Thursday, July 10, 2008

RISHIKIMI I NORMËS NJË ASPEKT I STANDARDIZIMIT TË GJUHËVE

Shkumbin MUNISHI

Standardizimi si një aktivitet i motivuar dhe i qëllimshëm për të normëzuar një variant gjuhësor, në asnjë mënyrë nuk është një proces i njëtrajtshëm, statik dhe që kryhet atypëraty. Interesat e grupeve të ndryshme shoqërore për të pasur një standard gjuhësor, i cili, përveç që do të shërbente si një strumbullar bashkimi dhe mjet identifikimi për grupet e ndryshme shoqërore, që ndjejnë afërsi me një variacion të caktuar gjuhësor, do të kryente edhe funksionet praktike duke u përdorur në ligjërim në fusha të ndryshme shkencore, arsimore, politike-administrative etj. dominojnë gjatë gjithë procesit të standardizimit. Këto interesa ndryshojnë me ndryshimin e raporteve midis grupeve shoqërore dhe me epërsinë që kanë ato në raport me njëra tjetrën.

Procesi i standardizimit të një gjuhe ka një shtrirje dhe një vazhdimësi në kohë dhe në hapësirë. Ky proces kalon nëpër etapa të caktuara, duke ngërthyer në vete gjurmët e secilës etapë nëpër të cilën ka kaluar e njëkohësisht duke u përshtatur me karakteristikat e çdo etape të re.

Standardizimi i gjuhëve, fillimisht, ka qenë sferë e interesimit që nga Qerthulli Linguistik i Pragës, e më vonë, si një aktivitet i karakterit sociolinguistik, është trajtuar nga shumë sociolinguistë të njohur botërorë dhe secili prej tyre ka dhënë kontributin e çmuar për të hedhur në dritë shumë aspekte të këtij procesi. Megjithatë, ekziston një mendim i përgjithshëm se proceset e standardizimit në gjuhëve, apo proceset e planifikimit gjuhësor, në shumë aspekte nuk janë sqaruar sa duhet e as që janë kuptuar sa duhet. Këto çështje janë trajtuar nga sociolinguistë të njohur si: Joshua Fishman, Einar Haugen, Charls A. Ferguson, Punya Sloka Ray, Walter Tauli, Jiri V. Neustupny, William Downes etj. dhe të gjithë këta kanë trajtuar aspekte të ndryshme të planifikimit gjuhësor dhe për të gjitha këto çështje kanë pasur qasje të ndryshme.

Një përcaktim themelor të fazave nëpër të cilat duhet të kalojë një variant gjuhësor për t’u standardizuar e kemi nga Einar Haugen në punimin e tij “Dialect, Language, Nation” (Haugen, 1966). Haugen identifikon katër faza, apo katër aspekte të, siç e quan ai, zhvillimit të një ‘dialekti’ në ‘gjuhë’. Sipas tij këto faza (steps) janë : (a) zgjedhja e normës, (b) kodifikimi i formës, (c) elaborimi i funksioneve dhe (d) pranimi nga bashkësia. Dy aspektet e para, sipas Haugenit, i referohen formës, ndërkaq dy të fundit funksioneve. Gjithashtu, aspekti i parë (zgjedhja) dhe aspekti i katërt (pranimi) kanë të bëjnë me shoqërinë, ndërsa aspekti i dytë (kodifikimi) dhe i treti (elaborimi) kanë të bëjnë me gjuhën.

Zgjedhja e normës, përveç aspektit thjeshtë gjuhësor që nënkupton përzgjedhjen e një varianti të një gjuhë mbi bazën e të cilit do të ndërtohet një gjuhë standarde, ngërthen në vete edhe aspektin shoqëror, që manifestohet me mbajtjen e qëndrimeve dhe parapëlqime të caktuara ndaj një varianti gjuhësor nga grupet e caktuara shoqërore dhe këto qëndrime dhe parapëlqime janë kryesisht arbitrare dhe me prapavijë politike, ideologjike, kulturore e regjionale.
Kodifikimi është një aktivitet që kryesisht ndërmerret dhe kryhet nga specialistët e gjuhës dhe nënkupton standardizimin e formave të caktuara gjuhësore. Kodifikimi përfshin të gjitha sistemet e gjuhës: fonologjik, morfologjik, sintaksor dhe leksikor. Një tjetër aspekt është edhe hartimi i dokumenteve standardizuese të asaj gjuhe, siç janë drejtshkrimet, fjalorët dhe gramatikat e ndryshme.

Elaborimi i funksioneve është ai aktivitet që ka për qëllim që ajo gjuhë standarde të ketë dimensione sa më të mëdha të përdorimit nëpër ‘domene’(Fishman, 1964) të ndryshme shkollore, qeveritare, shkencore, kulturore.

Faza e fundit, sipas Haugen-it, është pranimi dhe përdorimi i gjuhës standarde në masë sa më të madhe nga ajo bashkësi folëse së cilës i dedikohet.

Në një trajtim që u kemi bërë këtyre koncepteve të Haugen-it (Sh. Munishi, 2000) jemi shprehur se një aktivitet tjetër i pashmangshëm gjatë procesit të standardizimit të gjuhëve është edhe imponimi i normës së përzgjedhur në raport me bashkësinë folëse. Ky aktivitet do të zinte vend midis fazës së elaborimit dhe pranimit të standardit. Imponimi, kryesisht bëhet përmes aparatit shtetëror, arsimor-kulturor dhe mediave të ndryshme dhe nuk do të thotë që ky imponim të jetë i dhunshëm, por mjafton të jetë i vendosur dhe sistematik.

Me pak, fjalë u munduam t’i përshkruajmë etapat apo fazat kryesore të standardizimit të një gjuhe, ashtu siç i ka identifikuar E. Haugeni dhe mendojmë që këto janë fazat themelore dhe më të domosdoshme gjatë procesit të standardizimit të gjuhëve. Megjithatë, me përmbylljen e këtyre aktiviteteve standardizimi nuk mund të quhet proces i kryer njëherë e përgjithmonë. Gjuha është një kategori shoqërore e ndryshueshme qoftë në vazhdimësinë e saj kohore dhe historike, qoftë në vazhdimësinë e saj gjeografike dhe shoqërore. Ajo ndryshon paralelisht me ndryshimet e përgjithshme shoqërore, por zakonisht ndryshimet janë graduale, të ngadalshme dhe të pa vërejtshme për përdoruesit e asaj gjuhe. Dhe duhet të kalojë një kohë që ato të hetohen dhe të jenë më që qëndrueshme. Norma standarde është një formë e ngurosjes së shprehive të caktuara të përdorimit gjuhësore dhe qëndrueshmëria e saj ka për qëllim që të shërbejë sa më mirë si një mjet komunikimi për një bashkësi gjuhësore. Megjithatë, edhe gjuha standarde ndryshon krahas ndryshimeve të përgjithshme që ndodhin në gjuhë, shpesh si rezultat i ndërndikimeve midis gjuhës dhe shoqërisë. Me t’u krijuar, gjuha standarde fiton tipare të caktuara dhe njëkohësisht duhet t’i kryejë funksionet e saja për të cilat edhe ekziston. Varianti standard i gjuhës duhet të ruajë vitalitetin dhe efikasitetin e ashtuquajtur elastik për t’i përmbushur sa më mirë nevojat e përdorimit në kohë dhe hapësirë. Standardi ka nevojë për atë që William Downes e quan menaxhimi i gjuhës (language management) që nënkupton se njerëzit që në mënyrë profesionale jenë të përfshirë me gjuhën, të tillët si: gjuhëtarët, mësuesit, gazetarët, shkrimtarët, etj. e që kanë ndihmuar në krijimin e gjuhës standarde, të ndihmojnë edhe në ruajtjen e saj (Downes, 1984: 35). Në këtë kuptim bëhet e qartë nevoja për aktivitete të tjera standardizuese që përmenden nga autorë të tjerë, në mesin e te cilëve edhe M. Radovanović (Radovanović, 1979:85-92), siç janë ruajtja e kultivimi i standardit, pikërisht që ky i fundit ta ruaj vitalitetin, elasticitetin dhe efikasitetin përkundër ndryshimeve brendagjuhësore dhe jashtëgjuhësore. Si rrjedhojë, pasi të jetë konsoliduar, gjuha standarde i nënshtrohet vlerësimit (evaluimit) të vazhdueshëm, për t’u siguruar se kjo e fundit i përshtatet nevojave të shoqërisë, të kulturës, individit dhe kolektivit. Nëse vlerësimi i normës jep shenja se norma ka nevojë për t’u plotësuar, apo edhe për të bërë ndryshime në të, duhet pasur parasysh edhe aspektin tjetër: rishikimin (rikonstruimin) e normës. Kjo nënkupton edhe përshkrimin e serishëm të nevojave komunikuese dhe krijuese dhe përshkrimin e mjeteve të reja gjuhësore për t'i përmbushur këto nevoja. Në raste ekstreme ndodhë edhe ndërrimi i bazës dialektore mbi të cilën është ngritur një gjuhë standarde.

Rishikimi i normës është një aktivitet i pashmangshëm pasi një gjuhë standarde të jetë përdorur për një kohë në një ambient të caktuar gjuhësor nga bashkësia folëse e dhënë. Është e natyrshme që edhe këtë aktivitet e përcjellë dhe e mbështet një planifikim gjuhësor dhe një politikë e caktuar gjuhësore, e cila ndiqet nga elita politike dhe kulturore e atij areali, që gjithnjë është me interesa të caktuara. Rezultati i këtij procesi është norma standarde e përpunuar dhe e mbështetur nga elita, që riplotëson po ato hapësira dhe funksione që i kishte më parë, që në fakt këto funksione i ka ruajtur gjithmonë.

Procesi i rishikimit të normës ka disa aspekte të caktuara dhe shtrihet në disa drejtime dhe për këto aspekte do të flasim më poshtë. Rishikimi duhet të merret si një proces rregullues që garanton vitalitetin e normës së gjuhës standarde në raport me rrethanat e reja shoqërore. Rishikimi i normës, thjeshtë, duhet të përcjellë proceset dinamike që ndodhin në shoqëri dhe gjuhë.


ASPEKTET E RISHIIMIT TË NORMËS

Lind pyetja se cilat janë aspektet kryesore të rishikimit të normës së gjuhës standarde. Mendojmë që rishikimi duhet të përfshijë këto aspekte:

rishikimi i politikës gjuhësore
rishikimi i sistemit të gjuhës standarde, që përfshin:

ü rishikimi i sistemit fonologjik të gjuhës standarde;
ü rishikimi i sistemit morfologjik-sintaksor të gjuhës standarde;
ü rishikimi i sistemit leksikor të gjuhës standarde; dhe

rishikimi i normës drejtshkrimore

Këto do të mund të ishin veprimet kryesore që do të ndërmerreshin për ta kryer rishikimin dhe plotësimin e normës së gjuhës standarde dhe për të ndërmarrë këto veprime duhet të ekzistoj një koncezus brenda shoqërisë. Këto veprime do të duhej të kryheshin nga elita kulturore dhe shkencore e shoqërisë, por duke pasur një mbështetje të fuqishme edhe nga strukturat politike dhe institucionale të shtetit a shteteve ku kryhet kjo veprimtari.


Rishikimi i politikës gjuhësore

Rishikimi i politikës gjuhësore duhet të bëhet në përputhje me rrethanat e reja që krijohen në një shoqëri të caktuar - sidomos kur ka ndryshime të rëndësishme politike, ekonomike dhe kulturore në një shoqëri, ngjashëm me ato që ndodhën pas bashkimit të Gjermanisë, lëvizjeve në Evropën Lindore dhe në hapësirat shqiptare nga fillimi i viteve të 90-ta të shekullit XX, të cilat kanë ndikim të fuqishëm në shoqëri. Një situatë të tillë e kemi edhe sot kur proceset globalizuese dhe përparimi në sferën e teknologjisë së informimit kanë marrë hov shumë, duke pasur ndikimet e veta edhe në gjuhët dhe kulturat e popujve. Në këtë kuptim lind nevoja për marrjen e vendimeve se çfarë politike gjuhësore do të ndjekë një bashkësi shoqërore e caktuar në raport me rrethanat dhe sfidat e reja.

Sa i përket llojeve të politikave gjuhësore që mund të ndjek një shoqëri, ato mund të jenë të ndryshme dhe varen nga situata politike, kulturore dhe gjuhësore. Tipat e politikave gjuhësore në aspektin teorik janë të trajtuar nga Harold F. Schiffman nga Universiteti i Pensilvanisë (University of Pennsylvania). (Për punën dhe qëndrimet e tij shih më tepër Harold Schiffman, në Internet në: http://ccat.sas.upenn.edu/~haroldfs/ dhe http://dolphin.upenn.edu/~scoronel/lg-policy.html. Qasja për herë të fundit më 21 gusht 2005).

Tipat e politikave gjuhësore sipas Schiffman janë:
Politika të mbuluar kundrejt politikave të hapura.
· Politikat e mbuluara janë are de facto, implicitite, pa pasur nevoje për dokumente ligjore mbështetëse (të qeverisë- sh.m.)
· Politikat e hapura janë de jure, explicitite, të definuara zyrtarisht dhe ligjërisht
Politika gjuhësore të barabarta kundrejt politikave gjuhësore restriktive
· Politikat gjuhësore të barabarta i trajtojnë gjuhët, edhe ato të pakicave më të vogla si totalisht të barabarta, gjithnjë duke vendosur të gjitha gjuhët në baza të barabarta, duke i adresuar të gjithë qytetarët sikur të jenë bilingë.
· Politikat restriktive nuk janë aq të hapura dhe të barabarta për të gjithë.
Schiffman ka parasysh politikat gjuhësore që mund të ndiqen nga qeveritë e ndryshme në raport me gjuhët e ndryshme, të cilat përdoren brenda një shteti a territori të caktuar. Ne do të shtonim që e njëjta gjë mund të vlejë edhe për politikën gjuhësore që një shoqëri e ndjek ndaj gjuhës standarde dhe raporteve të saja me kodet apo variacionet e tjera nënstandarde. Pra, shoqëria duhet të marrë vendim se çfarë politike gjuhësore do të ndjek ndaj gjuhës standarde dhe variacioneve të tjera nënstandarde: a do të ndjekë një politikë gjuhësore të centralizuar dhe strikte, duke i kushtuar vëmendjen e plotë përdorimit dhe zbatimit të plotë të normës së gjuhës standarde, apo do të ndjekë një politikë gjuhësore liberale, duke lejuar përdorimin e variacioneve jostandarde.

Këto qëndrime lidhur me politikën gjuhësore që do ta ndjekë një shoqëri, në përputhje me rrethanat politike, kulturore e gjuhësore, duhet t’i paraprijnë rishikimit eventual të normës. Arritja e një koncezusi për politikën gjuhësore që do të ndiqet, do ta lehtësojë procesin e rishikimit dhe rikonstruimit të normës së një gjuhe standarde.

Rishikimi i sistemit të gjuhës standarde

Pjesa më e rëndësishme e procesit të rishikimit të normës është rishikimi i sistemit të gjuhës standarde, duke përfshirë këtu edhe studimet qe mund t’u bëhen edhe variacioneve nënstandarde. Rishikimi i sistemit të gjuhës standarde nënkupton rishikimin e sistemit fonologji, të sistemit morfo-sintaksor dhe, së fundi, të sistemit leksikor. Kjo punë, sigurisht, duhet të kryhet nga specialistët e gjuhës.

Kur flasim për rishikimin e sistemit të një gjuhe standarde duhet pasur parasysh faktin që, pas një periudhe kohore të përdorimit të një gjuhe standarde, shfaqet nevoja që të trajtojmë më për së afërmi ndryshimet e mundshme që mund të paraqiten në gjuhën standarde si rezultat i trysnisë së kodeve të tjera, por edhe i ndryshimeve të përgjithshme shoqërore. Kjo nevojë lind edhe po të nisemi nga postulati i përgjithshëm teorik se gjuha - edhe gjuha standarde – ka karakter dinamik dhe të ndryshueshëm, pra ndryshon në kohë dhe në hapësirë.

Në anën tjetër, sidomos te gjuhët e standardizuara së voni, vërehet një jostabilitet i sistemeve të gjuhës, me tendenca të lëvizjes së elementeve fonologjike dhe morfologjike, me pak të atyre sintaksore. Kështu, Anthony S. Kroch (Kroch, 1976) duke folur për diferencimet fonologjike, kufizohet vetëm në ato kontekste ku ka të vendosur dialekte me prestigj (gjuhë standarde-sh.m.). Dialektet që janë në proces të standardizimit mund të jenë lehtësisht më pak konservative fonetikisht, se sa vernakularët lokalë, të cilat ata i zëvendësojnë. Edhe Rexhep Ismajli (Ismajli, 2002), duke folur për sistemin e gjuhës standarde shqipe, me fokus në sistemin fonologjik të bashkëtingëlloreve, thekson se ky sistem është në lëvizje. Pra është e qartë, lëvizjet brenda sistemit të gjuhës kërkojnë një rishikim, për të hetuar nivelin e përhapjes së këtyre ndryshimeve dhe ndikimin e tyre në bashkësinë folëse.

Një vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet edhe sistemit leksikor të gjuhës standarde, pasi që leksiku është pjesa më e lëvizshme e një gjuhe standarde. Leksiku është fusha në të cilën jo vetëm që takohen elementet leksikore të gjuhës standarde dhe të variacioneve nënstandarde, por takohen edhe elementet leksikore të gjuhëve të huaja, si rezultat i ndërndikimeve gjuhësore. Prandaj, rishikimi i fushës leksikore është element me rëndësi i procesit të rishikimit dhe rikonstruimit të normës. Në kuadër të kësaj veprimtarie duhet të merren qëndrime lidhur atë se si d të trajtohen njësitë dialektore në raport me gjuhën standarde, pra duke marrë qëndrim se a do të sugjerohet edhe përdorimi i njësive dialektore në funksione të caktuara, apo ato do të mbeten jashtë gjuhës standarde. Më tej, gjatë procesit të rishikimit të sistemit leksikor duhen të evidentohen fjalët e reja të krijuara dhe ato të futen në fjalorët e gjuhës. Së fundi, duhet të trajtohen edhe njësitë leksikore të huaja dhe duhet të merret qëndrim se cilat nga ato do të lejohen të përdoren e cilat do të sugjerohet të mënjanohen.

Rishikimi i normës drejtshkrimore

Në fund, pasi të është bërë rishikimi shkencor i elementeve të sistemit të një gjuhe standarde, mund t’i hyhet rishikimit të drejtshkrimit, me qëllim që ai të plotësohet dhe të përmirësohet. Rishikimi i normës drejtshkrimore bëhet me qëllim që norma drejtshkrimore e një gjuhe standarde të jetë më adekuate dhe t’i përshtatet rrethanave të reja.
Në këtë proces evidentohen mangësitë e normës drejtshkrimore, shkeljet më të zakonshme që vërehen e që janë tregues se ato elemente nuk janë përvetësuar si duhet dhe pastaj bëhet përmirësimi.
Në të njëjtën kohë, duhet të rishikohen edhe raportet midis normës drejtshkrimore dhe normës drejtshqiptimore, gjithmonë duke pasur parasysh nivelin e ngulitjes së këtyre normave dhe përdorimit të tyre në shoqëri. Rezultatet e rishikimit të sistemit të gjuhës standarde duhet të normëzohen brenda drejtshkrimit të ri, i cili do të duhej të pasqyrojë gjendjen e re të një gjuhe standarde.
Me rishikimin e drejtshkrimit përfundon procesi i rishikimit dhe rikonstruimit të gjuhës standarde, i cili ka për qëllim që gjuhën standarde ta freskojë me elemente të reja, të cilat janë evidentuar si të përdorshme në një bashkësi folëse. Në këtë mënyrë ruhet efikasiteti, adekuaciteti , fleksibiliteti dhe vitaliteti i një gjuhe standarde.

Nga e tëra që u tha më lart është e qartë që procesi i rishikimit të normës është poaq kompleks dhe identik sa edhe procesi i zakonshëm i standardizimit të një gjuhe. Ndonëse gjatë gjithë kohës jemi munduar të mbesim në rrafshim teorik, pa hyrë në detaje, shpresoj se kemi arritur ta bëjmë të qartë se sa i rëndësishëm është ky proces dhe sa i domosdoshëm për çdo gjuhë standarde që mëton të jetë funksionale dhe e përdorshme nga një bashkësi shoqërore.
Procesi i rishikimit dhe rikonstruimit të gjuhëve standarde vetëm sa dëshmon që standardizimi është një proces i vazhdueshëm dhe i pa ndërprerë, që ka për qëllim ta ruajë gjuhën standarde dhe ta bëjë sa më të përdorshme për një bashkësi folëse. Fundja, ky është edhe qëllimi i politikës gjuhësore dhe i planifikimit gjuhësor



Literatura

Downes, William (1984): Language and society, Fontata paperbacs, London, 1984.
Ismajli, Rexhep (2002), Standarde dhe identitete, Dukagjini, Pejë, 2003, f. 51.

Haugen, Einar (1966): Dialekt, language, nation, Sociolinguistics – selected readings, Editors: J.B. Pride and Janet Holmes, Penguin books, Ringwood, Victoria, Australia, 1972.

Kroch, Anthony S. (1976), Toward a Theory of Social Dialect Variation, në Dialect and Language Variation, Edited by Harold B. Allen and Michael D. Linn, Copyright 1986 by Academic Press Inc.

Munishi, Shkumbin (2000), Mbi një teori të E.Haugenit për standardizimin e gjuhëve, Fjala, 5-6, qershor 2000, Prishtinë, f. 13.
Radovanović, Milorad (1979): Sociolingvistika, Bigz, Beograd 1979.

Schiffman, Harold, në Internet në: http://ccat.sas.upenn.edu/~haroldfs/ dhe http://dolphin.upenn.edu/~scoronel/lg-policy.html. Qasja për herë të fundit më 21 gusht 2005.

No comments: