Thursday, May 15, 2008

E ARDHMJA GJUHËSORE E EVROPËS

Shkumbin MUNISHI

Globalizimi dhe anglishtja

Proceset integruese evropiane që kanë marrë hov në këto dy-tri dekadat e fundit, por edhe globalizimi si dukuri aktuale e ndërlidhjes dhe e integrimit botëror në fusha të ndryshme, si në ekonomi, politikë, kulturë, shkencë, sport, art etj. kanë pasur ndikimin e vet edhe në dukuritë gjuhësore në Evropë. Kur kësaj ia shtojmë edhe përparimet në teknologjinë informative dhe rritjen e komunikimeve përmes internetit dhe teknologjisë digjitale në përgjithësi, atëherë është e kuptueshme që dinamizmi i jetës së qytetarëve evropianë është bërë përditshmëri dhe mënyrë e jetesës. Të gjithë këta faktorë po ndikojnë edhe në gjuhët që fliten në Evropë, duke i dinamizuar edhe dukuritë gjuhësore përbrenda këtyre gjuhëve.

Në kuadrin e sotëm gjuhësor botëror, anglishtja tashmë është bërë gjuha kryesore në botë. Supremacia politike, ekonomike dhe kulturore e SHBA-ve, por edhe e Britanisë së Madhe, ka bërë që anglishtja të imponohet si gjuhë e komunikimit masiv në nivel botëror, pra të bëhet një lingua franca botërore, ngjashëm me latinishten dikur. Sot, anglishtja shërben si gjuhë kryesore për komunikim midis folësve që për gjuhë amtare kanë gjuhë të tjera.

Anglishtja është bërë gjuhë kryesor e komunikimit përmes Internetit. Ndonëse kemi një rënie të përdorimit të anglishtes në Internet në krahasim me gjuhët e tjera, ajo ende mbetet gjuha që zë hapësirën më të madhe në Internet. Sipas Statistikave Globale të Internetit sipas gjuhëve (Global Internet Statistics by language), në vitin 2001 anglishtja përdorej në masën 41%, ndërsa në vitin 2004 ka pësuar rënie në 35% të përdorimit. Pas saj renditet kinezishtja me 13.7%, spanjishtja me 9%, japonishtja me 8.4%, gjermanishtja me 6.9%, frëngjishtja me 4.2%, koreanishtja me 3.9%, italishtja me 3.8%, portugalishtja me 3.1% dhe në fund holandishtja me 1.7%. Anglishtja sot është gjuhë kryesore e marketingut dhe e reklamave që kanë vërshuar jo vetëm hapësirat fizike nëpër vendbanime anekënd botës, por edhe hapësirat digjitale e virtuale. Anglishtja është bërë gjuhë e misioneve ndërkombëtare paqeruajtëse nëpër botë (mision language) dhe, në të shumtën e rasteve, është edhe gjuha kryesore e samiteve politike, e simpoziumeve dhe seminareve ndërkombëtare, të cilat organizohen gjithandej nëpër botë.

Ky ekspansionizëm i anglishtes ka bërë që sot të flitet për anglishten si gjuhë globale (Global English), që lind nga nevoja për të pasur një gjuhë për komunikim botëror. Sipas shpjegimit të David Crystal-it, Global English nënkupton përdorimin e anglishtes si gjuhë botërore, por, njëkohësisht, edhe përdorimin e saj nga folësit nativë, të cilët i përdorin varietete e ndryshme të kësaj gjuhe. Ky termi, sipas Rosemary George, është përdorur si frazë përshkruese për të përshkruar forcën imperiale të gjuhës angleze dhe autorët kosmopolitanë që në shkrimet e tyre letrare e përdorin anglishten si gjuhë kryesore dhe të cilët janë prodhim i kësaj force imperiale gjuhësore të anglishtes.

Ekspansionizmi i anglishtes ka prekur pothuajse të gjitha fushat e jetës në Evropë dhe në botë. Në mjediset evropiane ajo ka vënë nën trysni edhe gjuhën frënge, e cila dikur ishte ndër gjuhët më të përhapura në botë. Dikur frëngjishtja ishte gjuhë e kulturës, e ekonomisë dhe e politikës në përmasa botërore e, madje ishte gjuhë e oborrit mbretëror anglez. Por, sot edhe frëngjishtja në kuadrin botëror mbetet prapa anglishtes. Nën të njëjtën trysni janë edhe gjuhët e tjera të Evropës që kanë folës të shumtë, siç janë gjermanishtja, italishtja, spanjishtja e portugalishtja. Ky ndikim i anglishtes në gjuhët e tjera evropiane reflektohet edhe në çështjet e ndryshme ditore. Ish-futbollisti i Milan-it, Andriy Shevchenko, kur po largohej nga ky klub italian drejt klubit të futbollit Chelsea të Londrës, në mesin e arsyeve që po jepte për largimin e tij, theksonte se dëshiron të shkoj në Londër edhe për shkak se dëshironte ta mësonte gjuhën angleze, pasi që gruaja e tij amerikane nuk e dinte italishten. Ky arsyetim e shtyri drejtorin e Milan-it, Adriano Galliani, t’u deklaronte medieve italiane se, “kjo është një fitore e gjuhës angleze ndaj asaj italiane”. Pra, është e qartë që anglishtja sot është duke ndikuar në çdo aspekt të jetës së njerëzve jo vetëm në Evropë, por edhe në botë.

Dukuria e globalizimit, e cila, në radhë të parë, është duke u përhapur si dukuri shkëmbimeve ekonomike në botë, ka krijuar terren të përshtatshëm për përhapjen e anglishtes në aktivitetet ekonomike evropiane. Sot, në Evropë, njohja e anglishtes paraqet një përparësi për punësim. Organizatat ndërkombëtare dhe evropiane, si p.sh. Asociacioni Evropian për Markat, Asociacioni Evropian i Distributorëve Kimikë, Asociacioni Evropian i Aviacionit të Biznesit dhe Federata Bankare Evropiane etj. duke kërkuar nga të punësuarit e tyre të njohin anglishten, në fakt i diskriminojnë folësit e gjuhëve të tjera në favor të folësve nativë të anglishtes. Në Finlandë anglishtja është duke e zëvendësuar finlandishten si gjuhë e ekonomisë dhe e financave, duke i detyruar përfaqësuesit e korporatave industriale të këtij vendi që ta flasin gjuhën e investitorëve të Nju-Jorkut dhe Londrës. Në Evropën e sotme mund të gjesh konkurse për vende pune, në të cilat flitet vetëm anglishtja. Në të gjitha vendet e Evropës mësimi i gjuhës angleze pothuajse është bërë i detyrueshëm dhe shihet si një përparësi për karrierën e individit.

Anglishtja ka filluar të ndikojë te shumë gjuhë të Evropës, të cilat kanë filluar t’i humbin disa domene të caktuara të përdorimit. Kjo gjë ka shkaktuar reagimin e folësve të gjuhëve të tjera, të cilët sot flasin për një hegjemoni të anglishtes në botë. Sipas atyre që e kanë shpikur këtë term, kjo hegjemoni e anglishtes ka krijuar pabarazi, diskriminim, kolonizim të mendjes, si dhe amerikanizim, transnacionalizim dhe komercializim të jetës bashkëkohore në Evropë.

Rreziku për gjuhët e bashkësive folëse minoritare në Evropë

Ndikimi i anglishtes shprehet në dy nivele: si ndikim ndaj gjuhëve kombëtare të Evropës, por edhe si ndikim ndaj gjuhëve të bashkësive folëse minoritare. Në këtë situatë, sot gjuhët kombëtare të Evropës, si: frëngjishtja, gjermanishtja, italishtja, spanjishtja, holandishtja etj., gjenden nën trysninë e anglishtes në rrafshin global, por në anën tjetër ushtrojnë trysni ndaj gjuhëve të bashkësive minoritare, sidomos ndaj gjuhëve të emigrantëve që jetojnë në vende të tilla si, Francë, Gjermani, Itali, Holandë, Zvicër etj. Gjuhët si, katalonishtja, galicishtja, baskishtja, janë gjuhë që deri vonë janë rrezikuar mjaft nga spanjishtja, por së fundi ka një prirje për promovimin e tyre si gjuhë regjionale në Spanjë. Në anën tjetër, në Britaninë e Madhe, në Francë, në Gjermani, në Holandë etj., kemi trysni ndaj emigrantëve që jetojnë në këto vende që t’i mësojnë gjuhët kombëtare të këtyre vendeve, duke bërë që gjuha native e këtyre emigrantëve të kufizohet në përdorim vetëm në domene të ngushta familjare. Në krahinën e Bavarisë në Gjermani, kryeministri i këtij landi Stoiber ka dalë publikisht me moton “pa gjermanishte s’ka shkollë” duke iu referuar nevojës që emigrantët duhet ta mësojnë gjermanishten, pasi që kjo gjuhë është e obligueshme në sistemin arsimor dhe nëse emigrantët duan të kenë qasje në shkollat gjermane, do të duhej ta mësonin gjermanishten. Në Holandë, kryetari i këshillit komunal të Amsterdamit Lodewijk Asscher, ka propozuar që holandishtja duhet të jetë gjuha e vetme në të cilën do të mbaheshin edhe ceremonitë fetare në xhamitë e Holandës. Në Francë, gjithashtu, gjuhët native të emigrantëve afrikanë e arabë janë në pozitë shumë inferiore në raport me frëngjishten. Në Britaninë e Madhe, në njërën anë kemi ndikimin e madh të anglishtes ndaj gjuhëve të emigrantëve indianë e arabë, por në anën tjetër gjuhët britanike vendase që i takojnë familjes së gjuhëve kelte, si uellsishtja dhe galishtja me degët e saj në Irlandë dhe Skoci, tashmë kanë fituar mbështetës, të cilët favorizojnë përdorimin sa më të madh të këtyre gjuhëve, duke u angazhuar që këto gjuhë të fitojnë status zyrtar. Në Irlandë, galishtja në bazë të kushtetutës së këtij vendi, është përcaktuar si gjuha e parë zyrtare - edhe para anglishtes – dhe, në këtë mënyrë, është bërë edhe njëra nga gjuhët zyrtare të Bashkimit Evropian. Në Uells folësit monoglotë të uellsishtes nuk ekzistojnë fare, por të gjithë janë bilingë që përdorin edhe anglishten. Deri vonë uellsishtja është konsideruar si gjuhë që është duke u shuar, por kohëve të fundit edhe atje kemi lëvizje me qëllim që uellsishtja të ruhet dhe kjo të bëhet duke e mësuar në shkolla. Në Itali, në një situatë të vështirë janë gjuha e arbëreshëve të Italisë, greqishtja (griko) e Magna Grecia-s në Siçili e Kalabri, por edhe gjuhët sllave si, sllovenishtja e dialektet sllave të Molisesë. Kohëve të fundit shteti italian ka miratuar një legjislacion për t’i mbrojtur gjuhët e bashkësive folëse minoritare në regjionet ku fliten ato. Në Greqi, gjuha e arbëreshëve të Greqisë (arvanitika) është duke shkuar drejt shuarjes. Mbetet të shihet se çfarë do të bëjë shoqëria greke për ta ndryshuar këtë trend.


Qëndrimet ndaj politikave gjuhësore

Nga e tëra që u tha më lart shohim që situata gjuhësore në Evropës paraqitet mjaft komplekse dhe e ndjeshme. Raportet politike, ekonomike e kulturore midis kombeve të Evropës reflektohen edhe në raportet midis gjuhëve të bashkësive të ndryshme folëse. Në këtë kuptim, në raportet gjuhësore shfaqen rivalitetet midis gjuhëve superiore të Evropës (anglishtja, frëngjishtja, gjermanishtja, spanjishtja dhe italishtja), por edhe prirjet për stigmatizimin e gjuhëve inferiore të bashkësive folëse minoritare. Si rezultat i këtyre raporteve sot kemi disa qasje në pikëpamjet lidhur me politikat gjuhësore që do të duhej të ndiqeshin në Evropë.

Në njërën anë, i kemi pikëpamjet e të ashtuquajturve neo-atlantistë, sipas të cilëve anglishtja do të duhej të shërbente si gjuhë për kontakte në Evropë midis folësve që flasin gjuhë të ndryshëm. Pra, sipas tyre anglishtja do të duhej të ishte një lingua franca e Evropës dhe ajo të shërbente si një gjuhë universale për komunikim.

Në anën tjetër, i kemi pikëpamjet e atyre që janë në favor të mbrojtjes së gjuhëve kombëtare dhe që mbështesin vetëm një multilingualizëm të kufizuar.

Përveç këtyre dy grupeve, kemi edhe pikëpamjet e regjionalistëve dhe separatistëve, të cilët janë të mendimit se çdo gjuhë duhet ta ketë statusin zyrtar. Kjo do të thoshte që në Evropë të kemi me qindra gjuhë me status zyrtar. Pikëpamjet e këtyre të fundit lindin nga ideja se të gjitha gjuhët janë të vlefshme dhe të barabarta, që diversiteti gjuhësor është vlerë në vete, ngjashëm me biodiversitetin. Sipas tyre, gjuhët e kanë rëndësinë e tyre të veçantë për njerëzit dhe popujt që i flasin, sepse këto gjuhë janë të lidhura me identitetin, me kulturën dhe memorien e këtyre popujve dhe çdo përpjekje për t’i shtypur këto gjuhë do të paraqiste gjenocid kulturor, apo “linguicid”.

Dhe, së fundi, kemi grupin e atyre që mendojnë se përparimet në teknologjinë informative do të ndihmojnë edhe në zgjidhjen e problemeve gjuhësore. Sipas tyre, përkthimi automatik i plotë përmes softuerëve do të ndihmojë mjaft në çështjet gjuhësore.

Legjislacionet për gjuhët në Evropë

Por cila është politika gjuhësore zyrtare e BE-së? Megjithëse politika gjuhësore në BE është përgjegjësi e secilit vend anëtar, megjithatë Bashkimi Evropian ka bërë përpjekje që t’i respektojë identitetet, kulturat dhe gjuhët e të gjitha vendeve anëtare të saj. Kjo qasje është sanksionuar edhe në dispozitat e Projekt Kushtetutës Evropiane, edhe në Traktatin e Maastricht-it, në të cilat thuhet se BE-ja do të respektojë identitetin e vendeve të saja anëtare dhe, rrjedhimisht, edhe të gjuhëve të këtyre vendeve.

BE-ja, gjithashtu, inkurajon diversitetin kulturor dhe gjuhësor, duke investuar me dhjetëra miliona euro për të financuar bursa për mësimin e gjuhëve të huaja dhe për t’i trajnuar mësuesit e gjuhëve. Më 1992, Këshilli i Evropës ka miratuar Kartën Evropiane për Gjuhët Regjionale ose Minoritare, e cila ka për qëllim t’i mbrojë dhe t’i promovojë gjuhët historike regjionale dhe minoritare në Evropë. Ky legjislacion ka të bëjë vetëm me ato gjuhë që tradicionalisht përdoren nga banorët vendës të shteteve evropiane dhe, në këtë kuptim, nuk ka të bëjë me gjuhët e emigrantëve që janë vendosur së voni në një shtet të caktuar. Ky dokument është ratifikuar jo vetëm nga shumë shtete anëtare të BE-së, por edhe nga shtete të tjera anëtare të Këshillit të Evropës.

Ky trend i ruajtjes së diversitetit gjuhësor është ruajtur dhe reflektuar edhe në Deklaratën Universale për të Drejtat Gjuhësore, të miratuar më 9 qershor 1996, në Barcelonë, e cila angazhohet për mbrojtjen e gjuhëve të botës, sidomos të atyre të rrezikuara.

Nga e tëra që u tha më lart, mund të përfundojmë që situata gjuhësore sot në Evropë paraqitet mjaft komplekse dhe, deri diku, kundërthënëse. Në një anë, dominimi i anglishtes dhe përhapja e saj në hapësirat evropiane, duke vënë nën trysni gjuhët e tjera është një realitet sot e gjithë ditën, në anën tjetër Bashkimi Evropian, jo vetëm që përpiqet të ndjekë politikë gjuhësore egalitariste në raport me gjuhët e kombeve të BE-së, por, gjithashtu, përpiqet që edhe gjuhëve të bashkësive folëse minoritare t’u krijojë hapësira për përdorimin e gjuhëve të tyre në domene zyrtare brenda arealeve gjuhësor regjional në të cilat fliten këto gjuhë e dialekte, duke inkurajuar mësimin e këtyre gjuhëve në shkolla.

Është e vështirë të parashihet se çfarë do të jenë zhvillimet gjuhësore në Evropë në të ardhmen. Mbetet të shihet se si do t’i rezistojnë ekspansionizmit të anglishtes gjuhët kombëtare të Evropës, por edhe gjuhët e bashkësive folëse minoritare. Ndonëse thamë që legjislacionet e BE-së garantojnë përdorimin e barabartë të gjuhëve të shteteve të BE-së dhe inkurajojnë ruajtjen e diversitetit gjuhësor, megjithatë ndikimi i anglishtes nuk vjen vetëm përbrenda BE-së, por edhe në rrafshin botëror. Përhapja e anglishtes përmes ndikimit amerikan në botë është bërë dukuri që po prek edhe gjuhët e tjera që kanë folës të shumtë në botë. Njëkohësisht, anglishtja është përqafuar si gjuhë e tregut edhe nga shtetet e tilla që po përjetojnë “brom” ekonomik si Kina, por edhe nga shtetet e mëdha, si India, që anglishten e përdorin tradicionalisht si ndikim i kolonializmit. Në këtë kuptim, në raportet botërore, BE-ja është e detyruar të pranojë ndikimin e anglishtes. Në organizatat e ndryshme ndërkombëtare politike, ekonomike e kulturore, anglishtja është gjuha kryesore. Dhe, duke pasur parasysh këtë kontekst, është e qartë që mjedisi evropian, jo vetëm përbrenda tij, por edhe në relacionet botërore edhe për një kohë të gjatë do të përballet me sfidën e anglishtes. Fuqia e këtij ndikimi do të varet nga faktorë të tjerë jashtëgjuhësorë ekonomikë, politikë e kulturorë. Përpjekjet evropiane për planifikim gjuhësor mund të ndikojnë deri diku në frenimin e këtij ndikimi, por nuk do ta ndalojnë atë. Prandaj, mund të supozojmë që autoritetet politike e kulturore evropiane do të mund të ndikojnë në menaxhimin e kësaj dukurie, por jo edhe ta kontrollojnë atë, sepse nganjëherë gjuha dhe dukuritë gjuhësore, sikurse edhe natyra, ndjekin me kryeneçësi rrugë të caktuara të zhvillimit, të cilat varen plotësisht nga faktorët e ndryshëm sociolinguistikë.

No comments: