Friday, August 28, 2009

VARIACIONI GJUHËSOR NË MEDIET AUDIO-VIZUALE



Shkumbin MUNISHI (Prishtinë)


SFONDI
Gjuha, padyshim, është mjeti kryesor i komunikimit midis specieve njerëzore. Të dy format e saja, edhe të folurit, edhe shkrimi, mbeten mjetet kryesore për bartjen e informatave midis individëve dhe grupeve shoqërore. Përçimi i informatave luan një rol të pazëvendësueshëm në jetën e njerëzve. Në fakt, gjuha dhe shkëmbimi i sofistikuar i informatave midis njerëzve është një prej karakteristikave kryesore që i dallon njerëzit nga speciet e tjera. Por, gjuha dhe të folurit e individit nuk janë sistem njëformësh. Përkundrazi, gjuha shpërfaqë manifestime shumëdimensionale të funksioneve të saj dhe, si rrjedhojë, edhe variacion të formës. Kjo ndodh për shkak të lidhjeve të ngushta që gjuha ka me kategoritë shumëdimensionale shoqërore. Përveç si mjet komunikimi, gjuha është edhe mjeti kryesor i ndërveprimit dhe ndërkomunikimit shoqëror dhe shpesh edhe mjeti kryesor për ndërtimin e kohezionit shoqëror. Në anën tjetër ndikimi i faktorëve jashtëgjuhësor në gjuhë është gjithnjë i pranishëm, prandaj gjuha është gjithmonë e vendosur në një hapësirë shumëdimensionale shoqërore (Hudson, 2002). Ky ambient shoqëror shumëdimensional bën që të folurit e individit të mos shfaqet gjithmonë i njëjtë, por të ndryshojë në varësi të disa faktorëve. Faktorë të tillë si: situata, domeni, vendndodhja dhe tema e bisedës kanë ndikim të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e varietetit gjuhësor gjatë ndërkomunikimit midis individëve dhe grupeve (Fishman, 1972). Nën ndikimin e këtyre faktorëve, te folësit shfaqen trysnitë psiko-sociolinguistike, të cilat jo vetëm që i japin formë dhe drejtim ndërveprimit komunikues, por edhe e kushtëzojnë atë. Studiuesi William Labov ka vërejtur me të drejtë se folësit, varësisht nga situata, flasin herë me më shumë, herë me më pak kujdes dhe, prandaj, ka dalluar stilin e të folurit e rastit (casual speech) dhe stilin e të folurit e kujdesshëm (careful speech) (Labov, 1972).
Me fjalë të tjera, siç u tha pak më parë, folësit i përdorin varietetet e ndryshme gjuhësore. Në një situatë më formale, p.sh. në punë, në ndonjë mbledhje, një person do të flasë më me kujdes dhe do ta përdorë një stil më formal të të folurit, pra do ta përdorë varietetin gjuhësor standard. Por, në një situatë tjetër më pak formale, p.sh. kur flet me ndonjë mik ose me ndonjë anëtar të familjes, ai person do t’i kushtojë më pak vëmendje të folurit dhe do ta përdorë një stil më pak formal ose joformal, pra do të flasë në një varietet jostandard. Në të gjitha këto rrethana që i përmendëm, ndodh që folësit të jenë të detyruar që gjatë ligjërimit të tyre të lëvizin përgjatë boshtit të formalitetit të stileve të të folurit, duke përzier shpesh tiparet e varieteteve gjuhësore në funksione të caktuara dhe në këtë mënyrë shfaqen dukuritë e tilla si, ndryshimi i kodit, ndryshimi metaforik i kodit etj. Kjo nënkupton që gjuhën e folur nuk mund ta kuptojmë si një sistem njëformësh, por si një tërësi nënsistemesh e formash të ndryshme me plot variacione. Këtë pikëpamje e ka shprehur me të drejtë Mikhail Bakhtin (1923, 1986) në konceptet e tij për heteroglosinë. Bakhtin-i ka vënë në pah natyrën shumështresore të gjuhës, të cilën ai e ka quajtur heteroglosia.
Përdorimi i varieteteve të ndryshme gjuhësore dhe variacioni sociolinguistik i të folurit të njerëzve është parë edhe në dritë të raporteve sociologjike e psikologjike të bashkëpjesëmarrësve në aktin komunikues. Howard Giles dhe Peter Powesland kanë ardhur në përfundim që pjesëmarrësit të përfshirë në një akt komunikimi janë të prirë ta përshtatin të folurit e tyre me të folurit e bashkëbiseduesit me bindje se kështu do të pranohen, mirëkuptohen dhe pëlqehen më shumë nga bashkëbiseduesi/it. Këto pikëpamje Giles dhe Powesland i kanë përmbledhur në atë që në sociolinguistikë njihet si teori e përshtatjes së të folurit (accomodation theory) (Giles dhe Powesland, 1997). Sipas autorëve, thelbi i teorisë së përshtatjes qëndron në kërkimet e psikologjisë sociale të tërheqjes së ngjashmërive. Rezultate e këtij kërkimi sugjerojnë që një individ mund të nxisë një individ tjetër për ta vlerësuar atë më shumë, duke i reduktuar dallimet midis tyre. Procesi i përshtatjes së të folurit vepron në bazë të këtij parimi, dhe, si i tillë, mund të jetë reflektim i dëshirës për aprovim social (Giles dhe Powesland, 1997: 233).
Variacioni gjuhësor është pasojë e ndryshimeve historike gjuhësore. Ndryshimet në sistemet gjuhësore janë procese dinamike diakronike, të cilat nuk mund të hetohen në të tashmen, por hetohen vetëm duke krahasuar stadet e kaluara të sistemeve gjuhësore me stadet e tashme. Për të frenuar ndryshueshmërinë gjuhësore, për të ruajtur komunikimin dhe për të stimuluar kohezionin shoqëror, bashkësitë shoqërore kanë krijuar gjuhët standarde, të cilat jo vetëm që kanë për qëllim që ta kufizojnë variacioni gjuhësore, por edhe synojnë të sigurojnë komunikim të ndërmjetëm midis folësve që flasin varietete të ndryshe të së njëjtës gjuhë. Duke qenë se format e shkruara të gjuhës karakterizohen gjithmonë me një stabilitet më të madh dhe me më pak variacion të formës, të shumtën e rasteve normëzimi i drejtshkrimit ka shërbyer edhe si mjet për normëzimin e kodeve të folura. Gjuhët standarde, padyshim, kanë ndihmuar në afrimin e varieteteve gjuhësore dhe në reduktimin e variabilitetit gjuhësor. Por, zhvillimet historike të gjuhëve pas përfundimit të proceseve standardizuese kanë dëshmuar që gjuhët standarde nuk kanë arritur ta shuajnë variacionin gjuhësor. Përpjekjet për njëformësi të sistemeve gjuhësore janë prekur gjatë zhvillimeve historike nga dinamizmi i proceseve të ndryshueshmërisë gjuhësore. Kjo ka ndodhur, qoftë për shkak të vetë karakterit dinamik që ka gjuha, qoftë për shkak të trysnisë së faktorëve jashtëgjuhësore që kanë ndikuar në ndryshimet gjuhësore. Si rrjedhojë, gjuhët standarde kanë ndikuar më shumë në përndarjen funksionale të varieteteve gjuhësore. Përderisa gjuhët standarde kanë gjetur përdorim në domene e situata formale, varietetet e tjera gjuhësore kanë zënë hapësirat në situata e domene joformale dhe kjo gjendje, sot, mund të haset në shumë gjuhë të botës.
Kjo gjendje që u përshkruar lart është e ngjashme edhe me situatën në hapësirat shqiptare në Ballkan. Në Shqipëri, përkundër faktit që norma e gjuhës standarde është imponuar me më shumë sukses, megjithatë krahas gjuhës së folur standarde përdoren edhe varietetet e tjera regjionale e sociale të shqipes që flitet në Shqipëri. Përdorimi i varietetit standard dhe i varieteteve jostandarde përcaktohet në bazë të funksioneve e qëllimeve të përdorimit dhe në lidhje me domenet e situatat e përdorimit. Në anën tjetër, në Kosovë, ku norma e gjuha standarde është imponuar me më pak sukses, variacioni gjuhësore është më i thellë. Shqipja standarde sot është kod që flitet vetëm në situata e domene skajshmërisht formale dhe me përplot variacione të formës nën trysninë e varieteteve jostandarde, ndërsa në domenet më pak formale e joformale gjejnë përdorim varietetet jostandarde që fliten në Kosovë. Në një situate të tillë, në Kosovë, luhatja e formave gjuhësore është e kushtëzuar dhe e lidhur ngushtë me spektrin e formalitetit. Kjo bën që te të folurit e individit të shfaqen shpesh dukuri të tilla sociolinguistike, siç janë ndryshimi i stilit (zëvendësimi situator i kodit) dhe ndryshimi i kodit metaforik (zëvendësimi metaforik i kodit) (Hudson, 2002: 64; Munishi, 2006). Një situatë të tillë e kemi edhe në trojet shqiptare në Maqedoni dhe në Mal të Zi.


FORMAT GJUHËSORE NË RADIO DHE TELEVIZION


Në fillim të këtij punimi u tha që gjuha është mjeti kryesor i komunikimit midis njerëzve. Të dy format e saja, të folurit dhe shkrimi, shërbejnë për komunikim jo vetëm në situata të ndërveprimit interaksionit ballë për ballë, por edhe në situata të tjera, në të cilat mungon ndërveprimi ballë për ballë midis palëve që marrin pjesë në komunikim. Në themel të një akti komunikues qëndron bartja e informatave nga dërguesi i mesazhit, i cili e bën kodimin e mesazhit dhe e dërgon mesazhin përmes kanalit komunikues te pranuesi i mesazhit, i cili e bën dekodimin e mesazhit. Me pranimin e mesazhit fillon cikli reversibil, apo feedback-u që ndjek rrugën e njëjtë të anasjelltë dhe në këtë mënyrë mbyllet cikli i thjeshtë i komunikimit. Mjeti kryesor që u shërben pjesëmarrësve në komunikim për të koduar fillimisht mesazhin dhe, pastaj, për ta dekoduar atë, është sistemi i shenjave gjuhësore. Kjo është forma tipike e komunikimit gjuhësore, të cilën njerëzit e përdorin gjatë gjithë jetës së tyre.
Krahas formës standarde natyrore të komunikimit përmes të të folurit, njeriu ka zhvilluar edhe forma artificiale e alternative të bartjes së mesazhit dhe komunikimit. Format fillestare të tilla, si vizatimet në shpella, hartat e ndryshme të vizatuara dhe shkrimi, janë shumë të lashta dhe kanë evoluuar krahas me zhvillimin dhe evolucionin njerëzor. Në këtë mënyrë, njeriu ka krijuar mekanizma për krijimin, ruajtjen dhe bartjen e informatave, që në teorinë e komunikimit njihen si media. Pra, në esencë, mediet e kanë si funksion kryesor bartjen e informatave përmes mesazheve gjuhësore. Që nga krijimi i tyre e deri në ditët e sotme, mediet janë zhvilluar dhe sofistikuar, si në formë, ashtu edhe në përmbajtjen dhe funksionin e tyre. Evolucioni i tyre më i madh ka marrë hov sidomos nga fundi i shekullit XIX dhe fillimi i shekullit XX, kur, krahas gazetave, janë krijuar edhe format audio-vizuale të medieve, si radio dhe televizioni dhe, së voni, edhe Interneti. Zhvillimi i medieve audio-vizuale jo vetëm që e ka avancuar komunikimin midis njerëzve, por edhe ka mundësuar komunikimin dhe bartjen e informatave në distanca të largëta. Ky zhvillim ka çuar në lindjen e medieve të komunikimit masiv (mass media), të cilat synojnë të arrijnë një audiencë të madhe, pra të shtrihen në hapësira të tilla shoqërore siç janë shtetet dhe kombet. Në themel të funksionimit të tyre qëndron gjuha, me format e saja të shkruara dhe të folura.
Lind pyetja në çfarë forme shfaqet gjuha në media? Në radhë të parë, çdo krijim nga fusha e gazetarisë dhe publicistikës që i plasohet publikut, qoftë përmes medieve të shkruara, qoftë përmes medieve audio-vizuale, krijohet përmes gjuhës. Lajmet, raportet, reportazhet, pra të gjitha zhanret mediatike, të shkruara dhe të folura, krijohen dhe transmetohen përmes gjuhës. Gjuha është në themel të komunikimit dhe të bartjes së informatave edhe përmes medieve.
Sikurse edhe në aktivitetet e tjera gjuhësore, edhe në mediet e shkruara, format e shkruara gjuhësore dalin më stabile dhe me më pak variacion të formës dhe përmbajtjes. Të shumtën e rasteve në mediet e shkruara përdoren gjuhët e normuara standarde, të cilat kanë forma më strikte dhe te të cilat variacioni është më i kufizuar. Pothuajse në të gjitha zhanret e gazetarisë së shkruar gjuha standarde zë hapësirën kryesore. Zakonisht, varietetet gjuhësore shfaqen kryesisht përmes gjuhës së individëve që janë protagonistë të një shkrimi gazetaresk. Varietetet stilistikore në shkrimet gazetareske janë zakonisht të lidhura me regjistrat e personave deklaratat e të cilëve janë të paraqitura në shkrimet mediale. Kjo ndodh edhe për shkak të faktit, që u përmend më lart, se gjuha e shkruar ka gjithmonë stabilitet më të madh strukturor dhe të formës, sesa gjuha e folur.
Në mediet audio-vizuale është një situatë krejt tjetër. Hapësira e medieve audio-vizuale është hapësirë në të cilën përdorimi i gjuhës është real, ngjashëm me situata e tjera reale të përdorimit gjuhësore. Radio dhe televizioni funksionojnë si mediume vetëm në bazë të përdorimit real të gjuhës dhe të foluri, qoftë në transmetimet e drejtpërdrejta, qoftë në transmetime të regjistruara audio-vizuale. Për këtë arsye, gjuha dhe të folurit në mediet audio-vizuale është mjaft e ngjashme sikurse me situatat e tjera të zakonshme të përdorimit të përditshëm gjuhësor.
Kur flasim për të folurit në mediet audio-vizuale duhet pasur parasysh një element shumë të rëndësishëm, i cili ka të bëjë me ndikimin psikologjik që një domen i tillë, siç janë mediet, ka te individët dhe grupet që marrin pjesë në çfarëdo forme të komunikimit gjuhësor që ndodh në radio a televizion. Prania e mikrofonave dhe kamerave në emisionet në radio ose televizion është faktor me shumë ndikim psikologjik në të folurit e pjesëmarrësve në komunikimin gjuhësor. Kamerat dhe mikrofonat dhe fakti që radio dhe televizioni janë të ndërlidhura me publikun, krijojnë një situatë pak a shumë formale dhe kjo situatë ushtron ndikim në të folurit e pjesëmarrësve në komunikimin që zhvillohet në mediet audio-vizuale. Folësit që paraqiten në media janë të prirë që, për shkak të kësaj trysnie psikologjike, t’i kushtojnë më tepër vëmendje të folurit e tyre dhe të përpiqen që në të folurit e tyre t’i afrohen sa më tepër gjuhës standarde.
Lind pyetja se cilat forma gjuhësore përdoren në mediet audio-vizuale. Kjo çështje është e lidhur në radhë të parë me natyrën e emisioneve që transmetohen në radio dhe televizion, si dhe me objektivin që ka emisioni në raport me publikun. Në emisionet informative, të cilat karakterizohen me plasimin njëdrejtimësh të informatave (lajmeve, raporteve etj.) dhe ku feedback-u është minimal, gjuha standarde është varieteti që përdoret më dendur. Shpesh kjo ndodh edhe për faktin që emisionet informative kanë një karakter formal dhe u drejtohen një publiku sa më gjithëpërfshirës në rrafshin kombëtar, prandaj në raste të tilla varieteti standard, si formë e ndërmjetme e komunikimit, është më i kuptueshëm dhe mbase më i përshtatshëm.
Në emisionet interaktive të tipit të debatit situata është paksa më ndryshe. Emisionet e debatit televiziv gjithashtu mund të karakterizohen me situata formale dhe ku tema e diskutimit është një faktor i rëndësishëm rregullator, që dikton përdorimin e gjuhës. Në emisione të tilla është i pranishëm interkasioni ballë për ballë midis pjesëmarrësve dhe ky fakt luan një rol të rëndësishëm jo vetëm në kujdesin që individi i kushton të folurit të tij, por edhe në përzgjedhjen e kodit gjuhësor që do ta përdorë ai. Ndonëse fillimisht pjesëmarrësit mund të kenë trysni psikologjike për të përdorur regjistër formal në të folurit e tyre për shkak të pranisë së kamerave, mikrofonave dhe faktit që janë të shikuar nga publiku, megjithatë me kalimin e kohës, në rastet kur pjesëmarrësit në emisione të tilla i kushtojnë më pak vëmendje të folurit të tyre, ndodh dukuria e ndërrimit të stilit të të folurit. Me fjalë të tjera, ndodh zhvendosja në boshtin formal nga të folurit standard drejt vernakularit, apo të folurit të zakonshëm të individit. Situatat e krijuara në emisione të tipit të debatit janë më të ngjashme me situatat e zakonshme të komunikimit.
Sa i përket stileve të të folurit në media, Allan Bell është i mendimit se ndërrimi i stilit në media ndodh në radhë të parë si përgjigje e spikerit ndaj audiencës. Sipas Bell-it, ndërrimi i stilit është përpjekje për të dizajnuar të folurit varësisht nga audienca, pra në një mënyrë nënkupton përshtatjen e të folurit (Bell, 1997). Ai është i mendimit se të njëjtat rregulla që mund të operojnë në kontekstin medial, veprojnë edhe në komunikimin ballë për ballë, ndërkohë që ndërrimi i stilit si rrjedhojë e dizajnit të të folurit sipas audiencës, është rezultat i presionit që kanë komunikuesit me masën (spikerëve, gazetarëve etj) në media për ta fituar aprovimin e audiencës (f. 243).
Në fund, është me rëndësi të theksohet se variacioni gjuhësor është posaçërisht i pranishëm në vendet të cilat karakterizohen me situata të diglosisë, pra në ato bashkësi shoqërore ku krahas një varieteti të lartë (high – H), përdoren edhe varietete të tjera të ulëta (low – L). Një situatë e tillë e ngjashme është edhe në Kosovë, ku krahas gjuhës standarde, e cila përdoret kryesisht në situata formale, përdoren dendur edhe varietetet e tjera dialektore, kryesisht në situata më pak formale dhe joformale. Kjo situatë reflektohet edhe në rrafshin e medieve audio-vizuale në Kosovë dhe, si rezultat, përdorimi i varieteteve të ndryshme në mediet audio-vizuale është mjaft i pranishëm. Në këto rrethana, edhe në mediet e Kosovës ndeshen dukuritë e tilla të ndryshimit të stilit për të cilat u bë fjalë më lart.


PËRFUNDIME

Në përmbyllje të këtij punimi mund të theksohet se variacioni gjuhësore, si manifestim i stileve të ndryshme të të folurit, haset dendur jo vetëm në komunikimin e përditshëm, por edhe në mediet audio-vizuale. Komunikimi gjuhësore është i ndikuar nga faktorë të tillë, si: situata, domeni, vendndodhja dhe tema e bisedës. Këta faktorë ushtrojnë trysni psiko-sociologjike te pjesëmarrësit në komunikim dhe në një mënyrë e përcaktojnë përzgjedhjen e varietetit gjuhësore të pjesëmarrësve në komunikim. Kjo shkakton variacion të formës gjuhësore në boshtin e formalitetit të stileve të të folurit dhe si rezultat ndodh zhvendosja e stilit nga ana formale e boshtit drejt anës më pak formale a joformale dhe anasjelltas. Ky variacion i formës dhe ndikimi që shkakton ai në ndërrimin e stilit, është i pranishëm sidomos në komunikimin ballë për ballë. Në raste të caktuara, komunikimi ballë për ballë ndikon te folësit që ta përshtatin të folurit e tyre, me qëllim që të jenë më të pëlqyer nga bashkëbiseduesit. Të gjithë këta faktorë ushtrojnë ndikim edhe në komunikimin që zhvillohet në mediet audio-vizuale. Kjo bën që edhe në radio e televizion të shfaqet variacioni gjuhësor, i lidhur me faktorët që u përmendën pak më parë. Variacioni gjuhësor në mediet audio-vizuale shfaqet edhe si përpjekje për ta dizajnuar të folurit sipas audiencës, për të fituar miratimin e publikut. Kjo dukuri është sidomos e pranishme në bashkësitë folësve që karakterizohen me diglosi gjuhësore.


LITERATURA:


Bahtin, Mikhail. (1923, 1986). Marksizam i filozofija jezika, Nolit, Beograd 1980; dhe në Internet: http://www.poetrymagic.co.uk/literary-theory/bakhtin.html, James P. Zappen: http://www.rpi.edu/~zappenj/Bibliographies/bakhtin.htm (qasja për herë të fundit 07.05.2009.

Bell, Allan (1997). Language Style as Audience Design, Sociolinguistics: a Reader, Edited by: Nikolas Coupland and Adam Jaworski, St. Martin’s Press, New York.

Fishman, J. A. (1972). The Relationship between Micro – and Macro-Sociolinguistics in the Study of Who Speaks What Language to Whom and When, Sociolunguistics, Edited by J.B. Pride and J. Holmes, Ringwood, Victoria, Australia.

Giles, Howard and Powesland, Peter (1997). Accomodation Theory, Sociolinguistics: a Reader, Edited by: Nikolas Coupland and Adam Jaworski, St. Martin’s Press, New York.

Hudson, Richard A. (2002). Sociolinguistika, Cambdridge University Press, 1980,1996, Botimi në shqip: Dituria, Tiranë.

Labov, W. (1972). The Study of Language in its Social Context , Sociolunguistics, Edited by J.B. Pride and J. Holmes, Ringwood, Victoria, Australia.

Munishi, Shkumbin. (2006). Gjuha standarde shqipe në Kosovë dhe drejtimet e zhvillimit të saj disertacion i doktoratës (dorëshkrim), Universiteti i Prishtinës, Prishtinë.

No comments: