Wednesday, September 3, 2008

GLOBALIZIMI, KOMUNIKIMI GJUHËSOR DHE GJUHA SHQIPE

Shkumbin MUNISHI (Prishtinë)

PËRMBLEDHJE

Në këtë punim trajtohet ndikimi i globalizimit në komunikimin gjuhësor në botë, duke u përqendruar edhe në ndikimin që ka ky proces në gjuhën shqipe. Në pjesën e parë të punimit, bëhet një paraqitje teorike e dukurisë së globalizimit si dukuri shoqërore, e cila ka shkaktuar ndryshime shoqërore anekënd botës. Në komunikimin gjuhësor, sot, globalizimi vështrohet si dukuri që çon në rritjen marramendëse të ndikimit të anglishtes në botë. Përkundër këtij ndikimi të anglishtes, i cili bëhet kryesisht përmes mediave dhe Internetit, risitë teknologjike janë duke krijuar hapësira të reja për përdorimin e gjuhëve të tjera të botës. Në rrafshin e shqipes, dukuria e globalizimit ka ndikuar që shqipja t’i nënshtrohet një procesi të rishkallëzimit ose të ripërshtatjes në rrafshin global, makro-regjional dhe lokal. Ky proces është duke u shoqëruar dhe me ndryshimin e diskurseve, zhanreve dhe stileve të komunikimit të gjuhës shqipe.


1. PËRKUFIZIMI I GLOBALIZIMIT

Ndryshimet shoqërore gjatë historisë kanë pasur ndikime të ndryshme në jetën njerëzve nëpër epoka të ndryshme. Shpesh herë, ndryshimet shoqërore kanë pasur ritme të ngadalshme dhe, në të shumtën e rasteve, këto ndryshime kanë ndikuar vetëm në aspekte të kufizuara të jetës së njerëzve. Zakonisht, këto ndryshime janë shprehur si risi ekonomike, politike e kulturore në jetën shoqërore të popujve të ndryshëm, të cilat, në raste të caktuara, kanë pasur një shtrirje më të gjerë, duke i kaluar kufijtë e grupeve shoqërore e popujve dhe duke u shtrirë nëpër popuj e kultura të ndryshme. Ndryshimet e ngadalshme shoqërore dhe ruajtja e universaleve të kulturore te popujt e botës e kanë karakterizuar historinë e civilizimeve deri në fillim të shekullit XX. Fillimi, përhapja dhe ndikimi i revolucionit industrial në shekujt XVIII, XIX dhe, sidomos, në fillim të shekullit XX i dha një dimension të ri jetës së njerëzve në tërë botën. Ndryshimet që ndodhën në prodhimtari, në bujqësi dhe në transport patën efekt në jetën socio-ekonomike e kulturore, në fillim në Britaninë e Madhe, pastaj edhe në vendet e gjera të Evropës Perëndimore dhe në Amerikën Veriore. Kjo bëri që jeta e njerëzve gjithandej nëpër botë të ndryshojë me ritme shume më të shpejta, por edhe të pësojë diferencime në kuptim të cilësisë së jetesës midis vendeve perëndimore dhe vendeve të ashtuquajtura të Botës së Tretë. Në gjysmën e dytë të shekullin XX, përparimet teknologjike e futën botën në një periudhë të re, në periudhën e globalizimit.

Çka është globalizimi? Në literaturën shkencore tashmë janë dhënë përkufizime të ndryshme për globalizimin si dukuri, por edhe për momentin historik, prej kur mund të thuhet se bota është futur në periudhën e globalizimit. Në enciklopedi të ndryshme, si p.sh. www.wikipedia.org, që mund të shfrytëzohen “online” në Internet, globalizimi (ang. globalization) përkufizohet, si: “proces i transformimit të gjërave ose dukurive lokale a regjionale në dukuri globale. Mund të përkufizohet edhe si proces, në bazë të të cilit popujt e botës janë të unifikuar në një shoqëri të vetme dhe funksionojnë bashkërisht. Ky proces është kombinim i forcave ekonomike, teknologjike, sociokulturore e politike” (shih: http://en.wikipedia.org/wiki/Globalization). Në një tjetër enciklopedi “online”, në Stanford Encyclopedia of Philosophy, e gjejmë këtë përkufizim: “Në diskursin e përditshëm globalizimi shpesh funksionon pak më tepër sesa një sinonim për një a më shumë nga fenomenet në vijim: përkrahja e politikave klasike liberale (ose të :tregut të lirë”) në ekonominë botërore (“liberalizimi ekonomik”), dominimi në rritje i formave të jetës politike, ekonomike dhe kulturore perëndimore (ose edhe amerikane), përhapja e shpejtë e teknologjive të reja të informacionit (“revolucioni i Internetit “), si dhe nocioni se njerëzimi është duke qëndruar në pragun e realizimit të një bashkësie të vetme të njësuar, në të cilën forcat e mëdha që kanë shkaktuar konflikte shoqërore janë duke u zhdukur (“integrimi global”)” (shih: http://plato.stanford.edu/entries/globalization/).

Në punimin me titull: “Globalization, Transitional Communication and the Internet”, të botuar në vëllimin “International Journal on Multicultural Societies (IJMS)”, David Block (Block, 2004) jep këtë pikëpamje për globalizimin: “Fjala [globalizim – sh.m.] për grupe të ndryshme ka tingëllimë të ndryshme. Për “jet set-in” ndërkombëtar globalizimi nënkupton që bizneset e tyre dhe zbavitja në kohë të lirë të mos njohin kufij. Për ata që punojnë në zyra, apo në fabrika anekënd botës, globalizimi do të mund të nënkuptonte thjeshtë shkëmbimin e email-ave me kolegë që gjenden në kontinente të ndryshme dhe që vendimet që merren në selitë qendrore, të cilat janë shumë larg me kilometra, por me arritje të menjëhershme në formë elektronike, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në jetët e tyre. Për tinejxherët në pjesët ekonomikisht të privilegjuara të botës, mund të jetë MTV-ja, me diskursin e saj dominues të konsumimit, i cili është më përfaqësuesi i globalizimit. Megjithatë, për pjesën më të madhe të banorëve të planetit, posaçërisht në Afrikën e nën Saharës dhe në disa pjesë të Amerikës Jugore dhe të Azisë, globalizimi më parë do të mund t’i nënkuptonte kushtet ekonomike të ndërlidhura me keqësimin e rrethanave të jetës, sesa ndryshimet që lidhen me globalizimin, si: komunikimin ndërkombëtar dhe Internetin, me qasjen në ato lloje të teknologjive që e mundësojnë komunikimin e çastit dhe shikimin e televizionit” (Block, 2004: 23-24).

Më tutje, ai i paraqet disa nga përkufizimet kryesore të disa autorëve për globalizimin si dukuri e ndërlidhjes shoqërore, duke u dhënë rëndësi sidomos atyre përkufizimeve që u referohen lidhjeve hapësinore, të cilat i inkurajon globalizimi. Sipas D. Held, A. McGrew dhe J. Perraton, “globalizimi mund të merret për t’iu referuar atyre proceseve hapësinore-kohore të ndryshimit, të cilat përforcojnë një transformim të veprimtarive njerëzore, duke e lidhur bashkërisht dhe zgjeruar aktivitetin njerëzor përtej regjioneve e kontinenteve. Pa referim te shtrirja e lidhjeve të tilla hapësinore, nuk mund të ketë formulim të qartë dhe koherent të termit [globalizim. sh.m]” (Held, McGrew, dhe Perraton, 1999:15, cit. sipas Block, ibid. 24). Ndërkaq, sipas Anthony Giddensit, “[globalizimi është] intensifikimi i relacioneve shoqërore botërore, të cilat i lidhin lokalitetet e largëta në atë mënyrë që ndodhitë lokale janë të formuara nga ngjarjet që ndodhin shumë milje larg dhe vice versa (Giddens, 1990:64, cit. sipas. Block, ibid.: 24).

Përndryshe, Giddens-i jep shpjegime të thukëta për lindjen, zhvillimin dhe ndikimet e globalizimit në jetën shoqërore. Duke folur për transformimet shoqërore dhe, në këtë kuadër, për lindjen dhe zhvillimin e globalizimit si rrjedhojë e këtij transformimi, Giddensi shkruan: “Bota është bërë në disa drejtime një sistem i vetëm social si rezultat i shtimit të lidhjeve të ndërvarura që tani ndikojnë mbi këdo. Sistemi global nuk është një mjedis brenda të cilit shoqëri të veçanta - si Britania – zhvillohen dhe ndryshojnë. Lidhjet sociale, politike dhe ekonomike që kapërcejnë kufijtë midis vendeve kushtëzojnë në mënyrë vendimtare fatin e atyre që jetojnë në çdo vend. Termi i përgjithshëm që shpreh ndërvarësinë në rritje të shoqërisë botërore është globalizimi. Do të ishte gabim që globalizimi të konsiderohej thjeshtë si një proces i forcimit të unitetit botëror. Globalizimi i marrëdhënieve sociale duhet kuptuar para së gjithash si një risistemim i kohës dhe i hapësirës në jetën sociale. Me fjalë të tjera, jeta jonë është gjithnjë e më tepër nën ndikimin e ngjarjeve që ndodhin mjaft larg prej kuadrit social ku ne kryejmë veprimtaritë e përditshme. Megjithë zhvillimin e sotëm të vrullshëm, globalizimi nuk është kurrsesi proces krejt i ri. Ai daton që prej dy shekujsh më parë kur filloi të shtrihej ndikimi perëndimor në botë... Globalizimi i marrëdhënieve sociale nuk është zhvilluar në mënyrë të qetë: që në fillim ai u shoqërua me pabarazinë e rajoneve të ndryshme të botës” (Giddens, 2004: 495). Më tutje, ai thekson se një rol të madh në këtë proces kanë luajtur korporatat e mëdha shumëkombëshe, të cilat kanë shtrirë biznesin e tyre gjithandej nëpër botë dhe në këtë mënyrë i kanë ndihmuar integrimit ekonomik botëror. Sipas tij, “Rritja e shumëkombësheve gjatë 30 viteve të fundit nuk do të ishte bërë e mundur pa përparimet në transport dhe komunikim. Udhëtimi me aeroplan reaktiv bëri të mundur që njerëzit të lëvizin nëpër botë me një shpejtësi që do të ishte e papërfytyrueshme madje edhe përpara gjysmë shekulli. Zhvillimi i madh i anijeve transoqeanike së bashku me konteinerët që bëjnë zhvendosjen nga një lloj transporti tek një tjetër, e lehtëson shumë transportin e materialeve voluminoze. Sot teknologjitë e telekomunikacionit bëjnë të mundur një komunikim të menjëhershëm prej një ane të botës në anën tjetër. Që nga viti 1965 për telekomunikacionin tregtar janë përdorur satelitët. Sateliti i parë realizonte 240 biseda telefonike në një kohë. Satelitët e sotëm mund të kryejnë 12000 biseda njëkohësisht. Shumëkombëshet më të mëdha tani kanë sistemet e tyre të telekomunikimit të bazuara në satelitë. Për shembull, korporata Mitsubishi ka një rrjet të tillë masiv përmes të cilit transmetohen pesë milionë fjalë çdo ditë nga shtetet e saj për në Tokio dhe anasjelltas.” (Giddens, ibid. 512). Ky konstatim tregon qartë rolin dhe ndikimin që e kanë korporatat shumëkombëshe në fushën e komunikimit në nivel botëror. Giddens-i e përmbyll diskutimin e tij për globalizimin duke trajtuar ndikimin që ky proces ka pasur në fushën e mediave dhe në zhvillimin teknologjisë dhe, pastaj, ndikimin kthyes që këto të fundit e kanë pasur në përhapjen e dukurive globale. Sipas tij, katër agjencitë kryesore të lajmeve në botë: Reuters, Associated Press, United Press International (UPI) dhe Frace Press i dërgojnë njëra-tjetrës çdo ditë 34 milionë fjalë, duke siguruar nëntë të dhjetat e prodhimit të përgjithshëm të lajmeve të televizionit, radios e shtypit botëror (Giddens, ibid. 522). Kur kësaj i shtohet fakti se këto lajme pastaj merren, përkthehen dhe transmetohen në mediat e ndryshme lokale nëpër botë, atëherë bëhet e qartë ideja se sa kanë arritur mediat botërore t’i afrojnë njerëzit dhe ngjarjet në botë.

Duke e përmbyllur trajtimin e pikëpamjeve të Giddensit për globalizimin, është me rëndësi të theksohet se ai e sheh zhvillimin e globalizimit si rrjedhojë historike e kolonializmit dhe industrializimit të Perëndimit dhe ndikimit të këtij të fundit në vendet e Botës së Tretë. Përveç si dukuri ekonomike, ai konsideron që globalizimi duhet të trajtohet më shumë si dukuri sociologjike, për shkak të ndikimit që ka në jetën dhe në ndryshimet shoqërore, të cilat kanë ndodhur dhe po ndodhin në botë edhe sot e gjithë ditën.

Sa i përket ndikimit të globalizimit në jetën e njerëzve, shumë autorë janë shprehur se globalizimi është duke e çuar botën drejt një homogjenizimi, ku njerëzit në të katër anët e botës jetojnë, punojnë e mendojnë në mënyrë të ngjashme. George Ritzer flet për “McDonaldization” (mekdonaldizim) për të afruar globalizimin ekonomik me globalizimin kulturor, ndërsa Benjamin Barber thekson se bota po ecën drejt një kulture të vetme globale, të cilën ai e quan “McWorld” (botë e Mcdonald-it), me të cilën vijnë qendrat tregtare, kinematë, arenat sportive, “fast food-ët” etj. (shih Ritzer, 1996, 1998 dhe Barber 1995, cit. sipas Block, ibid. 24). Krejt këto koncepte dalin si rezultat i pikëpamjeve se globalizimi, duke ardhur dhe duke u promovuar nga Perëndimi, po e çon botën drejt “perendimizimit”, apo edhe drejt “amerikanizimit”. Latouche flet për “standardizim botëror të mënyrës së jetesës” (Latouche 1996, cit. sipas Block, ibid :25). Le ta marrim sot për shembull shoqërinë shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë dhe do të shohim lulëzimin e qendrave tregtare, të restoranteve, të “fast food-ëve” e të “club-eve” sipas modeleve perëndimore, të bastoreve sportive, të stileve të muzikës e të mediave audiovizuele që ndërtohen sipas modeleve perëndimore. Vetëm ky shembull tregon se sa shumë po ngjason modeli ynë i jetesës me stilet perëndimore të jetesës dhe sa shumë është duke u lidhur bota jonë me Perëndimin.

Por, jo të gjithë autorët pajtohen se globalizimi është duke e quar botën drejt homogjenizimit. Ka autorë që mendojnë se globalizimi është duke krijuar një përzierje midis asaj që është globale dhe asaj që është lokale. Për këtë dukuri Nederveen Pieterse ka krijuar termin hibridizim, ndërsa Roland Robertson flet për glokalizim, term japonez të cilën Robertson e adaptoi nga konteksti i biznesit, ku nënkupton tregtimin e mallrave dhe shërbimeve në baza globale, duke iu përshtatur veçantive vendore. Në këtë kontekst, Robertson flet për ndërthurjen e “të posaçmes” me “universalen” (për termat hibridizim dhe glokalizim shih: Pieterse 1995; Roberston 1995, cit. sipas Block, ibid: 24). Qëndrimet e tilla duken të sakta sidomos kur kihen parasysh përpjekjet e kulturave lokale për t’i rezistuar ndikimeve të kulturave të mëdha, të cilat që janë bartëse të proceseve të globalizimit. Shpesh-herë identiteti lokal shfaq shenja mbrojtëse kur sulmohet nga dukuritë që kanë marrë përmasa globale dhe bëhet selektiv në pranimin e tipareve të caktuara, që vijnë si pjesë përbërëse e këtyre dukurive. Në raste të tilla lokalja bëhet “e jona”, ndërsa globalja bëhet “e huaj”.

Shtytjen kryesore dukurisë së globalizimit i dha zhvillimi i teknologjisë, sidomos zhvillimi i teknologjisë së komunikimit dhe informimit. Krijimi i mundësive teknologjike për transmetime audiovizuele të programeve të mediave ndërkombëtare përmes satelitëve komunikues bëri që informatat dhe lajmet të përhapen shumë shpejt, duke afruar dhe propaguar në këtë mënyrë popujt dhe kulturat e tyre. Këto transmetime bënë që bashkë me informatat, të përhapen edhe veçoritë sociokulturore të popujve të botës. Kulminacioni i këtij përparimi, padyshim, ishte zbulimi i mikroprocesorëve ose çipave të kompjuterëve. Në këtë mënyrë mund të thuhet se bota kaloi nga shoqëritë industriale, në shoqëri post-industriale, apo, siç i quan ndryshe Manuel Castells, në “shoqëri informacionale” (Castells, 1998, 2000, cit. sipas. Block, ibid: 27). Lëshimi në përdorim i Internetit në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, bëri që bota ta ketë në dorë mjetin me të cilin njerëzit në të katër anët e botës ishin më afër se kurrë më parë me njëri-tjetrin. Shkëmbimi i informatave dhe lajmeve, komunikimi përmes email-ave dhe përmes mesazheve instante (instant messages) [komunikime të çastit në formë elektronike përmes shkrimit – sh.m.] në messenger-ë të ndryshëm, promovimi dhe reklamimi i ofertave ekonomike, kulturore e artistike, u dhanë mundësi njerëzve nga mbarë bota të afrohen dhe të jenë në kontakt të afërt me njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë, bota u bë një hapësirë e vetme për shkëmbime ekonomike, socio-kulturore dhe gjuhësore. Me terma të David Crystal e autorëve të tjerë (Crystal, 1997:21), sot mund të flitet për botën si një “fshat global” (global village).

Duke e përmbyllur këtë pjesë, në të cilën u përpoqa të bëj një trajtim teorik të dukurisë së globalizimit, është me rëndësi të theksohet se në aspektin ekonomik globalizimi karakterizohet nga përpjekjet për përhapjen e ekonomisë së tregut të lirë në shkallë globale. Por, sot hasen edhe shembuj prapakthyes, apo përpjekje për t’i rezistuar këtij procesi në fushën e ekonomisë. Proceset e intervencionizmit shtetëror, të proteksionizmit dhe të subvencionimit, mund të konsiderohen si masa mbrojtëse në rrafshin lokal ndaj globalizimit. Ndërhyrja e shtetit në Rusi dhe kthimi i gjigantit rus të naftës dhe gazit Gazprom në pronësi shtetërore, nacionalizimi i kompanive strategjike në Venezuelë nën diktatin e kryetarit Chavez dhe format e ndryshme të subvencionimit të prodhimeve vendore, sidomos i prodhimeve bujqësore, në vende të shumta të botës janë vetëm disa nga përpjekjet për t’i luftuar proceset e globalizimit.

Në anën tjetër, është me rëndësi të theksohet se fenomeni i globalizimit assesi nuk mund të shihet ngushtë si dukuri e shkëmbimeve ekonomike e tregtare dhe e përhapjes së korporatave ndërkombëtare. Nga paraqitja e mësipërme e pikëpamjeve të autorëve të ndryshëm, mund të përfundojmë se globalizimi, në radhë të parë, duhet të shihet dhe të vlerësohet si dukuri sociologjike, që manifestohet pothuajse në të gjitha sferat e jetës së njeriut. Ndikimi i këtij fenomeni ka bërë që ndryshimet shoqërore në jetën e bashkësive shoqërore anekënd botës të jenë shumë më të shpejta se në të kaluarën. Giddens-i ka të drejtë kur e trajton fenomenin e globalizimit si rrjedhojë historike të kolonializmit dhe industrializimit të Perëndimit. Por, unë mendoj që globalizimi si fenomen, e ka zanafillën pas Luftës së Dytë Botërore, kur ndikimi i dy blloqeve politike e ushtarake u shtri në të katër anët e botës. Së fundi, fundi i Luftës së Ftohtë dhe zbulimi i Internetit e futën botën përfundimisht në epokën e globalizimit në të cilën po jetojmë sot. Ky fenomen është duke e çuar botën drejt integrimeve ekonomike e socio-kulturore me përmasa botërore, të cilat nuk kanë ndodhur kurrë më parë në përmasa të tilla në historinë e njerëzimit.

2. GLOBALIZIMI, SHTRIRJA E ANGLISHTES SI GJUHË GLOBALE DHE INTERNETI

Cilat janë ndikimet e globalizimit në proceset gjuhësore në botë? Më lart u tha që globalizimi është rezultat i zhvillimit industrial dhe teknologjik i vendeve perëndimore, sidomos i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjithashtu, u tha që karakteristikë shoqëruese e proceseve globalizuese është shtrirja e korporatave të mëdha ndërkombëtare në të gjitha kontinentet, përhapja e mediave dhe Internetit. Kur kemi parasysh që korporatat ndërkombëtare, mediet kryesore dhe Interneti janë të dominuara në masë të madhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, atëherë mund të thuhet lirisht që anglishtja si gjuhë kryesore e SHBA-ve është gjuha dominuese në botë. Kur kësaj i shtohet edhe fakti që për disa shekuj me radhë Britania e Madhe ishte vendi me më së shumti koloni në botë dhe me ndikim të madh politik, ekonomik e ushtarak, atëherë konstatimi se anglishtja është gjuha kryesore në botë bëhet i padiskutueshëm. Sot, anglishtja po bëhet gjithnjë e më shumë gjuhë e globalizimit dhe e proceseve që ndërlidhen me të. Përhapja e mediave, e Internetit dhe digjitalizimi e bëjnë anglishten në kuadrin e sotëm gjuhësor botëror, gjuhën kryesore në botë. Supremacia politike, ekonomike dhe kulturore e SHBA-ve, por edhe e Britanisë së Madhe, ka bërë që anglishtja të imponohet si gjuhë e komunikimit masiv në nivel botëror, pra të bëhet një lingua franca botërore, ngjashëm me latinishten dikur. Sot, anglishtja shërben si gjuhë kryesore për komunikim midis folësve që për gjuhë amtare kanë gjuhë të tjera.

Anglishtja është bërë gjuhë kryesor e komunikimit përmes Internetit. Ndonëse kemi një rënie të përdorimit të anglishtes në Internet në krahasim me gjuhët e tjera, ajo ende mbetet gjuha që zë hapësirën më të madhe në Internet. Deri nga mesi i viteve ’90, më tepër se 80% e materialeve të publikuara në internet ishin në gjuhën angleze, duke bërë de facto anglishten gjuhë të Internetit. Kjo u dëshmua nga një hulumtim i kryer më 1997, nga një organizatë e quajtur Babel, një nismë e përbashkët e Internet Society dhe Alis Technologies (Crystal, 2001; Block, ibid. 2004). Sipas Statistikave Globale të Internetit sipas gjuhëve (Global Internet Statistics by language), në vitin 2001 anglishtja përdorej në masën 41%, ndërsa në vitin 2004 ka pësuar rënie në 35% të përdorimit. Pas saj renditet kinezishtja me 13.7%, spanjishtja me 9%, japonishtja me 8.4%, gjermanishtja me 6.9%, frëngjishtja me 4.2%, koreanishtja me 3.9%, italishtja me 3.8%, portugalishtja me 3.1% dhe në fund holandishtja me 1.7%. Por, siç u tha më lart, kohëve të fundit ka një rënie të përdorimit të anglishtes në raport me gjuhët e tjera, duke bërë që hapësira virtuale të jetë në dispozicion për shumë gjuhë të tjera të botës. Edhe Crystal-i dhe Block-u e ndajnë mendimin se, për aq sa Interneti i ka krijuar hapësira të mëdha përdorimi anglishtes, po aq është duke krijuar hapësira për gjuhët e tjera botërore, duke e bërë Internetin në të vërtetë një “mjet shumëgjuhësh”. Por, bërja e Internetit mjet shumëgjuhësh varet nga ajo se sa do të jenë në gjendje popujt e botës, shoqëritë dhe individët të krijojnë dhe të promovojnë ueb faqe në gjuhët e tyre, natyrisht duke punuar shumë në tejkalimin e vështirësive teknologjike, të cilat kanë të bëjnë me alfabetet dhe shenjat e ndryshme e diakritike që përdoren në shkrimet e ndryshme. Duke e mbështetur pikëpamjen për diversitetin global gjuhësor, i cili është duke u krijuar në Internet, David Crystal thekson, duke i perifrazuar tri “w-të”, se sot Interneti ofron një World Wide Welcom (mirëseardhje të gjerë botërore) për të gjitha gjuhët e botës (Crystal, ibid, 2001).

Më tutje, anglishtja sot është gjuhë kryesore e marketingut dhe e reklamave, të cilat i kanë vërshuar jo vetëm hapësirat fizike nëpër vendbanime anekënd botës, por edhe hapësirat digjitale e virtuale. Anglishtja është bërë gjuhë e misioneve ndërkombëtare e paqeruajtëse nëpër botë (mision language) dhe, në të shumtën e rasteve, është edhe gjuha kryesore e samiteve politike, e simpoziumeve dhe seminareve ndërkombëtare, të cilat organizohen gjithandej nëpër botë.

Ky ekspansionizëm i anglishtes ka bërë që sot të flitet për anglishten si gjuhë globale (Global English), që lind nga nevoja për të pasur një gjuhë për komunikim botëror. Sipas shpjegimit të David Crystal-it, “Global English” nënkupton përdorimin e anglishtes si gjuhë botërore, por, njëkohësisht, edhe përdorimin e saj nga folësit burimorë, të cilët i përdorin varietete e ndryshme të kësaj gjuhe. David Crystal thekson se një gjuhë arrin status me të vërtetë global, kur zhvillon një rol të posaçëm që njihet në secilin vend. Sot, anglishtja ka status të posaçëm administrativ në më shumë se 70 vende, si: Gana, Nigeria, India, Singapori, Vanutu (Crystal, ibid. 1997). Një prej vendeve ku anglishtja ka status juridik dhe administrativ është edhe Kosova, ku sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe rregulloreve të UNMIK-ut (misioni i OKB-së në Kosovë, i cili pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës është në largim e sipër- sh.m.) anglishtja ka status zyrtar si shqipja dhe serbishtja. Crystal-i është i mendimit se anglishtja është zgjeruar e përhapur aq shumë, sa që është bërë e pavarur nga kontrolli shoqëror. Ky përfundim mbase edhe mund të vihet në dyshim, por realisht depërtimi i anglishtes nëpër botë i ka tejkaluar të gjitha parashikimet që ndokush mund t’i ketë pasur para dy dekadave.

Ekspansionizmi i anglishtes ka prekur pothuajse të gjitha fushat e jetës në Evropë dhe në botë. Në mjediset evropiane ajo ka vënë nën trysni edhe gjuhën frënge, e cila dikur ishte ndër gjuhët më të përhapura në botë. Dikur frëngjishtja ishte gjuhë e kulturës, e ekonomisë dhe e politikës në përmasa botërore dhe, madje, ishte gjuhë e oborrit mbretëror anglez. Por, sot edhe frëngjishtja në kuadrin botëror mbetet prapa anglishtes. Nën të njëjtën trysni janë edhe gjuhët e tjera të Evropës që kanë folës të shumtë, siç janë gjermanishtja, italishtja, spanjishtja e portugalishtja. Anglishtja sot është duke ndikuar në çdo aspekt të jetës së njerëzve jo vetëm në Evropë, por edhe në botë.

Dukuria e globalizimit, e cila, në radhë të parë, është duke u përhapur si dukuri shkëmbimeve ekonomike në botë, ka krijuar terren të përshtatshëm për përhapjen e anglishtes në aktivitetet ekonomike evropiane. Sot, në Evropë, njohja e anglishtes paraqet një përparësi për punësim. Organizatat ndërkombëtare dhe evropiane, si p.sh. Asociacioni Evropian për Markat, Asociacioni Evropian i Distributorëve Kimikë, Asociacioni Evropian i Aviacionit të Biznesit dhe Federata Bankare Evropiane etj. duke kërkuar nga të punësuarit e tyre të njohin anglishten, në fakt i diskriminojnë folësit e gjuhëve të tjera në favor të folësve burimorë të anglishtes. Në Finlandë anglishtja është duke e zëvendësuar finlandishten si gjuhë e ekonomisë dhe e financave, duke i detyruar përfaqësuesit e korporatave industriale të këtij vendi që ta flasin gjuhën e investitorëve të Nju-Jorkut dhe Londrës. Në Evropën e sotme mund të gjesh konkurse për vende pune, në të cilat flitet vetëm anglishtja. Në të gjitha vendet e Evropës mësimi i gjuhës angleze pothuajse është bërë i detyrueshëm dhe shihet si një përparësi për karrierën e individit.

Edhe në Danimarkë, për shembull, sot anglishtja po i zë hapësirat e caktuara të danishtes. Studiuesi Stig Hjarvard thekson: “Sot, ka fusha në Danimarkë, në të cilat anglishtja ia ka zënë vendin danishtes. Disa korporata të mëdha, duke pasur veprimtari dhe kontakte të dendura me jashtë, e kanë promovuar anglishten si gjuhë të kompanive; disa fusha të shkencës, ku danishtja dhe/ose disa gjuhë të huaja përdoreshin dikur, ia kanë lënë vendin anglishtes. Teknologjia informative, muzika dhe publikimet muzikore, si dhe reklamat janë fusha të tjera ku anglishtja po zë në terren, në instanca të caktuara duke e përjashtuar danishten. Gjuhëtarët e karakterizojnë këtë situatë si “humbje e domeneve” dhe është pikërisht humbja e domeneve dukuria që më së shumti i brengos disa studiues danezë. Danishtja si e tillë sigurisht që to të mbijetojë, por humbja e domeneve mund ta reduktojë danishten edhe në shtrirje, edhe në status” (Hjarvard, 2004:78). Madje, duke e identifikuar përdorimin e kodeve të ndryshime në media të ndryshme në Danimarkë, të cilat janë të ndikuara nga anglishtja, Hjarvard fut në përdorim termin “medialects” (medialekt), për t’i emëruar pikërisht këto varietet gjuhësore që përdoren në media e funksione të ndryshme (Hjarvard, ibid.:94).

Anglishtja ka filluar të ndikojë edhe te shumë gjuhë tjera të Evropës, të cilat kanë filluar t’i humbin disa domene të caktuara të përdorimit. Kjo gjë ka shkaktuar reagimin e folësve të gjuhëve të tjera, të cilët sot flasin për një hegjemoni të anglishtes në botë. Sipas atyre që e kanë shpikur këtë term, kjo hegjemoni e anglishtes ka krijuar pabarazi, diskriminim, kolonizim të mendjes, si dhe amerikanizim, transnacionalizim dhe komercializim të jetës bashkëkohore në Evropë.

Në Evropë, ndikimi i anglishtes shprehet në dy nivele: si ndikim ndaj gjuhëve kombëtare të Evropës, por edhe si ndikim ndaj gjuhëve të bashkësive folëse minoritare. Në këtë situatë, sot gjuhët kombëtare të Evropës, si: frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja, spanjishtja, holandishtja etj., gjenden nën trysninë e anglishtes në rrafshin global, por në anën tjetër ushtrojnë trysni ndaj gjuhëve të bashkësive minoritare, sidomos ndaj gjuhëve të emigrantëve që jetojnë në vende të tilla si, Francë, Gjermani, Itali, Holandë, Zvicër etj.

Krejt kjo situatë ka bërë që shumë autorë t’u bien kambanave të alarmit për rrezikun nga zhdukja që po u kanoset shumë gjuhëve të botës. Kështu, shumë autorë dhe organizata ndërkombëtare botërore, si UNESCO, janë ngritur në mbrojtje të gjuhëve të rrezikuara, duke theksuar se të gjitha gjuhët janë të vlefshme dhe të barabarta dhe që diversiteti gjuhësor është vlerë në vete, ngjashëm me biodiversitetin. Sipas tyre, gjuhët e kanë rëndësinë e tyre të veçantë për njerëzit dhe popujt që i flasin, sepse këto gjuhë janë të lidhura me identitetin, me kulturën dhe memorien e këtyre popujve dhe çdo përpjekje për t’i shtypur këto gjuhë do të paraqiste gjenocid kulturor, apo “linguicid”.

Mbrojtja e gjuhëve të rrezikuara dhe gjuhëve minoritare është bërë politikë gjuhësore edhe ne Bashkimin Evropian. Megjithëse politika gjuhësore në BE është përgjegjësi e secilit vend anëtar, megjithatë Bashkimi Evropian ka bërë përpjekje që t’i respektojë identitetet, kulturat dhe gjuhët e të gjitha vendeve anëtare të saj. Kjo qasje është sanksionuar edhe në dispozitat e Projekt Kushtetutës Evropiane, edhe në Traktatin e Maastricht-it, në të cilat thuhet se BE-ja do të respektojë identitetin e vendeve të saja anëtare dhe, rrjedhimisht, edhe të gjuhëve të këtyre vendeve.

BE-ja, gjithashtu, inkurajon diversitetin kulturor dhe gjuhësor, duke investuar me dhjetëra miliona euro për të financuar bursa për mësimin e gjuhëve të huaja dhe për t’i trajnuar mësuesit e gjuhëve. Më 1992, Këshilli i Evropës ka miratuar Kartën Evropiane për Gjuhët Regjionale ose Minoritare, e cila ka për qëllim t’i mbrojë dhe t’i promovojë gjuhët historike regjionale dhe minoritare në Evropë. Ky legjislacion ka të bëjë vetëm me ato gjuhë që tradicionalisht përdoren nga banorët vendës të shteteve evropiane dhe, në këtë kuptim, nuk ka të bëjë me gjuhët e emigrantëve që janë vendosur së voni në një shtet të caktuar. Ky dokument është ratifikuar jo vetëm nga shumë shtete anëtare të BE-së, por edhe nga shtete të tjera anëtare të Këshillit të Evropës.

Ky trend i ruajtjes së diversitetit gjuhësor është ruajtur dhe reflektuar edhe në Deklaratën Universale për të Drejtat Gjuhësore, të miratuar më 9 qershor 1996, në Barcelonë, e cila angazhohet për mbrojtjen e gjuhëve të botës, sidomos të atyre të rrezikuara.

Duke e parë këtë përhapje marramendëse të anglishtes, gjuhëtarët theksojnë se pas njëqind vitesh kjo anglishte që flitet sot do të shndërrohet në një formë të quajtur “panglish”, pasi që forma globale e anglishtes tashmë është duke u bërë një grupim i lirë i dialekteve lokale me gjuhë të bazuara në anglishten, të cilat përdoren për komunikim nga folësit joburimorë të anglishtes (shih artikullin në Telegraph.co.uk: http://www.telegraph.co.uk/news/uknews/1582954/English-will-turn-into-Panglish-in-100-years.html).

Pra, ekspansionizmi i anglishtes dhe përdorimi i saj aq i madh në botë ka bërë që anglishtja të futet në një proces që karakterizohet me lindjen e varieteteve të reja të anglishtes. Crystal-i thekson se këto “anglishte të reja” janë sikurse dialektet, të cilët ne i njohim në vendet tona, por që këto [anglishte të reja] janë në shkallë ndërkombëtare, dhe kanë të bëjnë me vende dhe rajone të tëra. Këto varietete janë shfaqur, pasi që u japin identitet grupeve që i përdorin ato. Shfaqja e këtyre varieteteve ngre çështjen e fragmentimit të anglishtes dhe shpërbërjen e saj eventuale në gjuhë të ndërkuptueshme reciprokisht, ngjashëm me atë që ka ndodhur me latinishten.(Crystal, ibid. 1997).

Në përfundim të kësaj pjese, në të cilën u përpoqëm të trajtojmë rolin që janë duke luajtur proceset globalizuese, mediat dhe Interneti në komunikimin botëror dhe në përhapjen e gjuhës angleze në botë, është me rëndësi të theksohet se, përveç që kanë shërbyer në përhapjen e anglishtes, pikërisht këto media dhe Interneti janë bërë hapësira kryesore për promovimin e gjuhëve të tjera të botës. Njëkohësisht, hapësirat që kanë krijuara mediat audiovizuele dhe Interneti po shfrytëzohen për ngritjen e vetëdijes për respektimin e diversitetit gjuhësor dhe për ruajtjen e gjuhëve që janë të rrezikuara nga zhdukja. Në anën tjetër, ndonëse ekspansionizmi i anglishtes është fakt i pamohueshëm, u pa që pikërisht ky ekspansionizëm, në të ardhmen mund t’i shkaktojë probleme gjuhës, e cila sot po përdoret si lingua franca në botë. Ajo që është evidente, globalizmi, mediat dhe interneti janë duke pasur një ndikim të fuqishëm hapësinor dhe kohor në ndërveprimin shoqëror midis popujve që kanë distancë fizike dhe njëkohësisht janë duke ndihmuar në intensifikimin e ndërkomunikimit në përmasa globale. Në tërë këtë proces, anglishtja, pa dyshim, është duke pasur një rol qendror, jo vetëm duke ndikuar në gjuhët e botës, por duke diktuar edhe formimin e formave dhe diskurseve të reja të komunikimit midis njerëzve.

3. SHQIPJA NË KONTEKSIN GLOBAL DHE MAKRO-REGJIONAL

Siç mund të vërehet nga ajo që u tha më lart, globalizimi është dukuri që ndikimin e tij e shtrin edhe në proceset gjuhësore dhe ky ndikim nuk mund të ngushtohet vetëm në suaza të ndikimit që anglishtja si gjuhë e sotme globale është duke ushtruar në gjuhët e tjera dhe as si ndikim në kuptim e përhapjes së huazimeve në gjuhët e ndryshme. Gjithashtu, globalizimi nuk mund të shihet ngushtë, as si dukuri që po i rrezikon gjuhët nga zhdukja, as si dukuri e përhapjes së Internetit dhe e ndikimeve që vijnë me të. Ndikimi i globalizimit në dukuritë gjuhësore është ndikim më i thellë dhe mund të cilësohet si ndikim psiko-sociolinuguistikë, pasi që prek edhe aspekte psikologjike, edhe aspekte sociologjike, por edhe gjuhësore të njerëzve dhe të bashkësive shoqërore që i nënshtrohen ndikimit të globalizimit.

Në librin e tij “Language and Globalization” Norman Fairclough (2006) trajton çështjet që ndërlidhen me ndikimin e proceseve të globalizimit në gjuhë. Fairclough përmend tri aspekte që i karakterizojnë këto procese. Aspekti i parë ka të bëjë me faktin që rrjetet [networks], lidhjet dhe ndërveprimet, të cilat kalojnë përgjatë vijave hapësinorë dhe kufijve, përfshijnë dhe varën vendosmërisht nga format e posaçme [Fairclough i quan zhanre – sh,m.] të komunikimit të cilat janë të specializuara për ndërveprime transnacionale dhe ndër-regjionale. Këto rrjedha përfshijnë rrjedhat e paraqitjes, narrativët dhe diskurset. Në esencë, zhanri, sipas Fairclough, është mënyra e komunikimit ose e ndërveprimit, ndërsa diskursi është mënyra e paraqitjes së disa pjesëve apo aspekteve të botës. Zhanret që i përmend autori, përfshijnë zhanret e komunikimit të mediave si, CNN dhe të organizatave ndërkombëtare si, OKB-ja, Bashkimi Evropian etj. Ndërsa një shembull i diskursit të tillë është diskursi ekonomik ‘neo-liberal’, i cili pohon, midis tjerash, se tregjet janë të “vetërregullueshme” dhe e paraqet rolin e shteteve dhe të qeverive si “lehtësues” të punës së tregjeve, por duke mos kërkuar që të “ndërhyjnë” në to (Faiclough, 2006:3 -4).

Aspekti i dytë, sipas Fariclough, ka të bëjë me faktin se është me rëndësi të bëhet dallimi midis proceseve aktuale dhe tendencave të globalizimit dhe diskursit të globalizimit. Dhe, së treti, pasi të jetë bërë ky dallim, është po aq me rëndësi të shihet se cilat janë marrëdhëniet midis proceseve aktuale të globalizimit dhe diskursit të globalizimit. Në një kuptim të gjerë, mund të thuhet se diskurset e globalizimit gati se nuk përfaqen në proceset dhe tendencat e globalizimit, të cilët janë duke ndodhur pavarësisht. Ato [diskurset-sh.m.] munden, nën kushte të caktuara, të kontribuojnë gjithashtu në krijimin dhe formësimin procesin aktual të globalizimit. Për shembull, diskursi ekonomik neo-liberal ka pasur shumë ndikim në dhënien e formës së posaçme të proceseve dhe marrëdhënieve ekonomike. Fariclough thekson se globalizimi, si një drejtim i proceseve aktuale të ndryshimit, është shumë kompleks dhe me shumë pamje dhe është shumë dukuri e madhe për të mundur të kontrollohet nga ndonjë agjenci e veçantë. Por, agjencitë e posaçme (p.sh. qeveritë e fuqishme dhe korporatat, si dhe organizatat ndërkombëtare si FMN-ja) përpiqem, me një dozë suksesi, që t’i shtyjnë dhe t’i imponojnë aspektet e globalizimit në ndonjë drejtim të posaçëm dhe, diskurset e tilla, siç është diskursi ekonomik neo-liberal, janë pjesë me rëndësi e strategjisë për ta arritur këtë synim (Fairclough, ibid.: 4). Më tutje, ai thekson se globalizimi nuk është vetëm çështje e ndërtimit të shkallës globale [global scale], por është gjithashtu edhe çështje e raporteve të reja midis shkallës globale me shkallët e tjera dhe në anën tjetër... globalizimi bashkëkohorë është gjithashtu i ndërlidhur me ndërtimin e shkallëve të tjera përveç shkallës globale, duke përfshirë shkallën ‘makro-regjionale’ (p.sh. Bashkimi Evropian ose Zona e Tregtisë së Lirë e Amerikës Veriore), shkallën ndërkufitare regjionale ekonomike, siç është Pearl River Delta dhe shkallën e ‘qyteteve globale’ (Fairclough ibid.: 64)

Këto qëndrime të Fairclough dalin si përfundime nga një “case study” (studim rasti) i ndikimit të proceseve të globalizimit, sidomos i proceseve të integrimit evropian, në dukuritë gjuhësore në Rumani. Reflektimi i rrethanave të reja ekonomike e politike në Rumani, sipas Fairclough, është pasqyruar me shfaqjen e diskurseve të reja politike, ekonomike dhe të biznesit, të cilat janë të ndikuara mjaft nga gjuha angleze, sidomos nga diskursi i biznesit i anglishtes. Ndryshimet ekonomike që kanë ndodhur në Rumani pas rënies së komunizmit, më 1989, janë reflektuar edhe me ndryshimin e diskursit. Fairclough thekson se “ndryshimi i diskursit është një element i brendshëm i ndryshimit ekonomik” dhe se “ndryshimi ekonomik ka filluar të ndodhë vetëm kur diskursi është operacionalizuar, zbatuar dhe futur në veprim” (Faiclough, ibid.:2).

Duke folur për Rumaninë, Fairclough e përshkruan si vend, i cili është në proces të tranzicionit. Ai e përkufizon tranzicionin si pjesë të globalizimit në kuptimin globalist, që ka për qëllim që t’i çojë vendet post-komuniste në procesin dhe në projektin e përhapjes e kapitalizmit neo-liberal të tregut të lirë, në ‘treg global’ (Fariclough, ibid. 67). Fairclough tregon se Rumania është futur në proces të integrimit në BE, proces ky i cili është i shoqëruar me reforma në shumë fusha të jetës. Dy prej reformave, të cilat autori i merr si shembull janë procesi i Bolonjës në arsimin e lartë dhe procesi i luftimit të ‘përjashtimit social’ dhe promovimi i ‘përfshirjes sociale’. Të gjitha këto dukuri autori i cilëson si përpjekje për rishkallëzim ose ripërshtatje (re-scaling) të shtetit kombëtar ndaj rrethanave globale dhe proceseve integruese. Fairclough arrin në përfundim që ky proces i rishkallëzimit ose i ripërshtatjes shoqërohet me rishkallëzimin ose ripërshtatjen e diskurseve, zhanreve dhe stileve (Fairclough, ibid.).

Ai vëren me të drejtë se në Rumani ka një cinizëm publik lidhur me diskursin e qeverisë dhe legjislacionin, i cili shprehet vazhdimisht në diskursin publik, duke përfshirë edhe mass-mediat, dhe ky cinizëm shfaqet në formën e një hendeku që ekziston midis fjalëve dhe realitetit në Rumani (Fairclough, ibid.: 86).

Këto pohime të Fairclough do të mund të trajtohen dhe të diskutohen edhe në kontekstin e sotëm të shqiptarëve dhe të shqipes. Pas ndryshimeve ekonomike dhe politike që ndodhën në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni në fillim të viteve ’90 pozita e shqiptarëve ka shkuar drejt përparimit. Pas vitit 1991, Shqipëria u fut në procesin e tranzicionit ekonomik dhe politik, proces ky që u shoqërua me braktisjen e sistemit të ekonomisë së planifikuar dhe të sistemit politik njëpartiak diktatorial dhe me vendosjen e ekonomisë së tregut të lirë dhe të sistemit politik pluralist, si dhe me ndërtimin e institucioneve demokratike. Në po të njëjtat procese janë futur edhe shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë. Por, gjatë viteve ’90, Kosova është dashur të përfshihet në luftën çlirimtare për liri dhe për krijimin e shtetit, synim ky që u realizua përfundimisht më 17 shkurt 2008, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Rrethanat e reja të krijuara në hapësirat shqiptare në Ballkan kanë mundësuar që shoqëria shqiptare të hapet ndaj dukurive të globalizimit dhe të proceseve të tjera të integrimeve euro-atlantike. Hapja e tregut shqiptar dhe futja e investimeve të huaja, si dhe zhvillimi marramendës i teknologjisë së prodhimit, i mediave dhe i teknologjisë informative kanë krijuar hapësira për përparime cilësore në kuadër të bashkësisë shqiptare. Heqja e barrierave dhe kufijve po krijon hapësira për komunikim më të afërt midis shqiptarëve. Rritja e komunikimit do të ndikojë në futjen në përdorim të formave të caktuara gjuhësore, të cilat to të konsiderohen si forma të përbashkëta, apo edhe forma kompromisi, për të gjithë shqiptarët në kuadër të stileve të caktuara të komunikimit, sidomos në kuadër të stileve formale. Bashkëpunimi ekonomik midis Shqipërisë dhe Kosovës, ndonëse ende në nivele të ulëta, po vjen duke u shtuar gradualisht. Bashkëpunimi në kulturë, art dhe shkencë është po ashtu në nivele që lënë për t’u dëshiruar. Ndoshta përjashtim bëjnë mediat. Digjitalizimi i programeve televizive dhe Interneti kanë krijuar hapësira të përbashkëta për transmetime televizive të programeve në gjuhën shqipe. Buqeta programore televizive DigitAlb tashmë është shtrirë në të gjithë hapësirën fizike shqiptare në Ballkan, por edhe në diasporë përmes transmetimeve satelitore. Pjesë e kësaj buqete janë televizionet kryesore shqiptare nga Shqipëria dhe nga Kosova, si: TVSH, RTK, Klan, Top Channel, Kohavision e RTV 21, ndërsa programet për fëmijë si Bang Bang e Çufo janë duke luajtur një rol të shkëlqyeshëm në ruajtjen dhe në kultivimin e shqipes, sidomos te fëmijët e emigrantëve shqiptarë në Evropë.

Në anën tjetër, Shqiptarët dhe institucionet e tyre qeveritare si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e Maqedoni, janë duke kaluar nëpër procese të njëjta të integrimeve në BE dhe në NATO. Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, pa përjashtim, u nënshtrohen programeve ekonomike dhe monitorimeve nga FMN-ja, Banka Botërore e Komisioni Evropian. Po të perifrazonim Fairclough dhe konceptin e tij për rishkallëzimin ose ripërshtatjen, do të mund të themi lirisht që edhe shtetet shqiptare janë futur në një proces të rishkallëzimit ose të ripërshtatjes edhe në nivel global, edhe në nivel makro-regjional. Këtij fenomeni do t’i kthehemi përsëri, por tani të shohim se si janë duke ndikuar rrethanat e reja në gjuhën shqipe dhe në varietetet e saj dhe cili mund të jetë ndikimi i proceseve të globalizimit në gjuhën shqipe.

Më lartë thamë që një prej dukurive kryesore, e cila lidhet me procesin e globalizimit është rrezikshmëria e gjuhëve nga zhdukja. Shqipja që flitet në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni aktualisht nuk është futur në grupin e gjuhëve të rrezikuara. Përjashtim bëjnë varietete arvanitase në Greqi, të cilat në “Librin e kuq të UNESCO-s për gjuhët e rrezikuara” janë futur në kategorinë e “gjuhëve pothuajse të shuara” dhe varietetet e arbëreshëve të Italisë, të cilat konsiderohen si gjuhë të rrezikuara. Sa i përket varieteteve arvanitase, mund të ndodhë që vendosja e emigrantëve shqiptar në Greqi, pas vitit 1991, dhe kontaktet e popullatës arvanitase me ta, si dhe përparimi i mediave dhe i Internetit, të kenë ndikim pozitiv në proceset gjuhësore dhe të ndihmojnë në ruajtjen e varieteteve arvanitase nga shuarja. Fakti që shqipja vazhdon të ketë folës burimorë të bollshëm është tregues i qartë se gjuha shqipe nuk ka rrezik nga zhdukja. Megjithatë, Rrahman Paçarizi (Paçarizi, 2005) sheh mundësinë që shqipja t’i humb domenet, apo fushat e përdorimit, ngjashëm me rastin e danishtes, për të cilin folëm më lart. Humbja e domeneve të caktuara është sidomos e mundshme në vendndodhje (settings) e situata të tilla ku anglishtja përdoret si lingua franca, siç janë: takimet zyrtare të institucioneve vendore me organizatat e përfaqësitë ndërkombëtare, takimet e samitet ndërkombëtare të biznesit, konferencat ndërkombëtare shkencore, video konferencat me organizatat ndërkombëtare e kështu me radhë.

Një tjetër dukuri, e cila është e lidhur ngushtë me përhapjen e proceseve globalizuese është Interneti. Siç u tha më lartë, përkundër faktit që Interneti konsiderohet nga shumë autorë si mjeti kryesor për përhapjen e anglishtes si gjuhë globale dhe për ndikimin e saj në gjuhët e tjera, megjithatë Interneti ka krijuar domene të reja për përdorimin e shqipes. Shqipja sot është gjuhë e shumë ueb sajteve në gjuhën shqipe, e email-ave, e forumeve dhe blog-ave të ndryshëm në Internet, në të cilat shqipja del në format e saja të shkruara, herë në formë standarde, herë në forma të varieteteve të tjera të shqipes. Shqipja është gjithashtu gjuhë e dhomave virtuale për biseda (chat rooms) dhe e mesazheve komunikues të çastit (instante messages), ku format e folura realizohen aty për aty përmes shkrimit. Një shembull i tillë është gjuha e “messengerit” (për gjuhën shqipe në Messenger të shihet Paçarizi, 2006). Përdorimi i shqipes në Internet mbetet një fushë pothuajse plotësisht e paprekur studimore dhe çdo kontribut në këtë drejtim do ta pasurojë shumë këtë fushë studimore. Pra, edhe nëse Interneti shihet si një nga mjetet kryesore për përhapjen e proceseve të globalizimit, por edhe të përhapjes së anglishtes si gjuhë globale, nuk mund të mos pajtohemi me pikëpamjet e Crystalit dhe Blockut, që i cekëm më lart, se Interneti promovon sot një mirëseardhje të gjerë globale për të gjitha gjuhët dhe, mbase, është edhe mjeti kryesor për ruajtjen dhe përhapjen e diversitetit kulturor e gjuhësor në botë.

Sa i përket statusit juridik të shqipes në rrethanat e sotme shoqërore e politike, statusi i saj është përmirësuar mjaft në vitet e fundit në të gjitha hapësirat kryesore shqiptare në Ballkan (për statusin e shqipes në hapësirat shqiptare gjatë dy-tri dekadave të fundit shih: Kostallari, 1984; Ismajli, 1991; Munishi, 2006). Në Shqipëri, shqipja është gjuha e vetme zyrtare, siç përkufizohet në nenin 14 të Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë (shih: http://doc-book.sourceforge.net/kushtetuta/). Edhe në Kosovë shqipja është gjuhë zyrtare e përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në nenin 5, pika 1, gjuha shqipe dhe gjuha serbe përcaktohen si gjuhë zyrtare në Republikën e Kosovës, ndërsa në pikën 2 thuhet se gjuha turke, boshnjake e rome e kanë statusin e gjuhëve zyrtar në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligjin (shih: http://www.gazetazyrtare.com/). Është me rëndësi të theksohet se në këtë aspekt, Kushtetuta e Kosovës mund të cilësohet si një dokument mjaft i avancuar sa i përket ruajtjes dhe përdorimit të gjuhëve minoritare. Kjo qasje është në përputhje me politikat e BE-së për t’i respektuar identitetet, kulturat dhe gjuhët e të gjitha vendeve anëtare të saj dhe me dokumentet që u përmendën më lart, si: Projekt Kushtetutën Evropiane, Traktatin i Maastricht-it, Kartën Evropiane për Gjuhët Regjionale ose Minoritare dhe me Deklaratën Universale për të Drejtat Gjuhësore të Barcelonës, e cila angazhohet për mbrojtjen e gjuhëve të botës, sidomos të atyre të rrezikuara. Karta Evropiane për Gjuhët Regjionale ka krijuar hapësira edhe për arbëreshët e Italisë për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës së tyre.

Statusi i shqipes në Kosovë është pak më kompleks sesa që mund të duket nga ajo që thuhet në Kushtetutë. Kjo ndodh për faktin se me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me Rregulloren e UNMIK-ut 1999/1, 25 korrik 1999, thuhet se gjuhë zyrtare në Kosovë janë shqipja, serbishtja dhe anglishtja, por “në rast të mosmarrëveshjes, teksti në anglishte do të mbizotërojë” (shih: http://www.unmikonline.org/regulations/1999/re99_01.pdf,). Për këtë çështje nuk do të ndalem më tepër këtu.

Statusi i shqipes është duke u përmirësuar edhe në Maqedoni, sidomos pas përfundimit të konfliktit të vitit 2001. Në Marrëveshjen e Ohrit, e cila i dha fund luftës në Maqedoni, në nenin 6 “Arsimimi dhe përdorimi i gjuhëve”, pikat 4 dhe 5 thuhet:

“4 Në tërë Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase.

5. Cilado gjuhë tjetër të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullatës, poashtu është gjuhë zyrtare, sikurse është arsyetuar këtu. Në organet e Republikës së Maqedonisë, cilado gjuhë zyrtare tjetër nga maqedonishtja mund të përdoret në pajtim me ligjin, sikurse është elaboruar më tej në aneksin B. Cilido person që jeton në njësinë e pushtetit vendor në të cilin të paktën 20 për qind e popullatës flasin gjuhë zyrtare ndryshe nga maqedonishtja mund të përdorë cilëndo gjuhë zyrtare për të komunikuar me zyren rajonale të pushtetit qendror, kompetent për këtë komunë; zyra e tillë do të përgjigjet në atë gjuhë në mënyrë plotësuese në maqedonishte. Cilido person mund ta përdor cilëndo gjuhë zyrtare për të komunikuar me zyrën kryesore të pushtetit qendror, e cila do t'i përgjigjet në atë gjuhë, në mënyrë plotësuese në maqedonisht” (shih: http://sq.wikipedia.org/wiki/Marr%C3%ABveshja_e_Ohrit). Në Maqedoni është në proces për t’u miratuar edhe Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, ligj ky i cili bazohet në dispozitat e Marrëveshjes së Ohrit.

Së fundi, do të trajtojmë edhe aspektin kryesore që ka të bëjë me globalizimin dhe proceset gjuhësore në shqipe. Më parë, përmendëm shembullin që Fairclough e sjell për rishkallëzimin ose ripërshtatjen e diskursit, e zhanreve dhe stileve në Rumani, të cilat e shoqërojnë procesin e adaptimit të Rumanisë në rrugën e saj drejt integrimeve makro-rajonale, pra integrimit në BE. Në një proces të ngjashëm të rishkallëzimit ose të ripërshtatjes në shkallë globale, makro-rajonale dhe lokale është duke kaluar edhe shoqëria shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni. Rishkallëzimi ose ripërshtatja në fushën politike, ekonomike, por edhe gjuhësore, është proces që vërehet edhe në hapësirat shqiptare. Ky proces cilësohet nga përpjekjet për promovimin e ekonomisë së tregut të lirë, ndërtimit të institucioneve demokratike dhe proceseve integruese evropiane dhe euroatlantike. Procesi i rishkallëzimit ose i ripërshtatjes reflekton edhe një prej aspekteve kryesore të ndikimit të globalizimit në proceset gjuhësore. Gjuha shqipe në përgjithësi dhe shqipja standarde në veçanti janë futur në një proces të rishkallëzimit (re-scaling) në kontekste të ndryshme politike, ekonomike e kulturore. Ky rishkallëzim gjuhësor ndodh në tri rrafshe: në rrafshin vendor, si përshtatje e shqipes me rrethanat e reja, në rrafshin makro-rajonal, si përshtatje e shqipes me integrimet evropiane dhe, në përgjithësi, në rrafshin global, si përshtatje s shqipes me dukuritë dhe proceset globalizuese.

Ndikimi i globalizimit në shqipe nuk mund të shihet ngushtë si ndikim i anglishtes në shqipe që shprehet përmes huazimeve kulturore në formë të huazimeve të drejtpërdrejta, kalkeve e hibrideve. Forma kryesore e ndikimit të proceseve të globalizimit dhe të integrimit në shqipe, sikur edhe në rumanishte, të cilën e morëm shembull, manifestohet në ndryshimin e diskurseve publike, zhanreve dhe stileve. Globalizimi dhe proceset integruese kanë ndikuar edhe në diskurset e shqipes, duke i reflektuar të gjitha këto procese ekonomike, politike dhe kulturore nëpër të cilat po kalon shoqëria shqiptare. Kështu, këto diskurse, sidomos diskursi ekonomiko-politik dhe diskursi i biznesit, reflektojnë aspiratat për ekonominë e tregut, për ndërtimin e institucioneve demokratike, për integrimin në BE dhe në NATO, për thithjen e investimeve të huaja e kështu me radhë. Bashkë me këtë diskurs shfaqen edhe njësitë gjuhësore që e karakterizojnë diskursin dhe, po të merren dhe të analizohen këto njësi, vërehet qartë janë të ndikuara fuqishëm nga anglishtja, si gjuhë globale dhe si gjuhë e institucioneve ndërkombëtare nën trysninë e të cilave shoqëria shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni është duke e bërë rishkallëzimin politiko-ekonomik. Rrjedhimisht, nën po këtë trysni, po bëhet edhe rishkallëzimin gjuhësor, për të cilin thamë se pasqyrohet me ndryshimin e diskursit dhe zhanreve e stileve të tij. Mjafton të analizohen deklaratat e politikanëve, biznesmenëve, bankierëve, përfaqësuesve të mediave dhe në to do të gjemë përplot fjalë e konstrukte, si: ekonomia e tregut, zhvillim ekonomik, tregjet globale, tregjet kapitale, bankat komerciale, integrim evropian e euroatlantik, reformë, menaxhim, menaxhment, qëndrueshmëri fiskale dhe buxhetore, privatizim, investime të huaja, partner, partnership, auditim, ndërtim i kapaciteteve, resurse humane, qëndrueshmëri buxhetore, politika publike, administrim biznesi, draft, grant, online, email, messenger, chat, ueb sajt, certifikim, licencim, videoklip etj. Të gjitha këto fjalë janë reflektim i pastër i ndikimit të diskursit të globalizimit, jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhët e tjera të popujve që janë duke kaluar nëpër proceset e njëjta të tranzicionit dhe të integrimeve.

Një prej formave të ndikimit të proceseve të globalizimit në gjuhën shqipe dhe në diskurset publike të shqipes, në stilet dhe zhanret e saj, është edhe imponimi formateve dhe standardeve për raporte, projekte, prezantime e dokumente të tjera që janë të ndërlidhura me korrespodencën institucionale midis institucioneve vendore shqiptare me institucionet ndërkombëtare, si BE-ja, FMN-ja, Banka Botërore etj. Shkëmbimi dhe komunikimi gjuhësor midis përfaqësuesve të institucioneve dhe bizneseve shqiptare me përfaqësues të organizatave ndërkombëtare e korporatave të biznesit, jo vetëm që kryhet në gjuhën angleze, por është i diktuar plotësisht nga standardet dhe formatet komunikuese e raportuese, të cilat i përcaktojnë organizatat e huaja dhe korporatat (për këtë formë të ndikimit shih Fairclough, 2006:85). Këtij ndikimi është e pamundur t’i iket, sepse ndërlidhet me aspirata e shqiptarëve për integrim dhe është pikërisht kjo formë që ndikon drejtpërdrejtë në rishkallëzimin ose ripërshtatjen e diskurseve, zhanreve e stileve komunikuese të shqipes. Duke qenë se këto standarde e formate, bashkë me diskursin, u imponohen qytetarëve shqiptarë si mjete me të cilat shprehen vlerat dhe aspiratat e tyre për zhvillim ekonomik dhe jetë më të mirë, atëherë është normale që këto standarde e formate, bashkë me diskursin me të cilin vijnë, të pranohen nga shoqëria shqiptare.

Në fund, duke e përfunduar, dua të shtoj se i mbetët shoqërisë shqiptare dhe institucioneve që të fillojnë të mendojnë për politikat gjuhësore, të cilat do të jenë në funksion të rregullimit të këtij procesi të rishkallëzimit ose ripërshtatjes së shqipes në shkallë globale e makro-rajonale.

PËRFUNDIME

Në këtë punim u përpoqa të trajtoj dukurinë e globalizimit, tiparet kryesore të tij, ndikimin që ka kjo dukuri në komunikimin gjuhësore dhe gjendjen e shqipes në proceset aktuale globalizuese. Përfundimi i parë ishte që globalizimi, në asnjë mënyrë, nuk mund të shihet ngushtë si dukuri ekonomike, por në radhë të parë duhet të shihet si dukuri komplekse, që imponon ndryshime dhe njëformësi shoqëror.

Më tutje, pasi u trajtua lidhja e anglishtes me proceset e globalizimit, doli përfundimi tjetër se përkundër faktit që anglishtja i ka marrë përmasat e një gjuhe globale, megjithatë përdorimi i saj i madh në të ardhmen mund të çojë drejt variantizimit e ndoshta edhe në shpërbërjen e saj, ngjashëm me latinishten në të kaluarën.

Përfundimi i tjetër është se Interneti, i cili ne fillim konsiderohej si agjent i globalizimit dhe i përhapjes së anglishtes, gjithnjë e më tepër është duke u parë si një mundësi e shkëlqyeshme për ruajtjen e diversitetit kulturor dhe gjuhësor, për promovimin e gjuhëve të tjera të botës dhe si mjet për ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e mbrojtjes së gjuhëve të rrezikuara.

Sa i përket ndikimit të globalizimit dhe të rrethanave të reja ekonomike-politike e kulturore në gjuhën shqipe, përfundimi kryesor është që gjuha shqipe në të gjithë hapësirën shqiptare në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni është duke kaluar nëpër një proces të rishkallëzimit ose të ripërshtatjes me rrethanat globale, makro-rajonale dhe lokale dhe ky proces karakterizohet me ndryshimin e diskurseve, zhanreve e stileve komunikuese.

Përfundimet e tjera janë që shqipja nuk mund të futet në grupin e gjuhëve të rrezikuara, që statusi i saj është në tri vendet kryesore ku jetojnë shqiptarët me shumicë është përmirësuar dhe që përparimi i mediave dhe i teknologjisë informative, sidomos i Internetit, ka hapur domene të reja për përdorimin e shqipes.

Duke përmbyllur këtë punim, dua të theksoj se, ndonëse globalizimi është duke ushtruar ndikim në gjuhën shqipe, sikur në çdo gjuhë tjetër, megjithatë dukuritë dhe proceset e globalizimit, gjithashtu, janë duke krijuar hapësira të reja, deri tash të papara, për promovimin dhe për kultivimin e shqipes. Na mbetet neve shqiptarëve t’i shfrytëzojmë si më së miri këto hapësira.

REFERENCAT:

Block, David. (2004). Globalization, Transitional Communication and the Internet, International Journal on Multicultural Societies (IJMS), Vol.6, No.1.

Crystal, David. (1997). The language that took over the World, The Guardian, 22 February, 1997, 21, në Internet: http://www.davidcrystal.com/DC_articles/English39.pdf, qasja për herë të fundit më 21.08.2008.

Crystal, David. (2001). Languages on the Internet, Lingua Franca, March 2001, ABC, në Internet: http://www.davidcrystal.com/DC_articles/Internet11.pdf, qasja për herë të fundit më 23.08.2008.

English will turn into Panglish in 100 years, Telegraph.co.uk, në Internet: http://www.telegraph.co.uk/news/uknews/1582954/English-will-turn-into-Panglish-in-100-years.html), qasja për herë të fundit 21.08.2008.

Fairclough, Norman. (2006), Language and Globalization, Routledge, Taylor & Francis Group, London and New York.

Giddens, Anthony. (2004). Sociologjia, Çabej, Tiranë.

Hjarvard, Stig. (2004). The Globalization of Language – How the Media Contribute to the Spread of English and the Emergence of the Medialects, in Nordicom Review, no. 1-2, pp. 75-97, Nordicom: Gothenburg University. Also available online at: http://www.nordicom.gu.se/common/publ_pdf/157_075-098.pdf

Ismajli, Rexhep. (1991) Gjuhë dhe etni, Rilindja, Prishtinë.

Kostallari, Androkli. (1984) Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë, në Gjuha letrare kombëtare shqipe dhe epoka jonë (Materiale të Konferecës shkencore të mbajtur në Tiranë më 7-8 dhjetor 1984), Tiranë, 1988.

Paçarizi, Rrahman. (2005) Raportet standard/dialekt dhe rrezikshmëria e shqipes në raportet globale, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, 24/1, Prishtinë.

Paçarizi, Rrahman. (2006) Gjuha e mesenxherit, Filologji, 14, Prishtinë.

Munishi, Shkumbin. (2006), Gjuha standarde shqipe në Kosovë dhe drejtimet e zhvillimit të saj disertacion i doktoratës (dorëshkrim).

No comments: