Sunday, May 17, 2009

BARAZIA E GJUHËVE NË KOSOVË DHE PERSPEKTIVA EVROPIANE



Shkumbin MUNISHI
(Kongresi Ndërkombëtar Ballkanik, Prishtinë, 11-16 maj 2009)

PËRMBLEDHJE

Në këtë punim trajtohet çështja e barazisë dhe statusit të gjuhëve dhe rëndësia e tyre për të ndërtuar kohezionin shoqëror brenda entiteteve të cilat i karakterizon diversiteti kulturor dhe gjuhësor. Në të shumtën e rasteve, vetëm përcaktimi i statusit të gjuhëve është i pamjaftueshëm për të arritur barazinë gjuhësore, nëse nuk shoqërohet edhe me shtrirjen e funksioneve dhe domeneve të përdorimit të gjuhëve. Barazia e gjuhëve dhe përcaktimi i statusit janë procese që zbatimin e tyre e gjejnë brenda proceseve të planifikimit gjuhësore dhe të politikave gjuhësore, të cilat ndërtohen mbi një ideologji shoqërore të caktuar. Ndryshimi i politikave gjuhësore lidhet ngushtë edhe me ndryshimet politike e ideologjike. Ndryshime të tilla kanë ndodhur edhe në Bashkimin Evropian, në të cilin politikat gjuhësore kanë për qëllim që të ruajnë barazinë midis gjuhëve të kombeve anëtare të BE-së, por njëkohësisht edhe të ruhet diversiteti kulturor e gjuhësor, nëpërmjet mbrojtjes së gjuhëve minoritare e regjionale. Kjo politikë e BE-së në rrafshin e gjuhës ka ndikuar edhe në politikat gjuhësore në shtetet e Ballkanit, duke përfshirë edhe Kosovën si shtetin më të ri. Institucionet e Kosovës kanë bërë përpjekje që përmes të përcaktimit të statusit të barabartë për shqipen dhe serbishten dhe përmes të përcaktimit të statusit zyrtar për gjuhët e bashkësive të ndryshme etnike që jetojnë nëpër komunat e Kosovës, të realizohet jo vetëm barazia e gjuhëve, por edhe mbrojta dhe promovimi i gjuhëve minoritare. Kjo politikë gjuhësore që ndiqet në Kosovë është reflektim i plotë i politikës gjuhësore të BE-së.


FJALËT KYÇE: barazi gjuhësore, statusi i gjuhës, funksionet dhe domenet e përdorimit, planifikim gjuhësor, politikë gjuhësore, ideologjia, Bashkimi Evropian, diversitet gjuhësor, gjuha shqipe, gjuha serbe, gjuha turke.


HYRJE

Gjuha si mjet komunikimi midis njerëzve është e lidhur në mënyrë të pandashme me bashkësinë gjuhësore që e përdorë atë gjuhë. Në gjuhë reflektohen vetëdija, mentaliteti, botëkuptimet dhe vlerat e asaj bashkësie gjuhësore, por në të njëjtën kohë edhe sfidat, problemet dhe vështirësitë me të cilat përballet ajo bashkësi. Ndonëse mund të tingëllojë si paradoks, në gjuhë dhe përmes gjuhës, pasqyrohet edhe pozita socio-ekonomike, politike e kulturore e një bashkësie të caktuar. Në anën tjetër, duke qenë se të shumtën e rasteve një bashkësi gjuhësore e caktuar jeton dhe vepron në një territor të përbashkët me një a më shumë bashkësi të tjera gjuhësore, të cilat flasin gjuhë të ndryshme, si rrjedhojë, në raportet dhe qëndrimet midis këtyre bashkësive reflektohen edhe raportet e gjuhëve që përdorin ato bashkësi. Pra, diversiteti etnik, kulturor dhe gjuhësor midis bashkësive shoqërore që jetojnë në një territor të përbashkët, qoftë në një shtet a në një bashkësi tjetër autonome politike, ndërtohet mbi raportet dhe qëndrimet që këto bashkësi i kanë ndaj njëra-tjetrës, pra ndaj gjuhës, kulturës dhe traditave të tyre. Në përgjithësi, këto qëndrime ndërtohen mbi bazën e respektimit të lirisë së individit a të bashkësisë tjetër. Në këtë kuptim, gjuha shndërrohet në parametrin kryesor matës të lirisë së individit a të grupit shoqëror. Në artikullin e tij të njohur “Language and Freedom” linguisti i njohur Noam Chomsky thekson: “Gjuha, në tiparet e saja esenciale dhe në mënyrën e përdorimit të saj, jep kriterin themelor për të përcaktuar se një organizëm tjetër është qenie me mendje njerëzore dhe me kapacitet njerëzor për mendim të lirë dhe për shprehje të vetvetes, si dhe me nevojë themelore njerëzore për liri nga kufizimet e jashtme të autoritetit represiv” (Chomsky, 1970: 145). Në po këtë kuptim, Rexhep Ismajli shprehet se “liria gjuhësore është shumë më tepër se liria e individit, është liria e bashkësisë folëse” (Ismajli, 1991: 301). I morëm këto dy citate si shembull për të treguar lidhjen e ngushtë që e ka gjuha me lirinë e individit dhe të bashkësisë shoqërore. Kjo liri individuale e kolektive gjuhësore në shtetet dhe shoqëritë, në të cilat fliten dy e më shumë gjuhë, mund të realizohet vetëm përmes barazisë gjuhësore. Barazia gjuhësore krijon parakushte themelore për realizimin e të drejtave politike, ekonomike edhe kulturore të individit dhe të bashkësive shoqërore që jetojnë në një entitet të caktuar shtetëror. Me fjalë të tjera, barazia e gjuhëve mund të cilësohet si element me shumë rëndësi i kohezionit shoqëror brenda entiteteve shoqërore që karakterizohen nga diversiteti kulturor dhe gjuhësor.


1. Barazia e gjuhëve pjesë e planifikimit të statusit dhe të funksioneve të gjuhës
Në pjesën e parë të këtij punimi do të trajtohet çështja e planifikimit të statusit të gjuhëve dhe përcaktimit të funksioneve dhe domeneve të përdorimit, si dhe ndikimin që ka ideologjia në politikën gjuhësore. Barazia gjuhësore, si formë e rregullimit të raporteve ndërgjuhësore, bën pjesë në fushën e planifikimit të gjuhëve dhe të politikës gjuhësore të një entiteti të dhënë shoqëror dhe shtetëror. Planifikimi i gjuhës është një aktivitet i vetëdijshëm për të normuar një varietet të dhënë të një gjuhe dhe për ngritjen e atij varieteti, me mbështetjen e elitës politike e kulturore, në varietet standard për një bashkësi të caktuar shoqërore. Në kuadër të aktiviteteve të planifikimit gjuhësore Heinz Klossi ka dalluar dy aspekte: planifikimin i korpusit, që ka të bëjë me përcaktimin e normave gjuhësore të përdorimit korrekt të gjuhës, dhe, planifikimin i statusit, që ka të bëjë jo vetëm me statusin ligjor që do të ketë gjuha standarde, por edhe funksionet që do t’i kryejë ajo. Në këtë të dytën hyn edhe përcaktimi i marrëdhënieve, të drejtave dhe raporteve të gjuhës standarde, por edhe të varianteve të tjera të saj, me gjuhët e tjera, të cilat fliten në një entitet shoqëror dhe shtetëror. Ndërkaq, politikën gjuhësore do ta përkufizonim si tërësi të botëkuptimeve dhe qëndrimeve jo vetëm ndaj gjuhës standarde dhe varieteteve të tjera të gjuhës, por edhe ndaj gjuhëve të tjera që fliten në një bashkësi shumëgjuhëshe. Politika gjuhësore është fusha ku më së miri reflektohet ideologjia e entitetit shoqëror dhe shtetëror të caktuar. Është pikërisht ideologjia ajo mbi të cilën ndërtohen botëkuptimet qëndrimet ndaj gjuhëve të atij entiteti.
Po të nisemi nga fakti se entitetet shoqërore dhe shtetërore zakonisht janë entitete shumëgjuhëshe, qoftë edhe në rastet kur minoritetet gjuhësore janë në numër të vogël, atëherë është plotësisht e qartë që përcaktimi i statusit të gjuhëve është veprimtari e ndjeshme, por shumë e rëndësishme për ato entitete. Në bashkësitë shumëgjuhëshe, për shkak të ndikimit të faktorëve jashtëgjuhësore dhe për shkak të epërsive politike, ekonomike e kulturore të bashkësive folëse të caktuara ndaj bashkësive të tjera folëse të atij entiteti, krijohen qëndrime e raporte sociologjikisht dhe ideologjikisht të motivueshme midis folësve të gjuhëve të ndryshme. Përcaktimi i statusit të gjuhëve ka për qëllim që t’i rregullojë këto raporte e qëndrime dhe të përcaktojë juridikisht përdorimin e gjuhëve të ndryshme në funksione e domene të ndryshme. William Mackey thekson se prestigji i një gjuhe varet nga të dhënat dhe dokumentet e saj, ose nga ajo se si mendojnë njerëzit se çfarë kanë qenë të dhënat dhe dokumentet për atë gjuhë. Funksioni i gjuhës është ai se çfarë realisht njerëzit bëjnë me të, ndërsa statusi i një gjuhe varet ajo se çfarë njerëzit mund të bëjnë me të, me potencialin e saj. Statusi, pra, është shuma e përgjithshme e asaj që mund të bëhet me një gjuhë – nga aspekti ligjor, kulturor, ekonomik, politik dhe, natyrisht, demografik. Sipas tij, statusi dhe funksioni janë të lidhur me konceptin më periferik siç është prestigji, i cili në masë të madhe mund të jetë simbolik, duke përfaqësuar formën klasike (ose të lartë) të një gjuhe, të cilën e respektojnë të gjithë, por e përdorin pak (Mackey, 1989: 4). Në bashkësitë shumëgjuhëshe prestigji i gjuhës ndërtohet mbi bazën e epërsisë politike, ekonomike e kulturore të një grupi ndaj grupeve të tjera, të cilat flasin gjuhë tjera. Kjo epërsi shpesh është subjektive dhe del si rezultat i vetëzmadhimit të vlerave dhe tipareve të grupit dhe nënvlerësimit të vlerave dhe tipareve të grupit tjetër. Më tutje, Mackey përcakton disa aspekte të statusit të gjuhëve, siç janë dimensioni demografik, gjeografik, kulturor, ekonomik dhe juridik. Përcaktimi i statusit varet shumë edhe nga funksionet e përdorimit që i jepen një gjuhe të caktuar, prandaj statusi i një gjuhe mund të modifikohet duke i ndryshuar funksionete e saj. Çdo strategji e statusit të gjuhës duhet të varet nga vëzhgimi, i cili mund të shpalosë dallimin midis statusit (de jure) dhe funksioneve korresponduese (de facto) (f. 4). Më tej, Mackey thekson se gjuhët e njohura zyrtarisht mund të gëzojnë shkallë të ndryshme të statusit. Së pari, një gjuhë mund të ketë status zyrtar bashkë me një gjuhë tjetër. Së dyti, disa shtete shumëkombëshe u japin disa gjuhëve përbërëse vetëm status bashkëzyrtar regjional. Së treti, disa shtete mund të tolerojnë vetëm një numër të kufizuar të gjuhëve përbërëse. Së fundi, gjuha mund të ndalohet zyrtarisht (f. 6). Krahas këtij klasifikimi, vlen të përmendet se tipologjia më e pranueshme për klasifikimin e statusit të gjuhës mund të konsiderohet ajo e Heinz Klossit[1]. Sipasj këtij klasifikimi kemi gjashtë shkallë të statusit të gjuhës: 1) VZ (SO) - gjuhë e vetme zyrtare; 2) BZ (JO) - gjuhë zyrtare bashkë me një tjetër; 3) KZ (RO) - gjuhë zyrtare krahinore; 4) GjP (PL) - gjuhë e përkrahur d.m.th. gjuhë që nuk e ka statusin zyrtar, por që përdoret nga institucionet shtetërore e nga mjetet masive të informacionit; 5) GjL (TL) - gjuhë që lejohet d.m.th. pranohet se ekziston, as përkrahet as ndalohet por zyrtarisht nuk përfillet dhe 6) GjN (DL) - gjuhë që në njëfarë mënyre pengohet a ndalohet edhe përndiqet në shkallë e mënyra të ndryshme (cit. sipas Kostallari, 1984: 47). Ndërkaq, sa i përket tipareve të statusit të gjuhës, Mackey dallon statusin linguistik, statusin demografik, i cili është mjaft me rëndësi, pasi që ka të bëjë me numrin e përdoruesve, statusin kulturor dhe statusi ligjor, me ç’rast brenda secilit shtet, statusi gjuhësor është relevant vetëm brenda fushave të juridiksionit. Format e juridiksionit mund të jenë të ndryshme. Mund të ketë juridiksion territorial, siç është rasti i Zvicrës, ku juridiksioni gjuhësore përcaktohet sipas kantoneve. Mund të ketë fusha të juridiksionit që i përfshijnë edhe gjuhët joshtetërore. Tipat e kësaj nënndarje janë: 1) gjuha tjetër mund të trajtohet si kuazi zyrtare brenda hapësirës së saj të përdorimit, siç është rasti me gjermanishten në zonat gjermanishtfolësve të Belgjikës; 2) gjuha mund të jetë de facto bashkëzyrtare, siç ka qenë gjermanishtja në Alto Adixhe; 3) gjuha mund të ketë status të kufizuar brenda hapësirës së përdorimit të saj, siç e ka gjermanishtja në zonat gjermane në Danimarkë; 4) gjuha mund të jetë bashkëzyrtare në parim, siç është rasti me sllovenishten në zonën e Friuliane të Venecisë në Itali; 5) gjuha mund të ketë status të referuar, siç e ka franko-provansishtja në Aoste, ku të drejtat gjuhësore të akorduara i janë referuar frëngjishtes; 6) përdorimi i gjuhës mund të tolerohet në zonat ku përdoret si gjuhë e komunitetit, siç është rasti me greqishten dhe shqipen në Itali. Ka edhe gjuhë që fitojnë status ekstra territorial, siç është rasti me anglishten për shkak të funksioneve të saja kulturore, posaçërisht si gjuhë e shkencës dhe teknologjisë, por edhe politikës.(Mackey, ibid. f. 9-13).
Më tutje, sipas Mackey, statusi i gjuhës është i lidhur ngushtë me funksionet që i merr gjuha. Vetëm përcaktimi i statusit nuk është i mjaftueshëm nëse nuk lidhet me shtrirjen e funksioneve dhe domeneve të saj. Sa më e madhe të jetë rëndësia e funksioneve të gjuhës, aq më i madh do të jetë zhvillimi i statusit të asaj gjuhe. Rritja e statusit të një gjuhe bëhet duke i rritur tipat dhe funksionet e gjuhës. Në këtë kuadër, shteti mund të përpiqet ta ndryshojë statusin e një gjuhe përmes promovimit apo kohezionit, apo përmes të dyjave. Duke e definuar numrin dhe distribuimin e funksioneve gjuhësore brenda juridiksionit të shtetit dhe niveleve të përdorimit në institucionet e tij, shteti mund të ndikojë në përdorimin e një gjuhe zyrtare, me kusht që të ketë kompetencë të mjaftueshme dhe të mos ketë dikotomi diglosike të përhershme. Shteti mund ta bëjë këtë me disa mjete administrative të cilat i ka në dispozicion, siç janë: promovimi i personelit sipas gjuhës, publikimet dhe ndihma për publikime, përdorimi i medieve, përkthimi dhe interpretimi njoftimet publike dhe dokumentet publike, promovimi shoqëror dhe organizimet shoqërore (konferencat, festivale publike, organizatat sipas gjuhëve etj.). Sa më i lartë të jetë statusi i gjuhës, aq më tepër funksione do të marrë ajo gjuhë, ndërsa rritja e statusit përmes shumëfishimit të funksioneve, pra vet përdorimi i gjuhës mund ta rrisë statusin e gjuhës. Sa më tepër të ketë status gjuha, aq më tepër status do të marrë dhe nëse një gjuhë ka status gjuhësor dhe kulturor, është më lehtë t’i jepet status ligjor dhe administrativ (f. 16-17).
Nga e tëra që u tha më lart, Mackey vëren me të drejtë lidhshmërinë e ngushtë midis statusit të gjuhës dhe funksioneve e domeneve të saja të përdorimit. Vetëm përcaktimi i statusit nuk është i mjaftueshëm nëse gjuha nuk kryen funksionet e caktuara dhe nëse nuk gjen përdorim në disa domene formale, krahas atyre joformale. Duke u nisur nga fakti se në çdo entitet shoqëror a shtetëror ka një grup elitar, i cili e imponon kodin e vetë gjuhësor, si dhe ka bashkësi të tjera minoritare etnike e gjuhësore, atëherë grupi elitar, i cili është përgjegjës për bërjen e politikës gjuhësore, ka probleme dhe përgjegjësi të dyfishtë. Në njërën anë, elita duhet ta promovojë dhe ta imponojë përdorimin e gjuhës me prestigj, ndërsa në anën tjetër duhet të përkujdeset edhe për krijimin e hapësirave për bashkësitë e tjera etnike që t’i përdorin gjuhët e tyre. Në këtë kuadër, planifikimi i statusit dhe funksioneve të gjuhëve është hapësira e vetme manovruese dhe balancuese për t’i rregulluar raportet midis gjuhës me prestigj të elitës dhe gjuhëve të tjera minoritare.
Politika gjuhësore që zbatohet për të arritur këtë qëllim mbështetet mbi ideologjinë e elitës. Roli i ideologjisë në planifikimin gjuhësor dhe në politikën gjuhësore të një entiteti të dhënë shoqëror e shtetëror është i pashmangshëm. Kjo ndodh për faktin se ideologjia dhe gjuha janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën. Krahas ndikimi që ideologjia ka në rrjedhat politike, ekonomike e kulturore të një bashkësie shoqërore, ajo ka ndikim dhe në komunikimin gjuhësore dhe në dukuritë gjuhësore në përgjithësi. Studiuesi i mirënjohur rus, Mikhail Bakhtin, duke u nisur nga përkufizimi i gjuhës si sistem i shenjave, thekson se në çdo shenjë janë të aplikueshëm kriteret e vlerësimeve ideologjike. Ai shprehet se fusha e ideologjisë përputhet me fushën e shenjave dhe midis tyre mund të vendoset shenja e barazisë (Bahtin, 1980: 11). Ndërkaq, studiuesi tjetër, Augusto Ponzio, shprehet se për shkak të lidhjes së tyre me kodekset gjuhësore ose jogjuhësore të ideologjizuara, çdo mesazh gjuhësor është pak a shumë i ideologjizuar si nga mënyra dhe kuptimi se si është formuluar, ashtu edhe nga mënyra dhe kuptimi se si është kuptuar (Ponzio, 1978: 50). Në bazë të këtyre dy postulateve mund të konstatojmë se në çdo vendimmarrje për gjuhën reflektohet ideologjia shoqërore mbi të cilën do të ndërtohen qëndrimet dhe vlerësimet për kodet gjuhësore, të cilat përdoren në entitete të ndryshme shoqërore e shtetërore.
Pasi folëm për aspekte teorike të planifikimit të statusit të gjuhëve dhe të përcaktimit të funksioneve dhe domeneve të përdorimit të tyre, si dhe për politikën gjuhësore të ndërtuar mbi bazën e ideologjisë shoqërore, tani do të përqendrohemi në shtjellimin e politikës gjuhësore të BE-së dhe, më pas, do të përpiqemi të merremi me trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me statusin e shqipes dhe raportet e saj me gjuhët tjera në Kosovë, por edhe për statusin dhe raportet e shqipes me gjuhët e tjera në entitetet e tjera shoqërore dhe shtetërore, në të cilat jetojnë shqiptarët në Ballkan.


2. Politika gjuhësore e Bashkimit evropian dhe realiteti gjuhësor
Kjo pjesë ka për qëllim që të trajtojë ideologjinë dhe politikën gjuhësore të tanishme të Bashkimit Evropian, për të parë pastaj në pjesën e fundit të studimit se si është duke u reflektuar politika gjuhësore e BE-së në politikat gjuhësore të vendeve të Ballkanit, të cilat synojnë në integrimin në BE, duke u përqendruar posaçërisht në rastin e Kosovës. Për të trajtuar politikën e sotme gjuhësore të Bashkimit Evropian, është me rëndësi të shihet se si ka evoluar baza ideologjike e politikës gjuhësore në Evropë gjatë shekujve të kaluar.
Në punimin e saj për gjuhët minoritare dhe ideologjitë gjuhësore të Evropës, Susan Gal thekson se, ndonëse duket e pazakontë, megjithatë mund të thuhet ‘gjuha’ është zbuluar në Evropë (Gal, 2006: 14). Gal këtu e ka fjalën për gjuhët standarde, ose, të themi ndryshe, për kodet me prestigj. Që nga krijimi i koinesë greke nga tërë ajo mori dialektesh dhe, pastaj, krijimi i gjuhëve standarde në Evropë, nga Mesjeta deri në shekullin e kaluar, u krijuan kode gjuhësore me prestigj, të cilat markoheshin me tipare pozitive dhe vlerësoheshin si forma korrekte të përdorimit gjuhësor, ndërsa në anën tjetër zuri fill shfaqja e qëndrimeve stigmatizuese ndaj varieteteve dhe gjuhëve të tjera, të cilat, në raport me gjuhën standarde, markoheshin me tipare negative dhe vlerësoheshin si forma jokorrekte të përdorimit gjuhësor. Pra, lindja e gjuhëve standarde bëri që njëkohësisht të lindin vlerësimet dhe paragjykimet për format e tjera gjuhësore. Mbi këto baza lindën edhe ideologjitë gjuhësore të vendeve të Evropës. Sipas Susan Galit, rrënjët e ideologjisë gjuhësore i gjejmë te Iluminizmi evropian dhe te periudha pasuese e Romantizmit dhe, ndonëse kjo ideologjia gjuhësore është e lidhur me emrin e Johann Gottfried Herder, historianët kanë dëshmuar që shumica e këtyre nocioneve kanë ekzistuar shumë kohë para tij. Në kuadër të këtyre kornizave ideologjike u krijuan pikëpamjet që format gjuhësore janë të pranueshme si gjuhë vetëm nëse kanë shkrime dhe nëse kanë letërsi dhe norma të përdorimit korrekt. Kështu, format e folura të territoreve koloniale dhe të periferive rurale të vendeve të Evropës, që moti janë trajtuar si gjuhë jo të plota. Për më tepër, grupet shoqërore, duke u mbështetur në homogjenitetin e tyre gjuhësor dhe të ndryshueshmërisë, mendojnë se e meritojnë shtetin, një territor, një lloj të autonomisë politike (Gal, po aty, f. 14-15). Pra, gjuhët jo vetëm që u bënë mjete dhe kritere për vlerësime shoqërore, por u bënë edhe tipare të domosdoshme dhe përbërëse të entiteteve të organizuara shoqërore të një shkalle më të lartë, siç ishin shtetet kombëtare që po krijoheshin në Evropë aty nga gjysma e dytë e shekullit XIX.
Megjithatë, që nga koha e krijimit të shteteve kombëtare në Evropë e deri në ditët e sotme, ideologjitë politike, por edhe gjuhësore në Evropë kanë ndryshuar mjaft. Shekulli i kaluar (shekulli XX) për një periudhë të gjatë ishte shekull i konflikteve të përgjakshme midis popujve të Evropës. Gjatë asaj periudhe u zhvilluan dy luftëra botërore, të cilat u nisën në Evropë dhe pastaj u përhapën edhe në kontinentet e tjera, ndërsa për 50 vjet të Luftës së Ftohët Evropa ishte e ndarë mbi baza ideologjike. Krahas konflikteve luftarake, shekulli i kaluar mund të quhet edhe shekull i konflikteve ideologjike dhe i konflikteve të vlerave të ndërtuara mbi baza kulturore, ideologjike e fetare. Gjatë Luftës së Ftohët Evropa u polarizua mbi bazat e dy ideologjive: në njërën anë ishte ideologjia liberale perëndimore dhe sistemet shtetërore-politike demokratike të Evropës Perëndimore, dhe, në anën tjetër ishte ideologjia marksiste-leniniste dhe sistemet shtetërore-politike totalitare komuniste të Evropës Lindore. Fundi i Luftës së Ftohët i dha fund një bipolariteti të tillë, duke nxjerrë fitimtare ideologjinë liberale perëndimore dhe vlerat civilizuese e shoqërore që u ndërtuan mbi të. Filozofi dhe sociologu i mirënjohur Francis Fukuyama thekson se triumfi i Perëndimit, i idesë perëndimore, është evident parasëgjithash për shkak të shterjes së plotë të alternativave të vlefshme sistemore ndaj liberalizmit perëndimor. Sot, sipas Fukuyamas, jemi dëshmitarë jo vetëm të fundit të Luftës së Ftohët, ose të kalimit nëpër një periudhë historike të pasluftës, por të fundit të historisë si të tillë: kjo është pika e fundit e evolucionit ideologjik të llojit njerëzor dhe të universalizmit të demokracisë liberale perëndimore, si formë përfundimtare e qeverisjes njerëzore. Shteti që del në fund të historisë është më liberali deri tash, pasi që përmes sistemit të ligjeve njeh dhe mbron të drejtën universale të njeriut për liri dhe demokraci, e cila deri tash kishte ekzistuar vetëm me miratimin e të qeverisurve (Fukuyama, 1989). Zhvillimet e viteve të fundit kanë dëshmuar se këto konstatime të Fukuyamës mund të cilësohen deri diku si konstatime entuziaste, duke qenë se autorë të tjerë flasin qoftë për një fazë të re, që mund të cilësohet si përplasje civilizimesh (Huntington, 1993), qoftë edhe për rikthim të sistemeve autokratike dhe të një rivaliteti të serishëm midis demokracive liberale dhe sistemeve autokratike (Deudney dhe Ikenberry, 2009). Megjithatë, Evropa e dalë nga Lufta e Ftohët, sidomos Bashkimi Evropian, është hapësirë në të cilën ka pasur një evoluim cilësor progresiv të vetëdijes dhe të mentalitetit të përgjithshëm shoqëror sidomos në fushën e respektimit të të drejtave dhe lirive individuale dhe kolektive të njeriut.
Sot, Evropa mund të cilësohet si Evropë e proceseve integruese dhe vlerave të reja, të cilat ndërtohen jo vetëm mbi interesat ekonomike e politike të vendeve të Evropës, por edhe mbi respektimin dhe promovimin e të drejtave dhe lirive njerëzore, si dhe të respektimit të diversitetit kulturor, fetar e gjuhësore të individëve dhe popujve të Evropës. Bashkimi Evropian, si një entitet politik-ekonomik shumëkombësh që po konsolidohet gjithnjë e më tepër, po bëhet strehë për të gjithë popujt e Evropës që aspirojnë anëtarësimin në të. Respektimi i diversitetit kulturor, fetar dhe gjuhësor është vënë në qendër të politikave të BE-së dhe të ndërtimit të raporteve shoqërore. Mbi këtë bazë është ndërtuar edhe politika gjuhësore e Bashkimit Evropian. Sa i përket ideologjisë gjuhësore të Evropës Perëndimore, është e qartë që kemi një evoluim të kësaj ideologjie nga qëndrimet nacionaliste për gjuhët kombëtare si tipar i rëndësishëm i shtetit kombëtar, drejt qëndrimeve më liberale ndaj gjuhëve të tjera, por gjithnjë duke ruajtur statusin funksionet dhe domenet e gjuhës amtare.
Por cila është politika gjuhësore e BE-së? Sipas autores Susan Gal, të cilën e përmendëm më lart, politika gjuhësore zyrtare e Bashkimit Evropian e mbështet diversitetin gjuhësor dhe kulturor. Bashkësia Evropiane e themeloi, dhe Bashkimi Evropian e mbështeti, Byronë Evropiane për gjuhë më pak të përdorura; plani i veprimit 2004-06 thërret për “promovimin e mësimit të gjuhëve dhe të diversitetit gjuhësor”. Më 1992 u publikua “Karta Evropiane për Gjuhët Regjionale ose Minoritare”, e cila inkurajon mbështetjen dhe ruajtjen e gjuhëve territoriale dhe joterritoriale, si dhe të gjuhëve të emigrantëve. Megjithatë, kjo Kartë, ndonëse më 1999 është nënshkruar nga Qeveria e Francës, megjithatë nuk është ratifikuar nga parlamenti francez edhe sot e kësaj dite me arsyetimin se bie ndesh me kushtetutën e Francës në të cilën frëngjishtja përcaktohet si gjuhë e vetme zyrtare dhe me pretekstin promovimit të dukurisë së babelizmit gjuhësor. Këshilli i Evropës thërret për më shumë mësim të gjuhëve dhe cilësi më të mirë të mësimit për ta realizuar planin sipas të cilit çdo qytetar i Evropës do të jetë në gjendje të komunikojë së paku dhe në dy gjuhë të huaj, krahas gjuhës amtare. Këto deklarata janë në linjë me BE-në e imagjinuar si “Evropë e kombeve” dhe “Evropë e rajoneve”. Por, sipas Gal, megjithatë, ky theksim i diversitetit gjuhësor është mashtrues. Shumë analistë kanë theksuar mungesën e nënshkrimeve në marrëveshjet kyçe, ose mungesën e zbatimit të këtyre politikave, por sipas saj, problemi kyç mbetet problemi i njohjes (Gal, 2006: 16). Megjithëse politika gjuhësore në BE është përgjegjësi e secilit vend anëtar, megjithatë Bashkimi Evropian ka bërë përpjekje që t’i respektojë identitetet, kulturat dhe gjuhët e të gjitha vendeve anëtare të saj. Kjo qasje është sanksionuar edhe në dispozitat e Projekt Kushtetutës Evropiane, edhe në Traktatin e Maastricht-it, në të cilat thuhet se BE-ja do të respektojë identitetin e vendeve të saja anëtare dhe, rrjedhimisht, edhe të gjuhëve të këtyre vendeve. BE-ja, gjithashtu, inkurajon diversitetin kulturor dhe gjuhësor, duke investuar me dhjetëra miliona euro për të financuar bursa për mësimin e gjuhëve të huaja dhe për t’i trajnuar mësuesit e gjuhëve. Gjuhë zyrtare dhe të punës në BE janë gjuhët e vendeve anëtare dhe të gjitha konsiderohen të barabarta në aspektin juridik. Gjuhët me më së shumti folës në BE janë gjermanishtja, anglishtja dhe frëngjishtja. Implikimi i barazisë së të gjitha gjuhëve zyrtare të vendeve anëtare është mjaft i konsiderueshëm në kuptim të resurseve për përkthim e interpretim. Çështja e gamës së këtyre shërbimeve dhe e kostos së tyre është çështje e debateve të shumta.
Në anën tjetër, Bashkimi Evropian bën përpjekje për të respektuar edhe gjuhët minoritare të popujve të BE-së, por edhe të emigrantëve që jetojnë dhe punojnë në BE. Byroja Evropiane për gjuhët më pak të përdorura i ka klasifikuar si në vijim gjuhët minoritare, të cilat fliten në BE: 1) gjuhët kombëtare të dy vendeve anëtare të cilat nuk janë gjuhë zyrtare në BE (irlandishtja dhe luksemburgjishtja); 2) gjuhët e bashkësive që jetojnë në një shtet të vetëm anëtar të BE-së (p.sh. bretonishtja në Francë, uellsishtja në Mbretërinë e Bashkuar); 3) gjuhët e bashkësive që jetojnë në dy a më shumë shtete anëtare të BE-së (baskishtja në Francë dhe Spanjë, oksitanishtja në Francë, Itali dhe Spanjë); 4) gjuhët e bashkësive, të cilat janë minoritete në shtetin në të cilin jetojnë, por që gjuha e tyre është gjuhë e madhe në shtetet e tjera anëtare të BE-së (gjermanishtja në Belgjikë, suedishtja në Finlandë); dhe 5) gjuhët joterritoriale (p.sh. gjuha rome, jidishtja) (Shuibhne, 2001: 65).
Sa u përket gjuhëve minoritare në përgjithësi, ato nuk kanë as status të gjuhës së punës, as status zyrtar në BE. Mund të jetë çështje e diskutueshme që kjo heqje e të drejtave zyrtare për gjuhët minoritare vështirë të përputhet me përkushtimin e BE-së ndaj shumëgjuhësisë dhe të ruajtjes së barazisë së gjuhëve zyrtare, por në anën tjetër do të ishte thjesht e pamundshme që të gjitha gjuhët minoritare të përfshihen në regjimin e gjuhëve zyrtare të BE-së (f. 66).
Përndryshe, përpjekja e Bashkimit Evropian për të promovuar diversitetin gjuhësore është pjesë përbërëse e politikave për të promovuar diversitetin kulturor në përgjithësi . Në një projekt të ndërmarrë nga BE-ja dhe nga Këshilli i Evropës, viti 2001 u përcaktua si vit i gjuhëve evropiane. Qëllimi i këtij projekti ishte që të festohej diversiteti dhe multikulturalizmi dhe objektivat e këtij projekti kishin të bënin kryesisht me promovimin e arsimimit gjuhësor dhe në këtë kuadër ishin përfshirë, deri në një masë, edhe gjuhët regjionale e minoritare. Në përgjithësi mund të thuhet se përpjekjet e BE-së për të ruajtur barazinë e gjuhëve zyrtare dhe për të promovuar gjuhët regjionale e minoritare nuk mungojnë. Megjithatë, këto përpjekje shpesh janë të ndikuara nga probleme praktike dhe sidomos nga problemet buxhetore Ndonëse, siç u cek më lart, shtete anëtare janë përgjegjëse për përcaktimin e politikave të tyre të brendshme gjuhësore, të drejtat gjuhësore duhet t’u garantohen edhe qytetarëve të shteteve të tjera anëtare të BE-së. dhe madje kjo qasje duhet të vlejë edhet drejtat e gjuhëve minoritare (f. 68-72).
Mënyra kryesore përmes së cilës BE-ja është duke u përpjekur ta promovojë diversitetin gjuhësor dhe të ndihmojë në ruajtjen e barazisë gjuhësore është mësimi i gjuhëve të huaja. Institucionet e Bashkimit Evropian kanë sugjeruar që nxënësit në shkollat e BE-së do të duhej t’i mësonin së paku dy gjuhë të huaja, krahas gjuhës amtare. Studiuesi Reinhold Freudenstein (1999) thekson se për mësimin e gjuhëve të huaja në BE janë duke ndjekur disa iniciativa, por që i të ky proces përballet me disa probleme. Mësimi dhe njohja e gjuhëve tjera të BE-së mund të jetë përparësi në lëvizjen dhe punësimin e qytetarëve të BE-së, por shumica e programeve të BE-së, si Lingua, Socrates, Leonardo da Vinci apo Tempus, në radhë të parë. u dedikohen personave të moshave 16-18 vjeçare, pra kryesisht studentëve, nxënësve të shkollave profesionale dhe atyre që ndjekin trajnime. Një tjetër sugjerim është që mësimi i gjuhëve të huaja të fillohet në shkollat fillore. Një tjetër propozim është që të zëvendësohet mësimi afatgjatë i gjuhëve të huaja që zgjat nga 7-9 vite me kurse intensive dhe kompakte që nuk zgjasin më shumë se katër vite. Një ide tjetër është që t’u mundësohet folësve burimorë që ta marrin përsipër mësimin e gjuhëve të huaja në shkollat e Evropës, pra që folësi burimor i një gjuhe t’ua mësojë atë gjuhë nxënësve evropianë Freudenstein, 1999: 352). Megjithatë, asnjëra nga këto iniciativa nuk ka rezultuar me ndryshim gjithëpërfshirës të politikave gjuhësore për mësimin e gjuhëve të huaja nëpër vendet e BE-së. Më tutje, Freudenstein thekson se zbatimi i arsimimit dygjuhësh në BE përballet me disa probleme. Së pari, duhet të ketë vullnet politik për reforma të këtij lloji, por edhe mbështetje publike. Në çështje tjetër që duhet të zgjidhet është marrëdhënia e materies së lëndës dhe gjuhës së huaj, sidomos në lidhje me procesin e vlerësimit. Problemi tjetër ka të bëjë me mjetet e reja mësimore (këtu del edhe çështja e buxhetit dhe financimeve – sh.m.). Dhe, së fundi, duhet të riorganizohet dhe të rishikohet edhe trajnimi i mësimdhënësve të gjuhëve (f. 354).
Një dukuri tjetër, e cila është me rëndësi të përmendet është edhe dominimi i anglishtes si gjuhë globale dhe raportet e saj me gjuhët e mëdha të BE-së, si gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja dhe spanjishtja, por edhe raporti dhe ndikimi i anglishtes ndaj gjuhëve të tjera zyrtare e minoritare të BE-së. Ekspansionizmi i anglishtes ka prekur pothuajse të gjitha fushat e jetës në Evropë dhe në botë. Anglishtja ka filluar të ndikojë te shumë gjuhë të Evropës, të cilat kanë filluar t’i humbin disa domene të caktuara të përdorimit (Ismajli, 2003; Hjarvard, 2004). Ndikimi i anglishtes shprehet në dy nivele: si ndikim ndaj gjuhëve kombëtare të Evropës, por edhe si ndikim ndaj gjuhëve të bashkësive folëse minoritare. Në këtë situatë, sot gjuhët kombëtare të Evropës, si: frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja, spanjishtja, holandishtja etj., gjenden nën trysninë e anglishtes në rrafshin global, por në anën tjetër ushtrojnë trysni, ndonëse jo të deklaruar, ndaj gjuhëve të bashkësive minoritare, sidomos ndaj gjuhëve të emigrantëve që jetojnë në vende të tilla si, Francë, Gjermani, Itali, Holandë, Zvicër etj. Gjuhët si, katalonishtja, galicishtja, baskishtja, janë gjuhë që deri vonë janë rrezikuar mjaft nga spanjishtja, por së fundi ka një prirje për promovimin e tyre si gjuhë regjionale në Spanjë. Në anën tjetër, në Britaninë e Madhe, në Francë, në Gjermani, në Holandë etj., shpesh kemi trysni ndaj emigrantëve që jetojnë në këto vende që t’i mësojnë gjuhët kombëtare të këtyre vendeve, duke bërë që gjuha native e këtyre emigrantëve të kufizohet në përdorim vetëm në domene të ngushta familjare. Ka edhe një problem të natyrës politike dhe që është i lidhur me mosnjohjen ligjore të ekzistimit të pakicave etnike në shtetet anëtare të BE-së. Mosnjohja ligjore e statusit zyrtar për pakicat etnike ka si pasojë edhe mosnjohjen e gjuhës së tyre. Në Greqi p.sh., në zonën e Maqedonisë së Egjeut, nuk njihet pakica maqedonase dhe për pasojë nuk njihen as dialektet sllave (Voss, 2006). Në po të njëjtën situatë janë edhe arvanitasit dhe varietetet e tyre. Sot, arvanitishtja futet në grupin e gjuhëve të rrezikuara nga zhdukja në Librin e Kuq të UNESCO-s, ndërkohë që shteti grek pothuajse nuk bën asgjë për ruajtjen e saj.
Nga e tëra që u tha më lart shohim që situata gjuhësore në Evropës paraqitet mjaft komplekse dhe, deri diku, kundërthënëse. Në raportet politike, ekonomike e kulturore midis kombeve të Evropës reflektohen edhe në raportet midis gjuhëve të bashkësive të ndryshme folëse. Në këtë kuptim, në raportet gjuhësore shfaqen rivalitetet midis gjuhëve superiore të Evropës (anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, spanjishtja dhe italishtja), por edhe prirjet, nganjëherë publike, për stigmatizimin e gjuhëve inferiore të bashkësive folëse minoritare dhe të emigrantëve, ndonëse këto prirje nuk inkurajohen zyrtarisht. Dominimi i anglishtes dhe përhapja e saj në hapësirat evropiane, duke vënë nën trysni gjuhët e tjera është një realitet sot e gjithë ditën, në anën tjetër Bashkimi Evropian, jo vetëm që përpiqet të ndjekë politikë gjuhësore egalitariste në raport me gjuhët e kombeve të BE-së, por, gjithashtu, përpiqet që edhe gjuhëve të bashkësive folëse minoritare t’u krijojë hapësira për përdorimin e gjuhëve të tyre në domene zyrtare brenda arealeve gjuhësor regjional në të cilat fliten këto gjuhë e dialekte BE-ja është gjithashtu duke inkurajuar mësimin e gjuhëve të ndryshme zyrtare të BE-së në shkollat e shteteve anëtare të saj. Promovimi i gjuhëve minoritare shikohet më shumë si qasje për të ruajtur diversitetin kulturor dhe, në këtë kuptim edhe diversitetin gjuhësor.
Është e vështirë të parashihet se çfarë do të jenë zhvillimet gjuhësore në Evropë në të ardhmen, sidomos nëse merret parasysh fakti që BE-ja është një entitet në lëvizje ekspansive, pasi që shumë vende të tjera të Evropës synojnë të bëhen pjesë e saj. Mbetet të shihet se si do t’i rezistojnë ekspansionizmit të anglishtes gjuhët kombëtare të Evropës dhe gjuhët e bashkësive folëse minoritare, por edhe si do të rregullohen raportet midis gjuhëve zyrtare e minoritare të BE-së. Problemet financiare dhe praktike, si dhe problemet në fushën e mësimit të gjuhëve të huaja, të cilat u përmendën më lart, janë vetëm disa nga problemet me të cilat BE-ja është duke u ballafaquar në politikën e saj gjuhësore për të ruajtur diversitetin gjuhësor dhe kulturor.
Krejt në fund, është me rëndësi të theksohet se qëndrimi i BE-së ndaj gjuhëve ka ndikim edhe në politikat gjuhësore të vendeve të tjera evropiane, të cilat synojnë integrimin në BE. Plotësimi i standardeve politike, ekonomike dhe institucionale, pra promovimi i demokracisë dhe i lirive individuale dhe kolektive njerëzore nga vendet që synojnë anëtarësimin në BE, është parakusht për anëtarësim. Si rrjedhojë, edhe respektimi i të drejtave kulturore, gjuhësore e fetare janë standarde që duhet të respektojë çdo vend që synon të anëtarësohet në BE. Ndikim i politikës gjuhësore evropiane sot imponon dhe u jep kahe edhe politikave gjuhësore të atyre entiteteve shoqërore e shtetërore që mëtojnë të bëhen anëtarë të familjes evropiane, sidomos në fushën e respektimit të barazisë dhe të drejtave gjuhësore të grupeve gjuhësore minoritare. Realizimi i barazisë gjuhësore mund të jetë një mjet shumë me rëndësi i kohezionit shoqëror. Gradualisht, kjo qasje është duke u konsideruar si vlerë civilizuese dhe, ndonëse me vështirësi të natyrshme, po përqafohet si e tillë në tërë hapësirën evropiane.


3. Gjendja e shqipes në Kosovë dhe Ballkan dhe raportet me gjuhët e tjera

Në vazhdim të këtij punimi do të përqendrohemi në përpjekjet që janë bërë në Kosovë, në fushën e planifikimit të statusit të gjuhëve, për të realizuar barazinë gjuhësore, por, njëkohësisht, do të kemi parasysh për krahasim edhe raportet e shqipes me gjuhët që fliten në shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor ku jetojnë shqiptarët. Të gjitha këto zhvillime e raporte do të diskutohen në kuadër të ndikimit të ideologjisë dhe politikës gjuhësore të BE-së në hapësirat e Ballkanit Perëndimor.
Procesi i planifikimit të gjuhës shqipe, edhe i planifikimit të korpusit, edhe i planifikimit të statusit, është një shembull ilustrues që hedh në dritë ndikimin e fuqishëm të rrethanave politike-ekonomike, juridike dhe kulturore në proceset e planifikimit të gjuhës dhe të politikës gjuhësore. Njëkohësisht, ky proces është tregues më i mirë se si ndryshimi i rrethanave politike-juridike dhe i bazës ideologjike reflektohet në ndryshimet e ideologjisë gjuhësore, në ndryshimin e qasjeve ndaj planifikimit gjuhësor dhe politikës gjuhësore dhe në ndryshimin e vetë statusit të gjuhës.
Fundi i Luftës së Ftohët dhe rënia e sistemeve totalitare në Evropën Lindore pati ndikim të fuqishëm në proceset politike dhe ekonomike. Sistemet totalitare të ndërtuara mbi ideologjinë marksiste-leniniste u zëvendësuan me sisteme pluraliste demokratike të bazuara në ideologjinë liberale perëndimore. Nëpër të njëjtin proces kaluan edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, hapësira këto në të cilat jetojnë shqiptarët. Në Shqipëri, sistemi totalitar u rrënua më 1991, ndërsa shqiptarët që jetonin në ish-Jugosllavinë (në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi) ishin dëshmitarë jo vetëm të ndryshimit të sistemit politik-juridik, por edhe të shpërbërjes së dhunshme të shtetit federativ jugosllav (RSFJ), si pasojë e përpjekjeve hegjemoniste serbe për të vendosur dominimin ndaj entiteteve të tjera të ish-Jugosllavisë. Të gjitha këto procese ndikuan edhe në rrjedhat gjuhësore në këto hapësira. Dikur gjuha e përbashkët serbo-kroate u shpërbë në gjuhët përkatëse me lidhje etnike (serbishte, kroatishte, boshnjakishte), ndërsa shqipja në Kosovë në vitet ’90 iu nënshtrua një dhune të paparë të regjimit serb, e cila ndikoi jo vetëm në reduktimin e statusit të saj juridik, por edhe në ngushtimin e funksioneve dhe domeneve të përdorimit të saj, duke e kufizuar përdorimin e saj kryesisht në domene familjare e shoqërore, dhe në institucionet e atëhershme arsimore paralele. Në Shqipëri, ndryshimi i sistemit politik-juridik dhe ekonomik të fillimviteve ’90, nuk kishte ndikuar në statusin, funksionet dhe domenet e shqipes dhe ajo vazhdon ta ketë po atë status që Androkli Kostallari e kishte përcaktuar duke u bazuar në tipologjinë e Kloss-it (Kostallari, 1984). Ndërkaq, në Kosovë, si pasojë e dhunës së Serbisë ndaj shqiptarëve, shqipja kishin pësuar zhvillime regresive në krahasim me përcaktimet, poashtu të bazuara në tipologjinë e Klossit, që e kishte bërë Rexhep Ismajli. Në Maqedoni dhe në Mal të Zi, statusi, funksionet dhe domenet e shqipes gjatë viteve ’90 kishin mbetur po ato që i kishte përcaktuar Ismajli ((Ismajli, 1991). Pas viti 2001, në Maqedoni, me ndryshimet e Kushtetutës së Maqedonisë u përcaktua se “çdo gjuhë që flitet nga më shumë se 20% e popullsisë është gjithashtu gjuhë zyrtare”[2]. Me këtë zgjidhje, ndonëse nuk përmendet me emër, gjuha shqipe fitoi statusin e gjuhës pothuajse zyrtare në Maqedoni, por funksionet dhe domenet e përdorimit të plotë të saj si gjuhë zyrtare mbeten ende të kufizuara. Edhe në Kushtetutën e Malit të Zi të pavarur u përcaktua që në komunat në të cilat jeton një numër substancial i bashkësive etnike, gjuha e tyre do të jetë në përdorim zyrtar (neni 9)[3]
Fundi i konflikteve në ish-Jugosllavi pati si etapë të fundit bombardimin e Serbisë, më 1999, dhe largimin e forcave serbe nga Kosova. Në fillim të mijëvjeçarit të ri shtetet e Ballkanit Perëndimor hynë rrjedha zhvillimore që kanë për synim anëtarësimin në BE dhe në NATO. Në të njëjtën kohë, ndikimi i proceseve të globalizimit dhe i dukurive të lidhura me të i përfshiu edhe shtete e këtij rajoni. Kjo bëri që vendet e Ballkanit Perëndimor të angazhohen për t’i pranuar dhe për t’i zbatuar standardet politike, ekonomike dhe institucionale të Bashkimit Evropian dhe, rrjedhimisht, edhe ndikimin ideologjik. Ky proces ndikoi jo vetëm në politikat qeveritare, por edhe në politikat kulturore e gjuhësore të këtyre shteteve. Angazhimi për t’i zbatuar standardet e BE-së për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe standardet politike, juridike e ekonomike, përfshiu edhe angazhimin për t’i zbatuar edhe standardet në fushën e kulturës dhe të gjuhës. Kjo u reflektua edhe në politikat gjuhësore, në përcaktimin e statusit të gjuhëve dhe në barazinë gjuhësore, megjithëse edhe në këtë kuadër ka një boshllëk midis statusit të gjuhëve dhe shtrirjes së funksioneve dhe domeneve të përdorimit të gjuhëve.
Pas përfundimit të luftës, në Kosovë u vendos misioni i OKB-së (UNMIK). Ky mision, bashkë me Institucionet e Përkohshme Vetëqeverisëse të Kosovës, ishin përgjegjës për administrimin e Kosovës deri më 17 shkurt 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës. Pas këtyre zhvillimeve edhe statusi i shqipes u avancua sërish dhe në të njëjtën kohë u zhduk edhe rreziku i dukurive glotofagjike që kanë mundur të nxjerrin krye nën okupimin serb. Por ky realitet i ri e vuri shqipen përballë një ballafaqimi dhe bashkekzistence jo më vetëm me gjuhët regjionale, siç ishte serbishtja, por me një gjuhë që sot u prin proceseve globalizuese botërore, siç është anglishtja. Fakti që misionet ndërkombëtare në Kosovë si ‘gjuhë misioni’ e kanë anglishten, ka bërë që shqipja detyrimisht të vijë në kontakt me këtë gjuhë, jo vetëm në instancat e ndërveprimeve dhe ndërkomunikimeve zyrtare, por edhe në rrethe joformale e familjare. Çështja e statusit të gjuhëve që përdoren në Kosovë u saktësua deri diku edhe me dokumente ligjore (rregulloret e UNMIK-ut dhe ligjet e Kosovës) dhe në nivelin qendror, si gjuhë zyrtare u sanksionuan shqipja, serbishtja dhe anglishtja, me caveat-in që në rast të konfliktit versioni dominues është ai në gjuhën angleze. Me fjalë të tjera, statusi ekstra territorial i anglishtes u sanksionua ligjërisht brenda kornizës ligjore të Kosovës. Ky ishte përcaktimi që u bë në Kornizën Kushtetuese (Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2001/9, 15.5.2001)[4]. Sa i përket përdorimit të gjuhëve në nivelin komunal, në Rregulloren e UNMIK-ut Mbi Vetëqeverisjen e Komunave nr. 2000/45, 11.8.2000 në komuna u garantua përdorimi i gjuhëve të bashkësive etnike[5]. Është me rëndësi të theksohet se sa i përket rregullimit të statusit të gjuhëve edhe në nivelin qendror, edhe në nivelin komunal është marrë parasysh edhe Karta Evropiane për Gjuhët Regjionale ose të Minoriteteve[6]. Pra, për përcaktimin e statusit të gjuhëve në Kosovë janë marrë për bazë standardet të cilat promovohen dhe propagohen edhe në Bashkimin Evropian. Mbi këto qëndrime dhe përcaktime Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve 2006/02 – L37[7]. Edhe ky ligj bazohet jo vetëm në Kartën Evropiane për Gjuhët Rajonale ose Minoritare, por merr parasysh edhe Rekomandimet e Hagës lidhur me të drejtat e shkollimit të pakicave kombëtare dhe Rekomandimet e Oslos lidhur me të drejtat gjuhësore të pakicave kombëtare. Ky ligj përcakton statusin e barabartë të gjuhës shqipe dhe të gjuhës serbe, si gjuhë zyrtare të Kosovës (neni 1, pika ii), të drejtën e të gjitha komuniteteve të Kosovës për të ruajtur, mbrojtur dhe promovuar identitetin e tyre gjuhësor (neni 1, pika iii) dhe karakterin shumë gjuhësor të shoqërisë kosovare, që paraqet vlerat e saj unike shpirtërore, intelektuale, historike dhe kulturore (neni 1, pika iv). Në komunat në të cilat banojnë bashkësitë e ndryshme etnike, që përbëjnë së paku 5% të popullsisë së asaj komune, gjuha e asaj bashkësie ka statusin e gjuhës zyrtare në atë komunë dhe në veçanti në komunën e Prizrenit, gjuha turke e ka statusin zyrtar (neni 2, pika 2.3). Po ashtu, në komunat ku jeton një bashkësi, gjuha amtare e së cilës përfaqëson më shumë se 3% të popullatës së përgjithshme të komunës, gjuha e asaj bashkësie do të ketë statusin e gjuhës në përdorim zyrtar në atë komunë (neni 2, pika 2.4).
Duke i përmbledhur këto përkufizime, mund të thuhet se ky ligj jo vetëm që përcakton statusin e gjuhëve në Kosovë sipas standardeve më të avancuara të BE-së, por gjithashtu përcakton edhe funksionet dhe domenet e përdorimit të tyre. Është çështje tjetër sesa arrijnë bashkësitë gjuhësore, sidomos ato minoritare, t’i realizojnë të drejtat e tyre gjuhësore në praktikë. Për të zbatuar këtë ligj Qeveria e Kosovës ka themeluar komisionin e gjuhëve, i cili ka për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e këtij Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Së fundi, të përmendim që edhe në Kushtetutën e Kosovës[8], e cila bazohet në rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, si gjuhë zyrtare përcaktohen shqipja dhe serbishtja (neni 5, pika 1), ndërsa gjuha turke, boshnjake dhe ajo rome kanë statusin e gjuhëve zyrtare në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligj (neni 5, pika 2). Është me rëndësi të përmendet se në Kosovë përdoret edhe arabishtja e Kuranit, e cila përdoret në domene kryesisht të kufizuara, siç janë shërbesat fetare myslimane, por ndikimi i saj historik ka lënë gjurmë në gjuhën shqipe. Po ta caktojmë statusin e shqipes dhe serbishtes qoftë sipas tipologjisë së Klossit, qoftë sipas asaj të Mackey që u përmend më lart, dhe po ta krahasojmë më statusin që kishin pasur shqipja dhe serbishtja gjatë periudhës së viteve të autonomisë së Kosovës në ish-RSFJ, mund të përfundojmë se shqipja dhe serbishtja vazhdojnë të ketë status bashkëzyrtar në Kosovë, ndërsa gjuhët e tjera e kanë statusin e gjuhëve zyrtare regjionale (komunale).
Përdorimi dhe barazia e gjuhëve të bashkësive etnike në Kosovë i ka problemet e veta, kryesisht të natyrës praktike, sidomos financiare. Disa prej këtyre problemeve janë paraqitur në “Raportin për përdorimin e gjuhëve minoritare në komunat e Kosovës”[9], raport ky që është hartuar nga departamenti për demokratizim dhe sundim të ligjit i misionit të OSBE-së në Kosovë. Në raportin e OSBE-së thuhet se ndonëse qeveria e ka themeluar komisionin për gjuhët, megjithatë ende ka probleme në zbatimin e këtij ligji, pasi që ende nuk janë duke u zbatuar udhëzimet administrative të rëndësishme dhe publiku nuk ka qasje në to. Gjithashtu, sipas raportit, bashkësitë gjuhësore nuk janë konsultuar, apo edhe nuk janë përfshirë në emërimet e anëtarëve të komisionit për gjuhët. Një problem tjetër paraqesin kufizimet buxhetore, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në zbatimin e procesit, por në anën tjetër as vetë ligji nuk identifikon dhe nuk përcakton mjete specifike për të mbështetur zhvillimin e kapaciteteve adekuate nëpër komuna (f. 3). Në raport thuhet që krahas problemeve që kanë bashkësitë minoritare në përdorimin e gjuhëve të tyre, edhe përdorimi i gjuhës shqipe has në probleme të caktuara brenda Kosovës. Në komunat veriore të Kosovës me shumicë serbe (Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) procesverbalet e organeve përfaqësuese dhe ekzekutive nuk publikohen në gjuhën shqipe, ndërsa në anën tjetër, në komunat me shumicë shqiptare procesverbalet në gjuhën serbe publikohen shumë rrallë për të mos thënë kurrë (f. 7). Sipas raportit të OSBE-së, një prej problemeve kryesore ka të bëjë me mungesën e personelit të mjaftueshëm të përkthyesve, apo pamundësisë për të punësuar përkthyes shtesë, pasi që pagat e ulëta nuk janë aspak tërheqëse për përkthyesit e kualifikuar, ndërkohë që përkthyesit aktualë janë të stërngarkuar me punë (f. 8). Në fund të raportit jepen rekomandimet se si mund të përmirësohet gjendja; Këto rekomandime përfshijnë: organizimin e një fushate të vetëdijesimit të publikut, të publikimit të të gjitha udhëzimeve administrative dhe përcaktimin e burimeve adekuate financiare, njerëzore dhe teknike për të zbatuar ligjin. Më tutje, rekomandohet që komunat t’i miratojnë rregulloret në gjuhë të ndryshme, të përmirësohet funksionimi i njësive të përkthyesve dhe të përgatiten sistematikisht plane dhe programe për njësitë e përkthyesve, si dhe të ndryshohet përbërja e komisionit për gjuhët për të siguruar pjesëmarrjen efektive të bashkësive gjuhësore. Së fundi, rekomandohet që sistemi arsimor në Kosovë të mos e stimulojë ndarjen gjuhësore dhe të organizohen orët e mësimet të gjuhëve zyrtare, si dhe të organizohen kurse për shërbyesit civilë me qëllim që t’i mësojnë të dy gjuhët zyrtare (f. 10).
Raportet dhe qëndrimet reciproke, si dhe çështja e barazisë së gjuhëve në Kosovë janë të lidhura ngushtë me rrethanat historike-politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova në këto 20 vitet e fundit. Këto rrethana kanë ndikuar sidomos në raportet midis dy gjuhëve zyrtare, shqipes dhe serbishtes, por edhe me gjuhët e bashkësive të tjera që fliten në Kosovë. Gjatë periudhës kur Kosova ishte pjesë e ish-Jugosllavisë dhe nën okupimin e Serbisë, serbishtja si lingua franca e atëhershme kishte më shumë prestigj dhe epërsi ndaj shqipes në shumicën e funksioneve dhe domeneve formale. Si rrjedhojë, folësit e serbishtes ishin më të privilegjuar. Por, përfundimi i luftës në Kosovë, përveç që rezultoi me pavarësinë e Kosovës, pati ndikim edhe në fushën e gjuhëve. Duke qenë se shqiptarët përbëjnë më shumë se 90% të popullsisë së Kosovës, ata e kanë fjalën kryesore në institucionet e Kosovës. Në anën tjetër, si pasojë e luftës, marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe serbëve janë ftohur në masë të madhe dhe kjo ka çuar në ndarjen fizike të tyre. Sot, serbët jetojnë kryesisht në disa qytete e fshatra të Kosovës në bashkësi kompakte, të cilat janë të ndara jo vetëm nga popullsia shqiptare, por edhe nga bashkësitë e tjera etnike. Kontaktet e përditshme, sidomos ato joformale, midis shqiptarëve dhe serbëve janë reduktuar në masë të madhe dhe kjo është reflektuar edhe në komunikimin gjuhësor reciprok. Nëse dikur shqiptarët dhe serbët në Kosovë përbënin bashkësi komunikuese, sot shqiptarët dhe serbët janë bashkësi të ndara gjuhësore. Institucionet e Kosovës janë duke bërë përpjekje që t’i integrojnë pakicat në Kosovë dhe mund të ndodhë që kjo situatë të ndryshohet. Megjithatë, ndarja fizike ka bërë që brezat e rinj të mos jenë në gjendje ta mësojnë gjuhën e njëri-tjetrit. Derisa shqiptarët më nuk janë të detyruar ta mësojnë serbishten, pasi që prestigji i saj që e kishte dikur është zhdukur, serbët ende kanë paragjykime negative ndaj gjuhës shqipe dhe ende nuk janë në gjendje ta pranojnë faktin se rrethanat dhe raportet shoqërore kanë ndryshuar pas luftës në Kosovë. Edhe pse për shkak të epërsisë që kishte dikur serbishtja shqiptarët e Kosovës, brezat e mesëm dhe të vjetër, në masë të madhe ishin bilingë, sot ata hezitojnë të flasin serbisht në rastet kur duhet të komunikojnë me serbët. Në anën tjetër, edhe brezat e mesëm dhe të vjetër të serbëve duke jetuar në fqinjësi me shqiptarët e kuptojnë dhe e flasin shqipen, por hezitojnë ta flasin kur komunikojnë me shqiptarët, mbase për shkak të sedrës së tyre. Një tjetër zhvillim ka të bëjë me mësimin e gjuhëve dhe dy gjuhët zyrtare të Kosovës më nuk mësohen as në sistemin arsimor. Nxënësit shqiptarë në shkollat e tyre e mësojnë anglishten dhe jo më serbishten, ndërsa as nxënësit serbë nuk e mësojnë shqipen. Të gjitha këto rrethana kanë ndikuar që ndonëse në Kosovë kemi bilinguizëm zyrtar të deklaruar dhe të vendosur me kushtetutë, megjithatë në realitet bilinguizimi është reduktuar vetëm në funksione e domene formale, po edhe në këto funksione epërsia e shqipes për shkak të kriterit demografik është domethënëse. Këto janë vetëm disa nga problemet më evidente të bilinguizmit zyrtar shqip/serbisht. Gjithashtu është me rëndësi të përmendet që fragmetarizimi i continuumit gjuhësor sllavojugor, si rezultat i konflikteve të dhunshme midis sllavëve të jugut në ish-RSFJ ka çuar në lindjen e gjuhëve të reja. Siç thekson Victor Friedman (2007), një prej rezultateve të etnizimit të ish- dialekteve serbo-kroate është ai që dialektet ballkanike të ish-serbo-kroatishtes, që dikur quheshin serbishte në bazë të gjeografisë (të gjitha të folura në jug të Serbisë dhe në Kosovë) tani ka pretendime të quhen edhe kroatishte dhe boshnjakishte, por së fundi edhe malazezishte (crnogorski). Në të kaluarën dialektet sllave që fliteshin në Kosovë, që të gjitha, janë cilësuar si serbishte, duke përfshirë edhe të folmet sllave të zonës së Gorës, për të cilat tash ka pretendime se ato u takojnë të folmeve të serbishtes, maqedonishtes, boshnjakishtes e madje edhe bullgarishtes. Por, sot, përkundër faktit që këto të folme janë të kuptueshme reciprokisht, klasifikimi i tyre mbështete në lidhjen me përkatësinë etnike të folësve që i flasin ato të folme. Kjo ka bërë që institucionet e Kosovës ta respektojnë këtë realitet dhe t’i dallojnë këto të folme si gjuhë respektive (serbishte, boshnjakishte etj)
Sa i përket turqishtes, mund të thuhet se statusi i saj juridik është degraduar në krahasim me statusin që e kishte në kohën kur Kosova ishte krahinë autonome në kuadër të ish-RSFJ-së. Në kushtetutën e atëhershme turqishtja përcaktohej si gjuhë zyrtare, bashkë me shqipen dhe serbishten (Kushtetuta e KSA të Kosovës, 1974). Por, në dokumentet kushtetuese të pas vitit 1999, turqishtja nuk e ka më statusin e plotë zyrtar, sikurse shqipja dhe serbishtja.
Siç u tha më lart, avancimi i statusit politik të Kosovës ka rezultuar edhe me avancimin i statusit të shqipes, por sa i përket politikës gjuhësore që duhet të ndiqet nga Institucionet e Kosovës, kjo nënkupton më tepër obligime për t’i respektuar dokumentet ndërkombëtare për lirinë e përdorimit dhe barazinë e gjuhëve të komuniteteve të ndryshme etnike, kërkesa këto që dalin nga Karta Evropiane për Gjuhët Regjionale ose të Minoriteteve të cilën e përmendëm më lart, ose nga dokumente të tjera ndërkombëtare siç është Deklarata Universale Mbi të Drejtat Gjuhësore e Barcelonës, e miratuar në qershor 1996, nga institucionet dhe organizatat joqeveritare nën mbështetjen e UNESCO-s. Këtu i kemi parasysh përgjegjësitë që bashkësia shqiptare në Kosovë, si bashkësi etnike e gjuhësore shumicë, duhet t’i marrë në raport me mbrojtjen e gjuhëve të minoriteteve dhe respektimin e këtyre të fundit.
Duke e përmbyllur këtë pjesë të fundit të këtij punimi, është me rëndësi të theksohet se politika gjuhësore që po ndiqet në Kosovë ndaj gjuhëve të bashkësive minoritare, është politikë progresive dhe në përputhje me trendët e politikës dhe ideologjisë gjuhësore të BE-së. Përkundër përvojës së keqe historike me Serbinë, institucionet e Kosovës kanë gjetur kurajën që gjuhës serbe t’i japin status zyrtar, si përpjekje për pajtim etnik dhe kjo qasje nuk është refuzuar publikisht as nga shoqëria shqiptare në Kosovë. Ndonëse folësit e serbishtes në raport me folësit e shqipes janë pakicë absolute, megjithatë gjuha e tyre është gjuhë me status zyrtar. Sot, ndonëse flitet nga 5-7% e popullsisë së përgjithshme të Kosovës, serbishtja ka status më të favorshëm juridik, sesa shqipja në Maqedoni e cila flitet nga më shumë se 25% e popullsisë së Maqedonisë. Edhe në raporte gjuhët e bashkësive të tjera etnike, qasja e institucioneve është në përputhje me dokumentet kryesore ndërkombëtare që përcaktojnë mbrojtjen e gjuhëve. Sot, në kuadër të popullit shumicë në Kosovë nuk hetohen prirje të hapura refuzuese dhe qëndrime negative ndaj gjuhëve të bashkësive minoritare. Ndikimi i standardeve dhe politikave të Bashkimit Evropian dhe, në këtë kuadër, edhe i ideologjisë dhe politikës gjuhësore, përveç në fushat e tjera ekonomike e politike, ka ndikuar edhe në fushën e kulturës dhe gjuhëve. Shoqëria dhe institucionet e Kosovës kanë arritur që t’i përvetësojnë dhe t’i zbatojnë në kuadrin ligjor institucional të gjitha politikat progresive evropiane në fushën e barazisë dhe të respektimit të drejtave gjuhësore. Ndonëse në këtë aspekt ka ende probleme për sa i përket zgjerimit të funksioneve dhe domeneve të përdorimit të gjuhëve minoritare, sidomos probleme financiare e praktike, megjithatë qëndrimi pozitiv dhe lejues që shoqëria shqiptare është duke e ndjekur ndaj gjuhëve të pakicave është për t’u vlerësuar.


PËRFUNDIME

Problemi i barazisë së gjuhëve në Evropë dhe i statusit të tyre është një problem që ka evoluar krahas me vetëdijen njerëzore Në këtë çështje janë reflektuar jo vetëm ndryshimet ideologjike e politike të cilat kanë ndodhur në entitetet e ndryshme shoqërore e shtetërore të Evropës, por edhe ndryshimi i mentalitetit dhe kulturës së popujve evropian. Ky proces është në lëvizje të vazhdueshme në kohë dhe në hapësirë. Në rrafshin e planifikimit gjuhësor, në njërën anë, dhe respektimit të të drejtave gjuhësore të bashkësive etnike, në anën tjetër, përcaktimi i statusit të gjuhës, por edhe i funksioneve dhe domeneve të tyre, janë konsideruar si mjete kryesore për t’i realizuar objektivat e barazisë gjuhësore. Çështja e barazisë dhe statusit të gjuhëve ka lindur në kuadër të përpjekjeve në fushën e planifikimit dhe të politikave gjuhësore të popujve evropianë. Pas krijimit të Bashkimit Evropian dhe, sidomos, pas përfundimit të Luftës së Ftohët, ideologjia dhe politika gjuhësore në BE, krahas përpjekjeve për të ruajtur barazinë e gjuhëve të kombeve anëtare, është përqendruar edhe në ruajtjen dhe promovimin e gjuhëve të bashkësive folëse minoritare e regjionale. Kjo bëhet me qëllim të ruajtjes së diversitetit kulturor dhe gjuhësor të Evropës. Ndikimi i politikës gjuhësore të BE-së e ka shtrirë ndikimin edhe në Ballkanin Perëndimor, ku bën pjesë edhe Kosova. Ruajtja dhe promovimi i diversitetit gjuhësor dhe kulturor në shtetet e Ballkanit Perëndimor është perceptuar si një prej standardeve që duhet të plotësohen në procesin e integrimit evropian. Kjo qasje e re i është mbishtruar politikave gjuhësore nacionaliste, që janë ndjekur nga shtetet e Ballkanit gjatë shekujve XIX dhe XX. Në këtë proces shteti i Kosovës ka arritur të ndërtojë një politikë gjuhësore të bazuar në premisat e ideologjisë dhe politikës gjuhësore të BE-së. Zgjidhjet juridike që janë bërë në fushën e statusit të gjuhëve mund të cilësohen si zgjidhjet më të avancuara në rajon. Ndonëse ende ka probleme në lidhje me përhapjen e funksioneve dhe domeneve të përdorimit të gjuhëve që fliten në Kosovë, për arsye kryesisht financiare e praktike, megjithatë qasja e institucioneve ndaj problemit të barazisë së gjuhëve mund të konsiderohet mjaft e avancuar në raport me politikat gjuhësore që ndiqen në shtetet e rajonit, duke përfshirë këtu edhe Greqinë, e cila është anëtare e BE-së. Nëse në shumë fusha të tjera Kosova ka ngecje në plotësimin e standardeve demokratike të Bashkimit Evropian, së paku në fushën e politikës gjuhësore dhe në qasjen ndaj barazisë gjuhësore ka arritur përparim në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.



REFERENCAT:

Bahtin, Mihail (1980). Marksizam i filozofija jezika, Nolit, Beograd.

Chonsky, Noam (1970). Language and Freedom. The Chomsky reader, Interpreting the World, This essay was presented as a lecture at the University Freedom and the Human 0Sciences Symposium, Loyola University, Chicago, January 8-9, 1970. It is to appear in the Proceedings of the Symposium, edited by Thomas R. Gorman. It also was published in Abraxas, vol. 1, no. 1 (1970), and in TriQuarterly, nos. 23-24 (1972). A number of the topics mentioned here are discussed further in my Problems of Knowledge and Freedom (New York: Pantheon Books, 1971), marrë nga Interneti nëpërmjet programit P2P Emule.

Deudney, Daniel and Ikenberry, John G. (2009). The Myth of Autrocratic Revival: Why Liberal Democracy will Prevail, Foreign Affairs, January/February, Volume 88, Number 1.

Freudenstein, Reinhold (1999). Bilingualism, language policy, and the Europena Union, Content made available by Georgetown University Press, Digital Georgetown, and the Department of Languages and Linguistics, në Internet:
http://digital.georgetown.edu/gurt/1999/gurt_1999_26.pdf, qasja për hetë të fundit më 19 mars 2009.

Friedman, Victor A. (2007). Language Politics and Language Policies in the Contemporary Western Balkans: Infinitives, Turkisms and EUrolinguistics, EES Noon Discussion on April 18, 2007. The following is a summary of his presentation. Meeting Report 337, në Internet:
www.wilsoncenter.org/topics/pubs/MR337Friedman.doc, qasja për herë të fundit 20 mars 2009.

Fukuyama, Francis (1989) The National Interest, Summer. This article is based on a lecture presented at the University of Chicago's John M. Olin Center and to Nathan Tarcov and Allan Bloom for their support in this and many earlier endeavors. The opinions expresses in this article do not reflect those of the RAND Corporation or of any agency of the U.S. government. Marrë nga Interneti nëpërmjet programit P2P Emule.

Gal, Susan (2006) Migration, Minorities and Multilingualism: Language Ideologies in Europe, Language Ideologies, Policies and Practices, Edited, by Clair Mar-Molinero and Patrick Stevenson,First Published by Palgrave Macmillian, Houndmills, Basingstoke,
Hjarvard, Stig. (2004). The Globalization of Language – How the Media Contribute to the Spread of English and the Emergence of the Medialects, in Nordicom Review, no. 1-2, pp. 75-97, Nordicom: Gothenburg University. Also available online at: http://www.nordicom.gu.se/common/publ_pdf/157_075-098.pdf
Hampshire RG21 6XS and 175 Fifth Avenue, New York, NY. 10010.

Huntington, Samuel P. (1993). The Clash of Civilizations?, Foreign Affairs. Marrë nga Interneti nëpërmjet programit P2P Emule.

Ismajli, Rexhep (1991), Gjuhë dhe etni, Rilindja, Prishtinë.

Ismajli, Rexhep (1998). "Në gjuhë" dhe "për gjuhë", Dukagjini, Pejë.

Ismajli, Rexhep (2003). Standarde dhe identitete, Dukagjini, Pejë.

Kostallari Androkli (1984). Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë, Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë (Materiale të Konferencës shkencore të mbajtur në Tiranë më 7-8 dhjetor 1984), Tiranë 1988

Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Rilindja, Prishtinë, 1974.

Mackey, William F. (1989). Determining the Status and Function of Languages in Multinational Societies, Status and Function of Languages and Language Varieties, Walter de Gruyter, Berlin – New York.

Ponzio, Augusto (1978). Jezična proizvodnja i društvena ideologija, Školska knjiga, Zagreb.

Shuibhne, Niamh Nic (2001). The European Union and Minority Language Rights, International Journal on Multicultural Societies (IJMS) Vol. 3, No. 2, “The Human Rights of Linguistic Minorities and Language Policies”, në Internet: http://portal.unesco.org/shs/en/ev.php%20URL_ID=2724&URL_DO=DO_TOPIC&URL_SECTION=201.html, qasja për herë të fundit më 19 mars 2009.

Voss, Christian (2006). The Macedonian Standard Language: Tito-Yugoslav Experiment or Symbol of “Great Macedonian” Ethnic Inclusion?, Language Ideologies, Policies and Practices, Edited, by Clair Mar-Molinero and Patrick Stevenson,First Published by Palgrave Macmillian, Houndmills, Basingstoke, Hampshire RG21 6XS and 175 Fifth Avenue, New York, NY. 10010.

[1] Heinz Kloss, Notes concerning a Language-Nation Typology, in Fishman J.A. et al., Language. Problems of Developing Nations 1968; Roger T.Bell, Sociolinguistics, 1976.

[2] Shih në Internet: http://www.minelres.lv/NationalLegislation/Macedonia/Macedonia_Const2001_excerpts_English.htm, qasja për herë të fundit më 24 mars 2009.
[3] Shih në Internet: http://www.mediaclub.cg.yu/Ustav/, qasja për herë të fundit më 24 mars 2009.
[4] Shih në Internet: http://www.unmikonline.org/regulations/2001/reg09-01.htm, qasja për herë të fundit më 23 mars 2009.
[5] Shih në Internet: http://www.unmikonline.org/regulations/2000/re2000_45.htm, qasja për herë të fundit më 23 mars 2009.
[6] Shih në Internet: http://conventions.coe.int/treaty/en/Treaties/Html/148.htm, qasja për herë të fundit më 23 mars 2009.
[7] Shin në Internet: http://www.kuvendikosoves.org/, qasja për herë të fundit më 23 mars 2009.
[8] Shih në Internet: http://www.assembly-kosova.org/common/docs/Kushtetuta_sh.pdf, qasja për here të fundit më 23 mars 2009.
[9] Shih në Internet: http://www.osce.org/documents/mik/2006/12/22607_en.pdf, qasja për herë të fundit më 23 mars 2009.

No comments: