Thursday, May 15, 2008

ROLI I FAKTORËVE SHOQËRORË NË PËRCAKTIMIN E GJUHËVE

Shkumbin MUNISHI


Përcaktimi dhe klasifikimi i gjuhëve asnjëherë nuk ka qenë një punë e lehtë, as për gjuhëtarët, as për studiuesit e fushave të tjera shoqërore, të cilët si temë trajtimi të tyre kanë pasur gjuhën, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë, qoftë kur gjuha ka qenë temë sekondare e studimeve të tyre. Po aq e vështirë është puna në përcaktimin e qartë midis gjuhëve dhe dialekteve. Që nga punimi, tashmë klasik, i Einar Haugenit “Dialect, language nation” (1966), e deri në ditët e sotme, kemi pasur mjaft shkrime të autorëve të ndryshëm, të cilat kanë trajtuar çështjet lidhur me përcaktimin e gjuhëve, dialekteve dhe të varieteteve gjuhësore në përgjithësi. Por, pjesa dërmuese e këtyre autorëve pajtohen për një gjë: që studimet për këto çështje në asnjë mënyrë nuk mud të jenë vetëm linguistike, por patjetër duhet të jenë sociolinguistike. Vetë nocioni ‘gjuhë’ në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet vetëm si nocion linguistik.
Përkufizimet e bazuara në kuptueshmërinë reciproke midis dialekteve, sipas të cilave “kriteret për përcaktimin e gjuhëve të bazohen në kuptueshmërinë reciproke midis dy varieteteve”, ose kur “dy varietete gjuhësore mund të konsiderohen si varietete (dialekte) të së njëjtës gjuhë, vetëm nëse janë të kuptueshme me njëri-tjetrin”, ose që “gjuha është një përmbledhje e dialekteve të ndërkuptueshme”, janë më tepër linguistike. Përkufizimi i ndërkuptueshmërisë midis varieteteve gjuhësore, si kriter për përcaktimin e gjuhëve, në asnjë mënyrë, nuk është treguar i vetëmjaftueshëm. Studimi i gjuhëve në kontekst të ndikueshmërisë së faktorëve shoqërorë në dukuritë gjuhësore, ka nxjerrë në shesh shumë faktorë të tjerë shoqërorë, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në përcaktimin e gjuhëve. Shumë varietete gjuhësore, ndonëse kanë një kuptueshmëri relativisht të madhe me njëri-tjetrin, konsiderohen si dy gjuhë të ndryshme. Poashtu, disa varietete gjuhësore, ndonëse nuk kanë kuptueshmëri të madhe me njëri-tjetrin, konsiderohen si varietete të një gjuhë.
Këtu po sjellim disa shembuj sa për të ilustruar pohimet e më sipërme. Gjuhët skandinave, norvegjishtja, suedishtja dhe danishtja edhe sot e gjithë ditën konsiderohen të jenë gjuhë të ndryshme. Folësit e këtyre gjuhëve, me pak përpjekje, mund te merren vesh me njëri-tjetrin, pra këto gjuhë janë të ndërkuptueshme. Megjithatë, rrethanat e ndryshme historike, politike e kulturore në Skandinavi, kanë bërë që këto varietete gjuhësore të konsiderohen si gjuhë të ndryshme nga folësit e tyre.
Në anën tjetër, ndonëse gjermanishtja konsiderohet si një gjuhë më vete, shumë varietete të saja nuk janë aspak të kuptueshme me njëri-tjetrin. Mungesa e kuptueshmërisë midis këtyre varieteteve gjuhësore nuk i pengon folësit e tyre që të thonë se flasin gjermanisht, pa marrë parasysh nëse folësit e tillë janë gjermanë, austriakë, apo zviceranë.
Një shembull tjetër, që na bën të kuptojmë se kuptueshmëria reciproke midis varieteteve gjuhësore nuk mund të merret si kriter për përcaktimin e gjuhëve, është edhe ai i vazhdimësive gjuhësore gjeografike. Këtu e kemi fjalën për vazhdimësitë gjuhësore gjeografike të gjuhëve romane, gjermanike, sllave etj. Ndonëse në këto vazhdimësi gjuhësore mjaft varietete janë të ndërkuptueshme me njëri-tjetrin, megjithatë janë pikërisht faktorët politikë, kulturorë, administrativë, historikë, religjiozë etj. të cilët kanë bërë që spanjishtja, italishtja, portugalishtja, frëngjishtja, ose anglishtja, gjermanishtja, holandishtja, ose polonishtja, sllovakishtja, çekishtja, ukrainishtja, rusishtja etj. të konsiderohen si gjuhë të ndryshme nga folësit e këtyre gjuhëve. Në shumë zona kufitare midis shteteve të ndryshme ka dialekte, të cilat janë të kuptueshme me njëri-tjetrin, por që folësit e tyre i konsiderojnë si gjuhë të ndryshme, varësisht se cilit shtet i takojnë. Shumë dialekte të gjermanishtes së ulët në zonat e gjera kufitare midis Gjermanisë dhe Holandës, varësisht se në cilin shtet janë të përfshirë, konsiderohen ose si varietete gjuhësore të gjermanishtes, ose si varietete të afërta me holandishten standarde.
Ndryshimi i faktorëve shoqërorë bën që të ndryshojë edhe përcaktimi gjuhësor i folësve të varieteteve gjuhësore të ndryshme. Gjuha e popujve sllavë të jugut që ishin pjesë e ish-Jugosllavisë (serbët, kroatët, boshnjakët, malazezët) konsiderohej si një gjuhë e vetme, që shpesh emërtohej me nocionin konvencional serbo-kroatishte, ose kroato-serbishte. Lufta që kaploi ish-Jugosllavinë pati si pasojë vrasjen e shumë njerëzve, por në të njëjtën kohë “u vra” edhe gjuha serbo-kroate, ose kroato-serbe. Në vend që të shërbente si element i afrimit midis etnive sllave të ish-Jugosllavisë, pikërisht këto varietete gjuhësore që kishin kuptueshmëri reciproke, u bënë element i përdallimit midis këtyre etnive. Rezultat përfundimtar i kësaj lufte ishte krijimi i shteteve të reja kombëtare. Arsyet politike, kulturore e, në disa raste, edhe religjioze, bënë që folësit e këtyre varieteteve gjuhësore të ndërkuptueshme t’i konsiderojnë këto varietete si gjuhë te veçanta, duke u dhënë emërtimet kombëtare; serbishte, kroatishte, boshnjakishte. Tash, nuk janë të paktë zërat që e konsiderojnë edhe gjuhën malazeze si të veçantë. Këtë dukuri linguistike të ndarjeve dhe të përcaktimeve të reja gjuhësore te popujt e ish-Jugosllavisë, linguisti Ranko Bugarski e ka quajtur ‘skizofreni linguistike’.
Në shumë raste gjuha, përveç që i nënshtrohet ndikimit të faktorëve shoqërorë, bëhet vetë faktorë i rëndësishëm që ndikon në drejtimin e zhvillimit të proceseve shoqërore. Në këtë kuptim, gjuha shpesh është faktor vendimtar për formësimin e vetëdijes së përkatësisë kombëtare. Një dukuri të tillë e kemi të shqiptarët, tek të cilët gjuha ishte faktori kryesor për përcaktimin, konsolidimin dhe forcimin e vetëdijes kombëtare. Varietetet gjuhësore të shqipes, të cilat kanë një kuptueshmëri relative me njëri-tjetrin, qenë një element kryesor për formësimin e vetëdijes gjuhësore dhe rrjedhimisht edhe të vetëdijes kombëtare. Gjuha, pra, është faktori kryesor që gegët dhe toskët tashmë kanë ngurtësuar vetëdijen e të të qenit shqiptar.
Nga e tëra që thamë më lart, është e qartë se janë pikërisht faktorët shoqërorë që luajnë rolin vendimtar në përcaktimin e gjuhëve. Kuptueshmëria e ndërsjellë e varieteteve gjuhësore, duke qenë vetëm një koncept linguistik, nuk ka mjaftuar të japë përgjigje në problemet mbi përcaktimin e gjuhëve dhe mbi përcaktimin se çka mund të quhet dialekt, e çka gjuhë. Vetëm qasja sociolinguistike ka ndihmuar mjaft me rastin e studimeve të kësaj dukurie dhe ka arritur të japë rezultate të kënaqshme.

No comments: