Sunday, May 17, 2009

GJUHA SHQIPE DHE INTERNETI


Shkumbin MUNISHI (Prishtinë)

PËRMBLEDHJE

Në këtë punim trajtohet ndikimi që ka pasur Interneti në komunikimin gjuhësor, në përgjithësi, dhe në gjuhën shqipe, në veçanti. Interneti ka hapur domene të reja të komunikimit, duke krijuar hapësira për përdorimin e shumë gjuhëve të botës dhe, në këtë kuadër, edhe të gjuhës shqipe. Interneti i ka dhënë shtytje variacionit stilistikor gjuhësor, sidomos në anën joformale të spektrit komunikues. Gjuha shqipe përdoret në të gjitha aktivitete në Internet, duke përfshirë ueb faqet, komunikimin e ndërmjetuar me kompjuter në dhoma të bisedave (chat rooms), komunikimin përmes mesazheve të çastit etj. Në hapësirën virtuale shqiptare në Internet përdoren pothuajse të gjitha kodet e folura të shqipes.

FJALËT KYÇE: Internet, gjuha shqipe, variacion stilistik, varietete, komunikim gjuhësor, komunikim i ndërmjetuar me kompjuter (computer-mediated communication), mesazh i çastit (instant meesaging), mesenxher, ueb faqe, softuer.


HYRJE

Gjuha shqipe, si një ndër gjuhët më të vjetra në Ballkan, ka kaluar nëpër shumë faza të zhvillimit dhe të transformimit të saj. Në këtë proces, shqipja ka qenë e ndikuar vazhdimisht nga faktorët e ndryshëm gjuhësore dhe jashtëgjuhësorë, ndërsa rrethanat e ndryshme historike, nëpër të cilat ka kaluar shqipja, kanë ndikuar që hapësirat e saj të përdorimit herë të ngushtohen, herë të zgjerohen. Kjo ka ndikuar që pozita e shqipes dhe e varieteteve të saj, në raste të caktuara, të jetë mjaft e pavolitshme, ndërsa, në rastet e përmirësimit të gjendjes ekonomike-politike të popullit shqiptar, është përmirësuar edhe pozita e shqipes. Me fjalë të tjera, fati i shqipes në kohë dhe në hapësirë, ka qenë i lidhur me fatin e bashkësisë shqiptare në përgjithësi dhe përmirësimi i pozitës së shqiptarëve është reflektuar edhe në përmirësimin e pozitës dhe të statusit të gjuhës shqipe.
Në literaturën linguistike dhe sociolinguistike tashmë është i njohur përkufizimi se gjuhët, në të shumtën e rasteve, nuk janë sisteme njëformëshe, por shumica e gjuhëve të botës e kanë variacionin e tyre inherent, i cili ndikohet nga faktorët e ndryshëm sociolinguistikë. Ekzistenca e një varieteti standard të gjuhës nuk e përjashton ekzistencën e varieteteve të tjera me bazë gjeografike (dialektet) apo shoqërore (sociolektet). Ndërkaq, ky variacion i gjuhës dhe përdorimi, ndikohen nga faktorët e tillë, si: mosha, gjinia, edukimi, domeni, vendndodhja e komunikimit dhe tema e bisedës. Duke e parë këtë ndikim jashtëgjuhësor në gjuhë, Joshua Fishman flet për domenet e sjelljes gjuhësore dhe të përdorimit të gjuhës (Fishman, 1972; shih edhe te Nuhiu, 1990). Sipas Fishmanit, “domeni është një konstrukt socio-kulturor i abstraktuar nga temat e komunikimit, marrëdhëniet midis komunikuesve dhe lokalizimi i komunikuesve, në pajtim me institucionet e një shoqërie dhe sferave të aktivitetit të një bashkësie folëse, në atë mënyrë që sjellja individuale dhe tiparet sociale mund të dallohen nga njëri-tjetri dhe njëkohësisht të ndërlidhura me njëra-tjetrën” (f. 20). Në bazë të përcaktimeve të mëhershme të Schmidt-Rohr (1932) dhe Greenfield (1964), Fishmani përcakton pesë domene kryesore: familja, shoqëria, feja, arsimi dhe punësimi, si faktorë që e përcaktojnë sjelljen gjuhësore të individit. Këto domene kanë të bëjnë me situatat reale të sjelljes gjuhësore. Ndonëse domenet e përcaktuara nga Fishmani dhe të tjerët duken gjithëpërfshirëse, megjithatë mendoj se ky përcaktim nuk është i plotë. Një domen shtesë, i cili mendoj se duhet pasur parasysh, është domeni i medieve, ku përfshihen mediet e shkruara dhe audio-vizuale, si dhe domeni i Interneti. Domenet e medieve dhe Internetit si hapësira komunikuese dhe hapësira të sjelljes gjuhësore të individit, i kanë specifikat e veta, të cilat ushtrojnë ndikim në formën dhe përmbajtjen e komunikimit gjuhësor. Gjatë gjithë shekullit të kaluar dhe në këtë shekull, fusha e medieve ka përjetuar një zhvillim marramendës, duke evoluar nga forma e shtypur (gazetat dhe revistat), si mjet për përçimin e informatave në formë të shkruar, te forma audio-vizuale (radio dhe televizioni), si mjet për përçimin e informatave përmes zërit dhe pamjeve të xhiruara, deri te Interneti, si hapësirë virtuale dhe e ndërlidhur në nivel global, si mjet për përçimin e informatave në formë të shkruar, me zë dhe përmes pamjeve.
Pra, kur bëhet fjalë për sjelljen gjuhësore të individit dhe të aktivitetin e tij gjuhësor brenda domeneve përdorimit gjuhësor, duhet të merret parasysh edhe hapësira e medieve dhe Internetit, si domene që në vitet e fundit kanë fituar në peshë për shkak të rëndësisë që kanë për jetën e njerëzve në përgjithësi. Risitë teknologjike në fushën e medieve kanë bërë që mediet të luajnë një rol shumë të rëndësishëm komunikues në shumicën dërmuese të bashkësive folësve nëpër botë, duke krijuar hapësira të përdorimit për shumë gjuhë botërore. Mjetet e informimit, si gazetat, radio dhe televizioni, përveç komunikimit të informatave, janë shndërruar edhe në hapësira, ku ndodh ndërveprimi dhe ndërkomunikim gjuhësor dhe, rrjedhimisht, në këto hapësira mund të shfaqen po ato dukuri sociolinguistike, të cilat mund të hasen në ndërkomunikimin njerëzor të përditshëm. Në dy dekadat e fundit, një rol të rëndësishëm, qoftë për jetën e njerëzve në përgjithësi, qoftë për aktivitetin dhe sjelljen e tyre gjuhësore, është duke e luajtur Interneti. Duke qenë mjeti ndoshta më i sofistikuar për bartjen e shpejtë të informatave dhe korrespondencës, Interneti është bërë mjet i pashmangshëm i aktivitetit të njerëzve, ndërsa përhapja dhe shtrirja e tij në rrafshin global, ka ndikuar në integrimin e hapësirave komunikuese botërore dhe, si rrjedhojë, ka bërë që kontaktet midis gjuhëve të ndryshme të botës të shtohen në nivele që nuk janë parë më parë në historinë e njerëzimit.
Kësaj dukurie dhe këtij ndikimi të Internetit nuk i ka shpëtuar as gjuha shqipe. Para se të flasim për rolin dhe ndikimin e Internetit në gjuhën shqipe, të flasim pak për zanafillën e tij dhe për ndikimin që ka pasur në komunikimin gjuhësor.


LINDJA E INTERNETIT, ZHVILLIMI DHE NDIKIMI I TIJ NË KOMUNIKIMIN GJUHËSOR

Përparimi i industrisë dhe teknologjisë në botën perëndimore, jo vetëm që ka ndihmuar në përmirësimin e mirëqenies së njerëzve, por ka ndikuar edhe në ndryshimet shoqërore dhe në mënyrën e jetesës. Gjithashtu, të gjitha këto ndryshime dhe risitë teknologjiken në fushën e komunikimit, e kanë përmirësuar komunikimin dhe ndërveprimin shoqëror midis njerëzve, duke mundësuar jo vetëm bartjen e informacioneve nga njëri skaj i botës në tjetrin, por edhe bartjen e botëkuptimeve, vlerave e koncepteve të reja. Megjithatë, mund të thuhet se kthesa kyçe e këtyre ndryshimeve pozitive ka qenë avancimi dhe zhvillimi në fushën e teorisë së informacionit dhe të teknologjisë informative, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore. Në kuadër të këtij zhvillmi një rol të rëndësishëm luajtën zbulimi i transistorëve (1947) dhe i qarkut të integruar (1957), që i hapën rrugë zbulimit të çipave të kompjuterëve, më 1971, dhe, në këtë mënyrë, u vunë themelet e teknologjisë informative dhe kompjuterëve. Interneti ka lindur si rrejt i komunikimit në kuadër të forcave mbrojtëse kombëtare të SHBA-ve, me qëllim që në rast të sulmit në një zonë të caktuar, të mos dëmtohet i tërë rrjeti i komunikimit i forcave mbrojtëse amerikane. Lidhja e parë midis kompjuterëve (midis University College London dhe rrjetit akademik të SHBA-ve Arpanet) u bë më 1973, ndërkohë që lidhjet e reja të kompjuterëve filluan të shtohen edhe më tepër më 1975, kur filloi të zbatohej teknologjia e satelitëve. Grupet e para bisedimore (chat groups) dhe të shkëmbimit të email-ëve u krijuan në vitet ’70, midis një grupi të vogël shkencëtarësh të katër universiteteve amerikane (UCLA, University of California in Santa Barbara, Stanford dhe University of Utah). Ndërkaq, më 1990-1991, Tim Berners-Lee nga Instituti për Fizikë të Energjisë së Lartë – CERN në Gjenevë, e ndërtoi një sistem hipër tekstor, i cili mundësonte që informatat të ndaheshin përgjatë rrjetit të kompjuterëve dhe kështu, më 1992, u krijua World Wide Web (WWW), pra ueb faqja e parë.(Block, 2004: 27-28).
Pas vitit 1992, Interneti pati një përhapje dhe shtrirje marramendëse nëpër botë, duke u zhvilluar dhe përsosur edhe më tepër. Funksionet e tij u zgjeruan, duke mundësuar shkëmbimin e informatave dhe komunikimin në të gjitha format. Sistemet e ueb faqeve, të emali-ëve, të bashkëbisedimit në grupe dhe veç e veç (chat), sistemet e mesazheve të çastit (instant messenger) dhe sistemi i komunikimit të ndërmjetuar përmes kompjuterit vazhdojnë të përsosen edhe sot e gjithë ditën. Me fjalë të tjera, sot bota është duke jetuar në një revolucion të vazhdueshëm të përparimit teknologjik dhe të teknologjisë informative, në veçanti, dhe ky përparim ka bërë që njerëzit, në katër anët e botës, të afrohen me njëri-tjetrin si kurrë me parë. Në ditët e sotme, Interneti luan rolin kryesor në globalizimin e jetës shoqërore të njerëzve dhe është bërë mjeti kryesor i procesit të globalizimit.
Por, cili ka qenë ndikimi i Internetit në gjuhët e ndryshme dhe në komunikimin gjuhësor në përgjithësi?
Funksionimi i Internetit as që mund të paramendohet pa gjuhën, por edhe gjuha është e ndikuar mjaft nga Interneti, prandaj mund të themi se midis tyre ekziston një lidhje shumë e ngushtë. Hapësira e Internetit është bërë dhe një medium tjetër për përdorimin e gjuhës. Studiuesi i mirënjohur David Crystal, autor i librit “Language and the Internet”[1], në një shkrim të tij thekson se linguisti nuk mund se si të mos jetë i impresionuar nga Interneti si një medium i jashtëzakonshëm, që hedh në dritë shumë anë të natyrës gjuhësore. Sipas Crystal-it, World Wide Web ka krijuar hapësira për përdorimin e të gjitha stileve të shkruara të gjuhës, të cilat janë zhvilluar deri tash në shkrim, por njëkohësisht është duke na njohur edhe me stile të reja të shprehjeve të shkruara, të cilat nuk kanë qenë të njohura deri tash, siç është p.sh. gjuha e animuar (Crystal, 2001). Zhvillimi dhe përsosja e mëtejme e Internetit ka mundësuar që përveç formave të shkruara të gjuhës, të zhvillohen edhe format e komunikimit audio-vizual, përmes video konferencave dhe thirrjeve telefonike kompjuter me kompjuter (PC-to-PC calls) në Internet. Duke e parë gjithë këtë ndikim të Internetit në ligjërimin njerëzor, David Crystal thekson se tashmë po lind një fushë e re e gjuhësisë, gjuhësia e Internetit (Internet Linguistics). Ai e përkufizon këtë fushë si analizë sinkronike e gjuhës në të gjitha fushat e aktivitetit në Internet, duke përfshirë email-ët e ndryshëm, dhomat e bisedave (chat rooms) dhe ndërveprimet përmes lojërave në Internet, mesazhet e çastit (instant messaging), ueb faqet, dhe duke përfshirë fushat e tjera të ndërlidhura të komunikimit të ndërmjetuar me kompjuter (CMC, computer-mediated comunication), siç është komunikimi me tekste SMS përmes telefonave celularë (Crystal, 2005).
Sa i përket ndikimit të drejtpërdrejtë të Internetit në gjuhë, Crystal-i e bazon këtë ndikim, duke u bazuar në tri karakteristika të këtij mediumi: në karakterin formal të tij, në dobinë dhe në përdorimin e tij. Sipas tij, Interneti ka mundësuar që në gjuhë të zhvillohet një medium i ri i komunikimit, fundamentalisht i ndryshëm nga format tradicionale, siç janë të folurit dhe shkrimi. Tiparet që e dallojnë komunikimin e ndërmjetuar me kompjuter (ang. CMC) nga të folurit, përfshijnë mungesën e feedback-ut simultan, mungesën e fonologjisë josegmentare (siç janë zëri e intonacioni, të cilët mund t’i zëvendësojnë emotikonët, por këtë nuk mund ta bëjnë plotësisht) dhe mundësinë për ndërkomunikim të shumanshëm simultan (në dhoma bisedimesh). Tiparet që e dallojnë komunikimin e ndërmjetuar me kompjuter nga shkrimi, përfshijnë dimensionin dinamik (siç janë efektet e tilla si animacioni dhe rifreskimi i faqeve), aftësia për të krijuar korniza tekstore (siç është funksioni cut / paste) dhe hipertekstualiteti. Interneti, gjithashtu, i ka dhënë gjuhës varietete të reja stilistike, duke rritur gamën shprehëse të gjuhës në fundin joformal të spektrit të të folurit (Crystal, ibid.).
Në bazë të këtyre pohimeve të Crystal-it, mund të përfundojmë se Interneti, krahas revolucionit që ka shkaktuar në informim, ka nxitur gjithashtu ndryshime domethënëse strukturore edhe në gjuhë. Mund të thuhet se Interneti, ka krijuar një hapësirë të re virtuale, në të cilën është reflektuar i tërë diversiteti dhe variacioni gjuhësor që ekziston në botën reale, ndërkohë që ky ndikim shkon edhe më tej, në kuptim të krijimit të formave të reja komunikative, të cilat nuk janë të pranishme në botën reale. Këto ndikime të Internetit vërehen sidomos në dimensionet e reja të komunikimit gjuhësor përmes mesazheve të çastit (instant messaging) në mesenxherë, me ç’rast kemi riprodhim gjuhësor aty për aty të gjuhës së folur përmes shkrimit. Ky riprodhim pasqyron tërë variacionin stilistikor, i cili haset edhe në gjuhën e folur, pra përdorimin e varieteteve formale dhe joformale varësisht nga bashkëbiseduesi dhe tema e bisedës. Pamundësia e reflektimit të zërit, intonacionit, mimikës dhe mjeteve shprehëse ndihmëse të tjera, të cilat e shoqërojnë komunikimin real, kompensohet joplotësisht përmes emotikonëve (figurave dhe simboleve elektronike ndihmëse, që përdoren për të shenjuar virtualisht gjendje emotive, por edhe shenjime të dukurive të tjera).
Duke u nisur nga pohimet e mësipërme, mund të thuhet se ndërthurja dhe ndërndikimi i gjuhës dhe Internetit, padyshim, hapin horizonte të reja studimore sociolinguistike, të cilat do të ishin me shumë interes, sepse do të hidhnin dritë mbi aspekte të caktuara të komunikimit njerëzor në formë virtuale, pra në ato rrethana kur mungon prania fizike, kur mungon trysnia e faktorëve psiko-sociologjikë, të cilët shpesh kanë ndikim të fuqishëm në komunikimin njerëzor, dhe kur mungon feedback-u i menjëhershëm.
Sa i përket përdorimit të gjuhëve të ndryshme në Internet, deri vonë ka mbizotëruar pikëpamja se anglishtja si gjuhë dominuese botërore zë vendin kryesor në Internet. Megjithatë, statistikat e fundit tregojnë se hapësira që zë anglishtja në Internet ka filluar të zvogëlohet, ndërkaq hapësira e gjuhëve të tjera botërore ka filluar të rritet gjithnjë e më tepër. Crystal-i (2001) dhe Block-u (2004) e ndajnë mendimin se, për aq sa Interneti i ka krijuar hapësira të mëdha përdorimi anglishtes, po aq është duke krijuar hapësira për gjuhët e tjera botërore, duke e bërë Internetin në të vërtetë një “mjet shumëgjuhësh”. Në katër studime të ndryshme të kryera në disa vende të botës (Ukrainë, Poloni, Maqedoni, Itali, Francë, Tanzani, Oman, Indonezi, Emirate të Bashkuara Arabe dhe Japoni) lidhur me përdorimin dhe qasjen në Internet sipas gjuhëve (Gerrard; Holmes; Mafu; Peel; 2004), del se ndonëse anglishtja ka një përdorim të ndjeshëm, sidomos nga folësit bilingë, megjithatë gjuhët vendore mbizotërojnë pothuajse në të gjitha format e përdorimit në Internet. Kjo dëshmon se Interneti është bërë strehë dhe hapësirë pak a shumë për të gjitha gjuhët, folësit e të cilave e shfrytëzojnë Internetin. Crystal-i thekson se, ndonëse nuk dihet saktësisht se sa gjuhë janë të pranishme në Internet, ai shumë lehtë ka arritur t’i gjejë mbi 1000 (Crysla, 2001).
Me fjalë të tjera, megjithë dominimin e anglishtes si gjuhë globale, Interneti ka shkaktuar një revolucion të vërtetë në afrimin e gjuhëve të ndryshme të botës, duke krijuar hapësirë për përdorimin dhe ruajtjen e tyre. Nën strehën e Internetit vendin e saj e ka zënë edhe shqipja dhe, në vazhdim, do të shohim se cili ka qenë ndikimi i Internetit në gjuhën shqipe.


INTERNETI NË HAPËSIRAT SHQIPTARE DHE NDIKIMI I TIJ NË GJUHËN SHQIPE

2.1 Përhapja e Internetit në trevat shqiptare në Ballkan

Interneti në hapësirat shqiptare në Ballkan (Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi) ka filluar të shtrihet dhe përhapet përafërsisht në të njëjtën kohë kur Interneti ka filluar të përdoret në vendet e tjera të rajonit të Ballkanit. Përhapja graduale e Internetit në trevat shqiptare filloi aty pas gjysmës së dytë të viteve ’90 të shekullit XX. Në Shqipëri, më 1985, krijohet i pari “access point” (pika e qasjes) për t’u shfrytëzuar nga institucionet kërkimore, i cili funksionoi deri më 1993. Më 1995 riaktivizohet rrjeti akademik, i cili mundësonte email-ët për OJQ-të, institucionet qeveritare dhe akademike, ndërsa më 1997 fondacioni “Soros” hapi “access point-in” e Internetit, duke e mundësuar lidhjen e plotë për disa institucione. Më 1998, në Shqipëri, Internet kishte qeveria, Ministria e Arsimit, disa fakultete dhe OJQ, si dhe 4500 abonentë rezidencialë. Po atë vit, në shkurt, hyri në fuqi Ligji për Telekomunikacionin në Shqipëri, ndërsa në shtator u krijua Enti Rregullator i Telekomunikacionit, i cili filloi menjëherë procedurat për licencimin e ISP-ve (Internet Service Provider). Gjatë viteve 1998-1999 ERT-ja autorizoi 11 ISP komerciale dhe 2 jokomerciale dhe në këtë mënyrë përhapja e Internetit në Shqipëri mori hov më të madh[2].
Mirëpo, përkundër trendit relativisht të shpejtë të përhapjes së Internetit në Shqipëri, megjithatë disa hulumtime tregojnë se në zonat rurale ka ngecje në përdorimin e Internetit. Në bazë të një hulumtimi të kryer nga UNICEF-i në Shqipëri, del se për më shumë se gjysmën e fëmijëve që jetojnë në fshat, Interneti është thjesht një emër të cilit ata, në rastin më të mirë, ia dinë vetëm kuptimin. Ndonëse nuk e kemi pasur në dorë këtë hulumtim, këto të dhëna që po i japim janë bërë të ditura nga media shqiptare. Në vazhdim po e citojmë lajmin e plotë të publikuar nga Top Channel:
“Studimi i UNICEF-it tregon se 55% e fëmijëve të moshave 9 deri në 17 vjeç që jetojnë dhe frekuentojnë shkollat e zonave rurale të vendit nuk kane asnjë informacion për internetin. Por situata nuk ndryshon shumë edhe në disa qytete të vendit. Sipas këtij studimi, rezulton se 21.5% e fëmijëve që jetojnë në qytetet e mëdha të vendit nuk e kanë përdorur kurrë internetin. Por diferenca ka edhe mes fëmijëve që kanë kompjuter në shtëpi dhe e kanë të lidhur me internetin. Meshkujt duket se janë më të përparuar në përdorimin e internetit në krahasim me femrat, pasi 13.6% e tyre dinë ta përdorin rrjetin shumë mirë. Të dhënat e këtij studimi ku janë pyetur 2 mijë e 200 fëmije tregojnë se 73.8% e fëmijëve e përdorin kompjuterin për tu argëtuar me lojëra të ndryshme. Vetëm 51% e tyre e përdorin për mësime. Megjithëse qeveria ka premtuar se brenda muajve të pare të këtij viti të gjitha shkollat do të pajisen me kompjuterë dhe internet, rreth 13% e këtyre fëmijëve s’dinë asgjë mbi internetin. Studimi është kryer në 100 shkolla të vendit që ndodhen në qytete si Tirana, Korça, Kavaja, Fier, Shkodër dhe në Selenice të Vlorës”[3].
Sa i përket numrit të përgjithshëm të përdoruesve të Internetit në Shqipëri, sipas të dhënave të Internet World Stats, në Shqipëri, nga 3,619,788 banorë, ka rreth 580.00 përdorues të Internetit, pra rreth 16% penetrim për GfK, dhe rreth 10.000 lidhje Interneti brodband (brezgjerë)[4].

Shqipëria

AL - 3,619,778 popullsia ('08) – territori i vendit: 28,748 km²

Kryeqyteti: Tirana – popullsia 386,025 ('07)

580,000 përdorues të Internetit deri më dhjetor/08, 16.0% penetrim per GfK.

10,000 lidhje broadband të Internetit deri më shtator /08, per ITU.

Tabela 1.
Numri i përdoruesve të Internetit dhe lidhjeve brodband në Shqipëri sipas Internet World Stats


Për të përmbledhur këtë paraqitje lidhur me shtrirjen dhe përdorimin e Internetit në Shqipëri, të shtojmë se qeveria shqiptare ka filluar një projekt të quajtur “Shqipëria në moshën e Internetit”, i cili synon përhapjen sa më të gjerë të Internetit në Shqipëri, me qëllim që të ketë një qasje sa më të madhe në Internet për fëmijët dhe të rinjtë. Mbetet të shihet se sa do të realizohet ky projekt.
Në Kosovë, Interneti ka filluar të përdoret aty nga mesi i viteve ’90 të shekullit të kaluar. Për shkak të okupimit brutal serb në të cilin gjendej Kosova, deri më 1999, depërtimi dhe qasja në Internet ka qenë shumë e kufizuar. Pas fundit të luftës në Kosovë dhe pas largimit të trupave serbe nga Kosova, me vendosjen e Misionit të OKB-së në Kosovë dhe me krijimin e institucioneve qeveritare vendore, shtrirja e Internetit në Kosovë mori hov shumë të madh. Nismat e kompanive vendore dhe ndihma e donatorëve ndërkombëtarë bëri që qasja e Internetit në Kosovë të jetë e mundshme për një pjesë të madhe të qytetarëve të Kosovës, fillimisht në zonat urbane, por pastaj edhe në zonat rurale. Në Kosovë ende mungojnë të dhënat e sakta për numrin e përgjithshëm të përdoruesve të Internetit dhe për lidhjet brodband (brezgjerë). Sipas të dhënave të Internet World Stats, në Kosovë, nga 1.794.984 banorë (sic!), ka rreth 377.000 përdorues të Internetit, pra rreth 21% penetrim për GfK. Ndërkaq, nuk jepen të dhëna lidhur me numrin e përgjithshëm të lidhjeve brodband[5]. Pra në bazë të këtyre të dhënave del se depërtimi i Internetit (penetrim per GfK) në Kosovë është më i madh se në Shqipëri, por për Kosovën mungojnë të dhëna të sakta lidhur me lidhjet brodband për shkak se të dhënat e ITU-së (International Telecommunication Union) për Kosovën nxirren nga të dhënat për Serbinë. Shpresojmë që tash, pas shpalljes së pavarësisë, Kosova së shpejti do të bëhet anëtare edhe e kësaj organizate ndërkombëtare.


KOSOVA

KV - 1,794,984 popullsia - territori i vendit: 10,908 sq km

Kryeqyteti: Prishtina - popullsia 500,000 (Est.)

377,000 përdorues të Internetit deri më dhjetor./08, 21.0% penetrim per GfK.

Mungojnë të dhënat për lidhjet.

Tabela 2.
Numri i përdoruesve të Internetit dhe lidhjeve Brodband në Shqipëri sipas Internet World Stats


Po të merren dhe të krahasohen të dhënat për vendet e Ballkanit, del se Shqipëria dhe Kosova janë të fundit për nga numri i përdoruesve të Internetit, por në bazë të të dhënave të tjera dytësore, Kosova ka një numër shumë më të madh të përdoruesve të Internetit, sesa ai që jepet nga Internet World Stats[6]. Sa i përket të dhënave për përdorimin e Internetit nga shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, të dhënat sipas strukturës etnike është e vështirë të nxirren. Në Maqedoni, sipas Internet World Stats, ka rreth 906.979 përdorues të internetit, ose 44% penetrim për GfK, ndërsa në Mal të Zi rreth 280.00 përdorues të internetit, ose 41.3% penetrim për GfK[7]. Nga këto shifra është e vështirë të nxirret numri i përdoruesve shqiptarë, pasi që këto të dhëna jepen për qytetarët e këtyre dy shteteve dhe nuk ka të dhëna sipas strukturës etnike. Poashtu, nuk ka të dhëna as për përdoruesit shqiptarë të Internetit në qytetet shqiptare në Serbi, Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.
Në bazë të këtyre të dhënave zyrtare shihet qartë që përdorimi i Interneti nga shqiptarët është duke u rritur ndjeshëm dita-ditës. Për çdo ditë përdorues të rinj shqiptarë janë duke u lidhur me këtë mjet shumë të rëndësishëm. Ky zhvillim mund të konsiderohet si mjaft pozitiv, sidomos kur merret parasysh fakti që popullata shqiptare në përgjithësi është mjaft e re në moshë.


2.2 Gjuha shqipe në Internet

Çfarë hapësira ka zënë gjuha shqipe në Internet dhe cili është ndikimi i Internetit në gjuhën shqipe? Sigurisht, kjo pyetje kërkon studime më të thella linguistike, sociolinguistike e psikolinguistike. Ndikimi i Internetit ka prekur jo vetëm sistemin e shqipes, por ka nxitur edhe zhvillimin e dukurive të ndryshme shoqërore e psikologjike të ndërlidhura me përdorimin e gjuhës në Internet. Studimet e këtyre dukurive të ndikimit të Internetit në shqipe ende mund të numërohen në gishta. Hiç një punimi të Rrahman Paçarizit lidhur me gjuhën e mesenxherit (2006), një punimi të Bardh Rugovës lidhur me korrektorin elektronik (2004) dhe një tjetri të Mariana Ymerit (këto dy studime të fundit nuk i kemi pasur në dorë), nuk kemi njohuri për studime të tjera lidhur me këtë problematikë. Prandaj, siç u tha më lartë për gjuhët e tjera, edhe në fushën e shqipes studimet mbi ndikimin e Internetit në gjuhën shqipe dhe në varietetet e saj do të hapnin një fushë të re studimore me shumë interes.
Vlen të përmendet qysh në fillim se vendimi i Kongresit të Manastirit (1908) për të përdorur alfabetin latin për shkrimin e shqipes ka pasur ndikim vizionar. Duke qenë se teknologjia informative zhvillimin kryesor e ka pasur në SHBA dhe në vendet e Evropës Perëndimore, vende këto që e përdorin alfabetin latin për shkrimin e gjuhëve të tyre, kjo i ka ndihmuar edhe shqipes të mos ketë probleme me shkrimin e grafemave të saj në tekstet elektronike. Tastierat e shkrimit të kompjuterëve janë ndërtuar kryesisht me alfabet latin dhe kjo e ka lehtësuar edhe shkrimin e shqipes. Ndonëse sot sistemi i kodimit UNICODE është avancuar mjaft dhe mundëson shkrimin e mbi 65.000 karaktereve (fonemave shkronja), shqipja pa problem mund të shkruhet me alfabet latin me shkronjat të cilat gjenden në tastierat standardë. Problemi i shkrimit të shkronjave Ë/ë dhe Ç/ç është zgjidhur përmes zëvendësimit me simbole (Ë = Alt+0203, ë = Alt+137; Ç = Alt+128, ç = Alt+135).
Me përhapjen e Internetit në mesin e shqipfolësve ka filluar edhe zhvillimi i teknologjive softuerike për ta lehtësuar përdorimin e shqipes në teknologjinë informative dhe në Internet. Kështu, për të lehtësuar përdorimin e gjuhës standarde shqipe në shkrim, Qendra për Edukim dhe Përparim (QEP) ka zhvilluar softuerin për korrektorin automatik të shqipes standarde. Ky korrektor mundëson përmirësimin e fjalëformave të rasave e zgjedhimeve të caktuara, si dhe fjalëformat e shkruara gabimisht në shkrimet përmes programit Microsoft Word. Përkundër disa mangësive të natyrshme të këtij korrektori, që kanë të bëjnë me tiparet e sistemit morfo-sintaksor të shqipes, probleme këto që i kanë edhe korrektorët elektronikë të gjuhëve të tjera, ky korrektor lehtëson shkrimin e shqipes standarde dhe përmirëson nivelin e saj. Zhvillimi dhe përsosja e mëtejme e këtij korrektori do të ishte me interes për përparimin e shqipes standarde. Organizata QEP ka zhvilluar edhe Fjalorin Elektronik të Shqipes (FESH), ndërsa kompania ndërkombëtare e përkthimeve elektronike ECTACO ka zhvilluar fjalorë dygjuhësh anglisht-shqip/shqip-anglisht dhe fjalorë të shqipes dhe të disa gjuhëve të tjera botërore. Krahas këtyre zhvillimeve, janë përkthyer në gjuhën shqipe edhe sistemet operative Windows XP dhe Windows Vista, duke mundësuar përdorimin e kompjuterit dhe Internetit edhe nga ata të cilët nuk e njohin anglishten, ndërsa më 2005, është hartuar Fjalori i Informatikës anglisht-shqip/shqip-anglisht (Caka, Dika dhe Rodiqi, 2005). Së fundi, makina kërkimore Google ka futur mundësinë e përkthimeve elektronike për shqipen në shumë gjuhë të botës dhe anasjelltas. Ndonëse këto përkthime elektronike janë ende në fazën zhvillimore, megjithatë shërbejnë si bazë themelore për përkthimin dhe kuptimin e teksteve të shkruara në shumë gjuhë të botës në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.
Nga e tëra që u tha më lart, mund të përfundohet se shqipja e ka zënë vendin e saj në Internet, ndërsa avancimet teknologjike dita-ditës po krijojnë mundësi dhe lehtësira edhe për përdorimin e shqipes. Prandaj, pohimet e Crystal-it, Block-ut dhe të tjerëve, që u cekën më lart, se Interneti është bërë strehë për shumë gjuhë të botës, pra është bërë një mjet me të vërtet shumëgjuhësh, vlejnë dhe për gjuhën shqipe. Sot, shqipja përdoret në të gjitha fushat e aktivitetit në Internet, duke përfshirë ueb faqet, email-ët, dhomat e bisedave (chat rooms) dhe ndërveprimet përmes lojërave në Internet, mesazhet e çastit (instant messaging), si dhe duke përfshirë fushat e tjera të ndërlidhura të komunikimit të ndërmjetuar me kompjuter (CMC, computer-mediated comunication). Në anën tjetër, Interneti ka krijuar një domen të ri për përdorimin e shqipes, një domen elektronik e virtual. Shqipja në Internet shfaqet në të gjitha format dhe stilet e saj, ashtu siç përdoret edhe në botën reale, ndërsa Interneti ka ndikuar në shfaqjen e varieteteve të reja të shqipes, për të cilat do të flasim më poshtë. Krahas shqipes standarde, sot gjejmë të përdorur në Internet edhe varietetet e tjera gjeografike e shoqërore të shqipes. Shqipja standarde, si kod formal, sot, haset kryesisht në ueb faqe të institucioneve qeveritare e publike në Shqipëri dhe në Kosovë, në ueb faqe informative, pra të medieve të ndryshme në gjuhën shqipe, në ueb faqe që kanë për qëllim biznesin dhe, në më pak raste, edhe në ueb faqe që kanë për qëllim argëtimi. Në ueb faqe të ndryshme, ajo përdoret më shumë në formën e shkruar, por edhe në formë audio-vizuele, përmes audio/video materialeve. Sa i përket respektimit të normës standarde, edhe në Internet i gjejmë po ato probleme të zbatimit të normës, të cilat i gjejmë edhe në botën reale (për disa nga shkeljet e normës në ueb faqet zyrtare të institucioneve të Kosovës shih: Munishi, 2006: 139-141).
Në anën tjetër, në aktivitetet ndërvepruese në Internet shfaqet variacioni i plotë gjuhësor i shqipes. Në dhomat e bisedave (chat rooms), në format e komunikimit përmes mesazheve të çastit në mesenxherë (messenger instant messaging) dhe format e tjera të komunikimit të ndërmjetuar me kompjuter (CMC) shqipja del në të gjitha variantet e saj gjeografike, por edhe në formë të kodeve shoqërore, disa prej të cilëve mund të quhen regjistra të veçantë, siç është p.sh. komunikimi me mesenxher.
Duke u mbështetur në përkufizimin e stileve sipas M. Joos, Rrahman Paçarizi thekson se komunikimi përmes mesenxherit bën pjesë në domenin e të folurit të rastit ose casual (Paçarizi, 2006). Në raste të caktuara, komunikimi përmes mesenxherit, lëviz edhe drejt stileve formale, sidomos në situatat kur ky mjet përdoret në funksion edukativ, siç është për shembull mësimi në distancë, por edhe në forma të tjera, ku në marrëdhëniet komunikuese midis bashkëbiseduesve reflektohet raportet e pushtetit dhe të solidaritetit (Hudson, 2001). Në raste të tilla, stili i të folurit lëviz drejt anës formale të boshtit stilistik. Sa i përket komunikimit me mesenxher, Paçarizi konstaton me të drejtë se ekzistojnë formula të qëndrueshme të përdorimit të gjuhës dhe ekzistojnë rregulla për zëvendësimin e fjalëve të caktuara me shkurtesa, si p.sh. në shqip “flm” për faleminderit, “klm” për kalo mirë (Paçarizi, 2006). Kjo vlen edhe për komunikimin në dhomat e bisedave (chat). Gjuha e komunikimit në mesenxherë dhe në dhoma të bisedave është gjuhë me specifika të caktuara. Gjuha e mesenxherit nuk është gjuhë e shkruar, por është gjuhë që shkruhet, pra gjuhë e folur që shkruhet (Paçarizi, 2006: 176-177).
Në këto forma të komunikimit, në po të njëjtën hapësirë (në dhoma e chat-it; në mesenxherë) mund të haset edhe varieteti i Tiranës, edhe i Prishtinës, edhe i Shkupit a Tetovës, ose edhe ai i Shkodrës. Pra, variacioni gjuhësor ka një shtrirje të gjerë. Përveç kësaj, ndeshen edhe dukuri të tilla si ndërrimi i stilit, pra ndodh që në rastet e caktuara të ketë përshtatje të stilit dhe në raste të tilla kemi lëvizje drejt anët formale të spektrit stilistikë dhe anasjelltas, varësisht nga vëmendja që i kushtohet ligjërimit të individit. Në këto raste, pjesëmarrësi në chat nga vernakulari i tij i natyrshëm lëviz drejt përdorimit të një forme më standarde të shqipes dhe anasjelltas. Në bazë të një vëzhgimi josistematik dhe të rastit, krahas formave që i përmend Paçarizi, të cilat u përmendën më lart, kemi arritur t’i përvijojmë disa tipare e dukuri të cilat janë më të shpeshta në komunikimin e ndërmjetuar me kompjuter, të cilat do t’i përmendim këtu. Dukuria e parë që bie në sy është se në këtë formë të komunikimit kemi të folur të shkujdesur, pra shfaqet vernakulari i pastër i individit. Vërehet përpjekja për riprodhimin e plotë në formë të shkruar të formës së folur, përdoren format: bon (bën), du (dua), mir (mirë), koma (këmba), ene (edhe), kokshna (qenkam), pra forma të cilat individi i përdor në të folurit e tij të zakonshëm. Më tutje, ka një prirje për ngjitjen e fjalëve, si p.sh.: aka diqka (për a ka diçka), pom doket (po me duket), si dhe prirja për t’i shkruar format që shkruhen me apostrof pa apostrof (sdi ose zdi në vend të s’di, skam në vend të s’kam). Në shkrime pothuajse nuk bëhet fare dallimi midis grafemave ç/q dhe kryesisht fjalët shkruhen me q (veq në vend të veç) dhe e në vend të ë dhe kjo ndodh për arsye praktike, pasi që në tastierat e zakonshëm në gjuhën latine nuk ka ç dhe ë dhe këto shkronja duhet të zëvendësohen me simbole. Vërehet mospasqyrimi në shkrim i ë-së së patheksuar dhe shkruhen mir e un në vend të mirë dhe unë, si dhe zëvendësimi i fjalës (numrit, nyjës) një-ni me numrin 1, p.sh. spo muj 1 her. Poashtu, ka prirje për përdorimin e shkurtesave të qyteve e vendeve, jo vetëm shqiptare, por edhe atyre të huaja, si psh: pr (Prishtina), gl (Gjilani), te (Tetova), ny ose nyc (New York City), be (Berni), zh (Gjenevë), ch (Zvicër), de (Gjermani) etj. Një riprodhim të qëndrueshëm kanë edhe pasthirrmat dhe, përveç emotikonëve, edhe format e shkruara që synojnë të paraqesin gjendjen emocionale të bashkëbiseduesve, si p.sh.: hahaha (të qeshur), mmmm (për të shprehur kënaqësi a shije), hhmmm (për të shprehur dyshim a mendim), ufaaa (për të shprehur lodhje), pihh (për të shprehur neveri), jaak (për të shprehur gërdi) etj.
Nga shembujt që u dhanë më lart, del plotësisht i saktë konstatimi i Paçarizit, që u përmend më lart, se komunikimi në dhomat e bisedave (chat) dhe komunikimi me mesazhe çasti në mesenxherë tashmë ka krijuar formula të qëndrueshme të përdorimit të gjuhës, pra edhe të gjuhës shqipe.
Në anën tjetër, vlen të theksohet se kjo formë e komunikimit është e ndikuar mjaft nga anglishtja. Ndryshimi i kodit është dukuri që haset shpesh, sidomos kalimi nga shqipja në anglishte, ose ndonjë gjuhë tjetër (gjermanisht, italisht etj.). Ndikimi i anglishtes është mjaft i dendur, sidomos përmes disa formave gjuhësore të ngurta e shkurtesave, të cilat kanë përdorim tipik në chat dhe në mesenxherë, pra janë pjesë e stilit të komunikimit të këtij mediumi. Këtu po përmendim disa njësi, të cilat janë futur nga anglishtja, sikur edhe në shumë gjuhë të tjera, edhe në shqipe: ok (në rregull, mirë), np (no problem – s’ka problem), brb (be right back- kthehem menjëherë), lol (laughing out loud - qesh me të madhe), yeah (yes- po), whazz up (whats up - ç’kemi), u (you - ti), u 2 (you too - ti gjithashtu), 4 u (for you- për ty) etj.
Në fund të themi se megjithë zhvillimin që ka pasur forma e komunikimit përmes mesenxherit, prapë se prapë disa aspekte që e shoqërojnë komunikimin real nuk kanë mundur të realizohen në komunikimin virtual përmes mesenxherit. Feedback-u i menjëhershëm, tiparet e intonacionit dhe zërit, theksi, kontakti sy më sy, shprehjet mimike dhe gjestet (body language), reflektimi i jashtëm i gjendjes emocionale të folësve, tipare këto të cilat mund të luajnë rol shumë me rëndësi në komunikimin real, nuk mund të përdoren në mesenxher. Në njërën anë, mesenxheri shpesh e lehtëson komunikimin midis bashkëbiseduesve, sepse në këtë formë të komunikimit virtual mungon përballja fizike dhe kontakti sy më sy që shpesh shkaktojnë barriera e shtrëngime psikologjike, të cilat ndikojnë në formën e komunikimit gjuhësor dhe në varietetin e përzgjedhur. Por, në anën tjetër pikërisht mungesa e përballjes fizike dhe e kontaktit sy më sy, si dhe pamundësia për t’i parë gjestet e bashkëbiseduesit e pengojnë komunikimin. Shkronjat e shkruara dhe emotikonët, duke mos qenë në gjendje t’i zëvendësojnë këto tipare, mund të shkaktoj keqkuptim dhe mosmarrëveshje në komunikim përmes mesenxherit dhe në chat.
Krejt në fund të shtojmë se teknologjia e komunikimit të ndërmjetuar me kompjuter ka avancuar mjaft. Përveç formave të riprodhimit me shkrim të të folurit, për të cilat u fol deri tash, mund të komunikohet edhe me zë e pamje përmes videokonferencave. Për këtë qëllim janë zhvilluar softuer të ndryshëm që mundësojnë një formë të këtillë të komunikimit në distancë (PC-to-PC video and audio calls). Sot, shqiptarët, duke iu falënderuar Internetit, mund të komunikojnë me njëri-tjetrin dhe me familjarët e tyre qofshin ata në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, apo në diasporë. Këto forma të komunikimit me zë e pamje përmes videokonferencave mund të jenë edhe formale, edhe joformale. Këtu të shtojmë se, ndonëse nuk kemi të dhëna për këtë çështje, Interneti mbase mund të ndihmojë edhe në ruajtjen e varieteteve të rrezikuara të shqipes, siç janë arvanitishtja dhe arbërishtja. Duke qenë mjet i komunikimit global, Interneti mund të ndihmojë në afrimin dhe në vendosjen e ndërkomunikimit midis folësve të arbërishte dhe të arvanitishtes me botën tjetër shqiptare. Kjo do të mund të ndihmonte në ruajtjen nga zhdukja të këtyre varieteteve të shqipes.
Duke e përmbyllur, mund të thuhet me plotë të drejt që Interneti e ka revolucionarizuar komunikimin njerëzor, duke i dhënë edhe një dimension tjetër shtesë, i cili nuk ka ekzistuar më parë. Në këtë revolucion është përfshirë edhe gjuha shqipe.


PËRFUNDIME

Në përmbyllje të këtij punimi mund të konstatojmë se Interneti, si medium i ri i komunikimit dhe i bashkëveprimit, shoqëror është duke ushtruar një ndikim të fuqishëm në komunikimin gjuhësor. Interneti ka hapur një domen të ri të komunikimit, krahas domeneve të tjera që gjenden në botën reale. Ndonëse fillimisht ka ekzistuar botëkuptimi se Interneti është mjet i cili i ka dhënë shtytje dominimit të anglishtes si gjuhë globale, pohim ky që deri diku është i drejtë, megjithatë prania e gjuhëve të shumta të botës, në mesin e tyre edhe prania e shqipes, e bëjnë Internetin një mjet shumëgjuhësh. Në rrafshin gjuhësor, Interneti i ka ndikuar në zgjerimin e variacionit stilistik gjuhësor, duke krijuar edhe stile të reja të komunikimit, kryesisht në anën joformale të spektrit komunikues.
Sa i përket përhapjes dhe ndikimit të Internetin në gjuhën shqipe, mund të përfundojmë se në vitet e fundit përdorimi dhe shtrirja e Internetit në trevat shqiptare është rritur ndjeshëm. Janë krijuat ueb faqe të shumta në gjuhën shqipe, softuerë për të lehtësuar përdorimin e shqipes e deri te sistemet e fundit operative Windows, të cilat janë përkthyer në gjuhën shqipe, duke e lehtësuar në masë të madhe edhe futjen e shqipes nën strehën e Internetit dhe duke lehtësuar përdorimin e kompjuterëve dhe Internetit edhe për shqipfolës, të cilët nuk e njohin gjuhën angleze, apo ndonjë gjuhë tjetër të huaj.
Në rrafshin e gjuhës shqipe, Interneti ka pasur po të njëjtin ndikim, sikurse edhe në gjuhët e tjera. Ai i ka hapur rrugë variacionit gjuhësor të shqipes, duke e mundësuar përdorimin e varieteteve të tjera dialektore e shoqërore të shqipes, krahas gjuhës standarde, e cila, në Internet, përdoret kryesisht në ueb faqet e institucioneve qeveritare e publike dhe në ueb faqet e medieve në gjuhën shqipe. Për më tepër, shqipja ka gjetur përdorim në të gjitha aktivitetet në Internet, sidomos në format e komunikimit të ndërmjetuar me kompjuter (CMC). Ajo sot përdoret në dhomat e ndryshme të për bisedime (chat rooms), në komunikimin me mesazhe të çastit në mesenxherë (messenger instant messaging) etj. Ky përdorim ka ndikuar në krijimin e formave që qëndrueshme gjuhësore të cilat përdoren në komunikimin e ndërmjetuar me kompjuter. Këto forma i kanë tiparet dhe karakteristikat e tyre, në bazë të të cilave mund të flitet për varietete të posaçme gjuhësore të shqipes të përcaktuara për përdorim në dhoma të bisedave e mesenxherë.
Në përmbyllje, të shtojmë se Interneti është duke pasur një ndikim të fuqishëm jo vetëm si mjet për shkëmbimin e informatave, por edhe në kuptim të ndryshimeve shoqërore që është duke shkaktuar. Në këtë kuadër, Interneti e ka revolucionarizuar edhe komunikimin gjuhësore duke i dhënë dimensione të reja dhe në kuadër të këtij revolucioni komunikues, edhe gjuha shqipe është duke e gjetur vendin e saj.





SUMMARY

In this paper the author discusses the impact that the Internet is having on language communication throughout the world. The Internet has opened a new domain for communication in addition to real domains which existed before. In terms of the impact that the Internet is having on the language communication, the main conclusion which can be drawn is that the Internet is influencing on the rising of new stylistic variation, in particular on the informal side of the spectrum of communication.
Initially, there was a prevailing opinion that the Internet is a tool for the spread of English as global language. The use of English is still dominant; however the connection of websites in other languages of the world is increasing rapidly. Therefore, today, we can speak about the Internet as a multilingual communications tool.
In this respect, it must be emphasized that Albanian is finding its place on the Internet. Recently, the number internet users and broadband connections among Albanian population (Albania, Kosova, Macedonia, Montenegro and Albanian diasporas overseas) has rapidly increased. At the same time, efforts have been made to facilitate the Albanian use online. A spell-checker for Albanian has been developed compatible for the Microsoft Office and Windows Operations Systems XP and Vista have been translated into Albanian as well, thus facilitating the use of computers and Internet for monolingual Albanians.
In terms of the impact that the Internet is having on Albanian language, it could be pointed out that is the same as on the other languages. Albanian is being used on the Internet within the full spectrum of inherent variation. Since Albanian is written with a Latin script, there was no problem for Albanian speakers in using Latin-script based keyboards for writing. As for the forms of Albanian language, both written and speech forms of Albanian can be found. The Standard Albanian as a formal style is mainly used on the government and public institutions web sites, as well as in the media. In other activities on the Internet, such are computer-mediated communication in chat rooms and instant messaging, one may find all kinds of geographic and social varieties of Albanian. There are special forms and styles of Albanian which have been consolidated in these types of communication. The language which is used in chat rooms and instant messaging is not a written language. To a certain extent, it is a reproduction of speech through writing.
In conclusion, the Internet has opened a new domain and a new function for the use of Albanian. It has certainly increased the scope of use for all varieties of Albanian, which is practically a reflection of the real situation when it comes to the communication among Albanian speakers. The stylistic variation which can be found nowadays among Albanian speakers is represented in online communication as well. The Internet is having a revolutionary impact not only in terms of its impact on the information exchange social interaction, but also in terms of the facilitating language communication worldwide. In this information revolution, Albanian language has found its place.





REFERENCAT:

Block, David (2004), Globalization, Transitional Communication and the Internet, International Journal on Multicultural Societies (IJMS), Vol. 6, No.1., UNESCO.

Caka, Nebi – Dika, Agni – Rodiqi, Seb (2005). Fjalori i Informatikës anglisht-shqip/shqip-anglisht, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë.

Crystal, David (2001). Languages on the Internet, Lingua Franca, March, ABC, në Internet: http://www.davidcrystal.com/DC_articles/Internet11.pdf , qasja për herë të fundit më 4 mars 2009.

Crystal, David (2005). The scope of Internet Linguistics, Paper viven online to the American Association for the Advancment of Science meeting, February, në Internet: http://www.davidcrystal.com/DC_articles/Internet2.pdf , qasja op[r her[ të fundit 4 mars 2009.

Fishman, J. A. (1972). The Relationship between Micro – and Macro-Sociolinguistics in the Study of Who Speaks What Language to Whom and When, Sociolunguistics, Edited by J.B. Pride and J. Holmes, Ringwood, Victoria, Australia.

Gerrard, Helen (2004). Japanese Speakers and the Internet, International Journal on Multicultural Societies (IJMS), Vol. 6, No.1., UNESCO.

Holmes, Hellen Kelly (2004). An Analysis of the Language Repertoires of Students in Higher Education and their Language Choices on the Internet (Ukraine, Poland, Macedonia, Italy, France, Tanzania, Oman and Indonesia), International Journal on Multicultural Societies (IJMS), Vol. 6, No.1., UNESCO.

Hudson, Richard A.(2002). Sociolinguistika, Cambdridge University Press, 1980,1996, Botimi në shqip: Dituria, Tiranë.

International Journal on Multicultural Societies (IJMS), Vol. 6, No.1., UNESCO.

Mafu, Safari (2004), From the Oral Tradition to the Information Era: The case of Tanzania, International Journal on Multicultural Societies (IJMS), Vol. 6, No.1., UNESCO.

Munishi, Shkumbin (2006). Gjuha standarde shqipe në Kosovë dhe drejtimet e zhvillimit të saj (disetracion i doktoratës), Universiteti i Prishtinës, Prishtinë.

Nuhiu, Vesel Dr. (1990). Ndikimet ndërgjuhësore, Rilindja, Prishtinë.

Paçarizi, Rrahman (2006). Gjuha e mesenxherit, Filologji 14, Universiteti i Prishtinës, fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Peel, Richard (2004). The Internet and Language Use: A Case Study in the United Arab Emirates, International Journal on Multicultural Societies (IJMS), Vol. 6, No.1., UNESCO.


[1] Për më shumë informata për këtë libër shih në Internet: http://www.cambridge.org/catalogue/catalogue.asp?isbn=0521802121 , qasja për here të fundit më 4 mars 2009.

[2] Shih: Zero - Revistë Kompjuteri, në Internet: http://www.revistekompjuteri.com/zero/index.php?option=com_content&task=view&id=129&Itemid=106, qasja për herë të fundit 5 mars 2009.
[3] Shih Top Channel, në Internet: http://www.top-channel.tv/new/artikull.php?id=144488, qasja për herë të fundit më 7 mars 2009.
[4] Shih të dhënat për Shqipërinë sipas Internet World Stats, në Internet: http://www.internetworldstats.com/europa2.htm, qasja për herë të fundit 9 mars 2009.
[5] Shih të dhënat për Kosovën sipas Internet World Stats, në Internet: http://www.internetworldstats.com/europa2.htm, qasja për herë të fundit 9 mars 2009.
[6] Shih të dhënat për përdoruesit e Internetit në Evropë, në Internet: http://www.internetworldstats.com/stats4.htm, qasja për hetë të fundit më 9 mars 2009.
[7] Shih të dhënat për përdoruesit e Internetit në Maqedoni dhe në Mal të Zi, në Internet: http://www.internetworldstats.com/stats4.htm , qasja për herë të fundit më 9 mars 2009.

No comments: