.m.th. morfemë leksikore ose derivacionale e dialektit me morfemën eptimore a derivacionale të italishtes standarde dhe vice versa (po aty, 84-87). Një tjetër faktor që duhet pasur parasysh kur flitet për rolin e gjuhës standarde në procesin e konvergjencës dialektore është fakti se gjuha standarde mund të kryejë funksion rregullator në rastet kur ndodh ndërveprimi komunikues midis folësve që flasin varietete të ndryshme. Kjo mund të ndikojnë në prirjen e folësve të përdorur forma konvergjente gjuhësore.
Një aspekt tjetër që duhet pasur parasysh kur flitet për konvergjencën/divergjencën gjuhësore është edhe efekti socio-psikologjik, si rrjedhojë e ndërveprimit komunikues ballë për ballë midis folësve të ndryshëm. Në rrethana të tilla folësit janë të prirë ta akomodojnë të folurit e tyre varësisht prej bashkëbiseduesit dhe akomodimi mund të bëhet edhe përmes adoptimit dhe përdorimit të formave konvergjente dialektore. Një prej manifestimeve të përpjekjes për ta akomoduar të folurit është edhe dukuria e hiperkorrektësisë, pra përpjeka për riprodhimin sa më korrekt të formave gjuhësore të varietetit me prestigj (Auer dhe Hiskens, 2005).
Në fund të kësaj paraqitjeje teorike të dukurisë së konvergjencës/divergjencës dialektore, vlen të theksohet se kjo dukuri paraqitet mjaft komplekse, qoftë për shkak të manifestimit të saj në të gjitha nivelet e gjuhës, qoftë edhe për shkak të ndikimit të faktorëve jashtëgjuhësore në këtë dukuri gjuhësore. Për këto arsye problemet e konvergjencës/divergjencës gjuhësore prekin disa disiplina të gjuhësisë. Këto probleme janë objekt i studimeve të ndryshme historike-krahasimtare, filologjike, dialektore dhe sociolinguistike.


ZHVILLIMII DIALEKTEVE TË SHQIPES DHE ROLI I GJUHËS STANDARDE NË KONVERGJENCËN GJUHËSORE

Gjuha shqipe, nga mugëtira e historisë, na del e diferencuar në dy dialekte kryesore: në toskërishten dhe gegërishten. Mungesa e dokumenteve të shkruara të hershme e ka pamundësuar rindërtimin e formave më të vjetra të shqipes dhe te dialekteve të saj. Dokumentet e para të shkruara, të cilat kanë ndihmuar deri diku për rindërtimin historik të strukturës së shqipes dhe të dialekteve të saja, datojnë që nga shekulli XVI e këndej. Sot, varietete e shqipes fliten në territoret kompakte shqiptare në Ballkan (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Serbi Jugore), por edhe në ngulimet shqiptare në Itali, në Greqi, në Kroaci (Zarë), si dhe në diasporën e re shqiptare në Evropën Perëndimore dhe në SHBA.
Diferencimi dialektor i shqipes është rrjedhojë e historike e rrethanave politike, ekonomike dhe kulturore të cilat kanë mbizotëruar në trojet shqiptare që nga periudha antike e deri në ditët e sotme. Gjuhëtari i shquar shqiptar, Eqrem Çabej, ndarjen dialektore të shqipes, krahas ndikimit të faktorëve historikë e politikë, e sheh edhe si pasojë të natyrës gjeografike të trojeve shqiptare. Sipas tij, zonat në të cilat flitet gegërishtja janë më malore sesa zonat në të cilat flitet toskërishtja. Kjo, sipas tij, ka ndikuar edhe në mënyrën e jetesës. Në zonat në të cilat flitet gegërishtja, në të kaluarën vendbanimet kanë qenë më të shpërndara, ndërkaq në zonat në të cilat flitet toskërishtja ka pasur më shumë katunde e vendbanime të përqendruara. Kjo gjendje ka ndikuar edhe në dendurinë e kontakteve midis banorëve të atyre zonave (Çabej, 1976: 95). Ndërkaq, Gjinari dhe Shkurtaj theksojnë se tiparet e ndryshme gjuhësore, të cilat i dallojnë dialektet e shqipes kanë lindur që nga Mesjeta, nuk janë aq të mëdha. Sipas këtyre autorëve, kjo nuk është pasojë e shtrirjes së vogël gjeografike të shqipes, sepse largësitë gjeografike nuk e përcaktojnë largimin e dialekteve, por fakti që dobësimi i kontakteve midis grupeve të popullsisë shqiptare dhe koha e zgjatjes së këtij dobësimi kontaktesh nuk ka qenë në atë masë sa ta thellonin largimin e dialekteve të shqipes (Gjinari-Shkurtaj, 2003: 164-165).
Sot, dialektet kryesore të shqipes, ndonëse të ndërkuptueshme, vazhdojnë të jenë të dallueshmen të gjitha nivelet e gjuhës. Ato dallojnë në tiparet e tyre fonologjike/fonetike, morfologjike, sintaksore e leksikore (për dallimet midis dy dialekteve të shqipes shih Gjinari-Shkurtaj, 2002). Kjo gjendje është padyshim rrjedhojë e zhvillimeve divergjente përbrenda dialekteve të shqipes. Faktorët që kanë çuar në zhvillime të tilla divergjente mund të jenë të ndryshëm. Mendimi i Çabejt për ndikimin e faktorit gjeografik e topografik në dendurinë e komunikimit midis grupeve shoqërore shqipfolëse më duket mjaft i saktë. Një element tjetër që mund të ketë luajtur rol në zhvillimin divergjent të dialekteve është edhe pushtimi i vazhdueshëm i trojeve shqiptare. Në rrethana të tilla, te shqiptarët, hiq disa etapave afatshkurtra, siç ishte periudha e Skënderbeut, nuk ka mundur të zhvillohet ndonjë formacion shtetëror, i cili ka mundur të ushtrojë pushtet të centralizuar, që do t’i shkonte për shtati edhe proceseve të afrimit gjuhësor. Në fakt, shqipja dhe dialektet e saj, pikërisht për shkak të rrethanave politike, të shumtën e rasteve ka qenë gjuhë e subordinuar ndaj një gjuhe tjetër superiore (latinishtja, turqishtja etj.). Mosekzistenca e një formacion shtetëror shqiptar përgjatë një periudhe të qëndrueshme më afatgjate historike, ka bërë që shqipja të jetë gjithmonë gjuhë e domeneve private familjare dhe e rretheve ngushta shoqërore, ndërkohë që gjuhë e domeneve zyrtare ka qenë ndonjë gjuhë tjetër. Pikërisht fakti që shqipja nuk ka arritur të jetë gjuhë e domeneve zyrtare, ka ndikuar jo vetëm në zhvillimin e procesit konvergjent të dialekteve, por edhe në procesin e standardizimit të shqipes.
Shqipja hyri në shekullin XX me diferencim dialektor dhe pa pasur një kod standard. Natyrisht, që nga shekulli XVI dhe, sidomos, gjatë shekullit XIX ishte krijuar një traditë letrare e shkruar në dy dialekte. Në shekullin XX, që nga Komisia Letrare e Shkodrës, zënë fill përpjekjet për formimin e gjuhës standarde shqipe dhe problemi kryesor që paraqitej në këtë proces ishte akomodimi i dallimeve kryesore midis dy dialekteve. Gjuha standarde shqipe krijohet pas Luftës së Dytë Botërore dhe në strukturën e saj mbizotëruan ndryshoret kryesore të dialektit të Jugut, ndërsa ndryshoret alternative kryesore të dialektit të Veriut u lanë jashtë standardit. Po t’i lëmë anash dallimet më pak të rëndësishme dialektore midis toskërishtes dhe gegërishtes dhe po të përqendrohemi në ato dallime që mund të quhet absolute, siç janë: përdorimi i zanores ë kundrejt ã/ẽ, ruajtja e grupeve zanore ua/ ue, ye, ie, ruajtja e grupeve të bashkëtingëlloreve mb, nd, ng, dukuria e rotacizmit (r në vend të n), përdorimi i pjesoreve të zgjeruara me –r/-ur, në vend të pjesoreve të shkurtra që dalin me –ue/-u, dhe përdorimi i lidhores në vend të paskajores gege me punue, si dhe po ta kemi parasysh frekuencën e okurrencës dhe distribuimin e këtyre tipareve në sistemin gjuhësor të gjuhës standarde shqipe, atëherë vërehet qartë që varieteti standard, në të gjitha nivelet e tij, ka fizionominë pothuajse të plotë të dialektit të Jugut. Në të kaluarën jo të largët, autorë të caktuar, siç ishte Androkli Kostallari, janë përpjekur që zhvillimin e shqipes standarde, të cilën e kanë quajtur edhe ‘koine letrare sui generis’, ta paraqesin si rezultat të konvergjencës dialektore, sidomos të gjuhës së shkruar, që nga Rilindja Kombëtare e deri në fazën përfundimtare të saj (Kostallari, 1969, 1970; shih edhe Raka, 1997). Ky qëndrim, i cili më tepër u shërbente qëllimeve politike, argumentohej me përpjekjet e rilindësve për t’i afruar dialektet në shkrim dhe me përfundimet e Kongresit të Manastirit (1908) dhe nuk bazohej fare në ndonjë studim të proceseve konvergjente/divergjente midis dialekteve të shqipes. Ç’është e vërteta, studimet e procesit të konvergjencës/divergjencës së dialekteve të shqipes kanë munguar pothuajse plotësisht edhe para Luftës së Dytë Botërore, por edhe pas LDB-së, kur procesi i standardizimit të shqipes kishte marrë më tepër hov.
Pas përfundimit të standardizimit të shqipes, shqipja standarde ka filluar të luajë rol të rëndësishëm në konvergjencën gjuhësore, sidomos të gjuhës së folur. Shoqëria shqiptare në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni dhe në trojet e tjera shqiptare në Ballkan e kishte pranuar standardin dhe ishte përpjekur ta zbatojë atë në praktikë. Pranimi dhe imponimi i normës ishte më i suksesshëm në Shqipëri dhe për këtë arsye gjuha standarde ka mundur të ndikojë më shumë në konvergjencën e gjuhës së folur. Politika gjuhësore që është ndjekur në Shqipëri në periudhën e socializmit e ka favorizuar gjuhën standarde si kod me prestigj dhe përdorimin e saj jo vetëm në funksionet e domenet e saja të zakonshme formale, siç janë domenet zyrtare, por edhe në domenet joformale, siç janë familja dhe fqinjësia dhe kjo është bërë përmes një idealizmi estetik të propaguar në përdorimin e gjuhës. Një shembull i zhvillimit konvergjent është p.sh. shqiptimi i fjalëve me ë dhe jo me e si p.sh. vëndi, mëndja etj. Ky tipar që nuk është i gjuhës standarde, por i toskërishtes, ka fituar prestigj duke qenë se ka hyrë nëpërmjet folësve nativë të toskërishtes dhe pastaj, duke qenë i markuar me prestigj, ka filluar të përdoret në të folurit standard edhe nga folësit që për varietet nativ e kanë gegërishten. Përhapjes së gjuhës standarde i ka ndihmuar edhe stigmatizimi herë i heshtur, herë i hapur i varieteteve të gegërishtes. Kjo ka ndikuar që shqipja standarde të ndikojë në konvergjencën e dialekteve të folura në rrafshin vertikal, pra si konvergjencë e dialekteve në raport me gjuhën standarde, Siç u tha më lart kjo dukuri ndryshe është quajtur edhe advergjencë (Berruto, 2005). Ky proces konvergjent është reflektuar jo vetëm në shqiptim, në fonetikë, por edhe në nivelin morfo-sintaksor e leksikor të gjuhës. Do të ishte me interes të shihej ndikimi i konvergjencës në diskurs, sidomos kur merret parasysh ndikimi i ideologjisë komuniste në atë kohë, por studime të këtij lloji mungojnë plotësisht në gjuhën shqipe.
Në Kosovë, në Maqedoni dhe në trojet e tjera ku jetojnë shqiptarët në Ballkan, situata ishte më ndryshe. Pranimi, përhapja dhe përdorimi i gjuhës standarde u bë në rrethana specifike socio-ekonomike, politike e kulturore që mbretëronin në atë kohë në trojet shqiptare në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Problemi kryesor në pranimin dhe përhapjen e gjuhës standarde qëndronte në faktin se shqiptarët që jetonin në ish-Jugosllavi dhe shqiptarët e Shqipërisë nuk përbënin një bashkësi komunikuese, për shkak të ndarjeve të imponuara politike. Kufijtë politikë që i ndanin shqiptarët kishin ndikim të drejtpërdrejtë në komunikim. Në rrethana të tilla, kontaktet midis shqiptarëve ishin të kufizuara dhe pranimi i normës standarde nga shqiptarët e ish-Jugosllavisë u bë në distancë dhe kjo ndikoi në cilësinë e pranimit dhe zbatimit të normës. Këto rrethana ndryshuan me shembjen e “perdes së hekurt”, pas vitit 1991 dhe, sidomos, pas çlirimit të Kosovës nga okupacioni serb më 1999.
Cila është situata sot dhe sa ka arritur gjuha standarde shqipe të luajë rol në konvergjencën gjuhësore? Studimet gjuhësore në të cilat trajtohet problematika e konvergjencës midis varieteteve të shqipes pothuajse mungojnë fare. Studimet e shumta dialektore që janë kryer në të kaluarën, kanë arritur ta bëjnë përshkrimin e varieteteve të caktuara të shqipes në një prerje të caktuar kohore, por mungojnë studimet e gjuhës së folur, sidomos studimet sociolinguistike, të cilat do të pasqyronin nëse ka zhvillime konvergjente apo divergjente të varieteteve të shqipes. Nëse vëzhgohet situata në kuptim të rolit që ka luajtur gjuha standarde në dukuritë konvergjente, përsëri duhet pasur parasysh faktorët politikë, ekonomikë e kulturorë. Sot, gjuha e folur standarde ka realizime të ndryshme në hapësirat shqiptare. Rexhep Ismajli thekson me të drejtë se shqipja standarde nuk duket të jetë identike dhe unike në të gjitha hapësirat ku flitet dhe kjo ndodh për arsye të ndryshme shoqërore e gjuhësore (Ismajli, 2003: 161). Në Shqipëri vërehet qartë që gjuha standarde jo vetëm që ka një përdorim më të dendur në situata e domene më të gjera, por ajo ka ushtruar ndikim të fuqishëm edhe në vernakularët që fliten në Shqipëri. Me një vëzhgim sado sipërfaqësor, mund të vërehet që format gjuhësore të gjuhës standarde përdoren dendur edhe në të folurit e shkujdesur të individëve. Kjo ndodh jo vetëm tek ata persona që toskërishten e kanë gjuhë native dhe rrjedhimisht edhe gjuhën standarde, por edhe tek ata persona që flasin varietetet e gegërishtes. Tiparet gjuhësore të gjuhës standarde shqipe, të të gjitha niveleve të gjuhës, kanë gjetur rrugën e tyre dhe janë futur edhe në varietetet e gegërishtes që flitet në Shqipëri dhe këto tipare bashkekzistojnë me tiparet e tjera native të varieteteve përkatëse. Denduria e përdorimit të tyre është e varur nga niveli i formalitetit të situatave dhe domeneve të përdorimit të gjuhës. Po të vëzhgohet të folurit e një individi, banor i Shqipërisë që si varietet nativ e ka gegërishten, te të folurit e tij do të vërejmë që shqiptimi i tingujve del më i përafërt me sistemin fonetik të gjuhës standarde. Poashtu, përdoren dendur edhe ndryshoret e nivelit morfo-sintaksor, siç janë pjesoret e zgjeruara me -r/-ur dhe zëvendësimi i paskajores me lidhoren. Këto prirje vërehen sidomos në situata formale. Në anën tjetër, kohëve të fundit vërehet që vernakulari i Tiranës, si një kod që ka krijuar premisa urbane, ka fituar atë që William Labov e quan “prestigj i mbuluar”. Ky vernakular, në rate të caktuara është duke ushtruar ndikim divergjent, i cili shfaqet kryesisht në tre tipare: në përdorimin më të dendur të një ɒ në vend të a standarde, në përdorimin e pjesoreve të shkurtra dhe në përdorimin e paskajores së gegërishtes me bɒ, me punu, me qenë në disa raste të kufizuara. Realizimin e standardit të folur të ndërlidhur me hapësirat urbane dhe me shtresat shoqërore, si regjistër formal i shtresave të larta të qyteteve kryesore shqiptare, e ka vërejtur me të drejtë edhe Rexhep Ismajli (Ismajli, vep. e cit., f.156).
Në bazë të vrojtimeve të përgjithshme, në përgjithësi, mund të thuhet që gjuha standarde në Shqipëri ka ndikuar deri diku në një konvergjencë gjuhësore, e cila realizohet në formë vertikale, si ndikim i gjuhës së folur standarde në varietetet dialektore. Sa i përket konvergjencës horizontale (zhvillimit të tipareve të caktuara konvergjente midis dialekteve - Berruto, 2005), nuk ka të dhëna pasi, siç u tha më lart, mungojnë studimet gjuhësore të këtyre probleme në shqipe.
Në anën tjetër, në Kosovë, deri diku edhe në Maqedoni, përveç zonave ku flitet toskërishtja, gjendja është më ndryshe. Pas formimit të gjuhës standarde dhe pranimit të saj nga shqiptarët në përgjithësi, në Kosovë u krijua një gjendje e diglosisë, në të cilën gjuha standarde ka zënë hapësira të përdorimit kryesisht në situata e domene formale, ndërkaq në situata e domene më pak formale e joformale përdoren varietetet e gegërishtes që fliten në Kosovë. Kodi standard në Kosovë iu mbishtresua kodeve ekzistuese dialektore dhe përhapja e normës u bë në mungesë të kontakteve të drejtpërdrejta midis shqiptareve nga të dyja anët e kufirit artificial dhe të imponuar. Gjuha standarde u perceptua si një varietet artificial, me ç’rast mësimi dhe zbatimi i saj mbështetej kryesisht në normën drejtshkrimore. Kjo ka bërë që në Kosovë, në përdorimin e gjuhës standarde të vërehen disa dukuri më specifike.
Ajo që sot vërehet te një folës i rëndomtë i gjuhës standarde në Kosovë është një dozë artificialiteti në prodhimin e formave gjuhësore, të cilat janë tipike për standardin. Kjo ndodh sidomos në rrafshin e shqiptimit të tingujve të caktuar zanorë. Një dukuri tjetër është hiperkorrektësia. Folësit mesatarë të shqipes standarde në Kosovë, duke qenë se normën standarde e kanë mësuar duke u bazuar në normën drejtshkrimore, përpiqen që atë normë ta realizojnë në të folurit e tyre me përpikëri, sipas modelit drejtshkrimor. Një tjetër dukuri është “prestigji i mbuluar” mjaft i fuqishëm i varieteteve lokale, i cili në një masë e ka reduktuar prestigjin e gjuhës standarde, duke e kufizuar depërtimin e saj në situatat dhe domenet joformale.
Sot, gjuha standarde e folur në Kosovë, ashtu siç flitet nga folësit mesatarë, ka ndërtuar disa veçori e tipare të qëndrueshme. Kjo mund të vërehet shumë lehtë nëse merret nën vëzhgim të folurit e individëve të ndryshëm në situata e domene formale. Studimet sociolinguistike kuantitative të variacionit gjuhësor të shqipes në Kosovë, të cilat do të na jepnin më shumë informata për përdorimin e varieteteve të ndryshme dhe të gjuhës standarde, pothuajse mungojnë fare. megjithatë, në bazë të vëzhgimeve të përgjithshme mund të vërehen dhe identifikohen disa dukuri e tipare të caktuara. Dukuria e parë që mund të vërehet është se gjuha standarde e folur, kur përdoret nga folësit e shqipes në Kosovë, luan rolin e një rregullatori të kodit. Në situatat kur përdoret shqipja e folur standarde folësit janë të prirë që të konvergojnë drejt formave gjuhësore të gjuhës standarde, duke i përdorur ndryshoret gjuhësore të saj. Paralelisht me prirjen për t’i përdorur ndryshoret gjuhësore të standardit, te folësit vërehet shpesh dukuria e ndryshimit të stilit. Kjo dëshmon për një jostabilitet në përdorimin e gjuhës standarde. Ka edhe dukuri të tjera psikolinguistike që kanë të bëjnë me inferioritetin dhe shtrëngesat psikologjike me rastin e prodhimit gjuhësor, për të cilat bën fjalë Rrahman Paçarizi (2006), por në të cilat nuk do të ndalemi këtu.
Sa u përket disa tipareve të caktuara të gjuhës së folur standarde në Kosovë, këto tipare mund të vërehen në të gjitha nivelet e gjuhës. Në rrafshin fonetik, i cili ka të bëjë me shqiptimin e tingujve të caktuar, shqipja standarde që flitet në Kosovë ka krijuar disa veçori të cilat mund të vërehen edhe me një vëzhgim të përgjithshëm. Këto veçori kanë të bëjnë me variacionin i cili ekziston në prodhimin dhe shqiptimin e tingujve zanorë, sidomos të zanoreve a, e dhe o, si dhe bashkëtingëllores alveolare r. Zanorja a realizohet herë si ɑ, herë si ɒ. Zanorja e del si æ, ndërsa zanorja o shpesh del si ɵ. Poashtu, alveolari r del si si ɾ, në raste të caktuara edhe si ɽ. Mënyra e shqiptimit të këtyre tri zanoreve dhe i bashkëtingëllores r i jep një ngjyrim të dallueshëm të folurit standard të një individi të zakonshëm në Kosovë. Këtu mund të përfshihet edhe përdorimi mjaft i reduktuar i zanores ë të theksuar dhe zëvendësimi i saj me ndryshoret alternative të gegërishtes. Variacioni në prodhimin dhe shqiptimin e këtyre tingujve ka bazë gjeografike dhe është i lidhur me prejardhjen regjionale të folësve.
Në nivelin morfo-sintaksor vërehet një dukuri konvergjente, e cila është ndikim i drejtpërdrejtë i gjuhës standarde. Kjo dukuri ka të bëjë me përdorimin e dy ndryshoreve të gjuhës standarde të nivelit morfologjik, siç janë pjesoret e zgjeruara me -r/-ur dhe përdorimi i formave të lidhores në vend të paskajores së gegërishtes. Në bazë të vëzhgimeve qoftë edhe sipërfaqësore, mund të vërehet që një folës i rëndomtë i gjuhës standarde kur përpiqet të flasë në gjuhën standarde në situata e domene formale dhe kur i kushton vëmendje të folurit të tij, priret që t’i përdorë format e pjesores së zgjeruar me -r/-ur dhe të përdorë format e lidhores në vend të paskajores. Por, kjo prirje është e lidhur me vëmendjen që folësi i kushton të folurit e tij. Në çastin që folësi i kushton më pak vëmendje të folurit të tij, vërehet prirja për t’ju kthyer ndryshoreve respektive dialektore të gegërishtes, pra pjesoreve të shkurtra dhe përdorimit të paskajores.
Në bazë të këtyre tipareve fonetike e morfo-sintaksore që u përmendën dhe po t’i shtojmë edhe veçoritë leksikore, nëse flasim me terma të Berrutos, lind pyetja se a mund të flasim për një dialektizim të standardit të folur në Kosovë, apo edhe për një variantizim të gjuhës së folur standarde në Kosovë.
Aktualisht, vërehet qartë që sa i përket ndikimi të gjuhës standarde në konvergjencën e gjuhës së folur midis varieteteve që fliten në Shqipëri dhe në Kosovë ende nuk mund të vërehen indikacione të ndonjë koineizimi. Tiparet e gegërishtes janë ende të fuqishme edhe në rastet kur folësit në Kosovë e flasin gjuhën standarde. Këto tipare deri diku kanë një qëndrueshmëri stabile.
Zhvillimet e fundit politike, ekonomike e kulturore që po ndodhin në hapësirën shqiptare dhe përparimet në fushën e komunikimit, teknologjisë informative dhe infrastrukturës mund të kenë ndikim në zhvillimet konvergjente brenda gjuhës shqipe. Përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe krijimi i medieve që mbulojnë tërë hapësirën shqiptare do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në shtimin e kontakteve dhe komunikimit midis shqiptarëve. Shkëmbimi tregtar, turizmi, komunikimi i drejtpërdrejtë dhe përmes medieve dhe teknologjisë informative, jo vetëm që po i afron shqiptarët, por edhe po e shton intensitetin e komunikimit gjuhësor. Në rrethana të tilla, kur komunikimi zhvillohet midis folësve që flasin varietete të ndryshme të shqipes nxjerrin krye faktorë të ndryshëm psiko-sociolingustikë, të cilët ndikojnë në përzgjedhjen e kodit të përshtatshëm për komunikim. Në këtë kuptim, një dukuri e cila mund të ndikojë në përzgjedhjen e kodit të përshtatshëm për komunikim dhe mbase mund të luajë rol konvergjent, është dukuria e akomodimit gjuhësor. Përpjekja për ta akomoduar kodin sipas bashkëbiseduesit, mund të çojë në zhvillime konvergjente. Akomodimi afatshkurtër mund të ndikojë në konvergjencën e tipareve të caktuara gjuhësore dhe kjo ndodh si rezultat i efektit psikologjik, pra bëhet me qëllim që të folurit e individit të bëhet më i pranueshëm për bashkëbiseduesin. Tash për tash vetëm mund të supozohet se sa do të ndikojë akomodimi afatshkurtër, i cili ndodh si rezultat i kontakteve të çastit midis folësve që flasin kode të ndryshme të shqipes (p.sh. takimet individuale ose kolektive midis shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë), në ndonjë konvergjencë afatgjate të tipareve të caktuara të të gjitha niveleve të gjuhës.


PËRFUNDIME
Dukuria e konvergjencës/divergjencës së dialekteve të shqipes, por edhe e ndikimit të gjuhës standarde në këto procese, mbetet pothuajse e pastudiuar në gjuhësinë shqiptare. Mungojnë studimet të cilat në qendër të vëmendjes do ta kishin zhvillimin konvergjent a divergjent të dialekteve të shqipes, por edhe rolin e gjuhës standarde në procesin e konvergjencës gjuhësore brenda varieteteve të shqipes. Elemente të konvergjencës gjuhësore të shqipes shfaqen në rrafshin vertikal, si ndikim i gjuhës standarde ndaj dialekteve. Sa i përket konvergjencës horizontale midis varieteteve dialektore të shqipes, mbetet vetëm të supozohet se çfarë zhvillimesh janë duke ndodhur. Gjuha standarde është duke luajtur rol të rëndësishëm në proceset zhvillimore brenda gjuhës shqipe që nga formimi i saj dhe pranimi nga tërë bashkësia shqiptare. Megjithatë, roli i saj ndryshon varësisht nga kontekstet e ndryshe politike e sociokulturore të cilat ekzistojnë brenda hapësirave shqiptare në Ballkan. Në Shqipëri, shqipja standarde dhe tiparet e saj kanë depërtuar në masë të konsiderueshme në varietetet e shqipes që fliten atje, pra kemi pasur një ndikim advergjent. Këto tipare vërehen në të gjitha nivelet e gjuhës, qoftë në rrafshin shqiptimor, qoftë në rrafshin morfo-sintaksor e leksikor. Në Kosovë, për shkak të rrethanave të tjera, gjuha standarde e folur nuk ka arritur të depërtojë në domene e situata joformale. Kjo për shkak se varietet lokale të gegërishtes përdoren dendur nga folësit e shqipes në Kosovë në domene familjare dhe në shoqëri, ndërkohë që gjuha standarde gjen hapësirë vetëm në domene institucionale e mediale dhe në situata të karakterit formal. Në këto situata gjuha e folur standarde deri diku ka luajtur rol konvergjent, pasi që ka funksionuar si rregullator i kodit. Megjithatë, në shqipen e folur standarde në Kosovë kanë depërtuar tipare të caktuara shqiptimore e gramatikore të cilat i takojnë varieteteve të gegërishtes që flitet në Kosovë. Këto tipare na shtyjnë të flasim mbase për një dialektizim të gjuhës së folur standarde apo edhe për variantizim shqiptimor të gjuhës standarde të folur në Kosovë.
Kohëve të fundit, falë përmirësimit të infrastrukturës dhe avancimit të medieve dhe teknologjisë së informacionit, është rritur ndjeshëm intensiteti i komunikimit midis shqiptarëve. Në këtë situata, gjuha standarde mund të luajë rolin e rregullatorit të kodit në rastet e komunikimit midis folësve të shqipes standarde nga Shqipëria dhe Kosova. Kjo mund të ndodhë si pjesë e përpjekjes së folësve për ta akomoduar të folurit sipas bashkëbiseduesit. Këto zhvillime mund t’i nxitin prirjet konvergjente gjuhësore brenda varieteteve të shqipes. Mbetet të shihet se si do të zhvillon gjërat në këtë drejtim.
Krejt në fund të shtojmë se studimet e probleme të konvergjencës gjuhësore do të ishin shumë të dobishme për gjuhën shqipe dhe për gjuhësinë shqiptare. Studimet e konvergjencës gjuhësore, duke qenë se marrin nën vëzhgim dhe krahasim disa varietete të gjuhës, ndihmojnë në ndërtimin e një tabloje më të qartë për gjendjen e varieteteve të shqipes. Por, këto studime nuk do të ndihmonin vetëm për ta përshkruar gjendjen aktuale të proceseve zhvillimore brenda varieteteve të shqipes, por do t’i ndihmonin edhe aktivitetet e planifikimit gjuhësor brenda shqipes. Shpresoj që në të ardhmen kjo fushë do të zgjojmë më shumë intersimin e studiuesve të shqipes.

REFERENCAT:
Auer, Peterand and Hiskens, Frans (2005). The role of interpersonal accommodation in a theory of language change, Dialect Change: Convergence and Divergence in European Languages, Edited by Peter Auer, Frans Hiskens and Paul Kerswill, Cambridge University Press, 2005.

Berruto, Gaetano (2005). Dialect/standard convergence, mixing, and models of language contact: the case of Italy, Dialect Change: Convergence and Divergence in European Languages, Edited by Peter Auer, Frans Hiskens and Paul Kerswill, Cambridge University Press, 2005.

Cheshire, Jenny- Kerswill, Paul and Williams, Ann (2005). Phonology, grammar and discourse in dialect convergence, Dialect Change: Convergence and Divergence in European Languages, Edited by Peter Auer, Frans Hiskens and Paul Kerswill, Cambridge University Press, 2005.

Çabej, Eqrem Dr. (1976). Studime gjuhësore III, Rilindja, Prishtinë.

Dialect Change: Convergence and Divergence in European Languages, Edited by Peter Auer, Frans Hiskens and Paul Kerswill, Cambridge University Press, 2005.

Gjinari, Jorgji –Shkurtaj, Gjovalin (2003). Dialektologjia, SHBLU, Tiranë.

Hinskens, Frans, Auer, Peter and Kerswill, Paul (2005), The study of dialect convergence and divergence: conceptual and methodological considerations, Dialect Change: Convergence and Divergence in European Languages, Edited by Peter Auer, Frans Hiskens and Paul Kerswill, Cambridge University Press, 2005.

Ismajli, Rexhep (2003). Standarde dhe identitete, Dukagjini, Pejë.

Kostallari, Androkli (1969). Rruga e formimit të gjuhës sonë të përbashkët letrare, Gjurmime albanologjike 2, Instituti Albanologjik, Prishtinë.
Kostallari, Androkli (1970). Mbi disa veçori strukturore e funksionale të gjuhës letrare shqipe të kohës sonë, Studime filologjike 2, Tiranë.

Paçarizi, Rrahman (2006). Aspekte psiko-sociolingustike të akceptimit të gjuhës së folur standarde, disertacion i doktoratës, Universiteti i Prishtinës.
Raka, Fadil (1997). Historia e shqipes letrare, Universiteti i Tetovës, Blendi-Prishtinë.

Taeldeman, Johan (2005). The influence of urban centres on the spatial diffusion of dialekt phenomena, Dialect Change: Convergence and Divergence in European Languages, Edited by Peter Auer, Frans Hiskens and Paul Kerswill, Cambridge University Press, 2005.

Woolhiser, Curt (2005). Political borders and dialect divergence/convergence in Europe , Dialect Change: Convergence and Divergence in European Languages, Edited by Peter Auer, Frans Hiskens and Paul Kerswill, Cambridge University Press, 2005.
[1] Në këtë punim termat dialekt dhe varietet përdoren me kuptim të njëjtë.

No comments: